PROFESORË APO SHËRBYES TË DIKTATURËS?

nga Eda Derhemi

2022-shi, mes të tjerash, qe edhe viti kur dy prej ish-profesorëve të mi të universitetit, u përfolën për lidhje me Sigurimin e shtetit diktatorial komunist, dhe për raportime politike që s’u kanë hije njerëzve të dijes, e, sidomos, kujt publikisht njihet si intelektual: përkatësisht Nasho Jorgaqi dhe Gjovalin Shkurtaj. Arsyeja përse janë mënyra sjelljeje të papranueshme për kë u është dhënë të menduarit dhe analizës, është e thjeshtë – pritet që shkencëtari në humanitete të mos ia shesë kollaj shpirtin djallit vrastar, edhe kur i duhet të bëjë sikur. Sepse, përndryshe, e para qenie e humbur është vetë ajo a ai që ka shkelur mbi esencën e profesionit që i jep kuptim jetës së vet, e që nuk është thjesht zanat apo zeje, por kryesisht mënyrë të menduari e të jetuari, që pastaj merr edhe formë mësimdhënieje apo prodhimi tekstesh simbolike (studime, romane, pikturë, muzikë, traktate matematike, etj.). Së dyti, nëse një shkollim i gjatë racional, gjithëpërfshirës dhe analitik, nuk çon zakonshëm në analizë kritike ndaj vetes dhe shoqërisë për një qasje jetësore më progresive dhe demokratike, atëherë na rrofshin për verë shpresat që kemi varur tek dija dhe shkollimi i mirë.

Gjithmonë më bën përshtypje kur shoh shpejtësinë e distancimit dhe përçmimin eksplicit masiv me të cilin shihet figura e sigurimsit të sapo zbuluar publikisht. Kushdo pastë qenë ai. Do kuptoja kollaj habinë e dikujt, sidomos për njerëz me profesione ku kolaboracionizmi me “armën e Partisë”, do dukej i pamundur. Do kuptoja neverinë. Por ajo që has është sulm, distancim me ‘ad hominem’, asgjësim me dy-tri shkallë. Pse nuk ndjek p.sh. vijën: habi -ndoshta edhe indinjim-, reflektim, shprehje e indinjatës, reflektim? Puna është që ndër njerëzit që unë njoh prej shkolle e miqësish, të paktën rreth 75% do thoja nuk do i lanin dot duart aq kollaj si antikomunistë në gen, nëse reflektimi do ishte pjesë e rutinës së reagimit. Ish-sigurimsi i sapobërë publik, sot shihet si i fëlliqur, siç shihej “diversanti” nëpër filmat e komunizmit. Më keq akoma: si qenie që duhet linçuar me mjetet e mundshme, si pre e kollajshme. Është po ajo shumicë që i derdhte lotët çurkë kur vdiq Enveri, që shihte me ëndje filmat soc-realistë me fëmijë vigjilentë të malësisë që ndiheshin sigurimsa ‘që në djep’, apo me operativë sigurimi që zbulonin rrjete spiunazhi. Janë po ata njerëz që marrosen sot pas filmave jo-shqiptarë me agjentura ambasadash dhe dopio-agjentë. Plot janë fëmijë e nipër komunistësh e sekretarësh partie, vajza e djem ish-punonjësish ambasadash e “kuadrosh të larta” që bënin shkolla gjuhësh të huaja apo juridiqe, dhe pastaj përfundonin, në Ministri të Jashtme apo për “studime jashtë”, me lehtësinë e një guri që rrokullisej tatëpjetë dhe zinte butë vend në breroren fushore. Sa ka nipa e mbesa hetuesish, prokurorësh, oficerësh, gardianësh, drejtuesish nëpër burgje e kampe pune të socializmit, që sot kanë vende me peshë dhe forcë blerëse parësore në sistemin tonë shoqëror, e që s’u ka shkuar kurrë në mend të analizojnë historinë se si e kanë siguruar atë vend, si i kanë fituar shkollat dhe pozitën, shtëpitë e makinat pastaj, postet, mundësinë e shkollimit të fëmijëve! S’e kanë menduar kurrë, madje sakën t’ua zësh me gojë që privilegji i tyre bën muuuuuu, dhe u rrit mbi gjak të persekutuarish, dhe djersë e gjak fshatarësh e punëtorësh të pasy e të patru. S’e kanë ngritur kurrë gishtin e akuzës (qoftë edhe brenda kokës së vet) ndaj prindërve a gjyshërve! A është më i ulët një shkrimtar që del se ka qenë i sigurimit, sesa një ish-shef dege a drejtor në Ministrinë e Brendshme, a hetues që, ndonëse hapur, ka rrahur, ndëshkuar, dënuar e ndoshta vrarë njerëz?! A është më e pastër mbrojtja që i bëhej diktaturës komuniste prej një ambasadori shqiptar në OKB-në e viteve ‘70, se sa shtirja e frikësuar si pro-komunist e një atasheu tonit kulturor në një ambasadë shqiptare në Perëndim? Ia vlen ta rrotullojmë në mendje pyetjen se a është më dinjitoz njeriu i zakonshëm (jo-intelektuali) që kthen timonin 180 gradë dhe harron pathosin e vet dhe ngjyrat e përgjëruara sapo që ndërron stina, se sa një i shkolluar që bëhet mashë e një regjimi sepse beson në të. Në raste të tilla ndjeshmëritë bëhen me të drejtë super-perceptive: çfarë kupton me intelektual; çfarë kupton me besimin ndaj një regjimi; si e përcakton “të bërët mashë?”; si e kupton ‘dinjitetin’? Nuancat përcaktojnë thelbin. Interpretimet s’bien dakord. Moralet ndeshen e mbrohen. Fytyrat fshihen dhe paraqesin maskat e rastit. Por i gjithë ky proces, tek secili prej nesh, duhet të ndodhte para se të sulmonim. Për shumë familjarë që me siguri diçka dinë për pozicionin dhe bëmat e të parëve në kohën e diktaturës, procese të tilla duhet të kryhen edhe pa qenë nevoja për shkas jashtë-familjar. Hapja e dosjeve duhet të ish bërë masivisht dhe jo një kokërr sot e një nesër, sipas inateve të sotme dhe hasmërive të djeshme. Dhe sidomos duhej bërë për të reflektuar më pas dhe jo për “t’u çjerrë maskën tradhtarëve të demokracisë”.

Nasho Jorgaqit rinisa t’i lexoja Larg dhe afër para dy verash që të vilja material faktik dhe dialogë për sa thuhej për arbërishten e Pianës prej personazhesh konkrete që Nasho pat takuar, pianiotë të disa dekadave më parë. Në Larg dhe afër Jorgaqi u është qasur ngjarjeve dhe personazheve realë të librit si një studiues, më fort se si një novelist. Por libri nuk paraqitet si një studim, por si rrëfim artistik i një ngjarjeje të vërtetë. Ndërkohë që ka përshkrime të hollësishme mëngjesesh, peizazhesh apo karakteresh e sjelljesh të personazheve, është vështirë të takosh në stilin dhe narrativën e Jorgaqit, shkrimtarin e hollë dhe prozatorin e veçantë. Por, edhe pse këtu shfaqet si shkrimtar i zakonshëm, ndihet pa dyshim që ka një dorë me eksperiencë, e njeh dhe respekton fort leksikun dhe sintaksën e shqipes, dhe s’e merr si të dhënë talentin e vet, ka një kompozim logjik e kompleks të tregimit, dhe një prirje për analizë sistematike. Është ndihmë e madhe për kë punon me arbëreshët. Larg dhe afër është një libër me shënime udhëtimi, dhe, edhe pse autori nuk e paraqet si studim, mbështetet mbi studime historike dhe folklorike e letrare për zonat arbëreshe që autori takon, sidomos në historinë e shkrimtarëve arbëreshe dhe punëve të tyre. Retrospektiva të shpeshta tregimtare çojnë tek Skënderbeu, histori heronjsh e përrallash, të dhëna demografike etj, që tregojnë se autori ka bërë goxha punë arkivore e bibliotekare, sido që shpesh nuk ka referenca për tekstet a faktet e sjella. Po ashtu, është e qartë se udhëtimin e ka bërë me synime shumë të qarta studimore, e me siguri ka shënime të hollësishme udhëtimi, dialogje, e monologje që i ka bërë pjesë të librit më vonë. E mbaron më 1985 dhe e boton më 1987, me ca shënime për takime me të tjerë grupe mërgimtarësh të hershëm Shqipëriet.

Larg dhe afër e pata gjetur në një tezgë trotuari. Me atë rast pyeta edhe për Mërgatën e qyqeve. Dhe, në fakt,e bleva edhe atë në dy volume. Të tre librat të lyrosur e me hijet e lagështitë e shumë dimra-verave, duarve, bodrumeve e rrugëve. Duken si t’i kenë fërguar e tharë vajin në breg deti më pas. Kur i lexoja e gjeja copa ku Nashoja drejtpërsëdrejti “përçonte” vijën ideologjike të Partisë së Punës, thoja me vete: ja haraçi që paguante Nashoja që të mund të bënte studimin. Në Larg e Afër thotë diku “Vetëm borgjezia dhe aristokracia monarkiste, ashtu siç i shpërdori frytet e fitores popullit Italian, i mori nëpër këmbë dhe ato të arbëreshëve… ndaj ata (arbëreshët – ED) mbajtën qëndrim opozitar, anuan nga prirjet e përparuara politike e shoqërore, iu kundërvunë synimeve imperialiste të borgjezisë italiane ndaj atdheut të stërgjyshërve…”. (pp107) Ndihet paq morsa ideologjike që e ka kapur me dhëmbë nga të dy krahët gjuhën e përdorur. Por ato që thuhen këtu, janë shumë afër së vërtetës historike, pavarësisht nga nënvizimet e “borgjezisë”, “aristokracisë”, “imperialistëve”. Libri ka plot prej këtyre segmenteve të shkurtra ku Jorgaqi lëshon pe ideologjik. Ndoshta s’do i kish përfshirë hiç në vepër, po të mos ishin pjesë e domosdoshme e kërkuar për botim.

Pas lajmit dhe provave për qenien e tij aktive në Sigurimin e Shtetit, pata një shasti dhe një si turp. Iu riktheva copave të shkruara me tekst eksplicit “të partishëm” që më kishin bërë përshtypje edhe më parë. Nuk e di sa ishte i shtirur e sa jo në to, por di që vdiste të dilte jashtë shtetit, dhe jo vetëm për motive studimore. Si çdo tjetër shqiptar. Di edhe se ideologjikisht ishte i majtë dhe se, tek Enveri dhe komunizmi shqiptar, shihte plot anë të mira. Deri ditën e fundit, po t’i referohemi intervistës së fundit me Mustafa Nanon, mbeti i tillë. Duke pasur mendje kritike, jam e sigurtë që analizonte edhe anë të papranueshme të regjimit, por si shumë të tjerë me bindje si ai, i justifikonte, ua lehtësonte krimet. Në fund të fundit, në socializëm Jorgaqi pat qenë nga njerëzit me një jetë për t’u pasur zili e me pushtet elitar kulturor e akademik po aq të madh. Pse të ankohej, pse të ish aq kritik?! Sepse ishte intelektual dhe shkrimtar, do thoni ju. E drejtë! Por, kur shoh që ka gazetarë e shkrimtare sot – shkrimtare të mençura e profesoresha në universitete me emër të botës, shumë më të rinj se Nasho Jorgaqi, që edhe pse e kanë jetuar komunizmin shqiptar, e shfajësojnë atë dhe e shohin si një e keqe e barabartë me kapitalizmin, më vjen të çkul leshtë. Dhe them me vete: ç’t’i them vetes për Nashon, kur këta të rinjtë, rritur e edukuar pa pranga e me rroga që s’u lypin haraç ideologjik, kanë tru e zgjedhje të këtij tipi?!

Mërgata e qyqeve e botuar para Larg e Afër (që më 1979), është qartësisht letërsi artistike, me një endje të fabulës që labirintohet në një rrjetë kompozicionale më të dendur, ku ngecin një sasi e madhe personazhesh historike dhe jo, një rrëfim më i komplikuar, dhe me plot analiza psikologjike e filozofike që lehtësojnë disi natyrën epike të romanit, por edhe e bëjnë tërheqës për lexuesin e zakonshëm. Në këtë roman kompleks që me siguri ka marrë punë të gjatë kërkimore para se të shkruhej dhe kur shkruhej, Jorgaqi merr shenjë kundër antikomunizmit shqiptar nga pozitat e vetë komunizmit, duke iu afruar nga afër shumë prej individëve historikë që komunizmi i kish dënuar dhe që kishin qenë shpesh intelektualë dhe patriotë të njohur para 1945-ës. Nuk është zbulim i madh që të shohësh në ato dy volume një vepër të realizmit socialist, që nuk i fsheh qëllimet e veta, dhe shpesh duket qartas që mban anën e komunizmit dhe që përpiqet ta bëjë blozë mërgatën. Ka plot episode realiste në jetën e vështirë të disa prej mërgimtarëve, që edhe pse Jorgaqi i quan “qyqe”, duket qartë që ua njeh hallet. Disa prej përshkrimeve që u bëhen situatave të tyre të hirta familjare, dëshpërimit e varfërisë, dhe rënies në pesimizëm, janë shpesh krejt realiste. Mërgata qahet… me plot arsye. Gati duket se Nashoja është ulur me ta në të njëjtat dhoma të errëta me tym, lagështi dhe duhmë, e ua njeh dhe qan sinqerisht hallin. Besoj se Nasho deri në fund i ka mbetur besnik romanit të vet, duke e mbrojtur, madje duke thënë se, edhe pjesëtarë të vetë mërgatës, e kanë përgëzuar për të. Agim Baçi e quan romanin mëkat edhe më i madh se të qenët spiun i Sigurimit. Por a është në fakt mëkat një roman që dënon njerëz dhe akte për të cilët Nasho vetë nuk kishte respekt? Mund të ngrihet argumenti që s’është roman i madh. Mundet! Në prozën e Jorgaqit nuk duket gjëkundi gjenialiteti i artistit të madh, gjetje a ide që të befasojnë … të shkundin, nuk ka shfaqje që të bëjnë të shohësh diçka për herë të parë, të kesh një ndjesi që s’do ta harrosh kurrë. Ka një histori komplekse të shkruar shumë mirë. Por kaq. Si roman, është më i mirë se shumë prej romaneve të njohura të socializmit, sido qoftë. Por nuk besoj se kjo punë e tij është imorale. Bazuar tek romani dhe qëndrimi i autorit nëpër intervista, nuk më rezulton se e ka shkruar si një lapërdhi. Nuk shoh hipokrizi a poshtërsi gjëkundi.

Ajo që unë do e quaja mëkat është p. sh. spiunimi dhe raportimi për Skënder Luarasin. Si edhe fakti që Nashoja, intelektual dhe shkrimtar, që patjetër e dinte se çfarë hiqnin nëpër internime e burgje familjarët e disave prej personazheve të romanit të vet, dhe të disave prej shkrimtarëve dhe artistëve të plejadës intelektuale të paraçlirimit, pranoi të ishte pjesë e Sigurimit, dhe deri sa vdiq nuk tha asgjë për atë pjesë të jetës së vet. Mëkat i madh, po aq sa edhe e drejta e tij! Por besoj do kish ikur pa një peshë, e do e kish bërë më të mirë – sado pak më të mirë – shoqërinë tonë të ashpër po ta shihte veten si pjesë e një të shkuare që ka shkatërruar një popull.

Presor Gjovalini, ndryshe nga presor Nasho, ua ka kushtuar jetën studimit të dialekteve, tekste ku ndikimet ideologjike dhe “partishmëria” ndahen (shpesh) më kollaj se në letërsinë ‘fiction’.  Letërsia që ai ka shkruar nuk ka qenë në zhanrin e romanit apo poezisë, sido që shpesh studimet dhe librat e shumtë të Gjovalin Shkurtajt, ecin në një hulli ku gazetaria, lirizmi dhe emocioni janë gjerësisht të pranishëm. Kontributet e tij janë plot në hedhjen dritë kah shumë prej të folmeve të shqipes, në fushën e hartimit të fjalorëve, në grumbullime dhe trajtime të të dhënave folklorike, në diskutime për kulturën e gjuhës së shkruar e të folur, në plot tekste studentësh, e në analiza strukturore. E veçon Gjovalinin edhe bindja (që s’ia mbështes hiç)  se gjuha duhet mbrojtur nga fjalët e huaja, deri në purizëm, do thoja. Ndryshe prej shumë gjuhëtarëve tanë që u morën me dialektologji, Gjovalini i flet rrjedhshëm dialektet që studion. Ka një fleksibilitet artikulues dhe aftësi mahnitëse aktoriale për t’i folur mirë gjuhë që s’janë të tijat. Nuk e harroj dot me sa kollajllëk e flet ai arbërishten, fjalavjen. Në vitet fare të fundit të diktaturës, Gjovalin Shkurtaj, që me siguri gjithë jetën e ka mbajtur mbi kurriz “cenin” e vet ideologjik si me origjinë nga malësitë e Veriut – parë gjithnjë me mosbesim prej regjimit,  ia del të gjejë një hapësirë si atashe kulturor në Ambasadën shqiptare në Romë. Poste të tilla nuk kishin vetëm rëndësi ekonomike për shqiptarët, por në fundin e viteve 80, ishin mënyra për të rregulluar shkolla për fëmijët, e sidomos për të gjetur hapësira e mundësi si të lidheshin me institucione akademike të huaja për një gjashtëmujor mësimdhënieje që pastaj do bëhej një vit, pesë vjet, dhe rezidencë afatgjatë. Pse? – për t’u lidhur me persona akademikë, politikë, letrarë që do u duheshin nesër. Qoftë edhe nga fshatra arbëreshë; por sidomos nëpër qytete dhe institucione kulturore e akademike me ca pare, me ca bursa, me ca mundësi ftesash, qoftë edhe privatisht në shtëpitë e profesorëve apo personaliteteve të cilësdo madhësi: Roma, Bologna, Napoli, Milano, Venezia, Palermo, Bari… Në vitet ’80, shqiptarët ishin një tufë e madhe, të kulturuar apo jo, ku provincializmi dhe varfëria kapeshin nga shqisat.

Për shumë studiues, arsyet studimore ishin vetëm një pjesë e vogël e ajsbergut, që më shumë do duheshin për t’u hedhur mbrapsht në Shqipëri e për t’i tundur si kualifikime e arritje cilësore “jashtë Shqipërie”. Se jeta në emigracion do bythë, do rini, do punë që kryesisht të shkon kot sa për të ndenjur ca kohë pezull, do padëshirën për t’u bërë deputetë, politikanë e pasanikë, do rezistencën për të qenë gra me dieta të përhershme e përditë flokëkrehura, e burra me kapital social që një herë në javë duhet të bëjnë facial treatments dhe pedikyr. Mendja pragmatike e shqiptarit të varfër me antenat ngrehur për të kapur qenie që nesër do i duhen, ka punuar në shekuj në këtë mënyrë, e vazhdon të punojë kështu sot e gjithë ditën. Sa nga ata shqiptarë që janë ende sot në Itali, apo mbajnë lidhje akademike me të, kanë përdorur pikërisht lidhje njerëzore dhe trampolina të tilla farkëtuar në Shqipërinë socialiste apo në atë menjëherë pas-socialiste, për të përfituar e shtruar me bar të butë udhën e së ardhmes së vet jashtë saj? Plot; sa të duash! Gjovalini ndoshta është fare modest para tyre, në përpjekjet e veta për avancim politik, akademik dhe ekonomik. Në fakt, kur u kthye, bëri çfarë pati bërë edhe më parë.

A ishte e domosdoshme që Shkurtaj të shkruante pasazhin e botuar? Ishte një raportim i një atasheu të një shteti komunist në një vend “armik” në një moment tepër delikat, kur sapo kishin ikur shqiptarët e futur nëpër ambasada. Italia në atë momente shihej nga regjimi si mëma e të këqijave. Si mund të shkruante ndryshe Shkurtaj në verën e jashtëzakonshme të 1990-ës?! Mendoni çfarë do bënit ju në vendin e tij. Do kryenit vetëvrasje? Derisa plasi fort, e mori -fare- ferra uratën, dhe u bënë të gjithë trima dhe anti-komunistë – në fund të gjithë botës europiane – “asgjë” s’po ndodhte tek ne. Shqipëria ishte pezull; njerëzia kish frikë se drejtimi i ngjarjeve mund të ishte cilido. Mos e shihni sot, se sot të gjithë e dinë që Shqipëria e vetme do binte shpejt. Por atëherë frika të rrinte në lukth. Shkurtaj po sillej siç do sillej kushdo në pozicionin e tij. Pastaj, kur ndonjëherë që prej historisë së dragomanëve, s’ka qenë detyra themelore e punonjësve të ambasadeve, raportimi në ministritë e jashtme përkatëse apo agjenci spiunazhi? Vërshimi i sharjeve ndaj Shkurtajt për mua është krejt i pajustifikuar. Nuk kam as më të voglin dyshim se nuk ish ai që raportoi, mendimi i vërtetë që kish Shkurtaj për papasët arbëreshë dhe arbëreshët në përgjithësi. Ndryshe nga Jorgaqi, besimi im është se Shkurtaj nuk ka pasur asnjëherë simpati reale për regjimin (nuk e them dot me siguri, se, sido që e njoh, nuk kam njohje perfekte të ideve të tij). E gjithsesi iu desh të tradhtonte thelbin e profesionit të tij e të miqësive, dhe njerëzit që i kishin hapur derën dhe zemrën; Ndoshta mund të mos kish qenë aq entuziast në pozicionin e tij? Por kush jemi ne të gjykojmë ç’bën njeriu e si ia del pa ikur nga mendja, nën presionin e frikës?! Për vete e për familjen!

Për Nashon thuhet se paskësh qenë ky spiun i ndëkryer. E thashë më lart: më duket punë e ulët ajo e sigurimsit. Nuk ia pranoj kujt. Por nuk duhet të merremi me termin apo emërtimin e një pune apo shërbimi, sado famëkeq e ndjellakeq ky, por me bëmat. Çfarë tamam ka bërë Nasho Jorgaqi? Në kuptimin, kë ka futur në burg, kë ka hequr nga puna, kë ka internuar, kë ka vrarë e ndëshkuar me informacionet e veta si nëpunës i Sigurimit? I ka ndodhur gjë prej tij Skënder Luarasit, Kadrie Kadaresë, Robert Shvarcit? Kam frikë se s’ka spiunuar për keq askënd, edhe kur i ka raportuar. Nuk e di arsyen pse u bë mashë, sepse nuk e njoh aq mirë. Por faktet nuk mund të errësohen edhe kur (dhe sidomos) damkosja është e lehtë. Madje ka njerëz që kanë dëshmuar se kanë folur “shqip e shkoqur” me Nasho Jorgaqin, e që ky nuk i ka dorëzuar; ka autorë të përndjekur të cilët Nashoja i ka ndihmuar e përkrahur. E gjithsesi ajo njollë e keqe mbetet mbi të.

Nuk kam interes të mbroj asnjërin prej tyre. I kam njohur relativisht mirë dhe i kam takuar shpesh të dy. Por nuk i kam pasur shokë. Gjovalin Shkurtaj është një dialektolog shumë i përgatitur dhe ka aftësi të jashtëzakonshme të komunikimit publik. Më ka udhëhequr në një ekspeditë dialektologjike pas vitit të tretë universitet nëpër fshatra të Fierit dhe në Lazarat të Gjirokastrës. Kjo qe nga eksperiencat më të vlefshme praktike të universitetit për mua! I do shumë komunitetet arbëreshe, dhe ata e kanë “kulluar” në dashuri e ndere gjithë jetën. Ajo që shkruan për Papas Belushin, jam e sigurtë që i është falur edhe nga vetë ai. Është i vjetër e i lodhur tashmë. E takova në dimër të raskapitur prej Kovidit. Brez që ndoshta mallkon atë që i ra për hise! Nashoja, si për këdo që ka mbaruar universitetin rreth po atyre viteve si unë, ishte i pashmangshëm; një lloj perëndie e Filologjikut. Marrëdhënia ime me të ka qenë për ibret. Më ka vënë në lëndën e vet të vetmen nëntë që kam marrë në universitet. Nashoja, që s’e kish hiç problem të vinte kollaj dhjetat!  E bëra nëntën e tij notë jokaluese, dhe e dhashë prapë në vjeshtë. Më vuri prapë nëntë. Nuk e harroj, por e kam më fort inatin me veten time që isha fiksuar aq keq me dhjetën. Jo me atë. E kam takuar më pas rallë, në vitet para se të ikte kur më fliste shumë për poezitë e veta haiku. Në qejfin e vet e mbi biçikletë. Edhe ai ish shumë i lidhur me arbëreshët. Ata nuk e harrojnë. I muhabetit, me tru modern dhe me humor fantastik. Ndoshta njohësi më i mirë i letërsisë shqipe, dhe lexuesi më i përkorë i gjithçkaje që mund të quhej letërsi, deri pak para se të vdiste. I dëgjova intervistën e lirë me Mustafa Nanon. E shfaqi veten me logjikë të fortë e me modesti dinjitoze. Por, gjithsesi, e kam menduar shpesh pas atij lajmi. Si është e mundur?! Si është e mundur?! Dreqi ta hajë!

Njollat mbi librat e përdorur të Nashos do më kujtojnë, sa herë i shoh në bibliotekën time, se si një regjim i njollos e i bën pis njerëzit. Nuk janë të gjithë trima të çartur e as të prodhuar si qenie morale të dëlira e të papërkulshme: njerëzit kanë dobësi, interesa të vegjël, frikëra. Njerëzit thyhen. Njerëzit tradhtojnë. Njerëzit bëhen pre ideologjike, edhe pa dashur. Ndaj edhe janë njerëz. Veç pak prej nesh janë perëndi. Dhe shyqyr që janë vetëm pak. Por s’ia lyp dot kujt detyrën që të jetë moralisht e ideologjikisht i perëndishëm. Një shtet dhe “princ” i mirë e shtyn të ligun e të paditurin në popullin e vet, drejt dritës. Një shtet si ai i diktaturës së Enver Hoxhës ta dhjet trurin, ta shkel dinjitetin, ta vret këngën e lirë, ta djeg shpirtin, ta shiton dashurinë, ta damkos emrin, të bën tradhtar të vetes.

 

© 2023 Eda Derhemi. Të gjitha të drejtat janë të autores.


Lexime që dëshmojnë disa prej fakteve që kanë dalë ndaj dy profesorëve të mi:

1. Ish-Atashe dhe gjuhëtar i njohur/ DOKUMENTET nga Roma: Si raportonte Gjovalin Shkurtaj për shqiptarët që i ikën diktaturës
2. Agim Baçi: “Mërgata e qyqeve”, mëkati më i madh i Nasho Jorgaqit @News24Albania
3. Agron Tufa: Nasho Jorgaqi, spiun i Sigurimit. E shoqja mbante nofkën “Artistja”, Sigurimi iu bëri dhe dasmën

About the Author

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page