CLERIHEWS (IV)

nga Arben Dedja

Mircea Eliade

Mircea Eliade,
tek me hap parade
ecte: “Me zotninë Koliq”
thoshte, “jemi miq!”

 

Konfuci

Konfuci
i nguci
mendimet pa teklif
dhe në një të vetëm hieroglif.

 

Leonardo Fibonacci

Leonardo Fibonacci
te Liber Abaci
nuk pati skrupuj
për problemin me lepuj.

 

El Greco

Domenikos Theotokopoulos El Greco:
“Te Vista y plano de Toledo,
mirë që e bëra” tha, “Spitalin e Taverës
mbi re, se ia zinte pamjen Derës.”[1]

 

Gjergj Basta

Gjeneralit Gjergj Basta
kuzhinieri i tha: “A t’ju gatuaj pasta?”
Ky: “Më ka marrë malli për bukë e ullinj”
i tha, “po ja që s’ka në Transilvani!”


Oliver Cromwell

Oliver Cromwell-it
seç i hipi delli
çdo katedral
ta bënte stallë.

 

René Descartes

Ngaqë René Descartes
porosiste à la carte,
François Vioguè e mërziste
me osten menu fikse.

 

Évariste Galois

Évariste Galois:
“Mos qaj” të vëllait i tha,
“se kam nevojë për guximin e botës mbarë
të vdes njëzetvjeçar.”

 

Osman Taka

Osman Taka
s’mbathte këpucë me taka.
“Përndryshe” thosh, “vallen hata
s’e kërcej dot në sufra.”

 

Hugo Ball

Hugo Ball
kish një hall:
ta linte që Tristan Tzara
t’i dilte përpara?

 

Çerçiz Topulli

Çerçiz Topulli,
populli
të desh në Gjirokastrën trime
pa nënkuptime.

 

Hilë Mosi

Hilë Mosi
ia palosi
katërsh gabimisht
letrën Fishtës.

 

Maurice Ravel

Maurice Ravel
tha: “S’jam bedel!
S’e shkrova koncertin
t’i heq Paul-it dertin.”

 

Bertolt Brecht

Bertold Brecht
kish vështrim të mprehtë:
me sy miopi
e pa likantropin.

 

Charles Bukowski

Charles Bukowski
nuk blente “Swarovski”.
Don’t try!” thosh. “Më mirë
koleksionoj tapat e birrës!”

 

Freak Antoni

S’e di si Freak Antoni
buthtoi nga sifoni
në park.
Apo në thark?

 

Giorgio Armani

Giorgio Armani
tha: “S’më pëlqen divani.
Duhet për të destrukturuar jetën,
por jo xhaketën!”

 

Abebe Bikila

Abebe Bikila
i la si birila
Rhadi Ben Abdes-salam-in, francezin Mimoun
bash tek obelisku Axum.

 

Antonín Panenka

Antonín Panenka
tha: “Gjermani s’qenka
hiç në dijeni
si gjuaj penallti.”

 

Petrit Dume

Petrit Dume
s’i dha dum
ç’lloj bunkeri
desh Enveri.

 

Zygmunt Bauman

Kur Zygmunt Bauman
vajti në dyqan,
i thanë: “Merre me lëng…”
Dhe ky: trëng!

 

Ridvan Peshkëpia

Ridvan Peshkëpia,
kur hyri në grevë urie:
“Nuk dua të shoh” tha, “panine
mbi komodinën time.”

 

Marina Abramović

Marina Abramović
s’ju drodh qerpiku hiç
sy më sy me Ulay
gjer… zuri të qajë.

 

Elena Kocaqi

Elena Kocaqi
tha: “Ç’janë pocaqi
ca profesorë;
Flamuri u ngrit në Vorë!”

 

Alda Bardhyli

Alda Bardhyli
i zbërdhyli
ç’ishin para saj Drejtorë Libri,
ca, bile, edhe poetë kalibri.

 

(c) 2022 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim i autorit:

Clerihew është një formë e çuditshme poetike: një si biçim mikrobiografie. Unë Clerihew-të e para i kam ndeshur në vëllimin e tretë të së famshmes (për ne, shqiptarët) The Essential English for Foreign Students, nga C. E. Eckersley, e vetmja metodë për mësimin e anglishtes që qarkullonte në Shqipërinë e dikurshme, bile shumëfishohej – pa të drejta autori – nëpër shtypshkronjat e vendit (po unë mburresha që i zotëroja të katër vëllimet në origjinal). Atëbotë nuk i kuptoja siç duhet këto vjershëza, por kujtimi i tyre më notoi gjithnjë në mendje, e kapërceu mijëvjeçarin.

Te Clerihew-të kemi të bëjmë me rastin e rrallë, do të thosha unik, kur poeti i ka dhënë emrin një forme poetike. Sot ne themi sonet “petrarkian”, sonet “shekspirian” – emra hijerëndë – por autorët këtu përdoren si plotës të termit “sonet”, në një kohë që Clerihew është i vetëmjaftueshëm. Edmund Clerihew Bentley (1875†1956), thonë, filloi t’i shkruajë që gjashtëmbëdhjetëvjeçar, në shkollë, dhe i botoi kryeherazi më 1905, në vëllimin Biography for Beginners, pasuar nga dy vëllime të tjera (më 1929 dhe 1939).   E para vjershëz e këtillë që shkroi është:

Sir Humphry Davy
Abominated gravy.
He lived in the odium
Of having discovered sodium.

E. C. Bentley ishte edhe një romancier, eseist e tregimtar shumë i mirë, por, sigurisht, sot e gjithë ditën kujtohet veç si shpikësi i këtyre poezive, që të tjerë, vite më vonë dhe që në të gjallë autorit, i quajtën me emrin e tij të mesit, aq të veçantë.

Clerihew është, pra, një poezi fare e shkurtër e shakatare, e përbërë nga vetëm katër vargje me numër të lirë rrokjesh, që rimojnë (por pranohen bujarisht edhe rimat jo të plota, asonancat, konsonancat, rimat me fjalë të gjuhëve të tjera nga anglishtja – ne mund të themi të tjera nga shqipja) sipas skemës: AABB. Bile, sa më ekstravagante të jenë rimat – aq më mirë. Vargu i parë është thjesht emri i personit (zakonisht i njohur, i famshëm) të cilit i bëhet biografia: në një intervistë të vonë E. C. Bentley saktësonte që emri duhet të jetë “at the end of the first line”, se gjithë puna është të arrish të bësh deri edhe kokëdollapçe rimore (dhe ju siguroj që nuk është aspak e lehtë, sidomos kur personazhi biografik është i huaj) me emrin. Në një Clerihew të denjë personi që përmendet në vargun e parë vihet gjithnjë në një situatë komike, absurde, anakronike, kallpe ndoshta, pak tallëse, të thjeshtëzuar sigurisht (janë vetëm katër vargje, je i detyruar), të shtrembët. Nuk bëhet satirë, nuk janë vargje fyese. E, megjithatë, shpesh janë më të vërteta se e vërteta.


[1] Bëhet fjalë për Puerta de Visagra, e paraqitur edhe ajo në këtë tablo.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin