PËR “ËNDRRAT DHE DASHURITË E NJË JETE”

nga Romeo Çollaku

Letërsia moderne, siç na është bërë shprehi të quajmë pothuajse gjithë prurjen letrare që nga gjysma e dytë e shekullit XIX e këndej, i arriti disa nga kulmet e saj pikërisht në harkun e shkurtër kohor midis dy luftrave botërore. Tani që kemi mbërritur në një epokë të re dhe pamja e së kaluarës është kthjelluar mjaftueshëm, ndërgjegjësohemi për begatinë e atyre dy dekadave dhe, pasi mahnitemi me të drejtë, përpiqemi t’i japim njëfarë shpjegimi të arsyeshëm enigmës. Nëse kjo begati nuk përbën rastësi apo një fazë të natyrshme, një rrjedhojë të brendshme të artit të fjalës, atëherë mund të themi se, në atë çast historik, ndoshta shfrehej njëkohësisht ngarkesa e rëndë e ankthit të njërës plojë dhe e parandjenjës së plojës pasardhëse. Gjatë periudhës në fjalë, u shkruan dhe dolën për herë të parë në qarkullim disa nga veprat kryesore të Kafkës, Proust-it, Joyce-it, Mann-it, Hemingway-t, Steinbeck-ut, Fitzgerald-it, Faulkner-it në prozë, Eliot-it, Pound-it, Rilke-s, Valéry-së në poezi, Pirandello-s, O’Neill-t, Lorca-s, Claudel-it, Brecht-it në dramaturgji, krijime që, pas njëqind vjetësh, jo vetëm nuk kanë humbur asgjë nga freskia e tyre, por edhe janë stinuar, duke fituar nga një vend qendror në repertorin e çdo lexuesi të regjur të kohës së sotme. E vërejmë të njëjtën dukuri edhe në letrat tona. Brenda viteve 1929-1938, u shkruan dhe u botuan nëntë nga veprat më themelore të mbarë letërsisë shqiptare: përmbledhjet poetike “Vallja e yjeve”, “Ylli i zemrës”, “Vargjet e lira”, përmbledhjet me tregime “Hija e maleve”, “Tregtar flamujsh”, “Pasqyrat e Narçizit”, “Novelat e qytetit të veriut”, “Netë shqiptare” dhe romani “Nga jeta në jetë – Pse?”. Edhe në letërsinë e re greke, brezi më i spikatur është, patjetër, ai i viteve ’30, poezia e të cilit njihet kënaqshëm në Shqipëri, kurse proza shumë më pak nga ç’do ta meritonte.

Romani “Ëndrrat dhe dashuritë e një jete (Junkerman)” u botua më 1938 dhe, që atëherë e deri më sot, nuk ka rënë as përkohësisht në harresë. Është nga ata libra që cilësohen long-sellers në gjuhën e tregut, diakronikë në gjuhën e kritikës hijerëndë, dhe kryevepra në zhargonin e lirshëm të mjediseve më intime letrare. Shkurt, është nga ata libra të rrallë që janë vlerësuar e vlerësohen edhe nga lëvruesit e letërsisë edhe nga lexuesi. Madje, nga ata libra edhe më të paktë në numër që, zakonisht për arsye të ndryshme, shijohen nga të gjitha kategoritë e publikut, që nga të shtitruemit – siç e përdor Camaj për initiateds – në prozën e zgjedhur e deri te një masë më moskokëçarëse dhe e dhënë më së tepërmi pas historive çlodhëse, zbavitëse apo intriguese.

Megjithëse koha e tregoi si romanin më të arrirë të autorit, “Ëndrrat dhe dashuritë e një jete”, kur u botua, nuk është se shkaktoi ndonjë befasi të jashtëzakonshme. Karagacisi kishte dhënë ndërkaq dy romane mjaft të suksesshme, “Kolonelin Liapkin” dhe “Kimerën e madhe”, ndaj dhe dashamirësit e prozës së tij e prisnin hapin e radhës, kalimin në një stad tjetër, më të pjekur. Dhe nuk u zhgënjyen aspak. Edhe në këtë roman, njëlloj si në dy të mëparshmit, autori trajton të njëjtën temë: personazhet kryesorë të të treve janë të huaj, emigrantë që përpiqen të përshtaten në një vend tjetër, ta ndërtojnë jetën nga e para në Greqi. Mbase edhe ia arrijnë deri diku, por arritjet e tyre mbeten prapëseprapë të dëshpëruara, u falin vetëm një kënaqësi e një përligjje të përciptë, sepse rruga drejt përmbushjes së ambicieve është njëkohësisht dhe pashmangshmërisht për ta edhe rrugë drejt shkatërrimit.

Më i spikaturi prej këtyre personazheve, por edhe i gjithë krijimtarisë së Karagacisit, si edhe ndër më emblematikët e letërsisë greke, ku nga kjo pikëpamje mund të krahasohet vetëm me Zorbën e Kazanxaqisit, është i biri i një aventurieri francez dhe i një finlandezeje sa të pasur po aq të zvetënuar, Junkermani, edhe më polietnik ky në gene dhe në zakone. Finlandez Junkermani, francez, gjerman, rus? Gjëja e fundit në botë që e merakos atë vetë është përkatësia e tij kombëtare. Brez pas brezi, nga paraardhësit, por sidomos nga e ëma dhe nga dy baballarët, nga i vërteti dhe nga i ligjshmi, i janë trashëguar zdërhallja, epshi, pija, etja për luks, mungesa e çdo skrupulli.

Pas Revolucionit të Tetorit, përfundon në Greqi, krejt i huaj, por jo edhe i hutuar, madje i vendosur për të ngritur një jetë të ngjashme me të mëparshmen, të denjë për derën nga rrjedh. Dhe ia del mbanë, por, në brigjet e Mesdheut, donzhuani dhe materialisti Junkerman njeh dy gjëra që temperamenti nuk ia kishte lejuar kurrë t’i njihte: anën shpirtërore të dashurisë dhe dijen, të cilat, duke ia përmbysur pikëpamjen e gjeratëhershme mbi botën, ia zhvlerësojnë pothuajse tërësisht të kaluarën, e fisnikërojnë. Qejfliun shpërfillës e shndërrojnë në njeri të ndjeshëm dhe parimor. Domethënë, e bëjnë të dobët dhe pikërisht këtu fillon drama e tij më e rëndë.

Gjithsesi, në roman do të njihemi me një sërë dramash e peripecish, jo vetëm të Junkermanit. Drama e peripeci dashurish, familjesh, biznesesh, njerëzish që kërkojnë lumturinë, por jo aty ku e patën humbur, dhe bien orë e çast pre e tekave të fatit. Junkermani, dhe personazhet kryesorë të gjithë veprës së Karagacisit, nuk janë në asnjë rast të njëjtrajtshëm, por kontradiktorë dhe të ndërlikuar psikologjikisht.

Te Karagacisi janë shënuar sidomos ndikime nga Dostojevski dhe nga natyralizmi frëng, megjithatë, më tepër se i kultivuar, i përket – sikurse dëshmohet nga tregimi “Zysh Nica”, me të cilin debutoi në moshën 19 vjeç dhe që mbetet edhe sot një nga tregimet më mbresëlënëse dhe më të përmendura të letërsisë greke – llojit të rrëfimtarëve të lindur.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin