PËR ATA QË JETUAN ME PETRO MARKON

nga Eda Derhemi

“…Urdhri që të mos përmendej emri im si shkrimtar në asnjë gazetë, revistë ose mbledhje të Lidhjes së Shkrimtarëve, kishte ardhur nga lart. Unë isha një shkrimtar i mallkuar në vendin tim, ku me sa munda luftova, punova dhe shkrova si gazetar, si poet, si shkrimtar, si përkthyes i një pjese të mirë të poetëve latino-amerikanë…”
Petro Marko

Safo (Safie), Nita (Arianita), Madu (Jamarbër), Petro – veç ky i fundit thirret me po atë emër që i vunë kur lindi – i yni prozator i lindur, dashnori i imazheve të bukura, i dashurive të çmendura, i aventurave dhe historive që harlisen si ferra të egra, idealisti revolucionar, dhe njeriu i lirë Petro Marko. Veç Nita ka mbetur prej të katërve të kësaj shtëpie arti prej Tiranës së vjetër, edhe ajo e harruar. Të tjerët kanë ikur me palëvizjen e vdekjes pa bujë, sikur donin të na e kursenin vetëdijen për dhimbjen që u shkaktuam; sikur donin të mos e vinim re shëmtinë tonë që vështruam pa bërë zë se si i keqtrajtonin e shkelnin duke i shtyrë poshtë. Por ne gojëmbyllur mbroheshim me idenë se ua donim artin dhe se i kuptonim. Ikën pa e marrë atë që meritonin prej botës ku jetuan të cilën e bënë më të mirë. Ikën. Sidomos, pa marrë mirënjohjen tonë. Dhe as u treguam shenjë pendese, keqardhjeje apo vetëqortimi. As u. As u. Për turpin tonë. Pendesa jonë e munguar që sot s’i hyn kujt në punë.

“…Bashkë me Nitën kam mbetur pa shoqe.…Petro m’i plotësonte të gjitha; më respektonte shumë, më puthte kokën në rrugë, në një kohë që burrat shqiptarë ishin më të ftohtë se kurrë me gratë e tyre në publik. Unë s’u bëra kurrë një grua shtëpie. Unë punoja, kisha fëmijët, kisha nënën; ai më merrte kudo që shkonte me vete. Jetën e kam kaluar shumë të vështirë… Unë e njoha Petron të lirë gazetar, ai më tha do bëhesh gruaja ime dhe unë pranova. Petron e burgosnin gjithë kohës…” SM

Nita – me mençurinë dhe dinjitetin e gruas që i ka parë të gjitha, të gjitha i ka jetuar, i ka gëzuar dhe qarë, edhe më të hidhurën e ka gëlltitur pa bërë zë, por duke dashur gjithsesi t’i sigurojë mbijetesën njerëzillëkut – shfaqet stoike, me sy të bukur e të vrarë, por me buzëqeshjen që s’ia kanë gorromisur dot. Ende. Më shumë se të tjerë të ftuar në studio televizive, ajo përçon qëndresë. Adi Krasta që e ka ftuar në emisionin e vet A Krasta Show të para pak ditëve, më duket më i menduar se zakonisht kur Nita kallëzon. Jam e sigurtë që makabriteti i mënyrës se si Markot janë trajtuar e shkatërruar gjatë socializmit dhe pas tij, ia zë frymën edhe atij, dhe nuk e lë të bëjë pyetje e të krijojë ndërprerjet e nevojshme, me lehtësinë e zakonshme. Stoiciteti i Nitës ka diçka prej njeriu që ka parë botën përtej, gjithë rrathët e Ferrit një për një, dhe pastaj është rikthyer. Të na dëftejë? Jo. Por që të dëshmojë edhe pa dëftyer. Më bën përshtypje që nuk thotë as edhe një llaf kot. Asnjë flirtim me kamerën, me publikun. Asnjë lajthitje tipike e kujt ftohet në studion me të cilën është e pamësuar. Asnjë përpjekje për të lartësuar vlerën e njerëzve të vet, që vlerën e patën të lindur, e të cilëve vlerën ua shkelën sistematikisht deri në vdekje. Por dashuria për të atin që duket si pa tavan, dhe që fotot ia sjellin si përqafim për pak çaste, e bëjnë t’i rikthehet drita e gëzimit për një moment si fëmijës kur rrugës dallon nga larg detin që hapet pamatshëm përpara. Ndërsa dhimbja për të vëllanë duket ende veshtullore si plagë e hapur. Ajo, si edhe trishtimi për nënën që vdiq në harresë e mjerim, rrëmbushin sytë e Nitës. Por vetëm aq sa duhet. Aq sa pesha e rëndesa të mos ia derdhë faqeve. Aq sa askush të mos ndihet në siklet. Aq sa dinjiteti dhe kontrolli prej lotësh që kanë shterur viteve t’ia lejojnë.

“… Ku linde, o i ri?
O Jetë, linda në shkreti!…” (MM)

Çdo shoqëri ka mitet e veta – njerëz a histori që bëhen modele të mira e të këqia, që njihen tipikisht prej kujtdo në grup, në mënyrë skematike, të pjseshme, e simbolike. Sidomos simbolike. Duke jetuar në emër të një ideje më të madhe se ato vetë. Ama, ato ekzagjerueshëm besohen sikur të njiheshin në mënyrë perfekte. Këtu pastaj mitet nisin e çalojnë dhe bëhen komplekse, aq sa edhe bazë kulturash në formim, dhe ushqyese ideologjish të reja. Markot në Tiranë ishin të gjithë mite, një mit i njësishëm si familje, dhe secili pjesëtar si mit më vete. Një shtëpi ku autoriteti prindëror në kuptimin e njohur tiranas ishte i lirshëm e me shumë porta, dhe shihej prej dy fëmijëve si dashuri dhe admirim për prindët e jo si nevojë për t’u bindur. Dhe aty sidomos mungonte autoriteti patriarkal: burrat e shtëpisë edhe mund të veneroheshin, por kurrsesi për faktin që ishin burra a djem. Ky vazhdon të jetë interpretimi im për mënyrën si organizohej jeta në këtë familje. Ndihet fort malli i Nitës teksa sheh të atin në fotot e studios, dashuria që i rikthehet dehshëm prej momenteve që evokojnë fotot. Aq herë mahnitet me të atin gjatë emisionit: Ah, babi! – dhe fytyra i merr një shprehje qetësie të ëmbël. Mënyra se si e ndan jetën e të vëllait që vdiq (në moshën që unë kam sot – shumë herët. Padrejtësisht.), në atë para e pas Spaçit, në atë para e pas aksidentit, më godet. Formulaike. Kushedi sa herë e ka tjerrë në kokë Nita fatin e familjes së vet që u fundos, teksa e shtynin me grushte, e duke mos iu pas kursyer kurrë vareja e pushteteve. I ka gjetur shkaqet, i ka periodizuar etapat mbi bazë disa-kriterëshe, e ka ndarë jetën në shumë më shumë faza se thjesht një fëmijëri e bukur e një jetë e rritur e pabukur. Këta njerëz, të katërt, me aq bukuri brenda, u dënuan të mos e gëzonin atë bukuri jashtë vetes. Ish të kthyerit në mit që i ndëshkoi apo ai që i mbrojti nga zhdukja e menjëhershme? Të tjerë shqiptarëve ua morën jetën me ekzekutim. Këta “i mbrojtën” duke u lejuar një vdekje të ngadalshme e të keqe që edhe t’ia shihnin njëri-tjetrit. Por tek dëshmonin vuajtjen e vet, gjithsesi mbetën të lirë e rebelë. Vdiqën artistë, por në dhimbje e pa respektin e merituar prej shoqërisë së cilës i dhanë hënë e yje. Ua vranë gëzimin. Atë që s’lidhet me kujtimin. Se kujtimin s’ua vranë dot. Apo ua vranë edhe atë? Nita në emision dëshmon që jo. Por të vëllait ndoshta ia vranë. Apo as atij?

“…-Për çfarë të merr malli?
-Për veten siç kam qenë!…” (MM)

Me gjithë talentin dhe unicitetin e secilit, të tre ishin si satelitë të mitit të madh letrar – Petro Markos, shkrimtar i rrallë për Shqipërinë, me një narracion unik e gurgullues, që kish aq shumë të rrëfente e aq njerëz të prekte, me një prozë së cilës nuk i shter ritmi energjik e lirshmëria e narracionit, si të kthente në letërsi natyrën e vet të pabindur dhe shikimin e lirë si Joni të Petro Markos. Në prozën e vet ku ka një trung me bazë kujtimin jetësor autobiografik, Marko luan lirshëm me poetiken edhe pse epika revolucionare e shkrimeve dhe heroikja e copëzuar në dhjetëra e qindra personazhe, është e pranishme kudo. Si penë e mësuar hershëm ai i përdor aq natyrshëm vetën e parë e të tretë narrative, aq pa teklif sa kufiri mes tyre kthehet në fluid. Ashtu siç bën shkrimtari kallëzimtar i lindur, që mezi pret të rrëfejë një histori. Është forca e historisë që kallëzohet, ajo që e vë lexuesin me shpatulla pas muri: ndiq pa frymë fillin e fabulës se është si det narracioni i Markos: nuk sos kurrë. Me gjithë dëshmitë e parezistueshme letrare të gjinive të ndryshme, respektin ia bëri Kosova më shumë se Shqipëria. Shqipëria e dënoi, e masakroi dhe e ndaloi. U përpoq t’ia vrasë ëndrrat.

…Ëndrra ime për të vajtur qoftë edhe një herë të vetme në Kosovë, ku më respektojnë si shkrimtar e si luftëtar dhe më quanin vëlla, nuk u realizua kurrë.
Kjo dashuri për kosovarët më lindi në fillim të viteve tridhjetë…

Më ngrihen bubrriqe mbi lëkurë kur, gjatë emisionit, Nita, duke kujtuar ecejaket pafund të të atit nëpër korridorin e shtëpisë, shpjegonte: Babi thoshte se ish mësuar në burg të mos rrinte dot ulur, por të ecte pa ndërprerje. Mendoj se këtyre njerëzve fjala burg nuk u thoshte më të njëjtën gjë që na thoshte neve. Edhe fëmijët ishin mësuar me të. Por përse kish ndodhur kështu?! Nuk ishin ish-pronarë që për komunizmin shiheshin si armiq; nuk ishin as ish-pjesëtarë të udhëheqjes të cilët ranë nga fiku pasi lyen duart me krim politik, për të cilët kam gjithnjë ndjesi të përziera dhe s’di a gjej forcë të ndiej keqardhje. Aq më pak, faj. Petroja ishte njeri me mendje të majtë e me mendje të bukur. Një përzierje që zor t’u shkonte përshtat socializmave realë të pas-Luftës.

“…Shikoj Safon time, artiste, për mua jashtëzakonisht e talentuar, e cila ka punuar e punon akoma për të mbajtur shtëpinë. Dhe kujtoj ëndrrat e saj për udhëtime, për tablotë, për ngjyrat, për idetë, për ekspozitat. Nuk u realizua kurrë ëndrra e saj për të vizituar Luvrin, galerinë e famshme të artit në Firence, që ishin aq afër dhe që ia kisha premtuar kur u njohëm! Shikoj të dy fëmijët e mi, të dy artistë. Dhe mendoj: Si iku kjo jetë kështu?!…” (PM)

Por çfarë e bezdiste kaq shumë regjimin që nuk ngopej së ndëshkuari e rindëshkuari këtë familje? Të qenët ndryshe? Shembulli që ata jepnin në publik? Të qenët të lirë në ide dhe në mënyrën si e hidhnin hapin? Fakti që shihnin drejt e në sy, dhe me të vërtetën nuk luanin? Dinjiteti i tyre dhe koka lart? Apo fakti që idealizmi i majtë, patriotizmi dhe republikanizmi i Petro Markos i bënin komunistët e nomenklaturës të ndienin kutërbimin e vet, prishjen dhe qelbjen e vet, ta ndienin fizikisht fekalen e madhe që patën krijuar në Shqipëri në emër të të njëjtave ideale me ato të Petros? Besoj shumë që ishte kjo e fundit: revolucionarthët e byrosë politike tek Petroja, jeta dhe familja e tij, tek shpalosja narrative e fabulës së romaneve të tij, shihnin greminën dhe të zitë e vet. Burracët që shtireshin si përparimtarë e të emancipuar nuk mund ta pranonin njeriun e lirë Petro. Petro Markoja me çdo fjalë që hidhte në letër konfirmonte distancën e pamatë që burrat e gratë e udhëheqjes komuniste kishin prej idealeve revolucionare. Sa larg e sa poshtë ishin prej përparimit. Kritikat e ruajtura të Ramiz Alisë ndaj Markos qartësisht shprehin këtë filistinizëm të atyre që bënin sikur donin të mirën e shqiptarëve. Petro Marko, edhe më shumë se shkrimtar i madh, ishte njeri i madh. Patriot i madh. Por nuk çuditem që mendonte se për të shkruar mirë duhet të bëheshe diku tjetër, të edukoheshe, njerizoheshe, rriteshe jashtë Shqipërie.

Kjo ishte një dukuri që shumë herë diskutohej nga Branko Merxhani me Odhise Paskalin, me Tajar Zavalanin e letrarë të tjerë. Shumica e veprave që janë themeli i kulturës sonë, janë shkruar jashtë Shqipërisë [‘ose prej kujt kish ndenjur, studiuar e punuar për shumë kohë jashtë saj’ – thënë tjetërkund prej autorit – ED]. Po të kishin lindur e jetuar këtu Rexhep Qosja, Ali Podrimja, Bekim Fehmiu e të tjerë, talenti i tyre do të ishte vrarë, ashtu siç u vra talenti dhe jeta e shumë e shumë bijve të talentuar të kësaj Shqipërie, që mbijetoi në këto vite në dallgët e historisë… (PM)

Ernest Hemingway që shkrimtarin dhe njeriun tonë nuk e njihte hiç, e njihte atë më mirë se ne. Më mirë se ne mëkatarët.

I dashur Pedro, mora romanin tuaj dhe ju falënderoj. Mjerisht, unë nuk e lexoj dot, se nuk di gjuhën tuaj. Vetëm për një gjë jam i sigurt: shkrimtari, që e do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…” – shkruan Hemingway pasi mori prej P. Markos romanin “Hasta la vista” në shqip.

Një ditë dimri me diell dua të shkoj në Dhërmi, e të rri pak tek varri i Petro Markos. Me një tufë sherebele të egër në dorë që t’ia le pastaj mbi varr. Era e Bregut më jep forcë e një virtyt që i nderon krijuesit idealistë. Do lexoj një faqe prej të parit roman të tij. Nuk do e diskutoj origjinën shqiptare të Dhërmiut e Himarës, siç ia kish ënda të bënte Petro Markos, dhe as ku janë sot bregasit krenarë. Do jem aty pa kritika e vramendje; thjesht me idenë e bukur në tru. Kur të kthehem në Tiranë do takoj dy të tjerët në varrin e vet, në fakt, në të njëjtin varr, dhe do u them se sapo pashë bregdetasin e tyre të zemrës, detmadhin me flokë dionisianë si rrush i harbuar e si valë të tërbuara që i mbulojnë kurmin, dhe do u them se selam u sjell prej Petros, dhe se u përulem që mbajtën gjallë njeriun ideal kur ky u kërrus e u thye në vendin tim.

(c) 2023 Eda Derhemi. Të gjitha të drejtat janë të autores.

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

5 Komente

  1. Respekt!
    E ndoca vajzen e vet te Krasta, nje grua aq e fiseshme. Nga i biri kam lexu dicka nga “Rastesisht me dashje” si dhe disa shkrime per te, ku te gjithe ata qe kam lexu, krenoheshin qe e kishin patur shok.
    Kjo familje me ngjane si martire e njerzillikut ne nje kohe e njerzishmja u shkel me kam.

  2. Për të krijuar një ide sa është në dispozicion letërsia e Petro Markos sot, hodha një sy te faqet e librarive të Shqipërisë – ofertën më të pasur e gjeta te “Shtëpia e librit”, por edhe aty vepra si “Tregime të zgjedhura”, “Stina e armëve”, “Një emër në katër rrugë”, “Ultimatumi”, “Një natë dhe dy agime”, “Çuka e shtegtarit”, të gjitha nga OMSCA-1, rezultojnë si të mbaruara (out of stock). Librari të tjera kanë më pak tituj. Shpresoj se përfaqësohet më mirë në libraritë e Prishtinës. Por OMSCA-1 (që ka të drejtat ndaj shumicës së veprave dhe që duhet t’i sigurojë për të gjitha) fare mirë mund të bënte me Petro Markon atë që ka bërë Onufri me Ismail Kadarenë – sepse Petroja e meriton të trajtohet dhe të popullarizohet si shkrimtar i madh i shqipes! Librat e tij nuk mund të mungojnë kurrë nga libraritë, përfshi edhe libraritë online… Si mund të rezultojë “out of stock” një libër aq i rëndësishëm, sa “Një emër në katër rrugë”? Këtë titull e bllokoi regjimi i Hoxhës në magazina mu para se të dilte në qarkullim dhe ia asgjësoi të gjitha kopjet; tani do ta dënojmë edhe ne sërish?

  3. “shkrimtari, që e do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…”
    A gjenden ende të tillë shkrimtarë, po edhe gjuhëtarë? Të tillë që të mos tremben nga të vërtetat që dinë, që ndiejnë se duhet të mos i kompromentojnë e megjithatë…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin