Qarkullon me këmbëngulje një mendim se kritika letrare për aksh vepër duhet të zërë fill nga admirimi për veprën, ose të paktën të motivohet nga ajo që kritikut vepra i ka pëlqyer – edhe sikur të mos e ketë lënë gojëhapur. Përkundrazi, një kritikë negative, që e bën veprën fërtele dhe nxjerr në pah dobësitë dhe mangësitë e saj, nuk ia vlen që të shkruhet, sepse motivohet nga negativiteti dhe mu për këtë arsye nuk meriton t’i jepet publikut.
Kritika negative ka shumë armiq – duke filluar nga autorët e vënë në shënjestër, që shpesh nuk e përtypin dot; por edhe entet botuese dhe klanet, të cilat duan t’i promovojnë autorët e tyre, që nga momenti që e kanë marrë në sy t’i nxjerrin në treg. Megjithatë, armiku kryesor i kësaj kritike është përralla romantike me poetin e mirë dhe kritikun e keq, e cila vë përballë shkëlqimin me zilinë; dhe që e portretizon kritikun si dashakeq.
Që letërsia nuk mund ta ruajë shëndetin artistik pa kundërpeshën e kritikës negative, këtë e provon krijimtaria letrare te ne sot, e cila është mpirë dhe shurdhuar nga nivelimi i vlerave dhe sheqerosja e neveritshme e feedback-ut autorëve në rrjetet sociale. Sot veprat letrare botohen dhe çbotohen, vijnë në vëmendje dhe harrohen, nderohen me evente dhe çmime, por përgjithësisht e lënë lexuesin indiferent. Të njëjtin lexues që kujton se po merr pjesë në rrugën e mundimshme të veprës drejt suksesit, duke i dhënë një “like” në Facebook.
Kritikët – ata që e kanë formimin e duhur profesional dhe integritetin moral për të qenë të tillë – druhen të bëjnë kritika negative: nuk duan të krijojnë mëri me autorët, dalzotësit dhe botuesit e tyre, as duan që t’i tregojnë me gisht si ziliqarë dhe dashakeq. I pengon edhe natyra tejet amatoreske dhe ad hominem e atyre pak vlerësimeve negative për veprat e reja, hedhur në qarkullim nga njerëz që motivohen nga arsye jashtë-letrare: zakonisht politike, por ndonjëherë edhe thjesht meskine. Megjithatë, po këta kritikë shpesh nuk revoltohen as neveriten nga qokat që mbushin revistat letrare, faqet kulturore të gazetave dhe rrjetet sociale, pa çka se këto kanë marrë tashmë natyrë rituale dhe vetëm sa riprodhojnë marrëdhëniet sociale brenda grupit, në një nivel frikshëm sipërfaqësor.
Situata e krijuar nuk mund të ndreqet thjesht duke e përshkruar; por së paku le të theksoj se sot është turp të besosh akoma në përrallën e kritikut dashakeq dhe të autorit fisnik e shpirtbutë; përrallë e cila, në fakt, mbahet gjallë pikërisht ngaqë hapësirën e lënë bosh nga kritika profesioniste dhe e përgjegjshme e ka kapur meskiniteti dhe shpirtvogëlsia. Sikurse duhet thënë – me të madhe – se një kritikë negative, madje edhe e tillë që ta bëjë fërtele veprën, fare mirë mund të motivohet nga dashuria për letërsinë dhe nga vullneti për të mos e lejuar ndotjen e mjedisit letrar nga veprat e dobëta, paçavuret, gjërat e shkruara për të kaluar radhën ose për të fituar çmimin, riciklimet e plehrave të djeshme të sirtarëve dhe jashtëqitjet narcisike.
Le t’ia njohim, pra, edhe kritikut negativ – kësaj figure ende imagjinare, madje shpesh të mbuluar me baltë – disponimin krejt pozitiv ndaj letërsisë në përgjithësi; le t’ia admirojmë madje guximin që tregon, duke shpresuar se mund të ndikojë për mirë në procesin letrar, duke ia vënë në dukje plasaritjet, kalbëzimet dhe mykun; le t’ia përfytyrojmë rrezikun ku e fut veten, kur sfidon kolonat e establishmentit letrar dhe statujat e freskëta të heronjve të momentit.
© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.