MISO SOUP

nga Adela Radovani

Në Shqipëri, në dijeninë time, nuk ka asnjë manga të përkthyer. Edhe botime të importuara në gjuhën angleze janë të rralla, kryesisht te libraria Adrion. Pavarësisht se puna përkthimore ka qenë e dobët, depërtimi i kulturës otaku në Shqipëri ka qenë relativisht i fortë, sidomos gjatë viteve 1992-2015. Pjesa më e madhe e kontaktit të lexuesit shqiptar me kulturën japoneze moderne, ka qenë kanali italian Mediaset Italia 1 që transmetonte anime të dubluara në italisht, disa tv shqiptare si Tele Norba në gjuhë origjinale japoneze me titra shqip, dhe Vizion Plus të dubluara anglisht e me titra shqip. Pas valës së parë të hyrjes së kësaj kulture në Shqipëri, platforma Digitalb nisi dublimin e disa animeve më të famshme. Me aq sa kam njohuri, nga kontaktet personale në grupet shqiptare sociale të mangave dhe animeve, dublimet nuk kanë pasur ndonjë sukses të madh. Pjesa më e madhe e audiencës së mangave lexojnë në anglisht dhe ndjekin versione në japonisht me titra angleze. Sjellja në shqip në 2023 të ‘In the Miso Soup’ të Ruy Murakami, paraqet një përkthim që në thelb, duhet t’i interesojë lexuesëve të kësaj kulture dhe deri diku fansave të thrillerit. Mbetet për mua sidoqoftë, një novelë e cila bukurinë e ka te ngjashmëria në konceptin me mangat, më tepër sesa me letërsinë serioze japoneze, e cila ka tjetër audiencë.

Falë këtij depertimi masiv, mund të kesh qenë otaku dhe të kesh qenë krejt i pavetëdijshëm, kjo besoj është e vërtetë për një pjesë të mëdhe të moshatarëve të mi milenialë. Ka shumë përkufizime e çfarë përbën të qenët një otaku, por në vija të përgjithshme, mund ta cilësojmë si një anëtar i një kulture së atyre personave që konsumojnë në masë të madhe produkte si manga, anime, por që janë edhe fans të teknologjisë së fundit ose jo, ekuivalente por jo identike me terma si ‘nerd’, ‘peshkopë’ dhe ‘incel’, ndonjëherë të përdorura në formë derogative e ndonjëherë, si term i zakontë për të nënvizuar kulturën. Otaku nuk është vetëm një grup i madh e amorf i këtyre, dhe vetë ata kanë krijuar terma të tjerë, për të nënvizuar llojin e ‘shijes’ ku bëjnë pjesë. Ndërsa rrekem të kujtoj detaje mbi kohën e atëhershme, kujtoj nivelin e dhunës, gjakut dhe seksit që vetë unë si e mitur mund të kaloja nën sy brenda ditës. Këto manga dhe anime ishin ose të transmetuara në orare të vona në kanalet televizive italiane, gjithmonë tepër të kujdesshme për respektimin e orareve të transmetimit, ose në internet, ku lirisht unë dhe moshatarë të mi nënmoshë mund të gjenim dhe konsmonim pa asnjë kontroll prindëror këto materiale. 

Ndërsa mendja ime i ka regjistruar si të dhunshme dhe jo të përshtatshme për moshën time në atë kohë, është gati e nevojshme që t’i kujtoj nën etiketën mendore të mangës/animeve, sepse dhuna e portretizuar aty, ka një stil tepër specifik, që nuk ka fort lidhje me atë të filmave horror, pornografisë hard-core dhe çdo forme tjetër ku nuk përdoren vizatimet, por aktorë. Mangat sidomos kishin aftësinë që të ngjallnin imagjinatën e lexuesit, jo drejt aspektit fizik të ndodhisë, ku duke qenë novela grafike, shumica prej pamjeve vinin të gatshme. Japonezët ishin të interesuar për mënyrën si një ngjarje të bën të ndihesh. Psh., një nga steroetipet më të shpeshta, ndoshta për shkak të angazhimit të shumë prindërve japonezë te profesionet e tyre, duke i bërë fëmijët e disa brezave me radhë të ndiheshin të vetmuar, për ta dramatizuar më tej këtë koncept, në shumë manga paraqitej vrasja e të dy prindërve të një personazhi kryesor. Pjesa me fokus nuk ishte zbulimi i trupave të mbytur në gjak, por klithma e dhimbjes, procesi i mbajtjes zi, ndërrimit karakterial të personazhit. Një popull i cili nderin ka të parin, e ka të nevojshme me patjetër që ndjenjat t’i zbrazë diku, për një vdekje metaforike të familjes, që prej vitesh kishte ndodhur në Japoni.

Më kujtohen shkrime në blogjet e viteve 2000-2010 në livejournal, një sit social-media rus, ku moshatarë të mi që jetonin në perëndim, por edhe më të vegjël, 10-13 vjeç, shprehnin shqetësimin se po konsumonin më tepër ‘gore’ sesa ishte ‘mirë’ për atë moshë. Nëse do ishin tronditur, jam e bindur që do ndalnin. Dukej si një përsëritje papagall të asaj që dëgjonin në shtëpi, ‘nuk është mirë’, ‘kushedi si po e dëmton trurin’, që në thelb, ishin mënyra si prindërit tanë justifikonin veten për mungesën e pranisë në shtëpi. Në vitet 2000 në Japoni, pas arrestimit së disa vrarësve serialë, mediat vendosën për ndonjë arsye të fajësojnë kulturën otaku, nerdët e animeve dhe mangave dhe videolojërave. Në fakt, edhe në atë kohë, specialistë të kulturës japoneze theksuan se asnjë prej tyre nuk ishte më shumë otaku se 40% i popullatës që identifikohej si e tillë në atë kohë. Edhe sot, po aq përqind e popullatës japoneze vetëidentifikohet si otaku, dhe një përqindje e lartë konsumon publikime +18, e kjo nuk i ka shndërruar në të dhunshëm. Pjesa më e madhe e vrarësve kishin paraqitur tendenca sadiste duke vrarë kafshë që në moshë të hershme, shenja të sëmundjeve mendore dhe personalitetit ‘bordeline’, dhe disa syresh, kishin dalë nga burgu pas tentativave për vrasje dhe përdhunime të mëparshme. Paniku moral i atyre viteve në Japoni është i pashpjegueshëm. Sigurisht, shtresat më konservatore japoneze, duke mos e njohur kulturën otaku, do duhet të kenë frikë siç trembemi të gjithë rëndom nga e panjohura dhe të mendojnë se ai është burimi i së keqes. Problemi qëndron kur gazetarët dhe media e pompojnë këtë ide, pavarësisht se detyra e tyre është të mos disinformojnë publikun. Deri diku, edhe vetë policia japoneze ka pranuar se e ka nxitur këtë disinformim, për të rritur ndërgjegjësimin e japonezëve, që në karakterin e tyre, janë njerëz të qetë, privatë dhe që nuk duan të ndërhyjnë në jetët e komshinjve. Aq e vërtetë është kjo për ta, saqë një prej vrasësve serialë dhe mashtruesve më famëkeq në Japoni, Futoshi Matsunaga, arriti që të mbante disa familje nën kontroll, torturë dhe heshtje të plotë, duke vrarë ngadalë fëmijët, të moshuarit dhe më pas gratë. Një krim i tillë dhe aq i zgjatur në vite, mund të ndodhë vetëm në një shoqëri ku njerëzit shohin punën e tyre dhe nuk duan të përflasin kënd, edhe kur shohin që diçka nuk shkon me familjen përballë.

Vetëm diku nga mosha 22-23 vjeç, unë rashë në kontakt për herë të parë me pornografinë perëndimore. Aty kuptova dallimin, gati të prerë me thikë, midis pornografisë dhe dhunës që sheh në manga dhe anime, të vizatuara dhe gjithmonë nën estetikën e vijave me stilolaps 0.7mm, dhe përdorimit të një trupi real, që penetrohet, dëmtohet dhe konsumohet për një video fare të shkurtër. Dallimi është tronditës por mund të duket si inekzistent për ata që nuk i njohin asnjërën, por besoj që magna/anime janë disa herë më pak tronditës se procesi i therjes së një trupi real, të një njeriu që më parë merrte frymë dhe qeshte. Siç thoshte dhe një nga vrasësit serial më të famshëm japonez, Tsutomu Miyazaki (1), ‘ju nuk mund ta kuptoni dot si ndryshon një trup pasi vdes, si ngrin ai, çfarë ere mban’. Miyazaki, që vrau katër vajza nën moshën 7 vjeç në harkun e një viti,  u bë ‘sebep’ për valën anti-otaku në Japoni, për shkak të gjetjes së një numri të madh mangash, animesh në dhomën e tij, pa marrë parasysh faktin që një numër jashtëzakonisht i madh japonezësh i kishin këto në dhomat e tyre në vitet 1980-1990, dhe se veç tyre, ai mbante dhe pornografi me fëmijë. Miyazaki kishte treguar shenja të sadizmit më parë, kishte vrarë mace, kishte ngacmuar të motrën dhe pas arrestimit, tre grupe me specialistë e shpallën me tre sëmundje të ndryshme mendore. Deri ditët e fundit para dënimit të tij me vdekje, ai nuk tregonte asnjë shenjë emocioni a shqetësimi. Mediat perëndimore, të mahnitura pas kësaj figure enigmantike, fokusin e kishin te deformimet fizike të tij, sipas tyre, një djalë i lindur me probleme kongenitale e me duar të deformuara dhe penis gati inekzistent. Një artikull për të na referon se duart e Miyazakit kishin një fuzion radioulnar, dhe jo sindrom Marfan që shpesh qarkullon si fake-news në rrjet. Në fakt, fizikisht, ky vrasës dukej krejt i zakontë. Një djalë normal japonez, me një pamje gati “ëngjëllore”.

‘In the Miso Soup’, (në shqip Supa Miso, përkther për Berk nga Alen Bejko), i Ryu Murakamit, është botuar përgjatë 1997 në një revistë japoneze dhe përkthyer në anglisht për herë të parë në 2003. Personazhi kryesor është një djalosh 20 vjeçar japonez që tenton të vërë ndonjë para mënjanë duke shoqëruar gaijin (të huaj) nëpër lagjen e famshme Kabukicho, Red Light District i Tokyos. Si për ta kthyer gishtin nga ana e kundërt dhe për të dëbuar sterotipet se japonezët janë gjakatarë, thrilleri japonez ka një vrasës që nuk është vendas, por amerikan, e duket si një ironi e hollë e Murakamit. Presioni mediatik ndaj kulturës otaku në perëndim, këmbëngulja se dhuna dhe seksi në manga po shkatërron rininë perëndimore, kthehet në një formë thike mbrapsht në këtë novelë të shkurtër. E keqja në këtë rast është e importuar, një i huaj ka ardhur dhe po terrorizon qytetin. Menjëherë mediat në novelë vihen në veprim, ja pra çfarë ndodh nga prostitucioni, nga leximi i mangave, ja çfarë po ndodh me rininë. Është një realitet që mund ta prekësh dhe të mban të mbërthyer sepse e kemi jetuar si vëzhgues ne si otaku që jetonim në Shqipëri e ku gati askush nga të rriturit nuk dinte gjë mbi konsumin tonë të mangave/animeve +18. Ajo kohë e pushtimit të kulturës otaku ishte një pandemi kulturore, dhe presionit nga të gjitha anët se po na bën dëm, po na shndërron në mosntra dhe perversë.

 Po aq ironikisht ama, Supa Miso pjesën e dhunës dhe thrillerit, pavarësisht se i ka në nivele tipike të horrorit dhe zhanrit seinen manga (ato manga të drejtuara nga audienca mashkullore mbi 18 vjeç ku ka zakonisht imazhe të forta), qëllimin e ka të analizojë detaje të kulturës japoneze, të vetmisë, largimit nga familja, shkëputjes emocionale dhe këputjet e lidhjeve humane. Djaloshi narrator nënvizon detaje nga ngjarje që sheh e lexon në përditshmëri, të cilat janë interesante, ndoshta dhe më tepër se shpërthimet e gjakut që po ndodhin paralel. Ky format narracioni është tipik për mangat, sidomos ato seinen dhe slice of life, ku autorët paralelisht tregojnë një ngjarje të ndërthurura me komente sociale. Libri është tërheqës sepse narratori na paraqitet me një mendje të kristaltë edhe në momente të vështira dhe një guidë vërtetë e mirë nëpër rrugët e ngatërruara të Kabukicho. Nuk do doja të bëja spoilers, por le të themi që pavarësisht se i parashikueshëm, shpërthimi në dhunë i novelës mbetet i papritur dhe tronditës, gati absurd.

 Për shkak të të dhënave të pakta të mbledhura në vite për kulturën otaku në Shqipëri, shpresoj që përkthimi i këtij libri t’i hapë rrugë nisjes së diskutimit dhe analizës në lidhje me këtë kulturë, si ka ndikuar në Shqipëri dhe si aktualisht mbijeton ajo. Pas shkëputjes përfundimtare të kanaleve italiane falas në Shqipëri, duket sikur ngadalë edhe kultura e otaku u harrua. Një prej grupeve më të mëdha në facebook ishte Anime & Manga Club Albania, e cila mbahej në këmbë nga milenialë të cilët bënin edhe takime të shpeshta live. Pas emigrimit të një pjesë të madhe prej tyre, grupi nisi të shpërbëhej e sot në dijeninë time është joaktiv. Gen Z-të nuk e parapreferojnë facebook-un dhe një pjesë e madhe prej tyre, kanë njohuri shumë më sipërfaqësore, sidomos për ato seriale të mangave që konsiderohen si legjendare dhe të rëndësishme për t’u lexuar për të hyrë në brendësinë e mendësisë otaku. Por ndërkohë, sigurisht që shpresoj që libra të tillë interesante të vazhdojnë të përkthehen, lexohen dhe diskutohen, për sa kohë që unë vetë mbetem thellësisht, një otaku.

 

(1)  I etiketuar si ‘Otaku Killer’ nga mediat, figura enigmantike e Tsutomu Miyazakit, u bë baza e një debati të madh mediatik në Japoni, në i shndërrojnë në perversë dhe vrasës mangat djemtë e rinj

1 Koment

  1. Nje shembull i mire se si mund te shkruhet per nje liber dhe boten e tij ekstraletrare, duke e pasuruar leximin e lexuesit te ardhshem e duke i kursyer kohen atij lexuesi qe nisur nga ky shkrim e mendon si liber jo te pershtatshem per shijet personale. Koha dhe mundesite financiare jane te kufizuara dhe nje shkrim i tille eshte menyra me e mire per ta orientuar lexuesin e jo qokat apo pozat ne FB.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin