SHEKULLI I PETRO MARKOS

nga Eda Derhemi

Petro Marko[i], autori i romanit Qyteti i fundit, është një shkrimtar shqiptar lindur “në vendin më të bukur në botë” siç thoshte vetë, në Dhërmi, një fshat në bregun e Jugut të Shqipërisë, mes detit Jon dhe kreshtave të Malit të Çikës. Mbeti jetim që në moshën shtatë vjeçe, por me zemrën plot, dhe një krye që për nga ëndrrat dhe guximi kish tavan veç qiellin. Mënyra si ai jetoi thuajse të gjithë shekullin XX, prej 1913-ës deri më 1991, kur vdiq në Tiranë, qe sikur të ishte shumë burra e jo një, shumë pena e jo një. Sidomos, kurajoja e tij që të vazhdojë të shkruajë e të besojë tek njeriu dhe tek e majta ideologjike që për të mbetet krejt e pakornizuar prej komunizmave realë të pas-Luftës, të dashurojë lirinë dhe të bukurën pavarësisht prej vareve të fatit në Shqipërinë komuniste, janë ndoshta një shpjegim i mirë, si për urrejtjen që pati ndaj tij diktatori komunist i Shqipërisë Enver Hoxha, si për faktin që Petro Marko – njeriu dhe shkrimtari – ia doli ta mbijetojë komunizmin shqiptar, të fitojë kundër tij, e të lerë pas një vepër aq origjinale e shumëplanëshe.

Për mëse dyzet vjet – mes vitit 1944 dhe 1991 – ecën me kokën lart në një sistem ku kryet duhej mbajtur ulur. Është kështu atëherë kur ishte kryeredaktor i së parës gazetë shqiptare të pas-Luftës, si edhe kur e burgosnin, kur e kërcënonin apo i torturonin të dashurit e zemrës. Edhe kur e adhuronin, edhe kur miqtë e lanë vetëm nga frika e pasojave politike, Petro Marko nuk ndaloi së krijuari letërsi nga ajo që kur e prek të bëhet pjesë. Vazhdon të shkruajë pa e braktisur veten edhe kur i heqin të drejtën e botimit, edhe kur e ndëshkojnë. Romanet e tij të para, “Hasta la Vista” (1958) bazuar në Luftën e Spanjës, dhe “Qyteti i fundit” (1960) që përshkruan largimin e italianëve të fundit nga Shqipëria në verën e 1945-ës, si edhe romani “Një natë dhe dy agime” (1963) që përshkruan ngjarje nga jeta në Kampin e Internimit në Ustica – roman të cilit iu ndalua botimi – janë romanet e para që hodhën themelin e romanit modern realist shqiptar. Realizmi esëll i Markos, kompleksiteti i personazheve, perfeksioni në ndërtimin kompozicional të veprës, efikasiteti e zhdërvjelltësia gjuhësore, fabulat që harlisen mes faktesh origjinale jetësore, shfaqen për herë të parë me këtë fuqi dhe pjekuri në letërsinë shqipe. Vijnë pas tij, në vitet 60, romanet që konsoliduan këtë nismë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Kronikë në gur” prej Ismail Kadaresë.

Shqiptarët dashurohen me romanet e tij, ia prekin finesën e ideve dhe preken nga ndjeshmëria e tij, edhe pse vepra, ashtu si Petro Marko, ndëshkohen publikisht pa ndërprerje. Dallimi i romaneve të Markos prej të detyrueshmit realizëm socialist që duhet të ndiqte letërsia shqipe, përqafohej instinktivisht prej lexuesit, po aq fort sa edhe ndillte goditjet prej regjimit. Udhëheqësit e Partisë Komuniste shqiptare të kohës, internacionalistët me të cilët Marko kish luftuar në Spanjë, Greqi e Itali, ose ishin zhdukur nga raprezaljet politike në Shqipërinë e Hoxhës, ose ishin konvertuar nga idealizmi i dikurshëm internacionalist i së majtës europiane, në stalinizmin e ngushtë e të detyrueshëm të Enver Hoxhës.

Nga lufta partizane në Itali dhe puna si gazetar në gazetën “Avanti” në Romë, Petro Marko kthehet në Tiranën e porsaçliruar dhe bëhet menjëherë kryeredaktor i të parit dhe të vetmit zë të shtypit zyrtar, gazetës “Bashkimi”. Pas tre vjetësh me këtë rol në Tiranë, arrestohet dhe burgoset. E shpëton nga pushkatimi ndërhyrja e një shoku armësh. Rikthehet në jetën e Tiranës pa punë e më pas si mësues i thjeshtë. Por gjithnjë shkruan. Romanet e tij, atëherë kur dalin, bëjnë bujë dhe zhduken nga raftet e librarive brenda pak orëve. Por i bujshëm vjen pas tyre edhe rrëmeti politik. “Hasta la Vista” (1958), romani i parë, kritikohet që kur është në shtyp. Me ndërhyrje lejohet botimi, por me shumë shkurtime e ndryshime. Romani i dytë, “Qyteti i fundit” (1960), hiqet nga shtypi. Ndërhyn numri dy i shtetit komunist shqiptar, Mehmet Shehu, me të cilin ka luftuar në Spanjë kundër armatës së Francos, që të lejohet botimi. Por nuk ribotohet më kurrë, sido që asnjë kopje nuk kish mbetur gjëkundi, dhe më pas konsiderohet si libër i ndaluar. Qarkullon nën dorë mes lexuesve. Romani që vjen pas, “Një natë dhe dy agime” (1963) për kampin fashist në Ustica, nuk i botohet kurrë derisa bie komunizmi. Romani “Ara në mal” (1970), ndodh që (viti) pëlqehet nga regjimi dhe fiton Çmimin e Republikës. Rehabilitimi është shumë jetëshkurtër. Në 1973 shkruan “Një emër në katër rrugë” që regjimi e sheh si rrezik ideologjik. Vepra e saposhtypur (në periudhën e komunizmit në Shqipëri veprat shtypeshin me tirazhe të mëdha) hidhet e gjitha për karton me urdhër nga lart, ashtu si dhe vëllimi “Poezi të zgjedhura”. Autorin e përjashtojnë nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe i heqin të drejtën e botimit, e heqin edhe nga tekstet shkollore dhe e shlyejnë krejt nga historia e letërsisë shqipe. Burrit më intrigues, të talentuar e të përveçëm të Tiranës së kohës, njerëzit nuk i flasin më rrugëve. Një mur heshtjeje dhe injorimi paralajmëron të keqen.

Më 1975 i burgosin të birin Jamarbër 24-vjeçar për Agjitacion e Propagandë. Kish kaluar plot burgime Petro Marko, por ishte tjetër gjë burgosja e të birit; nga sistemi për të cilin Marko kish qenë gati të jepte jetën. Për familjen Marko përbërë prej katër njerëzish me talente e natyra unike – e shoqja Safo, piktore, i biri Jamarbëri poet, si edhe e bija Arianita, po ashtu piktore, ky vit shënon fundin e një ere shprese. E vuajnë të gjithë goditjen e ’75-ës, tre të parët derisa lënë këtë botë. Arianita kujdeset për të gjithë dhe është sot e vetmja dëshmitare e gjallë e persekutimit të paepur që i është bërë familjes së Petro Markos. Për fatin tonë të madh, Petro Marko, pas arrestimit të të birit, shkruan kujtimet e sagës së tij shqiptare dhe europiane, që sa lindi deri në 1945-n. Kuptohet që mbetën pa botuar deri pas vdekjes së shkrimtarit. Ai i shkruan me një frikë të gjallë, sepse gjithçka mund të përdorej për t’i sjellë një vdekje të re. Por të vërtetën, gjithsesi, nuk e deformon. Kështu ruajmë sot në detaje disa copa historie tejet interesante të një Shqipërie dhe Europe nga perspektiva e një njeriu krejt të pazakontë për nga forca e talentit dhe idealeve. Në vitin e fundit të jetës, ndonëse me shëndet të dobësuar, Marko me shtysën dhe ndihmën e familjes, gjen forcë të shkruajë pjesën e dytë të kujtimeve, sido që jo aq hollësisht sa të parën. Jeta nuk ia kurseu kurrë dashuritë, por as torturat absurde.

Ai studenti që dikur bridhte në Tiranë, Athinë, Paris, Grenoble e Romë me xhepat gjithnjë mbushur plot me copëra poezish, me kryet e bukur ëndërrimtar mbi supe, ishte tashmë një vegim i largët. Kish ëndërruar e luftuar për një botë më të drejtë, që nga koha kur, fare i ri, tek e majta kish gjetur përgjigje për gjithë pyetjet e pakënaqësitë për varfërinë dhe padrejtësitë në fshatin e vet. Petro Marko ishte një revolucionar europian 24-karatësh, i lindur në Dhërmi, por i formuar natyrshëm e i kalitur nëpër lëvizjet e majta e antifashiste të disa qendrave kryesore qytetare europiane. Por nuk e ndau revolucionin nga poezia dhe idealizmi – kjo përzierje që ndoshta ia dëmtoi karrierën në një vend si Shqipëria, edhe e mbrojti në vitet e fundit të jetës. Shenjat e prangave në kyçet e duarve që bënin aq kurioze të bijën e vogël, dhe poezia në sy, mbetën me Petro Markon deri sa iku prej nesh.

Që prej Manifestit Komunist dhënë Petros nga një profesor italian në “Shkollën Tregtare të Vlorës” – qendër shumë e rëndësishme edukimi për Shqipërinë e para Luftës së Dytë Botërore – rruga e Petro Markos krah së majtës europiane, u ndal veç prej Enver Hoxhës. Besoj fort se lideri komunist shqiptar, i njohur për mëritë e veta irracionale, nuk ia fali kurrë Markos afërsinë dhe pjesëmarrjen aktive krah së majtës europiane, së cilës Hoxha vetë i kish mbetur krejt i huaj. Hoxha dhe Marko u takonin dy të majtave të kundërta: diktatori shqiptar, asaj gjakatares e meskines së mbyllur, ksenofobe e staliniste, ndërsa prozatori shqiptar, asaj internacionalistes, aktives në emër të idealit të së drejtës njerëzore për liri.

Në jetën mes letërsisë, artit dhe aktivizmit politik, Markoja kreu disa vjet shkollë në universitetin e Athinës dhe atë të Grenoblit, por ideali dhe energjia e tij e shtynin kah kontributi direkt në lëvizjet antifashiste të kohës. Studimet ndërpriteshin për një front të ri lufte, shpesh edhe për t’u shpëtuar arrestimeve. Para se regjimi komunist i Hoxhës ta ndëshkonte më dhunshëm e më dhimbshëm edhe se fashizmi e nazizmi, fati, dashuria e njerëzve përreth dhe dëshira për të jetuar e shpëtuan disa herë nga vdekja. Mes viteve që kaloi në Luftën e Spanjës kundër fashizmit, dhe kthimit në Shqipërinë e uzurpuar prej Hoxhës në fund të1944-ës, është arrestuar disa herë në shtete të ndryshme, ka kaluar nëpër disa burgje dhe kampe internimi, ka marrë pjesë në ballë të lëvizjeve komuniste në Tiranë, Athinë, Barcelonë, Paris, Marsejë, Grenoble, Perugia e Romë. Italia ka vend të veçantë në jetën dhe krijimtarinë e Petro Markos. Mikja e vjetër me të cilën ishte njohur kur qenë studentë në Grenoble, hebreja italiane Iole Tagliacozzo Lombardi, intelektuale dhe antifashiste e njohur, që më pas u martua me filozofin italian Franco Lombardi, edhe ky intelektual i njohur antifashist, ngeli deri në fund të jetës shoqja e tij e mirë. U ritakuan pas disa dekadash në Romë vetëm pak kohë para se Petro Marko të ndërronte jetë. Së bashku me miq të Rezistencës u vunë prapë kokë më kokë, si dikur studentë, të këndonin Bella Ciao.

Italia është pjesë e pandarë e romaneve të Petro Markos. Aty punoi e luftoi, pati plot miq, por edhe brodhi nga burgu në burg e nga një kamp në tjetrin. Gjatë fashizmit në Itali, prej burgjeve të Barit dhe Brindisit, e degdisin në Ustica. Në Ustica e ndihmojnë nëna e Ioles, që i çonte ushqime dhe tesha nga Caserta, mjeku i kampit, doktor Fazio me familjen e tij, ku i ndanin një vakt bukë prej të tyres çdo ditë. Po: pikërisht ai doktor Fazio nga Palermoja, që u kujdes për Antonio Gramscin kur ky kalonte ditë-netët legjendare të internimit në Ustica, që po aq rastësisht, dhe siç ia zbulon vetë Petros duke i dëftyer regjistrat e kampit, paskësh qenë edhe mjeku i kampit kur i ati i Petro Markos ishte dënuar me internim në po të njëjtin kamp, çuar prej Dhërmiu në Ustica-n e largët. Kur kapitullon Italia, i nisin nga Ustica në kampin e përqendrimit në Fraschette, pranë Alatrit në Lazio. Në 1943 Petro Marko arratiset prej andej bashkë me shokët e vet, duke përfituar nga gjendja kaotike e Italisë, dhe del partizan në zonën e Perugias, Spoletos e Rietit. Kthehet me urdhër që të veprojë në qytetin e Romës së pushtuar. I spiunuar nga një prift provokator, arrestohet nga nazistët, kur sapo ishte ndarë prej Sandro Pertinit. Çohet në Regina Coeli, burgun famëkeq të Romës, ku rri për disa muaj. Shpëton për fije të perit nga ekzekutimi famëkeq nazist në Fosse Ardeatine – e nxjerrin nga rreshti si shqiptar -pra joitalian, dhe e kthejnë në birucë. Por miku i tij i qelisë, Umberto Grani, pushkatohet. Më 6 qershor, bashkë me të burgosur të tjerë, shpëton pasi shkallmohen nga jashtë dyert e burgut. Fshihet për pak në shtëpinë romane të mikeshës së tij Iole Lombardi, dhe hidhet rishtas në ilegalitet. Admirimi i tij për Italinë dhe njerëzit e saj që ndihet në çdo roman, nuk është pjellë e imagjinatës siç qe për shumicën e shqiptarëve mbyllur në Shqipërinë-burg të 45 vjetëve të komunizmit. Për Petro Markon, ajo dashuri është e jetuar; e lidhur me ngjarje, shtëpi e rrugë, me njerëz realë.

Në fundin e 1944-ës, kur Petro Marko po bëhej gati të linte Italinë e të kthehej më në fund në atdheun e vet, i thonë diçka që ai do ta kujtojë shpesh gjatë jetës së vet të trazuar. Ishte me miqtë e tij të gazetës “Avanti” për të cilën punonte, me Pietro Nennin, Saragatin, Pertinin dhe De Martinon. Pietro Nenni me të cilin ishin miq që në kohën e Brigadave Internacionale të Spanjës, i thotë: “Pietro, dove vai?! Rimani qui come corrispondente con noi! I Balcani non hanno avuto, non hanno e non avranno mai pace!”. Për Petro Markon përgjigjet Sandro Pertini: “E tu, Pietro? Perché non sei rimasto a Parigi, ma sei tornato a Roma?!” E poi girandosi verso Petro Marko: “Vai, Pietro, vai! È lì la tua trincea!”[ii]

E kështu Petro Marko u kthye entuziast në transhenë e tij të dashurisë, të torturës dhe krijimit. E bija, Arianita, thotë se, kur ish i trishtuar, edhe në ditët e fundit, dilte në ballkonin e vogël të apartamentit mbi Bulevardin e Tiranës, dhe këndonte nën zë këngë partizane nga betejat e veta. Petroja vuajti fort, por nuk vdiq në lëngatë, sepse nuk ndaloi së shkruari. U thoshte të afërmve të vet: “Në jetë mund të ketë president dhe ish-president, kryeministër dhe ish-kryeministër, por nuk mund të ketë kurrë ish-shkrimtar.”

© 2023 Eda Derhemi. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


[i] Këtë shkrim e përgatita për Shtëpinë Botuese Besa Editrice, me rastin e një prezantimi paraprak për publikun italian në Panairin e Librit në Torino (2023) të romanit “Qyteti i fundit”; pritet të dalë i përkthyer në italisht këtë vit. Falënderoj për ndihmën me materiale dhe prani, të bijën e shkrimtarit, Arianita Markon, dhe miq të tjerë që, nga afër dhe larg, ndoqën këtë tekst në shqip e italisht. Për botimin përfundimtar të romanit të përkthyer në italisht, do shkruaj një variant më të zgjeruar të introduktës së sotme, ku do i kushtohet më shumë vëmendje vetë romanit “Qyteti i fundit”.

[ii] Pietro Nenni Petro Markos: “Pietro! Pse do ikësh?! Rri këtu me ne, si korrespondent i gazetës! Ballkani nuk ka pasur, nuk ka e nuk do ketë kurrë paqe!” Sandro Pertini Pietro Nennit: “Po ti, Pietro, pse nuk ndenje në Paris, por u ktheve këtu në Romë?!” Pastaj duke u kthyer nga Petro Marko i thotë: “Shko Pietro, shko! Është në Tiranë transheja jote!”

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin