VDEKJA E KRITIKUT

nga Sadedin Mezuraj

Në këto tre dekadat e fundit pas rënies së komunizmit, si rrjedhojë e heqjes së monopolit të shtetit mbi entet botuese dhe median e shkruar, botimi i librave në fushën e letërsisë-prozës dhe poezisë ka njohur një rritje eksponenciale. Çdo vit, lexuesit potencial i prezantohen me dhjetëra tituj të rinj, autorë shqiptarë të konfirmuar dhe krijues të rinj, përkthime të letërsisë botërore, të asaj klasike dhe moderne bashkëkohore, ku përpos autorëve të mirënjohur apo fitues të çmimit Nobel, peizazhit letrar i shtohen emra dhe profile krijuesish pothuaj të panjohur më parë.

Bumi i botimeve letrare, në kushtet e rënies së shtetit totalitar dhe censurës shtetërore, është përvijuar në shtratin e demokracisë, si manifestim i lirisë së fjalës dhe, njëherazi, si simptomë e demokratizimit të kulturës.

Ndërkohë, të gjithë – krijues, shkrimtarë, poetë, lexues, studiues të letërsisë, profesorë të departamenteve të letërsisë, akademikë dhe analistë – bashkohen njëzëri në korin vajtimtar për mungesën e kritikës letrare.

Përtej konstatimeve pesimiste të cilat, me një klikim në Google i gjen me shumicë në shkrime apo intervista të ndryshme, Ardian Vehbiu në disa shkrime të publikuara në PTF[1] ka analizuar në disa rrafshe rolin dhe funksionet e kritikës letrare, duke e parë atë si pjesë integrale të procesit krijues, si një komponent të domosdoshëm dhe parakusht për zhvillimin e shëndetshëm të letërsisë, si një shërbim për krijuesit por po aq, e në mos më shumë, për lexuesit dhe edukimin e shijeve estetike drejt vlerave të mirëfillta letrare.

Rënia e kritikës letrare ngadalëson perspektivat e rinovimit të krijimtarisë letrare, kontribuon në rritjen e konfuzionit rreth vlerave estetike dhe redukton pritshmëritë e audiencës për letërsinë serioze. Zhvillimet letrare duket se janë futur në një rreth vicioz: kritika letrare, me mungesën e saj, nuk kontribuon në hapjen e perspektivave për letërsisë dhe, nga ana tjetër, krijimtaria letrare, duke fluturuar në krahët e lirisë pa fre, jashtë filtrave vlerësues/ seleksionues, paralizon çdo orvatje për një kritikë letrare profesionale, konstruktive dhe pozitive.

Përkundër ndonjë mendimi të shprehur në trajtën se “letërsia shqipe sot i përngjet një djerrine bosh”, vërshimi i botimeve në fushën e prozës romanore dhe poezisë, dëshmon se fusha e krijimtarisë letrare nuk është aq shterpë sa perceptohet. Sigurisht që sasia nuk do të kthehet si me magji në cilësi, në një pikë të caktuar të trajektores së zhvillimeve në fushën e letërsisë. Megjithatë, referuar sistemit të vlerësimit dhe dhënies së çmimeve për veprat letrare, sado të kontestueshme qofshin komisionet përzgjedhëse, fituesit e çmimeve janë një tregues i faktit se brenda “pyllit” letrar plot shkurre e bimësi mesatare, rriten edhe pemë të larta, frutat e të cilave mbeten të verifikohen nga kritika letrare dhe shijet e lexuesve.

Përballë bumit të botimeve dhe në kushtet e mungesës të një kritike letrare të kualifikuar, lexuesit i përngjasojnë atij udhëtarit i cili, endet nëpër xhungël pa busullën orientuese.

Mungesa e kritikës letrare profesionale duket si një anomali e natyrshme, brenda anomalive të realitetit shqiptar. Në fakt, erozioni apo kriza e kritikës letrare (literary criticism) konstatohet si një dukuri shqetsuese edhe në vendet perëndimore, me tradita të pasura në laminë e letërsisë, kulturës dhe kritikës letrare.

Kritika letrare, me sensin e saj vlerësues por edhe me tehun kritikues të produktit letrar, në historinë e ekzistencës së saj është luhatur mes dy pamjeve stigmatizuese: herë si shërbëtore e thjeshtë dhe e përunjur e letërsisë dhe arteve kreative dhe, hera herës, si parazite dhe shemra e saj.

Shkrimtarë dhe krijues, të bezdisur nga pickimet e kritikës “negative”, jo rrallë e kanë parë atë me përçmim. Ose siç shprehet Brendan Behan: kritikët janë si eunukët në një harem. Ata e dinë se si bëhet. Ata e shikojnë çdo ditë të bëhet. Por ata nuk janë në gjendje ta bëjnë vetë.

Por rënia e kritikës letrare dhe dobësimi statusit të saj, nuk lidhet aq me refuzimin prej krijueseve sesa me zhvillimet dhe klimën kulturore të postmodernizmit.

Gjithmonë e më tepër në dekadat e fundit janë shtuar zërat për krizën e kritikës letrare. Në korin e zërave pesimistë, Ronan McDonald shkon në ekstrem, duke shpallur “vdekjen e kritikut”[2]. Sipas McDonald, koha e kritikëve të mëdhenj publikë, me kompetencë profesionale dhe autoritet, tashmë ka perënduar. Duke analizuar tablonë e kritikës dhe studimeve letrare në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar, McDonald argumenton se vendin e kritikut kompetent publik, të pranishëm dikur në faqet e shtypit masiv dhe atij të specializuar, e ka zëvendësuar polifonia e profileve virtuale, zërat e opinionistëve të blogosferës, portaleve, faqeve online, të cilët plot entuziazëm subjektivist shprehen për gjithçka, duke margjinalizuar përherë e më tepër fjalën e kritikut serioz, me kredencialet e nevojshme profesionale.

Kriza e kritikës letrare, në rrafsh global, shqyrtohet si një fenomen i prodhuar nga dy faktorë kryesorë:

Në rrafshin konceptual, McDonald bashkohet me opinionin e studiuesve të cilët postmodernizmin e fajësojnë si “mitra e të gjithë djajve që kanë pushtuar hapësirën kulturore”, qysh nga vitet 70-të të shekullit të 20-të e deri në ditët tona.

Postmodernizmi, me pjellën e tij-relativizmin (moral, konjitiv, estetik) ka mjegulluar kufijtë dallues mes “kulturës së lartë”, elitare dhe “kulturës së ulët”, popullore. Përkundër paradigmës së modernizmit mbi hierarkinë e vlerave, barazvlefshmëria është bërë epitoma e relativizmit në matricën kulturore të postmodernizmit. Nuk ka më të vërteta absolute. Asnjë ide, interpretim, autoritet apo qasje nuk ka status të privilegjuar. Kritikët e kulturës postmoderne, të pakënaqur nga kaosi vlerave, shprehen se rrokopuja e vlerave nisi qyshkur Duchamp prezantoi shurrëtoren (Fountain) si vepër arti[3], duke i hapur kështu derën vërshimit të çdo lloj banaliteti në fushën e artit.

Në rrafshin instrumental, revolucioni teknologjisë së informacionit, epokës së Internetit, e rrjeteve sociale, blogosferës dhe klubeve virtuale të librit, kanë sjellë si pasojë dobësimin e rolit të kritikut letrar profesionist, si një arbitër mbi vlerat artistike. A janë letërsia dhe artet thjesht një çështje e shijeve personale? A është një vepër letrare, po aq e mirë sa dhe një tjetër? Mcdonald, përkundër pretendimeve se vlerat artistike janë relative dhe subjektive, mbron me forcë dhe pasion rolin e kritikut letrar publik, me misionin e tij për vlerësimin, interpretimin dhe gjykimin e vlerave letrare sipas disa standardeve, të cilat mundësojnë shpërfaqjen e kritikut letrar si subjektivitet me subjektivizëm minimal.

Demokratizimi i kulturës dhe demokracia virtuale kanë kontribuar në këtë ndryshim. Askush nuk u beson më ekspertëve. Tani gjithkush ka një zë, një mendim dhe të paktën në internet, çdo opinion ka një rëndësi të barabartë.[4] Kritiku letrar, si figurë publike me autoritet, tashmë ndjehet si “kanarina në një minierë qymyri” dhe po vritet nga relativizmi kulturor, artistik dhe estetik.

Zërat kundërshtues të “vdekjes së kritikut”, internetin, blogsferën dhe rrjetet sociale i shikojnë si një avantazh. Sipas tyre, aty ku më parë mbizotëronte heshtja, tashmë artikulohen dhjetëra opinione dhe recensa, duke pluralizuar kësisoj këndvështrimet dhe interpretimin e krijimtarisë letrare.

Në një kohë kur gjithkush ka një zë në hapësirën virtuale për të shprehur opinione dhe vlerësime për krijimtarinë letrare, studiuesit akademikë janë tërhequr në kullën e tyre të fildishtë, duke u lëshuar terrenin blogerëve dhe recensuesve amatorë. Sipas atyre që kundërshtojnë konceptin e “vdekjes së kritikut”, lexuesi inteligjent do të gjejë dhe vlerësojë kritikën më të mirë, ashtu si kritiku inteligjent do të gjejë dhe do të mbrojë artin më të mirë. Vërtet është zbehur roli i kritikut profesionist me K të madhe por “ kafsha kritike” tashmë është strehuar në hapësirën virtuale.

Nëse qershitë i shijojnë të gjithë, pavarësisht nga përvoja, kultura, vendi apo mosha, shijet estetike kultivohen përmes kulturës së leximit dhe rolit orientues të kritikës letrare. Lënia e letërsisë përballë shijeve personale të lexuesve, pa ndërmjetësimin orientues dhe vlerësues të kritikës letrare, sipas Rene Wellek, ka si rezultat “një anarki të përgjithshme ose një barazim të të gjitha vlerave”[5]. Kritiku letrar, në klimën e lirisë së zgjedhjes dhe absolutizimit të shijeve personale, shpesh konceptohet si një despot dhe imponues i shijeve estetike. Dikotomia kontradiktore objektiv-subjektiv, pra raporti ndërmjet vendosjes së një seti standardesh të qëndrueshme për vlerësimin estetik të veprave letrare dhe nevojës për të akomoduar brenda kritikës vlerësimin personal specifik, ka shoqëruar si një konstante gjithë historinë e kritikës letrare.[6]

Një faktor tjetër i cili i kontribuon dobësimit të kritikës profesionale është edhe prirja për ta bërë sa më shkencor shqyrtimin dhe studimin e letërsisë dhe arteve. Me daljen në skenë të pozitivizmit të Auguste Comte në shekullin e 19-të, gradualisht, studimet dhe kritika letrare adaptuan metodat e shkencave natyrore, duke rrëshqitur gradualisht në shkencizëm. Akademizmi elitar, përmbytja e studimeve letrare me terminologji të rënde, me koncepte dhe shqyrtesa teknikale, e katandisin veprën letrare në një skelet, pa frymën, shpirtin dhe emocionet që një vepër letrare duhet të përcjellë tek lexuesit. Shqyrtimi formalist i veprës letrare shpesh i përngjet atij kuzhinierit, i cili i shpjegon klientit recetën e gatimit, i tregon ingredientët, erëzat pikante por, në fakt, gjella e ofruar është krejt pa shije. Shkencizmi në studimet letrare dëboi spiritualitetin, magjinë kreative të autorit dhe dimensionet metafizike të krijimit artistik.

Pas “vdekjes së autorit” të shpallur nga Roland Barthes, “vdekja e kritikut” e ka lënë lexuesin të vetmuar përballë veprës letrare. Ndryshe nga sendet e konsumit të gjerë – makaronat, këpucët, veshjet apo frutat-për të cilat blerësi është i mirinformuar për funksionin dhe dobishmërinë e tyre, libri –prozë apo poezi- qëndron përpara lexuesit si një enigmë, si një “gjësend në vetvete”. Nëse për autorët e njohur, klasikë apo modernë, emri i tyre në kopertinën e librit shërben si një garanci për lexuesin, autorët e rinj mbeten anonimë dhe të dënuar me heshtje. Pikërisht për këtë arsye është thirrur në skenë kritiku letrar, si udhërrëfyes, si guidë orientues në peizazhin e gjerë dhe të larmishëm të  botimeve letrare.

Shoqëria shqiptare, e përfshirë në rrjedhat e globalizmit, nuk mund të mos reflektojë prirjet bashkëkohore në fushën e letërsisë dhe kulturës. Valët e globalizmit dhe postmodernizmit përthyhen në brigjet e vendit tonë, duke përftuar disa specifika edhe në fushën e kritikës letrare.

Me rënien e regjimit komunist, ra edhe institucioni i kritikës letrare, si pjesë e superstrukturë së atij regjimi. Kritika e soc-realizmit, si pjesë e ingranazheve ideologjike, në rolin e saj të cerberit, më tepër përkujdesej për verifikimin ideologjik, përmbajtësor të letërsisë, se sa në evidentimin e letrares dhe vlerave estetike.

Me fillimet e tranzicionit postkomunist, autorët, veçanërisht krijuesit e rinj, rendën në kërkim të kohës së humbur, duke rivendosur lidhjet e ndërprera me kulturën dhe letërsinë europiane. Avangarda letrare[7] u përvijua si një kërcim përpara në postmodernizëm, por po aq edhe si “ kthim pas”, në përqafimin e shkollave dhe rrymave letrare të cilat në kontinentin europian dhe më gjerë, tashmë kishin festuar ciklin e plotë të zhvillimit të tyre.

Ndërsa letërsia ka njohur zhvillime të shpejta (të paktën sasiore) në këto tre dekada, kritika letrare ka ngecur në fazën rakitike të zhvillimit të saj. Klima e ashpër acide, mungesa e kulturës së dialogut dhe diskursit të emancipuar qytetar, mungesa e motivimit financiar, kujtimet mbi kritikën  si një nga elementët më toksike të luftës së klasave gjatë regjimit komunist, etj., kanë kontribuar së bashku në stepjen e kritikës profesionale dhe kultivimin e të ashtuquajturës “ kulturë të qokave”. Kritika rakitike letrare, e perceptuar tradicionalisht si shërbëtore e letërsisë, tashmë është metamorfizuar në sherbetuese, pra në një kritikë lavdëruese e cila i bën elozhe çdo krijuesi dhe vepre me mëtime letrare që hidhet në treg.

Edhe pse kanë kaluar tre dekada, ne sot ende nuk kemi disa kritikë letrarë publikë, me reputacion, autoritet moral dhe profesional, të cilët të shërbenin si pika referimi të besueshme për lexuesit. Vakumin e krijuar nga mungesa e institucionit të kritikës profesionale nuk e mbushin dot të paktat pena që angazhohen herë pas here me analiza dhe recensa për krijimtarinë letrare, në një kohë kur paanësia dhe objektiviteti janë komprometuar keqas. Në këto rrethana, ndodh rëndom që lexuesit t’i përcjellin njeri -tjetrit mbresa dhe këshilla për librat që duhen lexuar.[8]

Janë me dhjetëra recensat apo analizat letrare të cilat titullohen “Poetika e X-it”. Leximi tyre të krijon përshtypjen se kemi nja tridhjetë a dyzet poetë të klasit të parë, të cilët, për faj të shqipes, kanë mbetur në “burgun” e saj, pa mundur të trashendentojnë kufijtë kombëtarë dhe të bëhen të njohur në arenën ndërkombëtare.

Mungesa e kritikës serioze, profesionale, e cila ndjek në vijimësi zhvillimet letrare dhe orienton shijet e publikut me vlerësime dhe interpretime të krijimeve letrare, ka sjellë si pasojë rrafshimin e vlerave dhe krijimin e listave të autoreve, pavarësisht nga produkti letrar i krijuar prej tyre. Në mungesë të një kritike sistematike e cila filtron vlerat letrare dhe evidenton prirjet dhe poetikat krijuese ( realiste, surrealiste, postmoderne etj.), në perceptimin publik gjallon ideja se “poezia e sotme është uniforme”.

Orvatjet për të ngritur një kritikë profesionale, si instrument për vlerësimin e produktit letrar, përtej biografizmave, sociologjizmit, klanit dhe qokave, përballen me reagimet ad hominem dhe kulturën e himnizimit të idhujve të sajuar.

Në kushtet e reja të lirisë, të demokratizimit të kulturës dhe mundësive të krijuara nga teknologjia e internetit, shkrimtaria është kthyer në një sport popullor. Nga një republikë ku “i gjithë populli ishte ushtar”, jemi kthyer në republikën “i gjithë populli shkrimtar”[9]. Të gjithë ankohen se “poetët janë shtuar si kërpudhat pas shiut”. Mungesa e kritikës letrare të angazhuar seriozisht dhe sistematikisht në shqyrtimin e krijimtarisë letrare, bën që krijimtaria e mirë të humbasë si gjilpëra në kashtën e mediokritetit dhe grafomanisë.

Kur kritika letrare është ende anemike, teknika e provokimit apo “poetika e skandalit”[10] janë të vetmet mjete efikase që një libër letrar të tërheqë vëmendjen e mediave dhe lexuesit. Në mungesë të kritikes serioze, autori kur publikon një libër të ri, detyrohet të kthehet në reklamues, shpërndarës i librit dhe vetëkritik, përmes intervistave në median e shkruar dhe elektronike.

Përpos kritikës letrare, sporadike dhe spontane, që gjallon në të paktat gazeta dhe revista të fokusuara te letërsia, studimet letrare akademike janë fusha ku studiuesi shartohet me kritikun letrar. Por ndryshe nga kritika letrare publike, studimet letrare i përkasin botës së mbyllur akademike, seminareve dhe konferencave shkencore periodike, të iniciuara sipas kalendarit të shenjtorëve të letërsisë. Përgjithësisht, studimet letrare janë akomoduar në të shkuarën, në ri-interpretimin e autorëve të traditës, në evidentimin e autorëve të përjashtuar nga sistemi letrar dhe autorëve, ish të persekutuar ose viktima të regjimit komunist.

Letërsia e krijuar në këto tre dekada (përfshire edhe të ashtuquajturën letërsi të ekzilit/diasporës) ka mbetur pothuaj jashtë vëmendjes së kritikës dhe studimeve akademike. Sipas një mendësie të përhapur në radhët e studiuesve, duhet pritur deri sa autorët e gjallë të mbyllin ciklin jetësor, dhe, për pasojë, edhe ciklin e krijimtarisë, e vetëm atëherë mund të shqyrtohet produkti i tyre letrar. Duke shkruar për këtë dukuri, Rene Wellek, thekson se “studimet akademike nuk e përfillin letërsinë bashkëkohore më shumë nga mungesa e aftësisë për ta perceptuar atë ose nga ndrojtja para saj”[11].

Koha do të shoshitë gjithçka – thuhet rëndom. Por koha, si e tillë, nuk jep asnjë verdikt, pa duart e kritikëve, lexuesve dhe akademikëve të ardhshëm. Për krijuesit, veçanërisht ata të rinj, heshtja e kritikës është demoralizuese dhe vrastare. Më mirë një kritikë “negative” si ajo e Krist Malokit kundër Lasgush Poradecit në vitet tridhjetë të shekullit të shkuar, sesa heshtja shpërfillëse dhe rrafshuese e çdo vlere të re në fushën e krijimtarisë letrare.

(c) 2023 Sadedin Mezuraj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Kundër biografizmit; Lektisjet e kritikut; dhe të tjera.
[2] McDonald, Ronan : The death of critic, Bloomsbury Academic; 1st Edition (December 30, 2007)
[3] Në dhjetor 2004, Fountain e Duchamp u votua si vepra artistike më me ndikim në shekullin e 20-të nga 500 profesionistë të përzgjedhur të botës së artit në Britani. Vendi i dytë iu dha Les Demoiselles d’Avignon (19007) të Pikasos dhe i treti Marilin Dyptych të Andy Warhol (1962)
[4] Ron MacLean: Literary criticism is dead http://talkingwriting.com/literary-criticism-dead
[5] Rene Wellek: Teoria e letërsisë, Onufri 2007, f. 41
[6] https://www.nigelbeale.com/features/2012/12/the-death-of-the-critic-book-review-by-nigel-beale
[7] Agron Tufa krijimtarinë e Ervin Hatibit-përfaqsuesin më në ze të avangardës letrare në fillim të viteve 90-të -e cilëson si: “një sintezë dhe eklektikë e mjeteve avangardiste dhe atyre postmoderniste. Si rezultat i përplasjes së dy modeleve, ka lindur një model i ri – modeli neosentimental.- Burimi: Neosentimentalizmi i Ervin Hatibit, ExLibris, 29 maj 2019
[8] Vite më parë, leximi i romani Kujtimet e një geishe u bë viral, falë këshillave që lexuesit i jepnin njeri tjetrit.
[9] Shkëlqim Cela në romanin alegorik “Një zgjues për ty”, përmes hiperbolizimit ironizon situatën groteske të realitetit shqiptar, ku çdokush, falë një lëngu çudibërës, zgjon talentin brënda vetes dhe kthehet në shkrimtar, madje në një gjeni krijues.
[10] Rasti Ben Blushit me romanin Të jetosh në ishull dhe Rita Petro me librin me poezi Vrima
[11] Rene Wellek: Teoria e letërsisë, Onufri 2007, f 44

Rreth Autorit

I diplomuar në filozofi, me përvojë profesionale si mësimdhënës në UT , në fushën e politikave sociale në administratën shtetërore dhe angazhime në sektorin joqeveritar. Fushat e interesit të shtuar: sociologjia, studimet letrare, letërsia/ poezia.

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin