nga Elsa Demo
Mëngjesin e 20 dhjetorit, në rrugën kryesore që të fut në qytet, një burrë tërheq kafshën e sakrificës, kurbanin për Bajram*. I ka lidhur te brirët një konop lecke që e lëshon nën këmbë sapo një mik e ndalon mu në rrugën e makinave. Shkëmbejnë cigare dhe nga gjestet duken që diskutojnë për çmimin, për kilet e dashit që pas pak orësh do të theret. Si ditë feste që është, rrugët janë të zbrazura, dyqanet kryesisht të mbyllura. Janë nëntë ditët që i prijnë Krishtlindjes dhe shenjat e vetme i gjen në dekorin e engjëjve që më shumë shërbejnë për të ndriçuar rrugët natën në terr. Dom Gjovalin Sukaj, famullitari i Shkodrës, na tha se, për ato shenja të jashtme që shihnim, kanë dorë qytetarët dhe tregtarët e qytetit. “I pari dekor i rrugëve në Shkodër për Kshnella është bërë në 2004-ën nga Kisha Katolike. Pastaj filloi nga Bashkia.”
Dom Gjovalini na shoqëron nga salla e takimeve të Kishës Katedrale, të cilën ai e administron, për në dhomën e tij. Një Krisht fëmijë prej plastike është vendosur në një djep 100-vjeçar, te kryet ka një bastun po të vjetër, një kompozim i vetë domit që personifikon fëmijën e perëndisë i lindur më 25 dhjetor, që një ditë do të bëhej bariu i njerëzve. Engjëjt, yjet e Krishtlindjes dhe fjongot e kuqe i pamë në rrugët e vjetra të qytetit afër katedrales, në Serreq, në Sheshin “Gjon Pali”, kontribute të besimtarëve, të nxënësve të një shkolle të mesme dhe të banorëve të atyre lagjeve që e kanë patur për traditë shfaqjen e ndjeshmërisë për Krishtlindje. Për herë të parë, falë bamirësve, në oborrin e kishës 150-vjeçare është ngritur një Betlehem gjigant, një kasolle me kafshë artificiale, me statuetat e Marisë dhe Jozefit, dhe grazhdin ku ndodhet fëmija i perëndisë, i mbuluar, që do të zbulohet mesnatën e 24 dhjetorit.
Dom Gjovalini është i kënaqur me kaq atmosferë shenjash të jashtme, përndryshe njerëzit kanë për të humbur pas anës materiale aq sa s’kanë për të parë atë natë shfaqjen e Zotit. Nesër në mbrëmje asnjë rit i veçantë s’ka për t’u mbajtur në këtë kishë. Shkodranët si zakonisht kanë për të ardhur për meshë, për të dëgjuar këndimin e “Glorias”, dhe më pas kambanoret, si shenja që i lindi shpresa. Besimtarët dhe fëmijët sidomos, kanë për ta mbushur kishën për të mësuar për misterin e lindjes së birit të perëndisë.
Famullitari kujton meshën e parë në varrezat katolike e mbajtur në dhjetor 1990, kur Shqipëria ishte akoma komuniste. Ai, i hipur në një varr, zgjatej mbi kokat e mijëra njerëzve që ndiqnin një meshë, më në fund, pas 23 vitesh luftë që regjimi i kishte shpallur fesë në këtë vend ku krishterimi ka qenë i kohës së apostujve.
E pyesim Dom Gjovalinin se prej nga vijnë këto dekore Betlehemësh dhe truporet e Marisë, Jezu Krishtit, Jozefit, engjëllit, që ilustrojnë skenat biblike. Duken industri më vete e kishës moderne, një prodhim në seri dhe seç kanë një artificialitet në ngjyra, në shprehje. Domi na korrigjon fjalën “kukull” që patëm përdorur për shëmbëllimin e Jezu Krishtit në djepin e zyrës së tij, dhe pasi i jep një të puthur fëmijës së shenjtë na sqaron se, për shembull, ky është bërë nga një shqiptar. Na tregoi dhe një Betlehem që ai e do fort. Aty Maria, ndryshe nga paraqitjet e tjera të lindjes së Krishtit, paraqitet si një grua aristokrate, me një fustan të purpurt që sapo ka shkëputur nga trupi i saj fëmijën perëndi.
Në hyrjen e kishës katedrale të Shën Shtjefnit, punëtorët kanë vënë në vijë qarkullimin e ujit në Betlehemin e brendshëm. Dom Gjovalini thotë se është hera e parë që futet një element “i gjallë” në skenën biblike. Gëzimin e tij e ndërpret një grua me fytyrë të shqetësuar që pyet “kush është prifti”. Famullitari bën me kokë për nga gruaja. “Krishtlindja tek shqiptarët mbetet e veçantë në krahasim me vendet e tjera. Jemi të varfër, por atë natë keni për të parë se si janë fytyrat e njerëzve. Ja, ajo grua ka një hall dhe do të rrëfehet patjetër. Jemi në prag të festës dhe ajo e ka të nevojshëm rrëfimin. Për shumë mote Krishtlindjen!”, thotë dhe merr për nga rrëfyestorja.
Deri nga mesdita zhurmat në rrugë janë shtuar disi. Tregtarët e vegjël kanë nxjerrë në trotuar produktet që kërkohen më shumë: ullinj, fruta të thata, arra, fiq, bajame. Çmimet janë rritur edhe më këtë muaj, si gjithmonë për festat. Konsumi në dhjetë ditë, që nga Bajrami, Krishtlindja dhe deri në Vitin e Ri është boll i rëndë për xhepat e shqiptarëve, e sidomos për Shkodrën e papunësisë. “Jena t’lodhun. Njerzit jan t’lodhun”, thotë shitësi duke hedhur arra me njërën dorë në peshore dhe me dorën tjetër i jep gojës një thelpi.
Floktoret e grave kanë më shumë të kuqe Krishtlindjeje, ndërsa berberhanet janë në atë bardhezinë e Marubit. Burrat presin pas xhamit që e rreh dielli, numërojnë kohën me çdo tufë floku që bie nga gërshëra e berberit.
Asgjë të ekzagjeruar nuk ka në tregun e fruta-perimeve, bulmetit, djathit, gjizës. Mandarinat janë gjëja më e shitur, 50 lekë më e shtrenjtë se ditë më përpara. Ngjitur është marketi i mishit dhe “i nënprodukteve të tij”. Meqë është Bajram, më shumë se gjysma e tregtizave janë mbyllur. Një burrë është shtrirë në një tryezë mishi dhe po çlodhet. Disa shitës flasin për therjet më speciale nëpërmjet paralizës të kafshëve të mëdha si demi. Marketi është një hangar i stërmadh primitiv, një telajo e përgjakur me penela të vrazhdë. Është ndërtuar që në vitin 1975. Duket se që nga ajo kohë nuk është vënë dorë në pastrimin e këtij vendi ku shitet “mish dhe nënproduktet e tij”. Me zor përballojnë taksat këta burra që s’mbahet mend që kur punojnë këtu, kokë më kokë, duke therur, duke prerë e duke shitur. Shumë shpejt do të bëhen bashkë për të paguar edhe për pastrimin e “hangarit” ku si brenda si jashtë fluturojnë pëllumba si në foletë e veta.
Këtu na paralajmëroi Aleksi: “Për ta njohur Shkodrën duhet ta kaloni atë.” Herë pas here bën humor të hidhur për dy palë veshë, të atyre që vijnë të njohin Shkodrën dhe të bashkëqytetarëve të tij që i njeh prej dekadash, si kur festonin Krishtlindje në fshehtësi, si sot kur për festa si këto, shkodranët e tij dalin nëpër lokale për të parë njëri-tjetrin dhe për të thënë që janë. Pastaj mbrëmja kalon me alkool, me verë apo raki.
Në qendrën e Shkodrës është ngritur bredhi i gjelbër i dekoruar me xhingla-mingla. Është pema e Krishtlindjes dhe e Vitit të Ri. Ajo është pema e jetës, sipas biblës, pema e parë, të cilën Zoti i kërkoi Evës dhe Adamit të mos e prekin.
Shqiptarët gjithnjë i kanë veshur Shkodrës legjendat e një qyteti që sot s’është më, sikur të ketë prekur dikur, kundër urdhrit hyjnor, një pemë që thau gjithë të tjerat. S’është për t’u dëshpëruar për Shkodrën, për aq sa ajo nuk dëshpërohet për veten. Disa dhjetëra kilometra më poshtë saj, njëlloj si ajo Tirana, ka bërë një pakt me të shkuarën krenare në varfëri.
*Atë vit festa e Kurban Bajramit qëlloi në dhjetor
Kopertina: Photo by Ben White on Unsplash