MITI I RIKTHIMIT NË POEZINË “NOSTOS” TË LOUISE GLÜCK

nga Marsela Neni

Louise Glück është një poete dhe eseiste amerikane e lindur në vitin 1943 në Nju Jork. Fituese e çmimit Pulitzer me përmbledhjen poetike “Irisi i egër” (The Wild Iris, 1993), si dhe fituese e një sërë çmimesh kombëtare e ndërkombëtare, ajo u vlerësua me Çmimin Nobel për Letërsinë në vitin 2020 me motivacionin “për zërin e saj të pagabueshëm poetik që me bukuri të ashpër e bën ekzistencën individuale universale”.

Poezia e Glück që në fillimet e saj ka ndjekur një kurs individual të dallueshëm nga poezia e shumë bashkëkohësve të saj. Ajo i bindi kritikët për stilin e kontrolluar dhe elegant me të cilin krijon sekuenca të gjata narrative me elemente autobiografike që të kujton poezinë e R. Lowell, S. Plath dhe A. Sexton, si dhe për nga qartësia, ashpërsia dhe dëshira për të qenë një poezi universale ofron ngjashmëri me poezinë e Emily Dickinson.

Poezia e saj është cilësuar si një “poezi e mendjes së hapur, që i reziston me ngulm mendësisë së mbyllur, që nuk heq dorë nga intensiteti lirik, por pa u përpjekur për një pajtim të lirikës dhe filozofisë në dëm dhe zvogëlim të të dyjave“. Glück ka arritur një lloj bashkimi ku të dy disiplinat mbeten të fuqishme. Poezia e saj nuk është aq shumë një meditim për botën, por një angazhim pasionant i vetvetes me ekzistencën e vet.

Në këtë shkrim dëshiroj të ndalem në një poezi të veçantë, por që trajton një motiv të pranishëm thuajse në të gjithë krijimtarinë e saj.

Poezia Nostos përfshihet në vëllimin poetik “Livadhe” (Meadowlands) dhe është botuar në New York më 1996. Kjo poezi ndër të tjera poezi të kësaj poeteje më tërhoqi që në lexim të parë me titullin e saj të veçantë. Çfarë ka të veçantë titulli i kësaj poezie? Fillimisht ju ftoj të shpenzoni pak kohë për leximin e poezisë.

Nostos

Ishte një pemë molle në oborr –
ndoshta duhet të ketë qenë
dyzet vjet më parë – pas saj,
vetëm livadhe. Tufat
e shafranit në barin e lagur.
Unë qëndroja në atë dritare:
fundprilli. Lule pranvere
në kopshtin e fqinjit.
Sa herë, në të vërtetë, ajo pemë
lulëzoi për ditëlindjen time,
pikërisht atë ditë, jo
para, jo pas? E pandryshueshmja
që zëvendëson
atë që ndryshon, që evoluon.
Imazhi që zë vendin
e tokës pjellore. Çfarë
di për këtë vend,
rolin e pemës për dekada
e luajti një Bonsai, zëra
që vijnë nga fushat e tenisit.
Aroma e barit të sapoprerë.
Ajo çka pritet nga një poet lirik.
Ne e shohim botën veç një herë, në fëmijëri.
Të tjerat janë thjesht kujtime.

(Solli poezinë në shqip nga anglishtja: M. Neni)

Titulli i kësaj poezie evokoi në mendjen time sa e sa herë nostos është transportuar si koncept që prej letërsisë antike greke, ku më i famshëm njihet ai i luftëtarëve legjendarë grekë që kthehen në shtëpi pas një dekade prej luftës së Trojës, më i famshmi prej të cilëve është ai i Odisesë. Nostos-i i Odisesë rrëfyer përmes vargjesh nga Homeri në veprën e tij “Odisea” i referohet pikërisht udhëtimit të tij të kthimit në Itakë, udhëtim plot me aventura, peripeci e të papritura.

Nostos (nga greqishtja e vjetër νόστος) është një term-temë që i referohet kthimit të një heroi epik nga deti. Sipas shënimeve në wikipedia, për të krijuar fjalën nostalgji, (e cila u krijua për herë të parë si term mjekësor në 1688 nga Johannes Hofer (1669-1752), një student zviceran i mjekësisë), u përdor fjala nostos (νόστος) së bashku me një rrënjë tjetër greke, algos (άλγος), që do të thotë dhimbje, për të përshkruar gjendjen psikologjike të mallit për të kaluarën.

Nostos është një fjalë që ende përdoret në letërsi dhe kinematografi. Në veprën “Uliksi” të Xhejms Xhojs, pjesa e fundit (episodet 16-18), gjatë së cilës Leopold Blumi kthehet në shtëpi, quhet Nostos. Një përshkrim tjetër i nostos në mediat bashkëkohore do të ishte shembulli i filmit “Herkuli i çliruar” (Hercules Unchained), film i vitit 1959. Po kështu udhëtimi i anijes kozmike në serialin televiziv “Star Trek”, e cila ishte bllokuar 70,000 vite dritë nga Toka dhe ndeshet me shumë të huaj armiqësorë dhe miqësorë si dhe dukuri të çuditshme gjatë rrugës për në shtëpi, është përshkruar si nostos.

Çfarë domethënieje fsheh ky koncept-titull në poezinë e Louise Glück?

Fillimisht bëjmë një lexim të parafrazuar të tekstit:

Vargjet 1-16: Një grua kthehet, pas shumë vitesh (“ndoshta duhet të ketë qenë/dyzet vjet më parë…”) në vendet e fëmijërisë së saj. Ajo kujton peizazhin e thjeshtë, idilik, që shihte nga dritarja e saj kur ishte fëmijë, dhe, gjithashtu kujton një rrethanë të çuditshme: pema e mollës para shtëpisë gjithmonë lulëzonte pikërisht në ditën e datëlindjes së saj, si për të dhënë një shenjë të këmbënguljes, të vazhdimësisë, ndërsa gjithçka përreth saj transformohej (ashtu siç ajo vetë transformohej, duke u rritur).

Vargjet 17-23: Tani gjithçka ka ndryshuar: vajza e vogël është zhdukur, zëri që flet është i një gruaje të pjekur. “Rolin e pemës për dekada / e luajti një Bonsai”- ndoshta, sapo ajo u largua nga fshati ku jetoi si fëmijë, iu desh të jetonte në një apartament në qytet, dhe këtu të kënaqej me një pemë në miniaturë, një nga ato Bonsai, të cilat në fakt ishin në modë disa vjet më parë. Pastaj zërat e tenistëve (fushat dikur të kultivuara ishin bërë fusha loje) e rikthejnë atë në të tashmen, në zhurmat dhe aromat (bari i prerë rishtas) që e rrethojnë.

Vargjet 24-26: Një vëzhgim gati ironik: e gjithë kjo, kjo natyrë, kjo ndjenjë nostalgjie që fshihet ndër fjalë, si një tis i padukshëm, është “ajo që pritet nga një poet lirik”. Dhe pastaj janë dy vargjet e fundit, ku qëndron dhe mrekullia e kësaj poezie, të cilat duket se nuk kanë asnjë lidhje me ato që i paraprijnë. A nuk po e përshkruante shtëpinë e saj të fëmijërisë? A nuk po fliste për tenistë? Çfarë do të thotë me “Ne e shohim botën veç një herë, si fëmijë. / Të tjerat janë thjesht kujtime”? Ndoshta, përshtypjet e fëmijërisë janë të pashlyeshme? Ndoshta…sado të përpiqemi, nuk do të jemi kurrë në gjendje të ndryshojmë pamjen e gjërave dhe gjendjeve që kemi jetuar e përjetuar në vitet e para të jetës?… Çdo lloj parafrazimi do të ishte i paplotë. Bukuria e këtyre dy vargjeve të fundit qëndron pikërisht në atë që sugjerojnë pa e thënë në mënyrë të qartë.

Udhëtim përmes kujtesës

Sipas G. Bloch, Glück e përdor fjalën greke “nostos” në këtë poezi për rikthimin përmes kujtesës. I mjafton një konstatim, një imazh i munguar (pema e mollës nuk është më/ folja që tregon imazhin përdoret në të shkuarën) që ajo përmes retrospektivës të përjetojë ‘një nostos psiko-emocional’. Me sytë e mendjes ajo kujton një pemë molle që kishte qenë në oborr dyzet vjet më parë, livadhet pas pemës, tufat e shafranit në barin e lagur dhe lulet e pranverës në oborrin e fqinjit të saj. Një fakt që poeten e habit dhe e bën të pyesë veten, është fakti që pema lulëzonte çdo herë në të njëjtën ditë, në ditëlindjen e saj. “Zëvendësimi i asaj që ndryshon, evoluon, me të pandryshueshmen, zëvendësimi i tokës pjellore (përherë në ndryshim, në ripërtëritje) me imazhin për të (imazhi- një çast i papërsëritshëm në kohë, i ngurtë, arbitrar, jopjellor, shpesh i gënjeshtërt; një vdekje e çastit), e ndihmojnë poeten të kuptojë se “Ne e shohim botën veç një herë, në fëmijëri. Pjesa tjetër janë kujtime”. Ajo që ne besonim se ishte e vërtetë, që dinim të ishte e vërtetë, është ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme.” Ajo që ka mbetur është nostos, kujtesa jonë për “shtëpinë” (vendit të cilit i përkasim, vendi ku ndihemi të mirëpritur, vendi nga i cili vijmë, të cilin s’duhet ta harrojmë nëse duhet të shkojmë në të ardhmen, nëse duam të rilindim sërish; vetja jonë), dhe ndjenja nostalgjike e kthimit në shtëpi. Po e vërteta? A duhet gërmuar në kujtesë për ta gjetur atë?

Simbolika dhe teknika poetike

Louise Glück në krijimtarinë e saj letrare i drejtohet shpesh formave elementare krijuese, veçanërisht atyre prej antikitetit grek. Që në titull i referohet diçkaje që i është trashëguar poetikes përmes mitit. Tri vargjet e para me thjeshtësinë e tyre dhe kohën pa kohë të rrëfimit poetik, të japin përshtypjen se së shpejti do t’i qasemi diçkaje të largët, së shkuarës, fëmijërisë, asaj jete që i ngjan paksa përrallës: e besueshme, dhe e pabesueshme në të njëjtën kohë, magjike dhe e ngjarë. Atë çka nuk e thonë dot 100 histori, arrin ta përcjelli fraza e parë e një përrallë “Ishte një pemë molle në oborr/ ndoshta duhet të ketë qenë/dyzet vjet më parë…”

Pavarësisht detajeve personale, poezia e Glück nuk është konfesionale, por çdo rikthim së pari është një rikthim te vetja. A nuk jemi ne udhëtarë të vetmuar në këtë botë? A nuk është rruga jonë unike? A nuk është stacioni i mbërritjes, një stacion universal ku përbashkohemi dhe bëhemi njësh me rrugën dhe rrugëtimin? Çfarë ndodh?! Përse e humbim rrugën?! Përse devijojmë?! Përse e bjerrim qëllimin?!

Retrospektiva në realet poetike të fëmijërisë ia lë vendin përmendjes poetike përmes përvojës shqisore:

  1. Vizuale: Pema e mollës nuk është më, një Bonsai në miniaturë ka zëvendësuar atë që simbolizon sipas shkrimit biblik pemën e njohjes të së mirës dhe së keqes. Livadhet pa fund pas saj dikur, sot janë kthyer në fusha tenisi për argëtim. Gjithçka sipërfaqësore që ka zëvendësuar thelbin. (Një Bonsai në një kënd të dhomës së studimit: nuk ta krijon dot ndjesinë që përftohet nga të qëndruarit ulur mbi rrënjët e një peme molle; i pafryti, sado i këndshëm, nuk ta fal dot shijen e frytit, të dobishmërisë, të trashëgimisë, të përplotësisë, të vazhdueshmërisë; nga mungesa e mollës që s’bie, nuk lind dot drita, graviteti, Ajnshtajnët).
  2. Auditive: Më nuk ndihen zhurma zogjsh e puhiza çka e frymëzojnë poetin, por zhurmë topash e njerëzish. Zhurmat që vijnë nga fushat e tenisit, sado të gëzueshëm e të zhurmshëm, nuk shkaktojnë te poeti, efektin që krijon zhurma e mijëra cicërima zogjsh ndër livadhe, erës që fryn e fërfëllin mbi barin e lindur në një liri të egër, të natyrshme.
  3. E të nuhaturit: Aroma e barit të sapoprerë e përmend tërësisht. Ç’jetë bën një tufë bari që e qethin zero si një ushtar, që ia ndërpresin rritjen e natyrshme, që e inkuadrojnë me gërshërë e korrëse të hekurta. A mos është aroma që lëshon ai, dhimbja për kurmin e ndarë në mes, e qenies pa liri?

Kjo botë e sotme, ironike, a mund të besojë vërtet se gjërat mund të ndreqen dhe mund të kthehen pas, kur njeriu e ka zhbjerrë kuptimin e ka zëvendësuar përmbajtjen me formën dhe tani e njeh botën veç përmes imazheve e sipërfaqësores. Po poeti?

 

Kthim tek e vërteta- Kthim në pafajësi

E vërteta sipas Glück na shfaqet veç një herë, në fëmijëri. Vetë fjala fëmijëri evokon fjalën pafajësi. Për fëmijën e vërteta është një gjendje që përjetohet, që manifestohet kudo në natyrë, jashtë dhe brenda nesh, por fëmija është i paaftë ta kuptojë rëndësinë e këtij zbulimi. Shpirti i tij „korruptohet nga bota dhe ai e humb “tokën pjellore”, “tokën e amshuar”, “Kopshtin e Edenit”, duke e zëvendësuar atë me të vërteta relative.

Teksa përpiqesha të lexoja midis vargjeve, më erdhi ndërmend rebelimi i Ivan Karamazovit përballë të vëllait Alioshës (“Vëllezërit Karamazov” F. Dostojevski) ndërsa flasin për vuajtjet e padrejta të fëmijëve për shkak se etërit e tyre kanë ngrënë “mollën e ndaluar” dhe se si në atë bashkëbisedim të çlirët vëllazëror më ka bërë përshtypje diçka që po e parafrazoj: Fëmija quhet miturak deri para se të mbushë 7 vjeç. Deri në këtë moshë ata janë qenie të një natyre tjetër, që ndryshon kryekëput dhe dukshëm nga ajo e të rriturve.

Atëherë cila është bota e njëmendtë, ajo që njihet përmes syve puritanë e shpirtit të pafajshëm të fëmijëve, mendjes së tyre të bukur, të dëlirë, kur ende s’ka hyrë krimbi i korrupsionit dhe i konformizmit? Cilët jetojnë një jetë të gënjeshtër: fëmijët apo ne, të rriturit?

Poeti, përmes krijimit, arrin ta kujtojë shtegun e kthimit, na thotë Glück.

Vargjet e Louisës kanë fuqinë të të lexojnë dhe të të transportojnë sapo nis t’i kuptosh. Është një përvojë e ngjashme me si të ishe duke dëgjuar “Return to innocence” të Enigmës, veçse, kjo e fundit i flet mendjes përmes zemrës, ndryshe nga poezitë e Glück që i flasin zemrës përmes mendjes.

(c) 2022 Marsela Neni. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: Photo by Syh on Unsplash.

Rreth Autorit

Marsela Neni (Haxhimusai): Lindur në Elbasan. Autore e vëllimit poetik "Nântë herë grue"; bashkautore e një sërë tekstesh shkollore të Gjuhës shqipe dhe të Letërsisë në AML; ish-lektore e lëndës së semiologjisë në UE. Aktualisht arsimtare dhe trajnuese kombëtare pranë "Filara Education".

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin