SHKRIMTARI ME SHUMË EMRA

Para disa ditësh, ndoqa një diskutim të vrullshëm në vijim të një statusi të Ervin Nezhës, ku mes të tjerash ziheshin në gojë disa shkrimtarë shqip bashkëkohorë. Gjatë atij diskutimi, njëri pjesëmarrës – nuk di nëse seriozisht apo me ironi – sugjeroi një listë të frikshme me emra shkrimtarësh që mbase duheshin përmendur gjithashtu. Nuk po e indentifikoj, sepse statusi më pas u hoq prej autorit. Por dua veç të vë në dukje se listat e emrave – me të cilat unë vetë mëkatoj jo rrallë – i shkojnë më shumë presidiumeve dhe borderove të pagës (ose e kundërta, listave të zgjedhjeve ose të arrestimeve), ndërsa në kontekste kulturore do të ish më mirë të zëvendësoheshin me lista veprash.

Vitet e fundit ka një përpjekje – për mua të orientuar keq – për të promovuar me çdo kusht “shkrimtarin”, të cilit ia sheh fytyrën poshtë e lart, nga ekspozitat fotografike te studiot televizive, si të ishte fjala për selfie a foto profili të Facebook-ut; por edhe në evente formale dhe përgjithësisht të kota, ku riprodhohen hierarkitë dhe institucionet në kërkim të një justifikimi për ekzistencën e tyre. Shumë nga këta shkrimtarë – të cilëve nuk është e qartë nëse ua lexon dhe ua vlerëson kush veprën (përtej promotorëve) – e shohin tani veten si operatorë kulturorë dhe pjesë të establishmentit letrar. Njerëz që, me nder jush, kanë gjëra në dorë.

Ashtu edhe vetë emri SHKRIMTAR po vjen duke marrë kuptimin “kushdo që shkruan letërsi”, madje edhe “kushdo që kujton se shkruan letërsi.”

Mirëpo publiku dhe lexuesi nuk di se ç’të bëjë me këto personazhe: a të zbavitet me ta, apo t’i ndjekë nga pas, si të ishin GURUT e tipit të ri, të kulturës bashkëkohore? Çfarë virtyti kanë këta pikërisht, që të përligjë praninë aq të dendur të emrave të tyre në diskursin kulturor? Nëse kanë shkruar vepra të mira – siç disa edhe i kanë shkruar – pse nuk flasim gjallërisht për këto vepra, por vazhdojmë të ushqejmë kulte personaliteti komike, të cilat sakaq shemben nën peshën e kostumeve të tyre festive prej letre?

Këto më solli mend posti i Nezhës dhe veçanërisht komentet, me lista si të nxjerra nga regjistrat e gjendjes civile, ose libri i kamotshëm i telefonave – për të mos thënë nga defterët e lyrshëm të policisë. Dhe me këto mendime më gjeti sot një artikull i Agim Vincës në Dita (“Karrigia me një këmbë e letërsisë shqipe”), ku ai autor përmendte fotografin Roland Tasho, autor i një albumi me fotografi të 46 shkrimtarëve të cilët janë ulur – jo të gjithë njëkohësisht – në një karrige në studion e tij. Vinca vinte në dukje se mes këtyre 46 shkrimtarëve të ulur në karrigen e fotografit “nuk gjendet asnjë nga shkrimtarët që jetojnë e krijojnë jashtë kufijve politikë të Shqipërisë”.

Nuk e kuptova mirë, nga artikulli, nëse prof. Vinca e denonconte këtë mangësi apo thjesht e konstatonte dhe e vajtonte – për mua, projekti i Tashos është edhe një imazh çasti i gjendjes aktuale të konsumit letrar në Tiranë, ku shkrimtarët shqip nga jashtë Shqipërisë nuk ndiqen shumë dhe nuk e kanë tërhequr sa duhet vëmendjen artistike të autorit. Unë e njoh atë projekt, madje e kam prekur me dorë (por jo me të ndenjura) karrigen në studion e Tashos, dhe nuk besoj se autori ka synuar të promovojë njësinë e letërsisë kombëtare dhe as nevojën që shkrimtarët nga jashtë kufijve politikë të Shqipërisë të njihen më fort brenda këtyre kufijve. Thjesht ka pasur një ide a gjetje estetike dhe e ka zbatuar me ata shkrimtarë që njeh dhe admiron.

Komunikimi i keq mes letërsive bashkëkohore këtej dhe andej, veçanërisht mes Shqipërisë dhe Kosovës më duket fakt – pavarësisht nga kë zgjedh të fotografojë Tashoja. Arsyet e këtij dështimi në komunikim meritojnë të analizohen dhe të shtjellohen me kujdes. Për fat të keq, kjo ndodh kur edhe vëmendja e publikut, brenda Shqipërisë, për letërsinë shqipe në përgjithësi po e vuan shumë konkurrencën nga përkthimet dhe nga format alternative të konsumit të kulturës, siç po e vuan qasjen e gabuar të institucioneve, ndaj letërsisë shqipe që prodhohet rishtas.

Dhe mes faktorëve të kësaj lëngate në komunikim, sërish më nxjerrin krye EMRAT e shkrimtarëve, që kurrë nuk mungojnë të sillen në lista, në një kohë që veprat e tyre nuk i njeh njeri – këto presidiume dhe tribuna njerëzish që ndonjëherë e përjetojnë identitetin e tyre publik si privilegj dhe që kërkojnë njohje, NË VEND TË veprës së tyre. Unë nuk besoj se Tashoja i ka lënë jashtë me qëllim shkrimtarët nga jashtë Shqipërisë – thjesht nuk ua njeh veprat, sepse veprat e këtyre autorëve brenda Shqipërisë nuk po gjejnë truall për të lulëzuar dhe, me gjasë, as po e ngjallin sa duhet interesin e publikut.

Listat e emrave – të gjitha listat – zakonisht përfliten për ata që kanë mbetur jashtë, që janë përjashtuar. Çdo establishment kulturor – dhe ky yni që është provincial dhe kulturalisht më i cekët se kurrë – kërkon para së gjithash të përcaktojë kufijtë e vet, duke nxjerrë jashtë të padëshiruarit, të panënshtruarit, subversivët dhe duke u rrethuar me mure mermeri (monumentale). Që nga momenti kur fiton vetëdijen institucionale, institucioni e pajis veten edhe me sistem imunitar, duke ushtruar censura (censura është thelbi i sipërmarrjeve të tilla sa burokratike, aq edhe ambicioze). Kjo lojë me karrige muzikore, përfshi këtu edhe firmat në karrigen e Tashos, u shërben emrave dhe krekosjeve përkatëse, por nuk ka shumë lidhje me letërsinë as me kulturën. Dasmat e bujshme që organizon sot establishmenti, të paktën në Tiranë, janë shterpa, sepse nuk prodhojnë asgjë për t’u mbajtur mend: e trajtojnë letërsinë si flakë magnezi, që veç ndriçon për një çast ngërdheshjet e fitimtarëve të momentit, paçka se ashtu rrezikon t’ua përzhitë vetullat kaleshe.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™ & Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin