NON-PLAYER CHARACTERS

Në videolojëra, NPC- të (Non-Player Characters) janë personazhe të lojës, me të cilët ti lojtari mund dhe ndonjëherë duhet të ndërveprosh, por që përndryshe kontrollohen nga kompjuteri.

Zakonisht reagimet e tyre janë të skriptuara; për shembull gjërat që thonë. Nëse hyn në dialog me ta, dialogu duhet të ndjekë një “pemë” të paracaktuar replikash.

Po të kthehesh tek e njëjta pikë në rrjedhën e lojës, NPC-në e gjen aty, duke pritur; dhe gati që të thotë të njëjtat gjëra; ose të tjera, nëse loja ndërkohë ka avancuar.

Ka diçka filozofike, dhe njëkohësisht të frikshme, me NPC-të që kurrë nuk lodhen, kurrë nuk përtojnë, kurrë nuk dështojnë në qenien e tyre.

Te një roman i Jeremy Robinson-it (NPC), që pata lexuar vjet, një vrasës serial është i bindur se bota – kjo jona – është e mbushur me NPC, të cilët ai i pikas dhe pastaj i likuidon.

Edhe unë mendoj ndonjëherë – jo pa ankth – se arkëtarja në supermarket, me të cilën shkëmbej gjithnjë të njëjtat replika; ose postieri që më sjell postën, mund të ishin fare mirë NPC.

Simulime sado të përsosura.

Çfarë më ngacmon te koncepti nuk është aq aftësia e një softueri për të simuluar, sa ç’është gatishmëria aq e admirueshme e NPC-ve.

Për shembull, ti jeton në një qytet të populluar nga personazhe të tilla, që mund t’i takosh dhe të shkëmbesh dy fjalë, po të duash – për shembull një polic ose edhe kryetari i bashkisë…

Grafikisht, tani NPC-të duken gati si personazhe filmi – shprehin emocione, madje edhe buzët i lëvizin në mënyrë “korrekte”, kur flasin.

Por nëse vendos të kalosh kohë me ta, vjen momenti kur gjithçka përsëritet – sepse skripti mbaron.

NPC-ja është tjetër gjë nga avatari, i cili në lojërat me shumë lojtarë është mishërimi i një lojtari njerëzor, brenda universit të lojës.

NPC-ja krijon atmosferë dhe kontekst.

Në filmin “Free Guy”, personazh kryesor është një NPC, që nuk e di se është i tillë, dhe që fiton gradualisht vetëdije (sentience).

Përndryshe jeta e tij është e tëra e skriptuar – nga mëngjesi në mbrëmje.

Por a nuk është pothuajse e tillë edhe e përditshmja jonë?

Nga zgjimi në mëngjes, te rutina e banjës dhe e kafesë, te autobusi që marrim për të shkuar në punë, te e-mailet që marrim dhe u dërgojmë të tjerëve, aq të përsëritshme sa deri edhe Google-i ka mësuar që t’i plotësojë.

Edhe bisedat e rastit, që bëjmë me fqinjët a të njohurit para pallatit, rimarrin replika tashmë të përdorura, në mos të skriptuara diku. Jo dhe aq të ndryshme nga shkëmbimet e shkurtra që kemi me një bankomat, sa herë shkojmë të tërheqim para.

Çfarë i mbetet jetës, po të heqësh që andej rutinat?

Thashë që më ngacmon, madje më mahnit gatishmëria e NPC-ve. Janë gjithnjë atje. Ti ecën në rrugë, kalon afër dyqanit ku shiten armë të rënda, dhe mendon se po të duash, mund të hysh atje dy minuta, qoftë edhe për pak muhabet me shitësen.

Edhe vetë pamundësia për ta shtyrë marrëdhënien më tutje, ose për t’u “miqësuar” me të, shërben si shkas tundimi.

Ngaqë NPC-të janë të skriptuar (me zë dhe figurë), çdo shkëmbim që bën me ta të mbështjell si kafaz. Subjekti sentient brenda teje kërkon ta shpërthejë kafazin, por kjo të sillte edhe fundin e asaj flluske sapuni, që është bota e simuluar e lojës.

Mbaj mend, vite më parë, që një videolojë keqfunksionoi, dhe NPC-ja doli nga binarët dhe u shndërrua në diçka monstruoze. Iu prish fytyra dhe zëri. E kapën konvulsionet. Gjërat që përsëriste – skriptin – i përsëriti në një mënyrë tjetër.

U prish bota.

Dje, kur flisja me një shoqe në Tiranë, më tha se Vitin e Ri do ta kalonte “me njerëzit e vet”, në qytetin e vogël nga e ka prejardhjen.

Ajo – si shumë të tjerë – ka dalë prej kohësh nga familja dhe jeton jetën e vet në kryeqytet.

E mendova, familjen e saj, si një grup NPC-sh, që rrinin të ngrirë diku në softuerin e kujtesës, për t’u gjallëruar në momentin kur ajo i binte ziles, te dera e jashtme.

Kjo më ndodh më shpesh se ç’do të doja. Kur shkoj në Tiranë, gjithnjë dua t’i kërkoj miqtë e mi në ato vende dhe rrethana ku i pata takuar së fundmi. Tek e njëjta kafé.

Dhe kur shkoj – tek ajo kafé – më qëllon të mendoj: po sikur të gjithë këta në tavolina të jenë…

Kjo më ndodhte shumë më shpesh, vitet e para pasi isha larguar nga Shqipëria – dhe më duhej ta pranoja, filozofikisht, se jeta në qytetin tim vazhdonte, në thelb krejt e pandikuar nga zhdukja e një “Player Character” si unë…

Këtë ankth të papërfillshmërisë mund ta kisha trullosur, duke menduar për skriptin. Edhe pse skripti, në vetvete, është burim i një ankthi të një lloji tjetër – sepse herët a vonë do të detyrohet njeriu të pyesë veten: po sikur edhe unë të jem i skriptuar?

Një libër që pata lexuar dikur, për universin si simulim (The Simulation Hypothesis, nga Rizwan Virk), shpjegonte se softueri që e “thur” botën rreth nesh do të kursejë kohë dhe elektrone, duke e përftuar skenografinë vetëm kur jemi ne diku aty pranë.

Kush ka luajtur videolojëra me një videokartë jo shumë të fuqishme, do ta ketë vënë re si loja e “thur” mjedisin rreth teje dora-dorës që ti zhvendosesh: kur del nga shtëpia përjashta, softueri pikturon pemët, rrugën, malet në horizont, retë në qiell.

Por kjo është një arsye tjetër, për t’i vizituar NPC-të herë pas here – me kusht që për këta, si personazhe, jeta në ekran të jetë më e dëshiruar se “gjumi”.

Dhe në jetën “reale”, një ftesë për t’u shkuar NPC-ve të tua; për t’u trokitur në derë; për t’iu ulur në tavolinë. Për t’i përsëritur bisedat.

Por edhe për të përfytyruar – në trajtë NPC-sh – ata që nuk janë më. Ata që të vizitojnë në ëndrra dhe që, njëlloj si NPC-të, ndjekin me skripte misterioze, madje edhe në rolet mistike që mund t’u kesh dhënë ti ndërkohë.

Prindërit e vdekur. Miqtë e vdekur. E tërë mizëria e atyre që popullonin fëmijërinë dhe rininë tënde, por që tani nuk janë më.

Përveç si NPC.

Më vjen në mend nëna ime, këto vite të fundit në Tiranë. Edhe ajo pothuajse një NPC, jo vetëm ngaqë më priste në shtëpi me të njëjtat muhabete, reagime dhe ankime – por edhe ngaqë të folurit i kish ndryshuar.

Ndoshta ngaqë “skleroza” (emri ynë i butë për Alzheimer-in) ia kish kalcifikuar mekanizmat e prodhimit të ligjërimit, dhe jo thjesht ngaqë i përsëriste fjalët, shprehjet dhe deri edhe reticencat. Por, më tej akoma, plakja ia kish nxjerrë ato mekanizma lakuriq – në kuptimin që, po ta dëgjoje me vëmendje, gati-gati mund t’ia ndiqje lëvizjen e algoritmit të skriptit, që përftonte në gojën e saj thënien.

Ndonjëherë madje edhe t’ia parashikoje.

E kisha vënë re që kish filluar të përdorte shumë proverbat. Edhe kur donte të thoshte diçka tejet personale, të vetën, intime, kalonte sakaq në proverb, sepse proverbi i dukej sikur e jepte më mirë thelbin e çfarë kish në mendje.

E lodhur nga jeta, kish gjetur strehë te gjuha e Tjetrit – sepse çfarë është proverbi, veç thënie që evokon një eksperiencë universale, të ruajtur në gjuhë?

Sa më shumë që plakej, aq më shumë më dukej si një bibliotekë dorëshkrimesh të paçmuara, që tashmë nuk mund të shpëtohej nga zjarri. Një skript i pakopjueshëm, i parikuperueshëm. E kish korracuar ligjërimin me këtë lloj skripti, dhe nga vetja e vjetër gjuhësore sikur i kish mbetur vetëm virtuoziteti për t’u dhënë fosileve leksikore sintaksa dhe kontekste të reja.

Fjala UNË në gojën e saj ndiqej gjithnjë e më shpesh nga trepikëshi: nga një ndërprerje e frymës, e shoqëruar pastaj me psherëtimë. Rrallë e tek, i bënte shoqëri mohimi: se unë nuk… Dhe mua kjo më dëgjohej si përpjekje, in extremis, e nënës për ta përkufizuar veten nëpërmjet asaj që NUK, asaj që JO; si refuzim i sistemit të saj imunitar të mendjes, për t’iu dorëzuar përfundimisht skriptit.

Shndërrimi në NPC e ngushëllonte, ia mbante larg trishtimin ekzistencial dhe ia kursente mundimin e nevojës për ta rikrijuar veten çdo mëngjes. Mbase edhe bindja se skripti do të ishte i njëjti ditë pas dite, i jepte shpresë.

Ngaqë shumë shoqe i kishin vdekur tashmë, lojën me të si NPC ishin gjithnjë e më të paktë ata që e luanin. Mbase me përjashtim të atyre pak NPC-ve në lagje, që më ndalnin në rrugë për të më pyetur: si është S.?

Disa muaj pasi nëna kish vdekur, dhe unë gjendesha në shtëpi në Tiranë, më trokiti në derë një mik i hershëm i familjes sonë, E.G. Sapo e kish marrë vesh. Pezmi i tij i freskët bënte kontrast me zinë filozofike të shtëpisë, të luleve në verandë, të pemëve në oborr.

Për E.G., loja kish qenë ende e luajtshme – bashkë me idenë se gjithnjë mund të kthehej nga rruga dhe të vinte te nëna për vizitë, për të kaluar shpejt e shpejt nëpër pemën e replikave të skriptit.

Nuk mbaj mend çfarë thamë tjetër: me atë njeri të mirë, as unë kurrë nuk kisha dalë nga skripti, sa herë që ishim takuar. Mbase edhe ai ishte NPC; me logjikë, nuk mund të ishte veçse NPC.

Trishtimi i kësaj metafore – sado afër realitetit që të jetë – është se, në përgjithësi, këto personazhe që “nuk luajnë”, vijnë e zhduken që nga momenti kur lojën e tyre nuk e luan më kush. Ashtu nuk ua jep më njeri shansin që të replikohen, nga një rutinë në tjetrën.

Por nuk po e çoj më tutje këtë spekulim, sepse do të filloja të tingëlloja banal.

 

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: Narratori, NPC në videolojën “The Stanley Parable”.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin