TAHSIN JONUSI NË HISTORINË E ARKEOLOGJISË SHQIPTARE

nga Kriledjan Çipa (arkeolog)

Zbulimi dhe botimi i doktoratës së panjohur të dr. Tahsin Jonusit me temë: “Topografia dhe rrjeta e rrugëvet të Shqipnis në kohët e vjetra/Die Topografie und die Strabenzuge Albaniens im Altertum”, gati më shumë se një vit më parë, ishte sa befasues aq dhe i rëndësishëm. Doktorata e mbrojtur nga dr. Jonusi në vitin 1937, në  Universitetin “Leopoldina Franciscea” në Innsbruck të Austrisë ngeli e panjohur për shkak të vdekjes së tij të parakohshme në moshën 32 vjeçare, në kampin nazist të internimit në Mathauzen. Tisin e harresës e shtoi instalimi i regjimit komunist në Shqipëri, i cili e shihte familjen vlonjate Jonuzi me dyshim politik, edhe pse vetë dr. Tahsini kishte flijuar jetën e tij për atdheun dhe kishte vdekur si armik i nazizmit. Gjetja dhe botimi i punimit nga Aulona Jonusi (mbesa e dr. Jonusit) me ndihmën e prof. Përparim Kabos, hap një diskutim të ri mbi historinë e disiplinës së arkeologjisë në Shqipëri. Në periudhën e promovimit të librit pata rastin të lexoj konsideratat e prof. Bardhosh Gaçes, si dhe të ndjek nga afër konsideratat e kolegëve të Institutit të Arkeologjisë në ambientet e këtij institucioni, ditën e promovimit. Tashmë që arrita ta lexoj veprën të plotë dhe të krijoj një mendim timin për të, dëshiroj të ndaj disa konsiderata profesionale.

Vepra përbën një katalog të parë të përpiluar nga një arkeolog shqiptar mbi qendrat kryesore arkeologjike në territorin e shtetit shqiptar. Punimi ndahet në disa kapituj, si trajtimi i qendrave kryesore arkeologjike të Shqipërisë, hidronimia antike, trajtimi i fiseve të Ilirisë së Jugut, si dhe rrjeti rrugor antik. Fillimisht, bëjnë përshtypje njohuritë e mira të autorit mbi burimet antike. Ai ka arritur një analizë tejet të mirë të këtyre burimeve, në trajtimin e topografisë dhe toponimisë antike. Këto burime ai i kombinon me rezultatet e kërkimeve arkeologjike në territorin e Shqipërisë të fillimit të shek. XX, duke u përpjekur të arrijë rezultate sa më të pranueshme në identifikimin e emrave antikë të qendrave të ndryshme. Për arsye të kuptueshme, ai mbështetet kryesisht mbi punët e arkeologëve austriakë, si Camillo Praschniker, Arnold Schober, Carl Patsch apo George Veith. Ajo që bie në sy është mungesa e përmendjes së punës arkeologjike të arkeologut italian Luigi Maria Ugolini në qytetet antike të Butrintit dhe Finiqit, si dhe të arkeologut francez Leon Rey në Apoloni. Nuk është e lehtë të kuptohet nëse ky është një qëndrim politik i autorit, apo një pamundësi e tij për t’u konsultuar me raportet e punës së tyre në bibliotekat e Austrisë së asaj kohe. Kjo e dyta duhet të jetë edhe më e mundshmja, pasi për Butrintin i referohet një raporti të shkurtër të një reviste austriake. Ndonëse punimi është realizuar në një moshë fare të re nga autori, ajo dëshmon për një maturi të spikatur profesionale. Ai nuk është imponues në përfundimet e tij mbi emrat antikë të qendrave të caktuara, duke i lënë diskutimet e hapura. Në raste të tjera, duke u mbështetur mbi të dhëna më të sigurta arkeologjike dhe historike, jep përcaktime të sakta, madje ngre hipoteza të cilat do të vërtetohen nga kërkimet e mëvonshme arkeologjike. Dr. Jonusi duhet njohur si një ndër arkeologët e parë që bashkohet në identifikimin e qytetit antik të Amantias me rrënojat e qendrës antike në fshatin Ploçë, në zonën e Sevasterit. Ai hedh hipotezën se duhet kërkuar në Gjirokastër qendra antike Argyros, qendër e fisit antik të Argyrinoit. Pikërisht gërmimet e arkeologut Damian Komata në Kalanë e Gjirokastrës në vitin 1988 provuan ekzistencën e një vendbanimi antik të panjohur më parë. Një mendim të ngjashëm do ta shprehte së fundmi edhe epigrafisti i shquar francez Pierre Cabanes. Me intuitën e tij profesionale vë në diskutim themelimin e Lissusit (Lezhës) antik nga Dionisi i Sirakuzës, pasi, sipas tij, Lissusi bën pjesë në mbretërinë e ardianëve, pra, sipas tij, duhet trajtuar më shumë si një qytet ilir dhe jo një themelim helen. Ky sugjerim i tij do të vërtetohet më së miri nga gërmimet e arkeologut Frano Prendi në vitet 1970, në këtë qendër. Gjithashtu, në këtë kapitull vihet re trajtimi i thelluar (për kohën kur është shkruar punimi) i historisë dhe vendndodhjes së Nymfeut pranë Apolonisë, si dhe historisë dhe topografisë së qendrave të Shkodrës, Lezhës, si dhe qendrave antike të zonës së Beratit.

Pjesa e dytë dhe e tretë, ku trajtohet shtrirja dhe historia e fiseve antike të Ilirisë së Jugut, që përkon me territorin e shtetit të ri shqiptar, apo hidronimisë e hidrografisë antike, duhet thënë se puna është bërë mbi një bazë të mirë burimesh antike, njohurish gjeografike e topografike. Puna e dr. Jonusit për identifikimin relativ të hapësirës ku shtrihej territori i fiseve të ndryshme antike, ngelet e vlefshme edhe në ditët sotme.

Pjesa e fundit e punës së tij është trajtimi i rrjetit rrugor antik në territorin e Shqipërisë dhe kryesisht e Via Egnatias. Ky kapitull është një trajtim i hollësishëm i burimeve historike dhe hartografisë antike e mesjetare. Në këtë kapitull janë përfshirë edhe rezultatet e punës së tij në terren në aksin rrugor Elbasan-Korçë, ku të dhënat e botuara prej tij janë me interes të veçantë, pasi shumë nga traktet e rrugës nuk ruhen më në gjendjen që i përshkruan autori në vitet 1930. Madje ai jep informacione të panjohura, si p.sh. dalja e një fragmenti antik të Via Egnatias gjatë punimeve për hapjen e një fabrike alkooli rreth 5 km larg qytetit të Elbasanit. Puna e tij kërkimore në terren është shoqëruar me një dokumentacion fotografik, që është një arritje jo e vogël për një student doktorate të asaj kohe. Interpretimet e tij mbi ndikimin e rrjetit rrugor në zhvillimin e qendrave më të rëndësishme të kohës janë gjithashtu me interes për t’u nënvizuar. Ndër vërejtjet e shumta të tij mendoj se është mjaft i hollë konstatimi se: “Qendra antike e Aulonës (Vlora e sotme) merr rrëndësi të madhe kur fillon të braktiset Apolonia, pasi bëhet stacioni i parë apo një nga portet (tjetri ishte Dyrrahu) ku nis Via Egnatia, që përshkruan një pjesë të rëndësishme të Ballkanit”. Puna e tij studimore për rrjetin rrugor jo vetëm që është pararendëse e punëve studimore të studiuesve të mëvonshëm shqiptarë, si Jovan Adami e Valter Shtylla, por është e barasvlershme, si dhe gjithashtu pikë referimi, për cilindo që do të merret në vijim me studimin e rrugëve antike në Shqipëri.

Krahas veprës së tij themelore, dr. Jonusi ka patur edhe një aktivitet të pasur publicistik në shtypin shqiptar të viteve 1930. Ai ishte një arkeolog dhe intelektual i angazhuar dhe me artikujt e tij ndërhynte në debate historike dhe arkeologjike me saktësime profesionale. Dr. Jonusi ishte jo vetëm një njeri aktiv dhe kontribuues në lëmin e kulturës sonë kombëtare, por një patriot antifashist dhe antinazist i vendosur, çka i kushtoi edhe jetën.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i veprës është perspektiva e re që ajo hap në njohjen e historisë së kërkimit arkeologjik në Shqipëri. Para këtij zbulimi të beftë, aktiviteti arkeologjik midis dy luftërave botërore në Shqipëri i atribuohej kryesisht arkeologëve të huaj, si Carl Patsch, Camillo Praschniker, Arnold Schober, Luigi Maria Ugolini, Leon Rey, Luigi Cardini etj. Vepra e dr. Jonusit dëshmon krejt të kundërtën e asaj që kemi ditur deri më sot. Ajo dëshmon dhe konfirmon se shqiptarët janë kontributorë të rëndësishëm në njohjen e trashëgimisë arkeologjike dhe historisë antike të trojeve të tyre, qysh herët. Krahas veprës së dr. Jonusit, është e mirënjohur tashmë puna kërkimore e At Shtjefën Gjeçovit, si dhe e disa personaliteteve të tjera që po i përmend shkurtimisht. Është ende i pavlerësuar aktiviteti arkeologjik i inspektorit të arsimit Llukë Karafili në vitet 1930, që e njohim nëpërmjet botimeve të shumta në shtypin e kohës. Është ende i pavënë në dukje kontributi i Eqerem bej Vlorës mbi informacionin arkeologjik që jep në veprën e tij “Nga Berati në Tomorr” e botuar në vitin 1911, apo artikujt e tij mbi Kalanë e Kaninës në periodikun “Shejzat”. Gjithashtu, ngelet për t’u sqaruar dhe hulumtuar aktiviteti arkeologjik i Yzeir Ismailit, drejtorit të Muzeut Arkeologjik, që u ngrit në godinën që shërbeu si seli e qeverisë së përkoshme të Ismail Qemalit (aktualisht Muzeu Kombëtar i Pavarësisë). Përpara institucionalizimit të arkeologjisë shqiptare (pas Luftës së Dytë Botërore) nga arkeologët e mirënjohur Selim Islami, Hasan Ceka, Frano Prendi dhe Skënder Anamali, puna e të cilëve me të drejtë është thënë se e futi arkeologjinë shqiptare nga “Porta e madhe” e arkeologjisë botërore, arkeologjia jonë ka një aktivitet më të hershëm. Kërkimet e viteve të fundit në arkivat osmane dëshmojnë se, përpara viteve 1912, shteti osman kishte sektorë që kishin për detyrë të merreshin me arkeologjinë e shpëtimit (Shih: E. Caka, R. Ruka, E. Shehi, “Fillesat e gërmimeve arkeologjike të shpëtimit në Shqipëri nga këndvështrimi i dokumenteve zyrtare osmane: Rasti i konakut të Durrësit”, Studime Historike, Nr. 2, 2022, f. 75-98). Madje, studiues të mirënjohur si Oliver Gilkes e konsiderojnë Ali Pashën si ndër nismëtarët e parë të gërmimit arkeologjik në trojet shqiptare, pasi në kohën e tij ka urdhëruar gërmime arkeologjike në Nikopol dhe Apoloni (Shih: E. Caka, R. Ruka, E. Shehi, 2022, f. 75-98). Sigurisht që të dhënat e parashtruara kërkojnë studime të thelluara, debate dhe patjetër një vëmendje më të madhe nga studiuesit e fushës. Në mendimin tim, kontributi apo aktiviteti i vetë shqiptarëve në njohjen dhe studimin e pasurisë arkeologjike të vendit, duhet të periodizohet në një periudhë para krijimit të shtetit shqiptar, në një periudhë të dytë pas krijimit të shtetit shqiptar (periudha nga Lufta e Parë deri në Luftën e Dytë Botërore), në një periudhë të tretë pas Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1990, si dhe, së fundmi, në atë pas viteve 1990.

Vepra e dr. Tahsin Jonusit dëshmon se arkeologjia është një disiplinë shkencore me traditë në Shqipëri, traditë nga e cila kemi ende shumë për të mësuar. Edhe pse u rikthye në vëmendjen e qarqeve arkeologjike dhe studiuesve, ende nuk ka marrë një vlerësim të mjaftueshëm publik dhe institucional ashtu siç e meriton kontribuuesi i rëndësishëm i kulturës kombëtare dhe dëshmori i atdheut Tahsin Jonusi.

(c) 2023 Kriledjan Çipa. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

 

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin