GJUHË APO DIALEKT?

Një prezantim i Diana Kastratit në Ex Libris (Arbërishtja, gjuhë në rrezik?), lidhur me Kuvendin e dytë të studimeve arbëreshe, organizuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, zhvilluar në datat 4 dhe 5 shtator 2023 në Tiranë, më kujtoi mes të tjerash se edhe UNESCO-ja e ka përcaktuar arbërishten si “gjuhë përfundimisht në rrezik.”

Për UNESCO-n, kësisoj, arbërishtja është “gjuhë”; dhe kjo bie ndesh, në gjykimin tim, me trajtimin që tradita jonë gjuhësore dhe filologjike i ka bërë arbërishtes, duke e trajtuar si dialekt të shqipes. Prandaj sërish do të pyesim nëse arbërishtja është sot gjuhë e mëvetësuar nga shqipja, apo dialekt i shqipes?

Dallimet mes gjuhës dhe dialektit nuk bëhen lehtë, ngaqë kriteret dalluese janë të shumëllojshme. Për mua, arbërishtja e ka nisur rrugëtimin, në shekujt XIV-XVI, si një konglomerat të folmesh dialektore të shqipes, por pa u bërë asnjëherë dialekt gjeografik; dhe tanimë mund të konsiderohet gjuhë e veçantë, simotër e shqipes. Thjesht mendimi im.

Nëse arbërishtja është gjuhë e mëvetësishme apo “dialekt” (le ta vëmë në thonjëza këtë term), kjo vjen jo thjesht si çështje përkufizimi ose semantike, pse përgjigjja ka ndikim edhe në vetë angazhimin e folësve dhe të institucioneve ndaj fatit të saj. Një dialekt në rrezik nuk përbën ndonjë shqetësim madhor – dialektet, sidomos ato gjeografike, për nga natyra e tyre, priren të bëhen e të zhbëhen në rrjedhën edhe të ndryshimeve demografike. Përkundrazi, një gjuhë që zhduket merr me vete edhe një larmi praktikash dhe traditash kulturore, prandaj edhe tërheq vëmendjen dhe kërkon mbrojtje.

Për arbërishten përftohet kështu një paradoks. Vetëm po ta quajmë “gjuhë”, siç e bën edhe UNESCO-ja, mund të përligjim përpjekjet edhe institucionale për ruajtjen dhe lulëzimin e saj – dhe, në realitet, angazhimi i shtetit shqiptar në mbështetje të arbërishtes parakupton perceptimin e kësaj si gjuhë (nuk do ta përfytyronim dot të njëjtin angazhim, bie fjala, në mbrojtje të çamërishtes, ose të dialektit të Dushmanit, kjo edhe ngaqë arbërishtja, gjuhë a dialekt qoftë, ka krijuar edhe një letërsi të vetën dhe një identitet kulturor refleks të spikatur). Por nëse arbërishtja është mirëfilli gjuhë, kjo do t’i relativizonte edhe përpjekjet e “shtetit amë” në mbështetje të saj; sepse është vështirë që të përligjësh angazhimin e institucioneve publike të Shqipërisë, në mbrojtje të një gjuhe tjetër nga shqipja, sado të afërt me të. Nga kjo pikëpamje, shteti italian dhe institucionet përkatëse kanë detyrime më të mëdha se tonat, për mbrojtjen e arbërishtes – brenda kuadrit kushtetues për tutelën e pakicave dhe në pajtim edhe me qëndrimet e UNESCO-s.

E njëjta dilemë prek, në mënyra të ndryshme, statusin dhe perspektivën e katedrave dhe instituteve të gjuhës dhe të letërsisë shqipe në Itali: a do të fokusohen këto në shqipen ballkanike dhe letërsinë e saj, apo do të trajtojnë me përparësi të folmet arbëreshe, letërsinë arbëreshe dhe kulturën arbëreshe, në sinkroni dhe në diakroni? Dilemën e maskon njëfarësoj fakti që për italishten emri dhe mbiemri albanese përdoret njëlloj si për shqipen dhe shqiptarët këtej, ashtu edhe për arbërishten dhe arbëreshët andej; duke përcjellë një identitet në thelb diakronik, por është zbehur mjaft në sinkroni.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin