PËR NJË PARIM ALTERNATIV TË DREJTSHKRIMIT TË SHQIPES

Gjuhëtarët, veçanërisht planifikuesit gjuhësorë, gjithnjë kanë dashur të përcaktojnë parimin që udhëheq drejtshkrimin e një gjuhe. Këtë e mbështet edhe historia e drejtshkrimit të shqipes, të cilën e kanë shoqëruar rregullisht diskutimet rreth “parimit” të drejtshkrimit. Në vitet 1960-1970 në Shqipëri duket sikur zyrtarisht përkrahej parimi “fonetik”, i formuluar kështu: shqipja shkruhet ashtu siç shqiptohet. Por ka pasur gjuhëtarë që edhe atëherë e kanë vënë këtë në diskutim. Kohët e fundit, Aristotel Spiro ka ngritur tezën se shqipja (drejt)shkruhet sipas parimit fonologjik, me argumente bindëse, edhe në faqet e revistës sonë. Xhevat Lloshi po mbron, përkundrazi, përparësinë e parimit morfologjik. Ky diskutim ka natyrë teorike dhe nuk ndikon veçse tërthorazi në drejtshkrim, duke na ndihmuar të kuptojmë arsyet e kodifikimit të vitit 1973.

Unë, pa qenë specialist i fushës, prej kohësh po tundohem fort për të sugjeruar një model tjetër interpretativ, duke ia kthyer përmbys premisat argumenteve – përndryshe mjaft të mbështetura – kolegëve. Gjykoj se deri më sot të gjithë këta janë nisur herë haptazi e herë nënkuptueshëm nga premisa se trajta e shkruar e një gjuhe është dytësore ndaj trajtës së folur, dhe se parimi që udhëheq drejtshkrimin do të përshkruaj mënyrën (kryesore ose mbizotëruese) si kalohet nga trajta e folur në trajtën e shkruar.

Teza ime i qaset çështjes në mënyrë “laterale”, duke iu referuar më shumë një intuicioni të natyrës psikolinguistike, i cili i referohet asaj çfarë ndodh pikërisht në mendjen dhe duart e atyre që (drejt)shkruajnë shqipen. Për mua, shqipja sot shkruhet ashtu siç është shkruar, duke shërbyer imazhet mendore a ideale të fjalëve të shkuara si gjedhe për çdo okurrencë të re të atyre fjalëve. Për ta thënë ndryshe, shkruajmë mësues jo sepse shqiptojmë /mësues/, por sepse kemi shkruar mësues. Zbatimi i përsëritur i një rregulle shndërrohet ai vetë në rregull.

Hipoteza ime varet nga një premisë psikolinguistike, e cila mund dhe kushedi duhet të testohet – ajo e imazhit ideal të fjalës së shkruar, si sekuencë shenjash grafike, që i paraprin çdo instance të shkruar. Fakti që shkrimin mund ta riprodhojmë me një rrymë paralele ligjërimi të folur (shpesh të pëshpëritur në heshtje) që u përgjigjet shenjave në letër, nuk e hedh hipotezën vetvetiu poshtë. Tek e fundit, kur shkruajmë diçka, nuk është se detyrimisht hedhim në letër (ose në formë vizuale) një thënie të folur.[1]

Të shkruarit, po ashtu, nuk është transkriptim i një vazhde zanore. Fëmija mësohet që herët me ekzistencën e dyfishtë të ligjërimit – të folur dhe të shkruar – dhe nuk ka nevojë të sigurohet se i dyti varet prej të parit. Madje as historikisht nuk ka prova që njeriu të ketë filluar të shkruajë për të riprodhuar fjalët e folura. Më shumë gjasë ka që dy sisteme semiotike të ndryshme të jenë takuar mes tyre nëpërmjet shkrimit alfabetik (duke e përftuar), sa kohë që ky i fundit lejon zbërthimin e rrjedhës së folur në njësi funksionale minimale (fonemat), të cilave pastaj u bashkëlidhet një simbol vizual (grafema).

Më tej akoma, ndryshe nga fjala e shqiptuar, e cila në mendjen e subjektit ekziston në trajtën e një gjurme reziduale të një dukurie akustike fluide (verba volant), fjala e shkruar ka vetvetiu stabilitet (scripta manent) dhe është gjithnjë në dispozicion si model për t’u krahasuar dhe për t’u ndjekur. Nga kjo pikëpamje, ligjërimi i folur mund të jetë teorikisht “parësor” ndaj ligjërimit të shkruar, por fjalët e shkruara kanë trajtë dhe strukturë ekzakte dhe nuk kërkojnë ndonjë përpjekje interpretuese të formës, për t’u replikuar. Aq e vërtetë është kjo, sa edhe në rrafshin metalinguistik, kur duam t’i shkoqitim dikujt mënyrën si shkruhet një fjalë, e bëjmë duke ia emërtuar grafemat njërën pas tjetrës, jo duke e shqiptuar fjalën sërish, “më qartë”.

Nëse pranojmë – qoftë edhe për hir të argumentit – se shqipja shkruhet ashtu siç është shkruar, kjo do të ishte instancë e parimit “historik” të drejtshkrimit. Teoricienët e planëzimit gjuhësor, të shkollës staliniste në gjuhësinë shqiptare (si Kostallari), i mëshonin përparësisë së parimit fonetik edhe për arsye ideologjike, për të treguar se drejtshkrimi i shqipes kujdesej për ta mbajtur gjuhën e shkruar “afër gjuhës së folur, gjuhës së popullit”, duke e konsideruar shkrimin, në mënyrë implicite, si apanage të intelektualëve. Sipas tyre, adoptimi i parimit fonetik do të ndihmonte për ta mbajtur gjuhën e shkruar sa më lehtë të përvetësueshme nga masat, çfarë do ta lehtësonte edhe alfabetizimin.

Në Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1973, te pjesa e vendimeve, lexohet sa vijon:

Parim themelor i rregullave të drejtshkrimit të shqipes të jetë parimi fonetik. Ky parim do të zbatohet në të gjitha rastet kur shqiptimi letrar paraqitet i njësuar; në këtë mënyrë do të vendoset një lidhje e ngushtë midis formës së shkruar dhe formës së folur të gjuhës letrare.[2]

Ky formulim e predikon të ashtuquajtur “parim fonetik” të drejtshkrimit mbi “të gjitha rastet kur shqiptimi letrar paraqitet i njësuar” – një akrobaci logjike e nevojshme, për të shmangur një kontradiktë përndryshe shqetësuese dhe për t’ia shprehur sërish besnikërisë parimit për ta mbajtur afër trajtën e shkruar me trajtën e folur të shqipes. Cilat qenkan ato raste kur shqiptimi letrar “paraqitet i njësuar” dhe kush i ka evidentuar ato? Nuk më rezulton që Kongresit t’i ketë paraprirë ndonjë fushatë a përpjekje e organizuar për studimin e “shqiptimit letrar”, siç nuk më rezulton që të ketë pasur, gjëkundi, përpjekje për kodifikimin e këtij “shqiptimi letrar.” Përkundrazi, krejt historia e drejtshkrimit të shqipes, që nga Buzuku e këtej, është histori e marrëdhënieve mes varianteve shkrimore të fjalëve, nga një tekst te tjetri, nga një traditë shkrimore tek tjetra. “Shqiptimi letrar”, si provë kritikisht e nevojshme për të argumentuar përparësinë e parimit fonetik (fonologjik) në rezolutë, nuk është veçse mistifikim.[3]

Kësaj çështjeje i rikthehet Kostallari në referatin e vet në Kongresin e 1953-shit, duke thënë kështu:

Kur flasim për zbatimin e parimit fonetik, me të drejtë dalin dy pyetje – tek cili shqiptim do të mbështetemi dhe si do të mbështetemi te shqiptimi, kur dihet se drejtshqiptimi në të gjitha gjuhët letrare mbetet prapa drejtshkrimit? Për pyetjen e parë, përgjigjja është më e thjeshtë – do të mbështetemi pa dyshim te shqiptimi më i përgjithshëm letrar, në stilin e tij të plotë dhe jo te shqiptimet e veçanta dialektore. Çështja e dytë paraqitet më e ndërlikuar […] Në një varg hallkash themelore shqiptimi letrar i prin shkrimit dhe i jep këtij një bazë ku të mbështetet për ortogramet. […] Drejtshqiptimi mbështetet te një bazë e përbashkët e artikullimit, që tashmë është formuar si bazë kombëtare […][4]

E kotë të përsërit se as Kostallari nuk sjell ndonjë provë a dëshmi të kësaj “norme shqiptimore tashmë të kristalizuar”, dhe as arrin të argumentojë se kjo normë shqiptimore nuk është thjesht derivat i drejtshkrimit të njësuar, ose i shqiptimit letrar, që ndjek shkrimin letrar.[5]

Edhe Anastas Dodi, në Kongresin e 1973-shit, i përmbahet të njëtit argument:

Duke vështruar drejtshkrimin e gjuhës sonë në prizmin e anës tingullore të gjuhës, mund të themi se në vijat kryesore ai jo vetëm mbështetet në shqiptimin letrar, por edhe ndikon për njësimin e tij të mëtejshëm, në ato raste kur normat e drejtshqiptimit ende nuk janë përgjithësuar.[6]

Por as Dodi nuk është në gjendje t’i referohet ndonjë të dhëne çfarëdo, për këtë “shqiptim letrar”. Në fakt, studimet për shqiptimin letrar të shqipes nuk u çuan kurrë përpara dhe as, siç e vumë në dukje, nuk rezultuan në ndonjë kodifikim çfarëdo të këtij shqiptimi. Vetë termi, në gojën e referuesve të Kongresit, nuk është veçse një përpjekje pak e dëshpëruar, për të përligjur primatin – fiktiv – të trajtës së folur ndaj trajtës së shkruar, në çështjet e normëzimit dhe të normës së shqipes.

Shqipja e njësuar ose standard ka edhe ajo dy rrafshe: rrafshin e shkruar, që u kodifikua nga rregullat e vitit 1973; dhe rrafshin e folur. Por nëse drejtshkrimi i shqipes mund të përmblidhet në formën e një fjalori drejtshkrimor që nuk është veçse kod, e njëjta gjë nuk mund të arrihet nëpërmjet ndonjë fjalori “drejtshqiptimor”, paçka se gjuhëtarët kanë folur dhe flasin për drejtshqiptim. Drejtshqiptimi nuk mund të ndahet nga drejtshkrimi. Në përgjithësi, është e vështirë të kundërshtosh me fakte se norma drejtshqiptimore, për më tepër në formim e sipër, varet në analizë të fundit nga norma drejtshkrimore,[7] ose, njësimi i formës së shkruar të fjalës krijon mundësinë për njësimin e formës së saj të folur, ose të drejtshqiptuar. Më parë njësohet drejtshkrimi, dhe më pas drejtshqiptimi.

Po ta shtrojmë kështu problemin, atëherë na del përpara kontradikta që përvijuam më lart – sepse vetë roli i parimit fonetik (fonologjik) në drejtshkrim vjen e mistifikohet. Apo mos do të na duhet të pranojmë se vetëm shkrimi i një gjuhe iu bindkësha parimit fonetik (ose fonologjik), por drejtshkrimi jo? Se përndryshe mbetet e paqartë se cilit “drejtshqiptim” i përgjigjet drejtshkrimi i kodifikuar në 1973. Nga ana tjetër, po të pranojmë – siç duket se po e bëjnë të gjithë në praktikë – që norma drejtshqiptimore mbështetet në format e drejtshkruara të fjalëve (të paktën në masë të madhe, duke përjashtuar disa veçori specifike të trajtës së folur, si theksi, theksi logjik, intonacioni, etj., të cilat nuk dalin në shkrim), atëherë duhet të pranojmë që, brenda normës së shqipes së njësuar, drejtshqiptimi është dytësor ndaj drejtshkrimit dhe rregullën (fiktive) që fjalët shkruhen ashtu siç shqiptohen ta riformulojmë të përmbysur: fjalët (e shqipes së njësuar) shqiptohen ashtu siç shkruhen.

Një objeksion është se ata që ulen ta shkruajnë një gjuhë për herë të parë, nuk kanë nga të nisen, përveçse nga forma e saj e folur, në kuptimin që historikisht trajta e folur i paraprin gjithnjë trajtës së shkruar. Mirëpo edhe historia e një gjuhe të shkruar relativisht vonë si shqipja tregon se ky model shpjegimi lë për të dëshiruar. Gjon Buzuku, që me gjasë shkroi librin e parë shqip (të paktën ashtu e deklaron edhe vetë), duke ndjekur një farë norme drejtshkrimore personale (në kuptimin që do t’i shkruante fjalët e njëjta pak a shumë njëlloj), nuk është se e transkriptoi shqipen nga hiçi. Përkundrazi, ai zbatoi disa konvencione të njohura të latinishtes dhe të italishtes, në dhënien e tingujve, duke zbatuar vërtet parimin “fonologjik”, por në bazë të modeleve fonologjike-grafematike të një gjuhe tjetër të shkruar, pra duke e importuar sistemin shkrimor. Siç e shoh unë, shqetësimi i çdo shkruesi fillestar të shqipes ka qenë konsistenca, ose zbatimi i qëndrueshëm i rregullave; jo nevoja për t’i ndenjur afër “gjuhës” së folur. Pra, kalimi fillestar nga trajta e folur tek trajta e shkruar e shqipes (p.sh. në autorë të hershëm si Buzuku ose Matrënga) është ndërmjetësuar nga sistemi shkrimor i një gjuhe tjetër (kjo vlen për të gjithë ata që kanë shkruar shqipen, përfshi edhe ata që përdorën alfabetin grek ose arab; me përjashtim të atyre pak që përdorën alfabete të shpikura ose “sekrete”, por pa ndonjë sukses).

Parimi fonetik/fonologjik do të ketë luajtur rol në përzgjedhjen e formave të shkruara të fjalëve, midis varianteve ose alternativave; ose gjatë procesit kur u kodifikua drejtshkrimi i shqipes (krejt periudha pas Luftës II Botërore, deri në vitin 1973). Megjithatë, ky fakt historik i përket rrafshit diakronik dhe nuk ka ndikim në mënyrën si vepron sot norma, edhe ajo drejtshkrimore edhe ajo drejtshqiptimore. Hipoteza ime – e parashtruar këtu – është se, në sinkroni (bashkëkohësi), shqipja shkruhet sipas parimit historik (shkruhet ashtu siç është shkruar) dhe drejtshqiptimi është dytësor ndaj drejtshkrimit.

 

© 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Te një shkrim i paradokohshëm (Me alfabet të cunguar), ku trajtoja dukurinë e zëvendësimit të <ë>-së me <e> dhe të <ç>-së me <c> në shqipen kompjuterike dhe celulare, pata hedhur idenë se “pikërisht lehtësia me të cilën shkruesit e shqipes i zëvendësuan shkronjat munguese të tastierës me shkronja grafikisht të ngjashme, provon se, gjatë produksionit të ligjërimit të shkruar, shkruesit replikojnë imazhet grafematike të fjalëve, dhe nuk i ndërtojnë këto sipas ndonjë parimi fonologjik (ose ndonjë teknike të analizave dhe përkimeve fonologjike që kanë përvetësuar në shkollë). E shumta, përkimi fonologjik ndihmon, sidomos kur është fjala për të shkruar fjalë që deri atëherë shkruesi vetëm ua ka dëgjuar të tjerëve.”

[2] Rezolutë e Kongresit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, Studime filologjike, 1973-1, f. 33.

[3] Në Kongres u vendos edhe që “Rregullat e drejtshqiptimit të shqipes” të hartoheshin brenda vitit 1975, gjë që nuk ndodhi atëherë dhe nuk ka ndodhur deri më sot.

[4] Androkli Kostallari: Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj, Studime Filologjike 1973/1, ff. 83-85).

[5] Si model i “normës shqiptimore tashmë të kristalizuar” sillej aso kohe Radio Tirana – edhe pse ligjërimi i folësve të radios zakonisht mbështetej në tekste të shkruara. I njëjti arsyetim vlen edhe për Teatrin, ku shmangiet nga tekstet e pjesëve teatrale ishin më shumë përjashtim se rregull.

[6] Anastas Dodi: Drejtshkrimi dhe shqiptimi letrar, Studime Filologjike 1973/1, f. 124.

[7] Për shembull, Anastas Dodi kur shkruan, dhjetë vjet pas Kongresit të Drejtshkrimit, se “Në formën e shkruar të gjuhës letrare normat themelore të përbashkëta për gjithë kombin po nguliten përfundimisht. Këto norma i përvetësojnë me shpejtësi njerëz prej krahinave të ndryshme, të cilët mund të shkruajnë në gjuhën letrare. Por normat e gjuhës së shkruar nuk sjellin menjëherë dhe normat e shqiptimit në formën e folur të gjuhës letrare.” (Anastas Dodi: “Rreth problemeve të drejtshqiptimit të gjuhës letrare shqipe”, në Studime Filologjike 1972/4, f. 102).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin