PO BOTA JO SHQIPTARE E BRANKO MERXHANIT

nga Sait N. Saiti

Qysh se u rihap sënduku i memorieve të mënjanueme mbas ndryshimeve politike të fillim viteve ’90, çka u gjet mbrenda sëndukut u trajtue në mënyra të ndryshme simbas mundësive, synimeve apo axhendave. Disa figura u hipertrofizuen deri në velje, disa u përmenden sa për garniturë, dhe disa tjera – pavarësisht se sa herë ribotohen – nuk pati ndonjë angazhim të matejshëm për me ua hekë sërish pluhnat. Një pjesë jo e vogël u përdorën nga “menaxherët e memories” për me u afirmue, me pompue pozitat e veta, me demarkue edhe njëherë rendin e mileteve në kulturë dhe mundësisht me e mbajtë vendnumro, apo edhe peng. Diku mes këtyne na duket se ka mbetë edhe Branko Merxhani, i përshkruem si “i mjegulltë”: edhe pse botohet e ribotohet, bursa e operacioneve të memories duket se asht vetëmjaftue tue na e prezantue vetëm me “botën” e tij shqiptare.

Pata ndeshë vite përpara në letërkëmbimin e Mustafa Krujës me Tahir Kolgjinin ku i mbrami i ikun prej Shqipnisë para çlirimit dhe i vendosun në Stamboll, i shkruen (Istanbul, me 22.XII.1950) të parit se Merxhani (tashembrapa për kollajllëk BM) njihej në Qytet si Baha Bey dhe ishte gazetar i të përditshmes “Hürriyet”. Në sajë të publikimeve të komunikimit personal që zonja Pertefe Domnori Leka ka pasë me trashëgimtarët e BM përcillet se për veprimtarinë gazetareske në Stamboll njihej edhe si Baha Ozler,[1] i dyti emër i këtij llagëpi duhet të jetë me umlaut, pra Baha Özler. Kuptimin historik që kishte si pjesë e titulaturës osmane termi bey e humbi me transformimet e mëdha të periudhës republikane turke, por u ritrajtësue si shumëçka tjetër mbrenda për mbrenda turqishtes, tashma për t’u drejtue në rrafsh zyrtar apo thjesht formal, zotnillëkut apo moshësisë. Nga kjo pranëvendosje, mes asaj çka na ban të ditun letërkëmbimi Kolgjini-Kruja dhe komunikimit të zonjës Pertefe me të bijat e Brankos, gjen mbështetje hamendja jeme që më shtyn me bashkue disa pika.

Ky mozaik koordinatash që dihen deri tash përbajnë një rast pikant, për mënyrën si asht ndërtue opinioni i sotëm, se si dikush me emrin Branko që ishte, në mos lé, rritë në mezen e shtetit osman kur iku prej Shqipnisë mbas pushtimit italian, u kthye me vazhdue jetën pikërisht në Stamboll. Për t’u ndalë pak te emri: zonja Pertefe na njofton se emri i pagëzimit i BM ishte Aleksandër dhe e ama (nga Nishi) e thërritte Branko, që asht hipokoristiku i emrit Branisllav apo edhe atij Branimir. Dhimitër Shuteriqi në ditarin e tij, që pat shprehë dikur se edhe vetë familja e tij kishte prejardhje sllave, (vetë)rrëfen “Ai u bë i njohur si publicist aty nga fundi i viteve ’20, po sidomos në vitet ’30. Ishte çam i mërguar me kohë në Turqi, ndofta me gjithë familjen. Ishte i krishterë. Se nga i vinte ai emër sllav, Branko, nuk e di. Kur erdhi në Shqipëri, – në vitet 20, – shqipen gati e kishte harruar, më kanë thënë. Kur e kam njohur, më 1936, ai ende fliste me një theks turk dhe, shpesh, kur s’e gjente fjalën shqip, e thoshte në turqisht, në mos frëngjisht apo në ndonjë gjuhë tjetër. […].” Petro Marko shkruen “B.M. ishte bir nga Sopiku i Pogonit.” Aurel Plasari e përcakton “nga Skoreja, një nga pesë fshatrat greqishtfolës të Pogonit.”[2]

Zonja Pertefe ka ba me dije se ishte i lemë në Nish, bir i një nëpunësi të drejtësisë së perandorisë. Mirëpo vitin e lindjes që i dijmë, Nishi ishte tashma pjesë e Mbretnisë së Serbisë. Nëse vërtetë BM ka lé atje, dhe i ati ishte nëpunës osman në mbretninë serbe atëherë gjasat janë që të ketë qenë kuadro i diplomacisë. Një studim na ban me dijtë organigramën e diplomacisë osmane në Serbi, përmes emrave mund t’i identifikojmë si ortodoksë në shërbim atë vit kur ka lé BM, ban vaki njeni prej tyne me qenë i ati i BM.[3] Përshkrimet gjithë ndjeshmëni që BM i ban peizazhit turk (të vetmit që ka përshkrue me njëfarë rregullësie), luajaliteti që vazhdoi me pasë ndaj Turqisë, por edhe formimi i tij shumëgjuhësh merr edhe ma tepër kuptim nëse i ati i përkitte radhëve të diplomacisë osmane.

Përkatësia kulturore e nofkës-emër ka kalue si pa u vu re nga studjuesit që janë marrë me të, ndonëse përmbledhja e tij publicistike (Vepra, Tiranë 2003) tashma ribotohet pa marrë ma ndonjë vëmendje me i shtue gja. Nëpër operacionet e kujtesës sonë mund të duket e pranueshme që botimet e para të shumëprituna të intelektualëve të pararegjimit të jenë të ndikueme prej whitewash-it hagiografik, jo fort ndryshe nga monografitë nacional-komuniste (ku çdo figurë vinte medoemos nga familje tejet patriotike, me veprimtari revolucionare kundër pushtuesit, që terrin osman e luftuen me kandil në dorë si Diogjeni, etj.) Ama dalëzotësve të trashëgimisë së këtyne figurave kur i ribotojnë nuk duket se u ban përshtypje që i përcjellin pa asnjë risi edhe mbas një apo dy dekadash heshtjeje. Për mos me folë për botime që bahen sa me u gjendë Kola në punë.[4]

Mme Clayer në një shkrim të sajin për arsimin në Gjirokastrën e viteve të mes luftnave na njofton se në pozitën e një inspektori arsimor BM shkroi një raport për çeljen e një boarding school (internati?) më 1929.[5] Gjetkë po Clayer na njofton se ai “shkonte e vinte nga Shqipnia në Turqi, ku banonte i ati”,[6] dhe vërtetë, siç kumton vetë BM “Kam ca muaj në Stamboll, ku shkova tërë beharin në shtëpin e babait që ndodhet në brigjet magjike të Çamlixhës. […]”, dhe na kumton se i ka ndjekë me vëmendje marrëveshjet greko-turke të viteve 1930-’31. Vëmendja e tij përtej Marrëveshjes së Ankarasë (1930) përqendrohet te ajo që quen “Komisioni mikst” për shkëmbimin e popullatave, që e ka ndjekë në vetë të parë dhe na komunikon kërkesat që ka ba për të krishterët shqiptarë (kryesisht) stambulliotë.[7] Kund tjetër:[8]

“Viti 1938. Në Tetorin e këtij viti u ndodha prap në Istanbul, qytet i djalëris s’ime, pas një largimi afër katër vjetësh. Ish një pasdreke ku vapori i ynë hynte mengadalë në liman. Një pasdreke Tetori n’Istanbul, e shikuar dhe e shijuar nga ujërat e qeta të Marmaras, ësht një panoramë fantasmagorike frymëzimesh, një armoni ngjyrash dhe një variacion bukurirash të pa shoqe në tërë viset e botës. Udhëtarët u mblodhën që të gjithë në taracën e vaporit dhe shikonin me fytyra plot dritë e gëzim silhouttën e qytetit që shtrohesh përpara syvet si një ëndër pa fund. Pranë meje kisha një vajzë të re tyrke që kthehesh n’Atdheun e vet pasi kish mbaruar studimet e saj në një Universitet t’Europës. Kalonin përpara Saraj burnu-it. Ndodheshim midis dy vendeve të shenjtë, plotë kujtime, për djalërinë tyrke të kohës s’onë. Nga një anë shihesh e mbyllur brënda në fletët e parkut të Saraj burnu-it Monumenti i Atatürkut – i pari Institut përkujtimor me fytyrë që u ngrit në tokën tyrke dhe prej duarve tyrke pas pesë-gjashtë shekuj jetë e sundim theokratik – nga ana tjetër në hyrjen e Bosforit dukesh Pallati i bardh i Dolmabahçe-s, një nga godinat më madhështore të periodës perandorake, që përdoret tani si banim veror për Kryetarët e Republikës. Bashkëudhëtarja ime fisnike më kapi nga duart dhe më pëshpëriti në vesh disa fjalë të pikëlluara.
– Shtëpia e Ataturkut. Por ësht i sëmurë…
Dhe heshti. Nën leshrat e saj të gështenjtë që çthureshin mbi fytyrën nga era e fortë që frynte në grykën e limanit pash të pikonin dy lotë të vegjël, por plot dhimbje e dëshpërim. […]”

Po të mos ia dinim shkrimet e tjera, prej këtyne radhëve do të kishim mendue se Merxhani në Stamboll nuk shkonte vetëm pse kishte të atin atje. Mirëpo ndër shkrimet e tij jo vetëm infuzon zhvillimet bashkëkohore në pedagogji, sociologji, psikologji, historiografi, ven piketa mbi si do të duhej me u mbledhë folklori, mbi se si do të duhej me u përfaqësue nëpër konferencat ballkanike ku tanët shkonin pa ndonjë census apo statistikë, dhe se si do të duhej të zhvillohej albanologjia… por kumton me shumë vëmendje zhvillimet në Turqi, e aspak rrallë i kushton deri edhe lavde Ataturkut.

Te përmbledhja Vepra jepet me kuptue që shkrimi i parë i botuem në Shqipni i BM tek e përjavshmja gjirokastrite “Demokratia”[9] asht i dhjetorit të 1928. Siç dihet pakçka mbi ç’bani mbasi iku prej Shqipnisë me pushtimin italian, po ashtu dihet pakçka edhe për periudhën para se të vinte në Shqipni. Prej tij kemi edhe pak të dhana:

1. “Isha i vetmi, në mes të nxënësvet dhe mësuesvet të gjymnasit të një qyteti të Azisë së Vógël, që dija gjuhën e Poetit. Shumë dendur na vizitonin udhëtarë evropjanë. Më të shumtën ishin Gjermanë këta njerës të mirë, që vinin nga vende të largme që të shkonin ditët e pushimit të tyre në Bursën e gjélbër, e cila s’kish tjetër për të treguar veç se disa varre të Sulltanëvet Ottomanë të parë, pak gërmadha të varfëra te një morti byzantin, një xhami të vógël po me shumë vlerë, shumë rrepe e gështenja dhe banjot e saj të famëshme. Muzeu i vogël i qytetit gjendesh ahere brenda në kopshtin e shkollës. Një ditë më kish thirrur prapë Drejtori si dragomàn në mes të tij dhe të një profesori gjermàn që na kishte vizituar. Atë pasdreke kisha leje të dal jashtë që të shoqëroj të huaj në qytet, gjë e cila ngjante çdo herë që vinte nonjë gjerman. Brithnim bashkë qytetin gjer mbrëmavet kur çdo mëngjes, tre ditë me radhë, ai vinte në shkollë dhe më merte nga Drejtori. Ditën që do t’ikte, nxori nga valica një libër të vogël e të lidhur bukur dhe shkroi në anën e një flete disa fjalë:
Këtë libër të vògël t’a fal për mundimin t’ënd dhe sjelljet e tua të fisme, miku im i vogël, po këndò-e vetëm kur të bëhesh i math. – Bursa, 6-IV-1910. – Dr Kerschen-Steiner (München)”
Ishte “FAUSTI”-i. […][10]

Prej një siti mbi levantinët që mundëson një pasqyrë panoramike mbi shkollat e hueja në perandori, mësojmë se Bursa kishte një shkollë katolike franceze. Mbase për shkak se nuk ishte shkollë gjermane, ndaj edhe BM shkruen “isha i vetmi që dija gjuhën e Poetit (Goethes)”.

Pavarësisht se na e ka rrëfye vetë, për këtë etapë të jetës së tij asht dhanë edhe “Robert College” në kryeqytet,[11] edhe Izmiri si vend ku ka ndjekë “liceun gjerman (apo francez?)”.[12]

2. “ Viti 1918. […] kisha hyrë në vapor që të shkoja në shtëpi. Rronim atë kohë tok me prindërit e mi në Babek, një fshat i vogël dhe i qetë aty në mes të Bosforit, nga buzëdeti i Europës. […] Viti 1919. Lulet e Pranverës sapo kishin çelur burbuqet. Një shok shkolle na kish thirur tok me shokë të tjerë për të kaluar një natë në shtëpin e tij, atje n’anën e Shishliut. […]”[13]

Nëse marrim të mirëqenë ç’ka përcjellë zonja Pertefe, në veçanti emri turk Baha Özler, shfaqet ndonjëherë edhe si A. Baha Özler në vitet ‘50 në radhët e kolumnistëve të së përditshmes “Hürriyet”, asht njoftë në qerthullin e gazetarëve turq si “shkrimtar i politikës së jashtme, ministër i Jashtëm i Mbretit Zog, me banim në një hotel ku rrinin diplomatët e huej në Shishli.”[14][15] Dikund tjetër njihet si ministër i Jashtëm i Shqipërisë së Lirë dhe drejtor i përgjithshëm i shtypit dhe transmetimit në Tiranën e kohës së mbretnisë. I shkolluem për shkenca politike në Universitetin e Vjenës.[16][17] Shkroi për gjendjen pronësore të banorëve të Trakisë,[18] si dhe për Luftën e Qipros (1955-59).[19]

Po ky emër ka edhe një kontribut filologjik, ku i ban të njoftun opinionit shkencor turk punën e Tahir Dizdarit.[20][21] Përkthen autobiografitë e Maksim Gorkit në turqisht, botim i 1963.[22] Radhitet ndër kontributorët e të përmbramshmes “Hergün”,[23] përpos gazetave tashma të njoftuna në sajë të Nexhip Allpanit.

Mbijeton online një artikull për djegien e stacionit hekurudhor të Hajdarpashasë në Stamboll më 1917, simbas kujtimeve që Özler ka shkrue tek e përmuejshmja “Yıllarboyu Tarih”, numrin e tetorit 1980. Autori kumton se asokohe ishte oficer rrezervë i Drejtorisë së Përgjithshme të Import-Eksporteve dhe Porosive të Ministrisë të Luftës të perandorisë, i liruem mbas armëpushimit të Mundrosit (1918).[24] Dihet se më 1934 doli ligji i mbiemrave në Turqi, kështu që kushedi sa janë gjasat që A. Baha Özler me pasë pasë këtë emër edhe më 1917. Por me ç’deklaron, mundet edhe që të ketë përfitue si veteran i Luftës së Madhe.

Në pamundësi me ia njoftë përmbajtjen e teksteve që ka shkrue, kuptohet vetëm fusha e interesave që ka trajtue në mënyrë panoramike. Kësodore nuk dijmë as ç’ide kishte Özler-i krahas Merxhanit, aq sa na ka ba me dije Shuteriqi te Ditari, si dhe Enis Sulstarova me punimi i vet i paçmueshëm Arratisje nga Lindja apo edhe artikuj ma të përqendruem, në veçanti për atë që mund të quhet “kalkimin ideologjik” të turqizmit tek neoshqiptarizma.[25] Një thellim i radhës dhe vendosje në një kontekst ma të gjanë të publicistikës shqipe asht ba nga Suzana Vuljevic.[26] I vetëdijshëm se këto radhë janë veçse një hedhje guri, ose një ftesë, për me pa anën tjetër të Branko Merxhanit, lidhjen me A. Baha Özler, mendoj se si curious case i kulturës shqiptare edhe ky mundet me na ndihmue me e kuptue kulturën me dinamika të tjera. Në këta kushte nuk kena si kuptojmë as A.-në që i paraprin emrit, nëse asht Aleksandır apo Aleko. Mundet gjithashtu që autorët e kontributeve që figurojnë online (medet!) me “emrin turk” të kenë qenë krejt mirë edhe persona të ndryshëm, por me tahmi ndiejmë se ky autor kaq i hapërdamë tematikash asht po ai i livadhisjeve ndërdisiplinare te “Përpjekja Shqiptare”, tashma po aq natyrshëm, në një përpjekje tjetër.

© 2023 Sait N. Saiti. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Pertefe Leka (2021), Ëndrra amerikane e Branko Merxhanit për Shqipërinë.
[2] Aurel Plasari (2014), Tragjediae papërfunduar e Branko Merxhanit.
[3] Abidin Temizer, İbrahim Serbestoğlu (2021), “Ambassadors and Consuls of The Ottoman Empire to Serbia”, Livre de Lyon, fq. 118.
[4] Luljeta Progni (2021), “Media shqiptare, rrugëtimi i vështirë drejt lirisë“. Punim që mëton me trajtue marrëdhanien me lirinë të medias shqipe në krejt historinë e saj; ndër të tjera, për BM tregon se shkruente me pseudonime, por nuk përmenden cilat janë, por edhe kur përmenden pseudonimet e të tjerëve nuk citohen dy fjalorët e fushës nga Palok Daka (1998) dhe Sinan Gashi (2006, ribot. 2009). Prej tronditjeve të pushtimit italian u mbyllën disa gazeta&revista, por u hapën ca të tjera, në kuadrin e censurës nuk thuhen se cilat u mbyllën, as a a internoi ndonjë gazetar pushtimi ashtu si i dënoi regjimi komunist mbas ‘44.
[5] Nathalie Clayer (2012), “Education in interwar Gjirokastër”. Albania: Family, Society and Culture in the 20th Century. Münster: LIT Verlag. fq. 102. Dosja që referon kjo studiuese ka vitin 1919, ka gjasa të jetë typo, se edhe shkrimet e para BM te “Demokratia” siç vumë në dukje i ka të dhjetorit të 1928.
[6] Nathalie Clayer (2019), “Kemalism and the adoption of the Civil Code in Albania (1926-9)”, Kemalism: Transnational Politics in the Post Ottoman World. London: I.B. Tauris. fq. 68.
[7] “Nga jeta e shqiptarëve jashtë dhe pak nga jeta e një gazetari”, seri shkrimesh te “Demokratia” nëpër numrat mars-korrik 1932. Kushedi nëse ka nëpër procesverbalet e mbledhjeve ndonjë listë të të pranishëmve, do të mësonim si prezantohej BM në Turqinë e viteve ‘30.
[8] Disa kujtime të mija të vjetra dhe të reja, “Përpjekja Shqiptare”, dhjetor 1938.
[9] Simbas katalogut të periodikut të bibliotekës “Marin Barleti” të qytetit të Shkodrës, e përjavshmja u botue në Gjirokastër nga dr. Xhevat Kallajxhiu, Muslli Kakabobo dhe Jorgji Meksi mes viteve 1925 dhe 1939. Besoj se mbiemri i të dytit duhet të jetë Kokobobo, siç referon fjalori i pseudonimeve i Sinan Gashit (Prishtinë, 2009) Muzafer Kokobobon me pseudonimin Tufani në shtypin antifashist, piktori Skënder Kokobobo dhe studjuesja Ani Kokobobo. Odise Kote (2013?) i ka kushtue një libër “Demokratia, shkollë e gazetarisë shqiptare.”
[10] “Goethe, si një përrallë”, Demokratia, 24 shtator 1931
[11] Blendi Fevziu (2005), Histori e shtypit shqiptar (1848-2005), Tiranë: Onufri, fq. 133. Punim i cili shtron vështirësi me iu besue të dhanave që nuk janë common knowledge prej mungesës së referencave dhe/apo bibliografisë.
[12] Aurel Plasari (1996), Kundërbota e Branko Merxhanit, “Formula të neoshqiptarismës”, Tiranë: Apollonia; po Plasari (2003), Kundërbota e Branko Merxhanit, “Vepra”, Tiranë: Plejad. Me titullin e kësaj parathanieje u mbajt edhe ekspozita që u çel për BM më 2021, me rastin e 40 vjetorit të ndamjes nga kjo jetë, në sajë të një bashkëpunimi të Bibliotekës Kombëtare dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.
[13] Po tek Disa kujtime të mija të vjetra dhe të reja.
[14] Ceylan Özge Kunduz, Elif Yirmibeşoğlu (2019), “Hesap Lütfen”, Can Yayınları.
[15] Halil Özcan (2018), Ankara Elçisi Rauf Fico’nun günlükleri ışığında Krallık ilanı öncesi Türkiye-Arnavutluk ilişkilerine Atatürk’ün yaklaşımı, Balkan Araştırma Enstitüsü Dergisi / Journal of Balkan Research Institute, 7/2, fq. 345.
[16] Necati Zincirkıran (1994), “Hürriyet ve Simavi imparatorluğu”, Gençlik Yayınları. Përmendet se punonte në shërbimin e lajmeve nga jashtë të gazetës, që flitte gjermanisht, frangjisht, anglisht, sllavisht dhe shqip. A. Baha Özler ishte ministër i Jashtëm i qeverisë së Shqipërisë së Lirë (gjasat janë që të jetë fjala për Komitetin “Shqipëria e Lirë”, asokohe i drejtuem nga Hasan Dosti). Plasari tek artikulli për “Tragjedinë” na jep me kuptue edhe për një polemikë në greqisht që ka pasë Merxhani më 1943.
[17] Akgün Tekin (2007), “Türk basınında kayan yıldız: Haldun Simavi’nin “Günaydın’ı”, Doğan Kitap, fq. 39.
[18] Γιώργος Αγγελετόπουλος (2018), “Ο ρόλος της εφημερίδας Hürriyet στην ανάδειξη του Κυπριακού ως “εθνικού ζητήματος” της Τουρκίας, 1948-1955”.
[19] Ayhan Cankut (2013), “Türkiye Cumhuriyeti Hükümetlerinin Kıbrıs Politikaları ve Kamuoyuna Yansımaları (1955-1964)”.
[20] Mustafa Balcı, Fatos Dibra (2020), Arnavutluk’ta Türkoloji, “Avrupa’da Türkoloji”, Ankara: Akçağ. I falem nderës Fatos Dibrës që m’bani me dije për mbrendinë e artikullit të A. Baha Özler (1961).
[21] Emil Lafe, Personaliteti i Tahir Dizdarit përmes veprës së tij “Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe”, Tiranë: e përtremuejshmja shkencore-kulturore “Perla”, 64/1, fq. 13.
[22] Şahap Nazmi Çoşkunlar, “Yeni yayınlar” (Botimet e reja, 1964).
[23] Tahsin Yıldırım (2009), “Türk Gazetecilik Tarihi Üzerine Bir Deneme – I”, Yeni Türk Edebiyatı Arafltırmaları, 1, janar-qershor 2009.
[24] Ertan Ünal, Haydarpaşa’da büyük facia, “Popüler Tarih”, eylül 2002. (“Fatkeqësia e madhe e Hajdarpashasë”, Histori Popullore, shtator 2002.)
[25] Enis Sulstarova (2013), Jetë paralele? Idetë e Zija Gëkalpit dhe Branko Merxhanit mbi kombin dhe modernizmit. Tiranë: e përtremuejshmja “Përpjekja” v. 12, nr. 24.
[26] Suzana Vuljevic (2020), “The Crisis of Spirit: Pan-Balkan Idealism, Transnational Cultural-Diplomatic Networks and Intellectual Cooperation in Interwar Southeast Europe, 1930-1941”.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin