SHËNIME NË DITARIN E ARTIT BASHKËKOHOR NË SHQIPËRI

nga Gresa Hasa

Mungesa e një historiografie të ngjarjeve artistike (por jo vetëm) përgjatë këtyre tri dekadave në Shqipëri ka ndikuar asisoj saqë kontributet e radhës të ofruara paraqiten vazhdimisht si risi. Ky boshllëk dokumentimi dhe ndërlidhjeje të ngjarjeve, që kanë ndodhur më herët, jo vetëm që nuk lë shkas për ofrimin e perspektivave, të cilat mund të çelen nga puna krahasimore. por gjithashtu i kontribuon asgjësimit të mëtejshëm të asaj që mund të ketë mbetur në këtë çast në kohë nga kujtesa jonë kolektive. Nevoja për ta kuptuar më mirë të tashmen, përmes shpërfaqjes të së shkuarës dhe përpjekjes për ta kontekstualizuar pikërisht këtë diskrepancë 30-vjeçare, vërehet tek ekspozita “Diaries” (“Ditarët”), që u kurua gjatë verës në mjedisin e nëndheshëm të “Destil Creative Hub” në Tiranë.

“Ditarët” është prodhim i Institutit “Bulevard” për Median dhe Artin, që përcolli nën kujdesin e tregimtares Valentina Bonizzi dhe historianit të artit Raino Isto veprimtarinë e qendrës kulturore “Lindart” (2000). Kjo qendër u krijua si nismë e shoqatës “Linda”, e para dhe e vetmja shoqatë e grave artiste në Shqipëri në fillim të tranzicionit. Ajo u konceptua në ‘93 dhe u zyrtarizua si qendër funksionale vetëm një vit më vonë prej 14 grave, të cilat patën qenë aktive në skenën artistike të kohës.

Fotografi të ngjarjeve dhe aktiviteteve gjatë kësaj periudhe, të printuara në pëlhura të gjata, gjysmësintetike, u përshtatën kronologjikisht në hapësirën e “Bulevardit”, si komponenti kyç i ekspozitës. Kujdesi ndaj detajeve, si për shembull, përzgjedhja e materialit të pëlhurave për instalacionin, ishte e qëllimtë nga ana e  kuratorëve, të cilët kërkonin t’i krijonin publikut mundësinë për të ndërvepruar me arkivin edhe përmes prekjes. Çdo pëlhurë, krahas fotografive, pati të integruara edhe shënimet personale të kuratorëve gjatë punës së tyre me materialet arkivore. “Njëfarësoj dëshironim që kjo përvojë të ishte sa më personale, çka shpjegon vendimin për t’i printuar fotografitë, së bashku me komunikimet e shkruara tonat”, thotë Valentina.

Foto © Bulevard Art and Media Institute | Indrit Skendaj

Në hapësirën përbri, një ekran i ndriçuar fort i ftonte të pranishmit drejt një kalendari në të cilin ishin shënjuar aktivitetet kryesore kulturore dhe politike, që zunë fill në Shqipëri prej vitit 1990 deri në vitin 2010, vit kur qendra “Lindart” u shpërbë. Ky kalendar e kontekstualizonte ekzistencën dhe veprimtarinë e shoqatës brenda periudhës së tranzicionit, e njëkohësisht ofronte njëfarë orientimi përgjatë atyre viteve.

“Ideja se Edi Muka është i pari kurator në Shqipëri apo se gjithçka ka nisur në vitet 2000 kur Edi Rama mori pushtetin si kryetar bashkie reflekton një qasje reduktuese”, thotë Raino. “Është krijuar përshtypja e rreme se në vitet ‘90 nuk ka ndodhur thuajse asgjë përpos trazirave politike. Ndërkohë në këtë periudhë kemi disa ngjarje, që ndërthuren njëra me tjetrën”.

Foto © Bulevard Art and Media Institute | Indrit Skendaj

Sipas tij, kalendari është parë edhe si përpjekje për të nxitur një komunikim ndërbreznor. Brezi i ri di pak ose aspak mbi këtë periudhë, pasi mungon një historiografi e ngjarjeve dhe e kontekstit të kohës.

Për Rainon ekspozita mbart rëndësi të veçantë edhe për faktin se ajo ndodhi këtë vit, pikërisht kur Shqipëria u prezantua në Bienalen e Venecias përmes punës së Lumturi Blloshmit, një nga anëtaret themeluese të shoqatës “Linda” dhe qendrës kulturore “Lindart”.

Blloshmi u nda nga jeta në fund të vitit 2020 në mjediset e Spitalit Infektiv në Tiranë, pas tri javësh betejë me Covid19. “Pas largimit të Lumes nuk donim të prisnim më. E konsideruam angazhimin tonë me ekspozitën diçka urgjente, sepse po humbnim njerëz”, thotë Valentina.

“Ditarët” ndihmoi duke ofruar një kontekst më të gjerë mbi sfondin në të cilin u mbrujt kjo artiste dhe kontributin që ajo dha në artin vizual në Shqipëri. Kjo ekspozitë synoi t’i ofronte një perspektivë komunitare, historisë individuale.

“Të kushtuarit vëmendje rrjetit të grave artiste që e ndikuan Lumen, miqësia mes tyre, solidariteti dhe grupi i përkrahjes në të cilin ato ishin shndërruar për njëra-tjetrën, janë të rëndësishme për historinë e artit në përgjithësi, por sidomos kur bëhet fjalë për artin e grave”, thotë Raino. “Ajo se çfarë më tërhoqi te dedikimi i Valentinës ishte qasja rrëfimtare e saj, që përputhet me praktikën e të shkruarit histori feministe në tërësi. Personalja ofron këtu modelin e një lloj ekspozite, e cila është më e përqendruar te kolektivja dhe ndërtimi i komuniteteve”.

“Ditarët” është konceptuar si një ekspozitë në zhvillim nga Valentina Bonizzi dhe Sonila Abdalli, të dyja bashkëthemeluese të institutit “Bulevard”, në përpjekjen për të banuar arkiva personalë, përkundër atyre zyrtarë. Ndihmë madhore për sjelljen në jetë të ekspozitës ka ofruar Eleni Laperi, bashkëthemeluese dhe drejtuese e shoqatës “Linda” (dhe më pas e qendrës kulturore “Lindart”) dhe Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit (IAKSA) në Tiranë.

Të gjitha materialet origjinale të “Lindart” i përkasin arkivit personal të Elenit, e cila i grumbulloi ato pas mbylljes së Qendrës dhe vazhdon ende t’i ruajë në shtëpinë e saj. Valentina rrëfen se ideja për këtë ekspozitë ka lindur rreth dy vite më parë kur ajo ra në kontakt me Elenin dhe mësoi për punën e saj.

“Mua më intrigoi mënyra e tyre e të organizuarit, që jo domosdoshmërisht mund të konsiderohet kolektive. Arrita të shquaj një potencial të jashtëzakonshëm te këto gra dhe marrëdhënia mes tyre”, rrëfen Valentina ndërsa njëkohësisht shprehet mbi sfidat e procesit të arkivimit, që sipas saj kërkon profesionalizëm, eksperiencë dhe përkrahje financiare.

“Ministria e Kulturës nuk na mori parasysh. Megjithatë, ne zgjodhëm ta ftonim [ministren] Elva Margariti në çeljen e ekspozitës, sepse menduam që për “Lindartin” një prani e tillë institucionale mund të ishte e rëndësishme”, thotë ajo.

Në anën tjetër, Raino Isto shprehet në mënyrë më kritike ndaj pranisë së ministres Margariti gjatë hapjes së “Ditarëve”.

“E konsideroj hipokrite praninë e znj. Margariti në ekspozitë, një ekspozitë të cilën, së pari, ajo refuzoi ta përkrahte. Ndër të tjera e kam të pamundur të mos tregohem cinik kur mendoj se Ministria e Kulturës priti deri kur Lumja të ndahej nga jeta për t’i kushtuar asaj vëmendje”, thotë ai. Sipas tij, kjo vëmendje do të duhej të kishte ardhur më herët dhe “Ditarët” u kujdes që të nxirrte në pah pikërisht braktisjen e këtyre artisteve nga shteti.

“Kemi zhvilluar aktivitete të ndryshme, një pjesë të të cilave jemi detyruar t’i mbulojmë me paratë tona”, thotë Eleni.

Fillimisht e përkrahur për gjashtë vite nga fondacioni zviceran “Pro Helvetia”, “Lindart” iu nënshtrua të njëjtave sfida si shumë nisma të tjera artistike dhe civile në vend, derisa u mbyll për shkaqe financiare.

“Një pjesë e mirë e kohës dhe energjive, që supozohet t’i dedikohen krijimtarisë, studimit apo bërjes art, shkonte për gjueti fondesh, ruajtje të komunikimit me rrjetin e donatorëve të mundshëm shkrimin e projekteve, përpilimin e raporteve, mbarëvajtjen financiare etj. Nuk mundeshim më”, tregon Eleni. Ndër të tjera, ajo shprehet për mënyrën se si korrupsioni u sistematizua në shoqëri dhe se me kalimin e kohës shumëçka ndryshoi edhe për sa i përket përzgjedhjes së projekteve fituese. “Nëse në fillim projektet përzgjidheshin në bazë të vlerës së tyre artistike, më vonë ato nisën të përzgjidhen në bazë të njohjeve të duhura. Hapësira artistike u kthye në biznes dhe gradualisht u monopolizua”, vazhdon ajo.

Eleni tregon se si së bashku me gratë artiste të shoqatës “Linda” janë munduar kahera të gjejnë zgjidhje për sa i përket përkrahjes së artit dhe artiste/ëve në Shqipëri, rëndom duke i sugjeruar Ministrisë së Kulturës alternativa mbi mundësinë e një përkrahjeje afatgjatë dhe serioze. Një propozim i tillë ka qenë, për shembull, arsyetimi mbi mbajtjen, përmes një takse të veçantë, e 1% të fitimit prej kompanive të ndërtimit, për artiste/ët dhe veprat artistike në vend. Një ide kjo e fituar pas një bisede të gjatë me Zëvendëskryeministrin holandez, në 1994, mbi mënyrat e përkrahjes së artistë/eve në Holandë.

“Njëra nga ministret e kulturës më rrëfeu dikur se propozimi ynë asokohe nuk u miratua, duke qenë se, sipas saj, një pjesë e mirë e deputetëve ishin vetë ndërtues dhe preferonin të mos kishin asnjë humbje”, rrëfen Eleni.

Skena artistike dhe sidomos arti bashkëkohor në Shqipëri kanë rënë prej kohësh në letargji. Pritshmëritë e një pjese të qytetarëve dhe artistëve në 2013, se një kryeministër i ardhur nga bota e artit do të mund të krijonte struktura që do të ndihmonin në zhvillimin e artit dhe përkrahjen e artistëve, u thyen shpejt. U krijua përshtypja se Edi Rama kryeministër po e përdorte pushtetin politik për t’i ardhur në ndihmë Edi Ramës artist, teksa Edi Rama artist po e përdorte skenën ndërkombëtare artistike për të përligjur abuzimet me pushtetin të Edi Ramës kryeministër. Kjo simbiozë, të mos qenët as plotësisht artist, as plotësisht politikan, vazhdon t’i kontribuojë refuzimit të përgjegjësisë që vjen me të dyja këto role nga Edi Rama.

“Korrupsioni është praktikë gjerësisht e shtrirë në botën e artit, thuajse kudo. Megjithatë, ajo se çka vërehet në Shqipëri është kombinimi i praktikës së Edi Ramës: mbajtja afër e një grushti artistësh në skenën ndërkombëtare, krahas polemikave që shoqërojnë komisionimin e punëve të ndryshme artistike prej tij dhe, në anën tjetër, servilizmi i një pjese të artistëve, që përfitojnë të mira nga ky kontakt i ngushtë me pushtetin”, thotë Raino. Sipas tij, artistët kujdesen të mos prodhojnë art kritik ndaj pushtetit, jo nga frika se do të arrestohen dhe do të përfundojnë në burg, por sepse, në këto kushte, të gjitha burimet e të ardhurave për ta rrezikojnë të priten.

“Në Shqipëri kemi të bëjmë me shkrirjen apo centralizimin e të gjithë skenës artistike në disa hapësira apo persona të caktuar, që nuk janë veçse zgjatim i pushtetit aktual, pavarësisht se duket sikur operojnë në mënyrë të pavarur apo ofrojnë ndonjë alternativë”, thotë Eriola Pira, punëtore dhe studiuese arti e bazuar në Nju-Jork. Në këto rrethana, sipas saj, artistët ballafaqohen me pak mundësi manovrimi, thuajse gjithmonë në njëfarë kompromisi me veten, qoftë kjo tërheqja nga të bërët art apo të paraqiturit e tij publikut shqiptar.

Sipas Eriolës, refreni i shumëpërsëritur se Shqipëria është një vend i varfër, që nuk ka para për artin, bie në kundërshtim me kontekstin aktual. Paraja publike, në këndvështrimin e saj, rrjedh lirshëm mes hapësirës së Ministrisë së Kulturës dhe institucioneve private të artit, rëndom monopol në skenën artistike shqiptare, të përfaqësuara nga të njëjtë/at aktorë/e. “Mbi të gjitha, nuk është se kemi përfituar art ‘të mirë’ nga këto subjekte, për ta justifikuar njëfarësoj ose toleruar këtë situatë. Ndaj, të vetmet forma kritike që ky pushtet meriton prej nesh janë protesta publike dhe sabotimi i vazhdueshëm.”, thotë ajo.

Teksa parimisht rezistenca ndaj sistemit nënkupton shkëputjen e çdo lidhjeje me këtë të fundit dhe gjetjen e mënyrave alternative për të vazhduar punën, sikurse ka provuar “DebatikCenter” pas tërheqjes nga marrëdhënia me pushtetin, jo të gjithë gëzojnë mundësinë financiare, por jo vetëm, për të pasur një qasje kaq radikale. Kjo prek në mënyrë të veçantë artistet gra, gjithashtu nëna, shpesh në situatën ku u duhet të prindërojnë të vetme, apo artiste/ët që u përkasin minoriteteve ose grupeve të margjinalizuara. Problemi me angazhimin artistik është që shpesh ai nuk konsiderohet profesion ose punë e mirëfilltë. Një ekspozitë si kjo për shoqatën “Linda” bën të qartë mungesën dhe nevojën për organizim sindikal, përpos ndërtimit të institucioneve të artit mes artistë/eve dhe punëtorë/eve të kulturës.

Sipas Eriolës, përpjekje të ndryshme për organizimin sindikal edhe gjatë pandemisë dështuan, e kjo vjen më së shumti, për arsye që lidhen me të shkuarën politike të vendit. “Megjithatë, kjo ndodh edhe për shkak të tëhuajsimit ndaj veprimtarisë kolektive e solidaritetit, si dhe pasigurisë endemike në artin bashkëkohor, që nxit të njëjtën rezistencë ndaj organizimit. Ndaj, nëse ka diçka që vërtet meriton të rifitohet nga ekzistenca e shoqatës ‘Linda’ është pikërisht potenciali për sindikalizëm dhe lloji i advokimit që vetëm një organizim i tillë e bën të mundur. Organizimi mund të shihet edhe si një akt krijimi, për të përfytyruar potencialin për ndryshim, në pritje për t’u jetëzuar (edhe) në skenën artistike,” vijon më tej ajo.

 

Kush e zotëron retorikën mbi të shkuarën në Shqipëri? 

Në këtë çast në kohë, paralelisht shpërfaqjes së arkivit të personalizuar të Qendrës Kulturore “Lindart” dhe punës arkivore të IAKSA-s, përpjekja arkivore shtrihet edhe te “DebatikCenter”, që harton historinë e ekspozitave, të cilat supozohet se nxjerrin në pah lidhjet midis politikës dhe artit apo te Galeria Kombëtare e Arteve, që bëri të qasshme tërësinë e koleksionit dhe arkivit të saj artistik.

Kjo përpjekje vazhdon gjithashtu edhe me Autoritetin e Dosjeve, që pretendon ta ketë lehtësuar qasjen te dosjet e Sigurimit të Shtetit, ku çdo qytetar/e, pas respektimit të procesit të detyruar institucional, mund të rrokë dosjen e vet personale dhe të këqyrë profilizimin e kryer nga aparati shtetëror i diktaturës.

Por, më tepër se transparencë, kjo praktikë duket se i shërben idesë së rreme se ka vullnet për zbardhjen e së shkuarës. A nuk prodhon kjo një lloj rifabrikimi të historisë, për aq kohë sa përgjegjësit e krimeve të komunizmit apo fundja ata që shkaktuan trazirat në ‘97 nuk janë identifikuar e për pasojë nuk janë përballur ende me drejtësinë?

“Mbingopja me transparencë, qasje dhe zbulime që paraqiten në mënyrë lëvduese, duket se krijojnë efektin e kundërt, një lloj rrafshimi dhe relativizimi”, shprehet Eriola.

Deri tanimë, ata që kanë përcaktuar rrjedhën historike të Shqipërisë, kanë qenë ose shqiptarë të pushtetshëm, ende në lidhje embrionale me të shkuarën, ose të huaj, që në disa raste kanë sjellë vështrime të vyera, por në të tjera kanë ofruar vetëm përvijime ekzotifikuese, të cunguara dhe kolonialiste.

E pyetur nëse i druhet njëfarë ekzotifikimi apo keqkuptimi të punës së saj, nën një lupë gjithsesi të huaj dhe jashtë kontekstit vendas, sikurse është kurimi i ekspozitës “Ditarët”, Eleni Laperi i përgjigjet: “Kam qenë kurioze të shoh se si do të perceptohej veprimtaria e ‘Lindartit’ së jashtmi. Kur lexova, për shembull, shkrimet e Rainos, dallova formimin e shëndoshë teorik të tij. Te ne mungon formimi me lëndët teorike, filozofinë dhe kritikën e artit. Edukimi është tej mase i rëndësishëm. Në këto tridhjetë vite, Shqipëria ka vuajtur dhe vazhdon të vuajë nga largimi i trurit: të rinj inteligjentë, që detyrohen të emigrojnë, shpesh përfundojnë duke u edukuar në institucione prestigjioze në vendin bujtës, por nuk kthehen më, ose nuk i vënë njohuritë e tyre në shërbim të shoqërisë këtu.”

Sipas Eriolës, kjo “archive fever” (koncept: “ethe arkivore”) në skenën e artit bashkëkohor në Shqipëri aktualisht, duket si një zhvillim i pritshëm, por jo më pak kurioz, drejt historicizimit dhe krijimit të miteve të tridhjetë viteve të fundit, që ngjasojnë me debatet e gjera historike në vend dhe përpjekjen për revizionizëm për sa i përket shkrimit të historisë dhe veçanërisht atij të historisë së artit.

“Nuk do të shkoja aq larg sa të thosha se përpjekjet e sotme për ta historicizuar artin bashkëkohor dhe për t’i paraprirë historisë janë po njësoj revizioniste, por të jemi të qartë: këto tentativa vazhdojnë të hartohen me kujdes nga aktorë të ndryshëm, shtetërorë apo privatë, që shpesh është e vështirë t’i dallosh, çka hedh dyshime mbi qasjen dhe motivet e tyre”, shprehet ajo më tej.

Eriola sjell shembullin e arkivimit të portofolit të artiste/ëve shqiptarë/e prej vitit 1991 dhe vënies së tyre në dispozicion të publikut dhe studiuesve nga “Harabeli”.

“Kanë qenë të paktë artistët të cilët e kanë refuzuar pjesëmarrjen në një projekt të tillë, veçanërisht në shenjë proteste të një vepre artistike të Sislej Xhafës në landfillin e Sharrës (një skenë krimi në lidhje të drejtpërdrejtë me pushtetin lokal). Ideja në një rrafsh më të gjerë është që ky çast arkivor që po ndodh të qaset nga një perspektivë kritike dhe puna arkivore të këqyret së afërmi për atë që shpërfaq, por sidomos për atë që nuk shpërfaq”, vazhdon ajo.

Nevoja për zotërimin dhe dominimin e hapësirës mbi historicizimin e artit tregon shumë për atë se çka rrezikohet gjatë punës me arkivat. Eriola i konsideron përpjekje të tilla si kjo me “Lindartin”, punën arkivore të “DebatikCenter” apo atë të Galerisë Kombëtare të Arteve, të vyera në vetvete. “Këto punë mbartin potencialin për ta rifituar, shtjelluar apo qoftë edhe kritikuar historinë, përtej narrativave madhështore e konformiste”, shprehet ajo.

Ekspozita “Ditarët” shërbeu si një ftesë në arkivin personal të qendrës “Lindart”, komunitetin e brendshëm të shoqatës “Linda” dhe rrugëtimin plot sfida nëpër të cilin u duhet të ngadhënjejnë grave artiste. Njëkohësisht, kjo ekspozitë pati meritën e vet në kontributin që i ofroi diskursit publik mbi marrëdhënien ende të ndërlikuar të Shqipërisë me të shkuarën, si dhe nevojën për një qasje feministe në dekonstruktimin e konteksteve shoqërore dhe politike përgjatë historisë. Më gjerë, përmes rrënimit në të shkuarën, ajo na ka ndihmuar të kërkojmë të zbërthejmë të tashmen, si dhe të kuptojmë më mirë kontekstin aktual mbi të cilin zhvillohet arti bashkëkohor në Shqipëri. Të kuptojmë, gjithashtu, punën dhe motivet që e shoqërojnë procesin arkivor edhe përtej botës së artit.

 

© Gresa Hasa, 2022

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin