DATA, PËRKUJTIME, RITUALE

Prof. Francesco Altimari, nga Universiteti i Kalabrisë, u është kthyer tezave të tij të paradokohshme, lidhur me nevojën për t’i shqyrtuar me sy kritik disa data të rëndësishme që lidhen me gjuhën dhe kulturën kombëtare; në veçanti 7 marsit, Ditës së Mësuesit.

Ja çfarë tha Altimari, siç është raportuar verbatim nga diasporashqiptare.al:

Edhe sot vazhdojmë të festojmë 7 Marsin, që është një datë që nuk ka kuptim, kur një sulltan të lejojë të hap[ë] një shkollë në gjuhën amtare. Të vazhdojmë të festojmë këtë datë në botën shqiptare është një turp. Këtu shkollat shqipe i hapi Lekë Matranga qysh në vitin 1592, prandaj edhe historia jonë duhet rishikuar krejt. Nuk duhet të vazhdojmë të bëjmë  rituale proceseve laike që duhet bërë një rishikim rrënjësor.

Nuk mund të pajtohem me këtë kritikë të kolegut, siç e kam shpjeguar edhe vite më parë, gjatë një debati për të njëjtën çështje.

Këtë herë Altimari tregohet më i ashpër, duke e quajtur “turp” që shtatë marsi vazhdon të festohet në botën shqiptare, sepse kjo datë, gjithnjë sipas tij, “nuk ka kuptim”. Sipas tij, shkollat shqipe i ka hapur Lekë Matranga ndër arbëreshët e Italisë qysh në vitin 1592, “prandaj edhe historia jonë duhet rishikuar krejt”.

Ka dy aspekte kritika e Altimarit: aspektin mirëfilli historik, që lidhet me datën se kur është hapur “shkolla e parë shqipe”; dhe aspektin si me thënë ritualistik, që lidhet me një nevojë për të ndryshuar datën e një feste e cila tashmë ka krijuar traditën e vet mjaft solide.

Lidhur me historinë, është thënë se shkolla shqipe janë hapur herët edhe në Kurbin (Skuraj, 1632) – nesër mund të dalin të dhëna të reja, për ndonjë krahinë tjetër. Por nëse këto përbëjnë vërtet shkollën e parë shqipe, mund të diskutohet.

Hapja e një shkolle nuk është gjest simbolik dhe as “shpikje”, pse varet nga konteksti social dhe kulturor i kohës. Shkolla e hapur në Korçë, në 7 mars të vitit 1887, ishte e para kombëtare jo vetëm sepse ishte laike (siç e kanë vënë në dukje disa), por se filloi, në kontekstin e Rilindjes Kombëtare, një proces të pandërprerë të arsimit shqip, i cili vazhdon edhe sot. Shkolla qëndroi e hapur për 15 vjet; për t’u mbyllur dhe rihapur disa herë më pas. Pak vjet më vonë, në 1891, u hap sërish në Korçë Mësonjëtorja e vajzave, nga Gjerasim dhe Sevasti Qiriazi. Ky proces kompleks kërkonte një elitë që ta kish arsimin kombëtar pjesë të misionit të vet, familje që dëshironin t’i shpinin fëmijët e tyre në një shkollë ku mësimi zhvillohej në shqip, mësues që të mund ta realizonin këtë, leje nga autoritetet për ta mësuar një gjuhë në shkollë dhe tekste shkollore për nxënësit dhe për mësuesit. Të gjitha këto u realizuan për herë të parë, më rezulton mua, në Korçë. Dhe lejen për atë shkollë nuk e dha aq “një sulltan” – çfarë duket ta shqetësojë prof. Altimarin – sa ç’e kërkuan Naim Frashëri, Sami Frashëri dhe të tjerë luminarë të Rilindjes Kombëtare; teksa mbështetjen financiare e siguruan komunitetet shqiptare në mërgim (por nuk më rezulton arbëreshët). Në atë shkollë mësonin, së bashku, nxënës myslimanë dhe të krishterë, fakt që nuk mund të lihet mënjanë, kur flasim për arsim kombëtar.

Ajo datë dhe ai event janë në themel, mes të tjerash, të librit shqip bashkëkohor që u shkon sot edhe arbëreshëve në Itali e gjetiu, të shqipes letrare që flet në publik prof. Altimari, të shqipes që u mëson studentëve katedra e gjuhës dhe e letërsisë shqipe në UNICAL; madje edhe të institucioneve të tilla si Akademia e Shkencave e Shqipërisë, i së cilës është anëtar i nderuar profesori.

Shkolla kuriozitete, si ajo e Matrangës, ose të tjera që mund të jenë hapur herët në viset katolike, nuk arritën të mbijetojnë si institucione, megjithë virtytin e atyre që i patën hapur. Dhe jo aq për mungesë të dëshirës – besoj – sa për rrethanat e papërshtatshme, ose ngaqë ato lule çelën në stinë të gabuar. Prandaj datat e tyre nuk mund dhe nuk duhet të festohen si data të arsimit kombëtar, meqë impakti i tyre në historinë e kulturës, të gjuhës dhe të arsimit shqip ka qenë – në analizë të fundit – i papërfillshëm. Rëndësia e tyre qëndron gjetiu.

Edhe propozimi i Altimarit, që 7 marsi të mos festohet më sepse “nuk ka kuptim” dhe “është turp” është i kritikueshëm. Kuptimin festës së Mësuesit ia jep ritualizimi tashmë prej disa dekadash, ose tradita që ajo festë ka krijuar. Kur fëmijët i çojnë lule mësueses atë ditë, nuk është se kanë në mendje dekretin e sulltanit – thjesht festojnë siç kanë festuar një vit më parë. Data mund edhe të ish vendosur arbitrarisht, asgjë nuk do të ndryshonte: rëndësi ka stabiliteti i ritualit, tradita – e cila edhe thjesht duke u përsëritur fiton vlera morale.

Çfarë turpi mund të ketë këtu? Për mua do të ishte më shumë “turp” sikur të fillonim t’i verifikonim datat që kremtojmë gjatë vitit dhe t’i zëvendësojmë lirisht me data të reja – kjo do të sillte pështjellim dhe, për 7 marsin, do të rrezikonte shpërbërjen e një feste që, megjithë hallet e mëdha të shkollës shqipe, arrin të sjellë gëzim dhe domethënie, duke e vendosur arsimin shqip në perspektivë për të gjitha palët, duke filluar nga nxënësit vetë.

Besoj se ka aq hapësirë, në kulturën shqipe, për të kremtuar edhe përpjekjet aq periferike të Lekë Matrangës, paçka se shkolla e tij nuk kishte asnjë shans, për të mbijetuar dhe për t’u mishëruar si shkollë shqipe kombëtare. Aq më tepër që ato përpjekje nuk patën ndonjë lloj jehone mes shqiptarëve të Ballkanit, të cilët në atë kohë po përjetonin kriza serioze të identitetit etnik, njëlloj si edhe arbëreshët përtej detit. Unë madje shkollën e Matrangës do ta shihja më shumë si orvatje për t’i ndihmuar mbijetesës së komunitetit dhe identitetit arbëresh në rrethanat katastrofike të shpërnguljes dhe të ngulimit në dhe të huaj, se si nismë të orientuar drejt themelimit të ndonjë shkolle kombëtare.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim: Kjo është hera e dytë që e hap këtë debat në Peizazhet. Herën e parë me këtë shkrim: Festa të imagjinatës, pas botimit të së cilit prof. Altimari pati mirësinë të më sugjerojë leximin e këtij artikulli të tij: Arbëreshët e Italisë për Rilindjen e Shqipërisë mes shekujve XVIII-XIX: paralelizma me diasporat e tjera të hapësirës italo-ballkanike.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin