TIRANASIT QË NUK I TREMBESHIN VDEKJES (HETEROTOPITË E QYTETIT)

Figura 1. Pranë Xhamisë së Ethem Beut, rreth vitit 1917.

nga Endrit Marku

Ky tekst frymëzohet nga një fotografi e vjetër e Tiranës. Ajo është e ndryshme nga shumica e fotove të kohës. Ato zakonisht janë të kompozuara me kujdes. Nëse në vëmendjen e tyre janë ndërtesat ato janë qendrore dhe pjesë skenash kryesisht të zbrazura nga njerëzit, ndërsa kur subjektet janë njerëz ata qendrojnë të ngurtë, të krekosur veshur me rrobat e tyre më të mira dhe me sytë ngulur tek objektivi. Kjo foto nuk ishte e tillë, së paku në dukje ajo tregonte një skenë përditësie të pazbukuruar, me njerëz që vazhdonin punët e tyre të pashqetësur nga autori i fotografisë. Imazhi mund të gjehet gjatë ecejakeve nëpër internet në versionin origjinal bardh e zi ose dhe e ngjyrosur e retushuar si një nga kartolinat e printuara nga shtëpia botuese gjermane Purger & Co[1] (Elsie, 2022).

Në fotografi shohim hapësirën mes xhamisë së “Ethem Beut” dhe “Kullës së Sahatit”. Diçiturat gjysmë informale thonë që imazhi u përket Arkivave Austriake, ndërsa silueta ushtarakësh, të veshur njësoj me ilustrimet e shokut të mirë Shvejk, që shfaqen nëpër fotot e të njëjtës seri, të bëjnë të mendosh që bëhet fjalë për vitet e luftës së parë botërore diku rreth 1917-ës, kur Tirana kontrollohej nga austro-hungarezët. Tejmbushja me njerëz e hapësirës së qytetit, mungesa e hijeve prej qiellit të mbuluar, pemët pa gjethe dhe shtresat e shumta mbi trupat e pjesmarrësve në skenën e fotografisë flasin për një paradite fund vjeshte ose dimri, më gjasë e enjte, duke qenë se ajo ishte dita e pazarit javor (Frashëri, 2004).

Dita e pazarit

Skena kryesore brenda kornizës së imazhit zhvillohet në sheshin e pashtruar pranë murit rrethues të xhamisë së “Ethem beut”. Në të ka burra që ecin, burra që rrinë, që kuvendojnë në grupe të vogla, aty ka gjithashtu lopë dhe kuaj ose mushka të ngarkuara. Në atë kënd të pazarit mesa duket bëhej tregtimi i gjësë së gjallë. Mes personazheve të skenës dallojmë dhe disa burra që qëndrojnë të mbështetur tek ngrehina e gurtë që ndan sheshin nga xhamia. Ata duken të shpenguar te kredhur plotësisht në realitetin e së enjtjes së pazarit që fundja ishte dhe dita me më shumë gjallëri e të gjithë javës.

Le t’i afrohemi pak grupit të burrave pranë murit. Le ta zemë se njëri prej tyre ka ardhur në pazar për të shitur lopën e tij. Me gjasë herë pas here ai u thërret kalimtarëve duke i numëruar një më një cilësitë e kafshës. Hapësira e populluar eksluzivisht nga meshkuj mund të na kujtojë një prej anekdotave të Nastradinit, edhe ai nënshtetas i së njëjtës perandori ku u lindën dhe u rritën burrat e fotografisë. Nastradin hoxha në hall për të martuar të bijën, gjatë bredhjes nëpër pazarin e qytetit zbuloi, ose të paktën kështu mendoi ai, mënyrën e duhur për të joshur shkuesit, dhe e gjitha kjo pasi dëgjoi thirrjet e një tregtari që po shiste lopën e tij:

“Këtu! Këtu! Tjatër lopë këtu! Është gjashtë muajsh e mbarsur! Eni ta merrni” (Nastradini)

Dinamikat e skenës së fotografisë mund të kuptohen edhe pa e vënë shumë në punë imagjinatën, ato mund ti përjetoni në Tiranën e sotme. Mjafton të veshtroni për disa sekonda grupet e shitësve ambulantë në trotuaret e lagjeve ose të kaloni tek kryqëzimi i “Njëzetenjëshit” ku me shumë mundësi do hasni në shoferë furgonash që do ju ftojnë të shkoni në Fier e Vlorë.

Për një çast shitësi i fotografisë tonë ndalon së thirruri dhe fillon të flasë me shitësin tjetër që ka përkrah, që gjithashtu po shet një lopë. Mbase i thotë diçka për të qeshur, mund të jenë duke hedhur romuze rreth fotografit të huaj pak metra më tutje, mbase po i tregon bëmat e Nastradinit, ose njësoj si ky i fundit po qajnë halle fëmijësh që duhen martuar. Më pas burri mbështetet tek muri dhe shtriqet për të çmpirë gjymtyrët derisa një tjetër blerës i mundshëm me një mushke të shaluar me samar afrohet. E aty, e atëherë ai menjëherë e vesh përsëri petkun e shitësit dhe rinis mburrjet e cilësive të qumështit të lopës së tij.

Situata e mbërthyer në këtë fotografi nuk do dallonte aspak nga ngjarjet që rëndom ndodhnin e vazhdojnë të ndodhin në hapësirat e një tregu, nëse skena nuk do të zhvillohej buzë murit të xhamisë veçse një kapërcim larg varrezës së saj. Rreth këtij kontrasti do të ndërtohet teksti ynë, i cili do të jetë një përpjekje për ta kuptuar sadopak ngjarjen e fotografuar. Ata burra, por bashkë me ta, të gjithë përdoruesit e pazarit, nuk i shqetëson aspak afërsia e një hapësire që së paku në parim duhet të jetë e rëndë dhe e zymtë. Në këtë shkrim do të mundohemi t’i japim një përgjigje pyetjes së mëposhtëme:

Përse, ata burra shqiptarë vazhdojnë me punët e tyre të përditshme fare të patrazuar nga afërsia e varrezës?

Dy botët

Në anën tjetër të murit të xhamisë së “Ethem Beut”, shtrihet varreza e vogël. Ajo është e rrëmujshme pak si pazari anash saj. Elemente vertikale guri ose druri janë gjurmë abstrakte siluetash njerëzore që shenjojnë ekstremitetet e trupave të groposura nën to, ato shenjojnë kokën dhe këmbët e tyre. Eshtrat pa jete dikur gjallonin nëpër Tiranë njësoj si burrat e mbështetur nga ana tjetër e murit. Mbase të dy palët, të gjallët dhe jo të gjallët, këndej dhe andej pragut të gurtë, dikur njiheshin, mund të jenë takuar me njëri tjetrin, ose të paktën do t’i kenë kryqëzuar ndonjëherë shikimet.

Të gjallët nga ana tjetër murit, shitësit e lopëve, duken të shpenguar pranë të vdekurve po aq sa janë me secilin pjesëmarrës të pazarit që nuk është i interesuar për mallin e tyre, a thua se të qenit i gjallë ose jo, janë veçse pjesë e së njëjtës ekzistencë të ndara vetëm nga pragu i gurtë. Me sa duket tiranasi musliman i fillim shekullit të njezetë, i lindur e rritur në gjirin kulturor të perandorisë turke, të paktën në dukje, nuk shqetësohet nga vdekja e për të ajo është një bashkëudhëtare e përditësisë së tij.

Drania, nandaja ime katolike e lindur pak a shumë në vitet e fotografisë në studim, dinte histori të panumërta dhe i rrëfente ato bukur me zërin tipik të malësores, të ulët e pak të ngjirur. E dëgjoja me kureshtje. Temat ishin surreale, nga njëra anë personazhet ishin kukudhë, gjarprinj, shtriga, xhuxhë e shejtanë. E megjithatë e veçanta e tregimeve të saj ishin personazhet e tjerë që i visheshin përballë, pasi ata nuk ishin imagjinarë por njerëz që kishin ekzistuar, të vërtetë me emra e mbiemra, bij fisesh të njohura. Shpesh historitë ishin në vetë të parë, ato rrëfeheshin si ndodhi të jetuara. Ato që sot mund t’i quajmë përralla përcilleshin si ngjarje që dikur kishin ndodhur, me kapërcime të natyrshme mes fizikes dhe metafizikes si pjesëza tekstesh të Realizmit Magjik.

Në një prej historive të treguara ngjarjet zhvilloheshin në vendlindjen e saj, Ishull Lezhë. Në fshat prej disa kohësh ishte shfaqur një lugat. Ai dilte netëve duke vrapuar rrugëve me duart në kokë, e duke thirrur me sa kishte në grykë fjalë të pakuptueshme. Jehona e përsëritur e klithmës së llahtarshme në largësi ishte bërë e padurueshme, aq sa një mbrëmje vëllai i madh i gjyshes, Pjetri, ishte ngritur në këmbë dhe kishte thënë: “Ky nuk durohet më, do i dal përpara ta pyes ç’hall ka”. E gjithë familja e kishte kundërshtuar me forcë derisa më në fund e kishin bindur të mos dilte. Kundërshtimi i familjes nuk lidhej dhe aq me sigurinë fizike të Pjetrit, por me përmbajtjen e hallit të Lugatit. Ai me siguri ishte ndonjë bashkëfshatar që nuk rehatohej dot pasi kishte ikur nga kjo botë me borxhe të mëdha. E nëse borxhin ai do ia rrëfente Pjetrit, ky do ta trashëgonte atë, e po mos të ishte në gjëndje ta lante, një ditë, do të kishte dhe ai të njëjtin fat të lugatit.

Histori si kjo, të cilat me gjasë janë treguar në shumë nga familjet tona dëshmojnë që turbullira e kufirit mes dy botëve nuk kishte të bënte me fenë, por ishte njëlloj tipari kulturor i shqiptarëve pavarësisht feve abrahamike të cilës ata i përkisnin. Kjo ishte bota shqiptare në të njëjtën kohë që Anjshtajni kishte zgjidhur ekuacionet e “Teorisë së Relativitetit” dhe Le Corbusier kishte projektuar “Vilën Savoye”.

Besimtarët

Fotografitë kanë veçantinë e tyre krahasimisht me pikturën ato janë të afta të na projektojnë në realitetin që kanë përjetësuar disi më të çliruar nga autori. Dëndësia dhe stërhollimi i subjekteve që ndërtojnë pikturën dhe filmin i lënë më pak hapësirë interpretuese vrojtuesit ndërsa në fragmentin e ngrirë në kohë të fotografisë vdekja e autorit dhe lindja e lexuesit (Barthes, 1977) ndodh më natyrshëm.

Tirana është dokumentuar dhe më herët se fotografia jonë. Ndër imazhet e para të njohura janë akuarelët e Edward Lear të bëra ne Tiranë, gjatë udhëtimit të tij në vitin 1848-ën. Penelatat e tij e mjegullojnë imazhin, zbehin sfondin dhe i japin vëmendje aspekteve që ai dëshiron të theksojë: maleve, pemëve, urës së tabakëve apo xhamisë së vjetër. Në to, vendi dhe koha sikur e humbasin rëndësinë. Pamjet e mjegullta duken më shumë si ilustrime të “Një mijë e një netëve” sesa të Tiranës së shekullit të IXX. Për fat autori anglez na ka lënë dhe kujtimet e tij në formën e një ditari ku rrëfen përmes gjuhës së shkruar rrugëtimin e tij nëpër Shqipëri. Po të na kishte lënë vetëm pikturat, atëherë nga ajo Tiranë do të kuptonim vetëm ndonjë detaj të lidhur me llojet e pemëve, arkitekturën dhe veshjet e banorëve.

Lear e ka pikturuar dhe hapësirën e fotografisë sonë, të njëjtin kryqëzim ku qendrojnë tregtarët Tiranas, me ndryshimin e vetëm se skena e tij sheh nga ana e kundërt, drejt “Xhamisë së vjetër”. Aty ky kënd i Tiranës shfaqet piktoresk dhe ekzotik, në qendër të tij qendron xhamia më e hershme e qytetit. Në të vërtetë, realitetin e atij vendi dhe kohe e kuptojmë vetëm duke e lexuar Lear-in, teksa përshkruan me detaje vështirësitë e asaj dite. Ai tregon se si e kishte pikturuar atë skene i bezdisur nga kalimtarët kuriozë, shpesh nervozë, të pamësuar me të huaj perëndimore e ca më shumë me një piktor:

Figure 2. Xhamia e Vjetër, Edward Lear, 1848

“…një pjesë e madhe e vendasve, të nxitur nga kurioziteti u ngjeshën afër meje për të parë punën time, pavarësisht pranisë së Truprojës, i cili më hapte vend aq sa mundej; ishin gra me perçe të zeza dhe maska islamike të bardha si prej fantazme, që rrinin ulur pa u shqetësuar as për gjërat e tyre. Me kënaqësi do i kisha vizatuar xhamitë elegante të mbuluara me arabeskë por turmat ma zbehën entuziazmin. U bezdisa sidomos nga vëmendja e pasosur e një dervishi të çmendur e fanatik, i cili kishte dhe paraqitjen e sjelljen më të çuditshme. Thoshte shpesh fjalën shejtan (“Shaitán”). Ndërsa sillej vërdallë, duke kryer rituale të çuditshme, papritur sulej drejt meje duke më tundur në fytyrë një krrabë të gjatë të mbuluar me zbukurime tringëlluese, ndërsa tregonte me gisht nga truproja (Kawás) gjithë kërcënim sikur donte të thoshte: “Po të mos ishte për këtë mbrojtës do të kisha shfarosur o i pafe!!”. Turma i shihte me frikë bëmat e njeriut të shenjtë, pasi qartësisht Tirana është një vend që i kushton rëndësi fesë” (Lear, 2008)[2]

Shkrimi i Edward Lear na ndihmon të zbulojmë të vërtetat e fshehura jo vetëm në pikturën e tij por dhe brenda fotografisë tonë, kështu ndërsa feja ishte e rëndësishme për Tiranasit e mes-shekullit të nëntëmbëdhjetë, nuk kishte ndonjë arsye të qenësishme për të mos qenë e rëndësishme edhe në Tiranën e viteve të Luftës së parë botërore. Vërtetë perandoria turke nuk ishte më, por kolapsi i saj sapo kishte ndodhur dhe ndryshimet nuk kishin patur ende kohë të preknin thelbin e shoqërisë, e ca më pak të ndikonin në riformësimin e karakterit të individëve. Vetë fotoja e ditës së pazarit na e thotë këtë, rrugët e mbushura me burra dhe xhamia e pashqetësuar flasin për një përditshmëri të ngjashme me atë të para ikjes së osmanëve.

Prej këqyrjes së mbivendosur të fotografisë, pikturës dhe tekstit të shkruar nga Edward Lear kuptojmë që në to paraqitet një mjedis në të cilin jeton në shoqëri e lidhur ngushtë me fenë. Edhe tregtarët tanë, megjithëse jo aq fanatikë se dervishi i përshkruar nga Lear, pasi ndryshe nga ky i fundit nuk i shqetëson aspak procesi i prodhimit të imazhit, me siguri besojnë në botën e përtejme, në rëndësinë e librave të shenjtë, në rregullat e shkruara e të përcjella përmes predikuesve nëpër hapësirat e Xhamive. Tregtarët tiranas besojnë njëkohësisht në vdekshmërinë e trupit dhe përjetësinë e shpirtit, ata besojnë në Zot, e thënë shkurt ata janë besimtarë.

Kriza e metafizikes

Zarathustra kishte zgjedhur të linte fshatin e tij buzë liqenit për t’u izoluar në një shpellë në lartësinë e një mali. Ai qëndroi aty për 10 vite derisa një mëngjes më në fund u zgjua i ripërtërirë. Ai ndihej i kthjellët pasi kishte kuptuar diçka thelbësore që do të përmbyste këndvështrimin mbarë njerëzor për vetë ekzistencën. Kështu ai vendosi të zbriste prej lartësisë së malit të tij drejt njerëzimit, për të bërë të njëjtën gjë që e bënte dhe dielli çdo ditë, që t’i çonte dritë nën-botës.

Njeriu i parë që takoi gjatë zbritjes ishte një eremit plak, një shenjtor i ngjashëm me dervishin që kishte bezdisur Lear-in tek sheshi buzë pazarit. Edhe i moshuari kishte zgjedhur izolimin, por ndryshe nga shpella e Zarathustrës ai jetonte në një kasolle në mes të pyllit. Shenjtori ishte larguar nga njerëzimi plot mangësi për t’ju përkushtuar plotësisht zotit, sipas tij të vetmes qenie të përkryer e që meritonte dashuri.

Në bisedë e sipër Zarathustra i rrëfeu shenjtorit se me vete kishte një dhuratë për të gjithë njerëzit, por kur ky i fundit e pyeti se për çfarë behej fjalë, zgjodhi të mos i përgjigjej. Teksa largohej, Zarathustra i tha si me shpoti shenjtorit se dhurata nuk bënte për të, madje bënte mirë të ikte sa më parë se po të rrinin dhe ca më gjatë së bashku në vend që t’i jepte rrezik t’i merrte ndonjë gjë të vyer plakut. Duke ikur ai tha me vete:

“Si ka mundësi! Ky shenjtori plak nuk e di akoma, që ZOTI KA VDEKUR!” (Nietzsche, 1896)

Zarathustra, nguroi ta ndante lajmin me shenjtorin për të mos i rrëzuar kolonën mbi të cilin ai kishte ndërtuar tërë ekzistencën e tij: Besimin në zot. Këto fjalë, të cilat aty për aty Zarathustra po i fliste me vete, në fakt Nietzsche po ia thoshte me zë të lartë gjithë botës të paktën tridhjetë vjet para së enjtes së fotografisë tonë. Kur Nietzsche i shkruante, tregtarët e fotografisë do kenë qenë të vegjël ose palindur ende. Lajmi i Zarathustrës në fakt kishte kohë që qarkullonte nëpër Europë ndërsa filozofi gjerman thjesht po e thoshte atë troç e pa shumë zbukurime. Sipas Nietzsche-s zoti ishte larguar, madje ai nuk kishte qenë kurrë mes nesh, ai as nuk e kishte krijuar njeriun por ky i fundit e kishte shpikur atë që në krye të herës.

Pasi u nda me plakun Zarathustra vazhdoi zbritjen e tij drejt qytetërimit. Ai mbërriti në një qyteze dhe u drejtuar menjëherë për tek pazari i saj. Aty gjeti nje turmë të mbledhur duke pritur fillimin e një shfaqjeje ku një ekuilibrist po behej gati të niste performancën e tij. Zarathustra shfrytëzoi momentin, mori fjalën dhe ndër të tjera u tha dëgjuesve:

Vëllezër ju pergjërohem, qëndrojini besnikë tokës dhe mos u besoni atyre që ju flasin per shpresa jashtëtokësore! (Nietzsche, 1896)

Le t’i japim një kontekst tonin rrugëtimit të Zarathustrës. E zëmë se ato 10 vjetët ai i kaloi mbi Dajt dhe zbritja e tij drejt fushës e solli në Tiranë. Aty rrugicat e drejtuan drejt pazarit ekzaktësisht tek sheshi ku ishin mbledhur grupi i burrave të fotografisë. Ai i gjen ata ashtu të shkujdesur, mbështetur tek muri i varrezës dhe fillon t’u flasë. Fjalët e personazhit të Nietzsche-s në fillim priten me humor, degjuesit zënë ta qeshin e ta përqeshin lajmëtarin, ai me siguri do jetë ndonjë i çmendur. Por lajmëtari insiston, ndërsa fjalët e tij duke parë reagimin zënë e bëhen më therëse, derisa publikisht ai shpall lajmin e kobshëm, pikërisht atë që pati hezituar t’ia thoshte plakut. Ato fjalë do të ishin shqetësuese, turbulluese, të tmerrshme, të papranueshme për tregtarët tiranas. Ata sapo ishin bërë dëshmitarë të një blasfemie. Paskësaj reagimi i radhës do të ishte me siguri nervoz, ato do ta shtynin me urrejtje Zarathustrën e në rastin më të mirë do ta zbonin atë nga sheshi, nga Tirana, duke e goditur me gurë e me çdo gjë që gjenin.

Lajmësi largohet, por fjalët e tij kanë ngecur në veshët e burrave, e prej aty kanë filluar të rrokullisen drejt ndërgjegjes së tyre. Të jetë e vërtetë vallë, Zoti nuk është më? Ata fillojnë e shohin vërdallë, mjedisi rrotull tyre nuk është më i njëjti. Toka, shtëpitë, pemët, trupat e tyre sikur janë veshur me tjetër kuptim, pasi nëse ai i çmënduri që sapo zbuan do kishte të drejtë atëherë ato janë çdo gjë, çdo kuptim duhet kërkuar brenda përkohësisë së tyre tokësore dhe jo nëpër vise të dyshimta qiellore.

Shumë shpejt ata kujtohen edhe për varrezën, vetvetiu i largohen murit të saj, afërsia me atë vend befas bëhet e rëndë, e bezdishme.

Kulti i trupit

Ideja e një bote racionale, që ndjek rrjedhën e saj e ndikuar nga ligjet e natyrës e patrazuar nga ndikime hyjnore qarkullonte prej shekujsh në botën perëndimore. Në esenë e tij “Mbi pavdekësinë e shpirtit”, Hume hedh dyshime mbi përjetësinë gjërave jomateriale, të mendimit dhe shpirtit. Sipas tij shpirti dhe trupi lindin rriten dhe vdesin bashkë. Ai sheh ngjashmëri mes zhvillimit trupor dhe shpirtëror të njeriut. Duke nisur nga këto afërsi ai argumenton dhe mbi fatin e tyre, i cili s’ka pse mos të jetë i njëjtë:

“Dobësia e trupit dhe e mendjes në fëmijëri janë ekzaktësisht të përpjesëtuara; fuqia e tyre në burrëri; rrëmuja e ndërsjellë në sëmundje; rënia e përbashkët në pleqëri. Hapi i mëtejshëm duket i pashmangshëm; shpërbërja e përbashkët në vdekje” (Hume, 2007)

Esenë, Hume e përgatiti për botim në vitin 1755, por në fund nuk guxoi ta bënte publike, dorëshkrimi u shtyp vetëm në 1777-ën, pas vdekjes së tij dhe gjithsesi pa emër. Në atë shkrim David Hume vinte në dyshim në mënyrë të drejtpërdrejtë ekzistencën e shpirtit, 150 vjet pas vrasjes së Xhordano Brunos në 1600-ën. Filozofin italian jo vetëm që e dogjën në turrën e druve por ia ndalën dhe fjalën deri në çastin e fundit duke e ekzektuar me gjuhën lidhur (Aquilecchia), ndërsa vetëm fakti që Hume i lejonte vetes që ta konsideronte botimin e esesë së tij tregon që kohët kishin ndryshuar shumë.

Në Francën e vitit 1776, përmes një dekreti mbretëror vendoset ndalja e praktikës së varrimit në sheshin e kishës dhe mbyllja e varrezave të vjetra. Eshtrat do të zhvendoseshin në katakomba ekzistuese ndërsa bashkitë duhet të blinin parcela jashtë qytetit. Vendimi tjetër edhe më i rëndësishëm do të shpallej gjatë regjimit të Napoleonit përmes dekretit të 1804-ës. Rregullat e vendosura në këtë dekret ishin më të qarta, por mbi të gjitha ato i bënin bashkitë përfundimisht administratore të varrezave. Përtej arsyeve utilitare që çuan në këto vendime, që kishin të bënin kryesisht me higjenën dhe shëndetin nuk mund të lihet në hije aspekti tjetër, që administrimi i trupit pas vdekjes do të bëhej nga autoritetet civile. Nxjerrja mënjanë e kishës do të thotë që marrëdhënia mes trupit dhe shpirtit nuk ishtë më e rëndësishme për shtetin, madje zyrtarisht ajo as nuk ekzistonte më. Përtej dekreteve, konfliktet për të drejtën e administrimit të trupit mes autoriteteve fetare dhe civile do vazhdonin gjatë dhe do të ishin të shumta por vijimësia ishte e e pakthyeshme. Ekzistenca e shpirtit do t’i përkiste gjithnjë më tepër hapësirës së besimeve personale ndërsa shoqëria do të funksionojë gjithnjë e më tepër si një strukturë laike që e konsideron ekzistencën njerëzore si realitet tokësor dhe të përkohshëm. Ky ndryshim, siç shkruan Foucault, pati një kundërefekt të çuditshëm:

“…ndërsa qytetërimi po bëhej, thënë pamëshirshëm “ateist”, kultura perëndimore ndërtoi të ashtuquajturin kult i të vdekurit” (Foucault, 1967)

Pra atëherë njeriu i pasigurt në vazhdimësinë jashtëtokësore të ekzistencës së tij, fillon t’i kushtojë gjithnjë e më tepër rëndësi eshtrave pasi ato ishin e vetmja gjurmë që ai ishte i sigurt që do e linte pas (Foucault, 1967). Varrezat e mëdha urbane që nisën të ndërtoheshin nëpër rrethina qytetesh në Europën e shekullit të nëntëmbëdhjetë filluan të mbusheshin me përkujtimore madhështorë, me stile ekzotike (Glancey, 2015) , objektet që popullonin qytetin e të vdekurve ishin dhe më të pasura se ato të qytetit të të gjallëve. Njeriu modern, le të themi, i rritur pas vdekjes konceptuale të Zotit, dëshiron të lërë një shenjë në tokë ndërsa deri dje ai e mbyllte natyrshëm ekzistencën në anonimat, në varreza të përbashkëta pa emra të përveçëm.

Zoti jetonte ende në Tiranë

Në mbyllje të këtij shkrimi e kemi të paktën një përgjigje për sjelljen e tiranasve të fotografisë. Shpengimi i tyre nuk vinte nga mungesa e respektit ndaj varrezës. Arsyen e indiferencës së tyre e shpjegon më së miri Foucault në esenë e tij “Mbi hapësirat e tjera: utopitë dhe heterotopitë”:

“…në kohët kur besimi në ringjalljen e trupave dhe pavdekshmërinë e shpirtit ishte i vërtetë, nuk u jepej shumë rëndësisë eshtrave” (Foucault, 1967).

Për banorët e Tiranës së fillimshekullit XX, hapësira përtej murit të gurtë ishtë e natyrshme, aty gjendeshin mbetjet fizike të të afërmve të tyre, të cilat ishin të përkohshme në krahasim me shpirtrat e tyre. Dhe shpirtin ata e kishin tjetërkund, përtej portikatit të xhamisë së “Et’hem Beut”, mbi rrumbullaksinë e kubesë, atje lart në qiell sipas drejtimit të shenjuar nga minarja e bardhë.

Varreza buzë pazarit do të vazhdonte të ishtë në qendër të qytetit edhe për disa vjet, edhe për pak, ajo do të ishte:

“Zemra e shenjtë dhe e pavdekshme e qytetit”[3] (Foucault, 1967)

Shpejt gjërat do të ndryshonin. Tirana në fund të luftës së parë botërore, që me gjasë ishte dhe arsyeja e pranisë së autorit të fotografisë tonë, do të bëhej kryeqytet. Fatin e varrezave të dikurshme ndër të tjera na e thotë mes rrjeshtave të kujtimeve Satin Saraçi, bashkëpunëtori, në fillim i afërt e më vonë i qejfmbetur, i Ahmet Zogut:

“Zogu guxoi t’i kthente varrezat e mëdha muhamedane ( zakonisht të vendosura në zemrat e çdo qyteti) në parqe të bukura” (Saraçi, 1940)[4]

Vendbanimi modest shpejt do të behej qendra e shtetit modern shqiptar të ndërtuar mbi shembuj perëndimorë. Zemrat e reja të qytetit do të bëheshin, rrugët e drejta, parqet, sheshet e gjëra me monumente dhe ndërtesa gjithnjë e më madhështore.

(c) 2022 Endrit Marku. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


Bibliografia

Aquilecchia, G. (n.d.). Giordano Bruno. Encyclopedia Britannica. Retrieved from https://www.britannica.com/biography/Giordano-Bruno

Barthes, R. (1977). The death of the author. In Image, music, text (S. Heath, Trans., pp. 142-148). London: London.

Elsie, R. (2022). www.elsie.de. Retrieved from ëëë.albanianphotography.net: http://www.albanianphotography.net/purger/

Foucault, M. (1967, March). Of Other Spaces: Utopias and Heterotopias. Architecture /Mouvement/ Continuité.

Frashëri, K. (2004). Historia e Tiranës, Vëll. 1. Tirana: Toena.

Glancey, J. (2015). Tombs with a view: The city cemetery. Retrieved from BBC: https://www.bbc.com/culture/article/20150120-tombs-with-a-view

Hume, D. (2007). ‘Of the Immortality of the Soul’. In D. Hume, & P. MILLICAN (Ed.), An Enquiry concerning Human Understanding (p. 590). New York: Oxford University Press.

Lear, E. (2008). Edward Lear in Albania: Journals of a Landscape Painter in the Balkans. (R. E. Bejtullah Destani, Ed.) London.

Nastradini. (n.d.). Nastradini. Tiranë: Argeta LMG.

Nietzsche, F. (1896). Thus Spake Zarathustra. London: Macmillian and Co ltd.

Saraçi, Ç. (1940). “King Zog of the Albanians: the Inside Story”.


[1] Data e shënuar në kartolinën e Purger & Co është, e martë, 8 tetor 2018. Nga një vështrim peizazhit, i pemëve pa gjethe dhe hapësirave plot me njerëz, me gjasë foto është bërë më vonë sesa tetori, nëntor ose dhjetor, në një prej të enjteve të pazarit javor.

[2] Marrë nga: http://www.albanianhistory.net/1848_Lear/index.html

[3] Citimi i plotë i Foucault flet për varrezat në Europë deri në shekullin XIX

[4] Marrë nga: http://www.albanianhistory.net/1940_Sarachi_Zog/index.html

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin