KTHIM DHE REHABILITIM

Më kapi sot syri një lajm për një anketë të prezantuar tani së fundi në Cannes, që rrekej t’i përgjigjej pyetjes pse francezët nuk po kthehen më në sallat e kinemave, tani që masat kufizuese kundër Covid-it janë liruar. Arsyeja kryesore, sipas të anketuarve, ishte “humbja e zakonit për të shkuar në kinema” (38%), e ndjekur nga arsye të tjera, të gjitha të vetëkuptueshme.

Kjo ka ndodhur edhe gjetiu – dhe kthimin e publikut në salla e ka komprometuar, paradoksalisht, edhe aftësia e njeriut për t’u përshtatur dhe për t’i zëvendësuar shprehitë e vjetra me shprehi të reja, të cilat pastaj rezistojnë, edhe kur rikrijohen kushtet për “kthim” në rutinën e ndërprerë.

Për kinemanë, kjo humbje interesi dhe të ardhurash përkon edhe me një involucion të prurjeve nga Hollywood-i – kombinim i infantilizimit të blockbusters dhe shtirjen shpesh të neveritshme për wokeness; por këto nuk e kanë penguar dhe aq suksesin e streaming-ut dhe të disa produksioneve seriale televizive.

Por mua sakaq më shkoi mendja tek teatri në Tiranë, që dikur ishte strumbullari i jetës kulturore në kryeqytet, bashkë me kinematë dhe estradën dhe koncertet gjithfarësh në TOB; por që mori goditje të rëndë, me shembjen aq të dhimbshme të ndërtesës simbol, megjithë mobilizimin e shoqërisë civile për ta mbrojtur.

U pat thënë, atëherë, se publiku i teatrit mund të kërkonte përkohësisht strehë tek “Turbina” – por pati shumë kritika për këtë sallë të re, përfshi edhe për sa e përshtatshme ishte për teatër. Ky ndërrim vendi provoi edhe se publiku nuk i pranon lehtë ndryshime të tilla – dhe nuk kthehet; përkundrazi, gjasat janë të larta që, me shkatërrimin e një selie “historike”, njerëzit ta humbasin dëshirën për ta vazhduar atë ritual që kremtonin atje dhe, në vend që të ndërrojnë sallën, të ndërrojnë hobby-n ose pasionin.

Çdo shfaqje teatrale është edhe event, dhe Tirana e këtyre viteve ka përjetuar shumë evente kulturore; aq sa na ka bërë të flasim për një lloj eventizmi, ose frenezie për organizim eventesh të njëpasnjëshme, pa u shqetësuar për shkallën e angazhimit të publikut, marrëdhëniet e këtyre eventeve mes tyre, kontekstin kulturor përkatës dhe aftësinë e eventeve për të “ndërtuar” një diskurs koherent në rrjedhë të kohës.

Por teatri, qoftë edhe thjesht si event, nuk e përballon dot indiferencën e publikut, madje edhe po ta heqësh financën (biletat) nga ekuacioni; një konferencë mund ta bësh edhe me katër vetë në sallë dhe ta quash të realizuar, por një shfaqje teatri pa publik dështon menjëherë.

Vështirësitë e teatrit në Tiranë nuk ia faturon dot vetëm izolimit dhe pastaj shkatërrimit të selisë – ka një mori shkaqesh, nga administrimi i fondeve, cilësia e dobët e prurjeve sidomos atyre vendëse, konkurrenca e televizionit dhe e mënyrave të tjera për ta kaluar darkën, që bashkëpunuan për të krijuar një “stuhi të përsosur” (the perfect storm). Por shembja e ndërtesës dhe mënyra si u realizua ajo shembje, ishin goditja e fundit, mbase fatale, që iu dha shprehisë qytetare për të shkuar në teatër.

Ata që shpresojnë – mbase përnjëmend – se një teatër i ri, i ngritur në gjurmën e të vjetrit, mund t’ia kthejë teatrit publikun, duhet të mos harrojnë se qyteti, madje edhe një qytet si Tirana, ka treguar reziliencë të madhe për t’i zëvendësuar rutinat e vjetra me të reja, siç e ka treguar edhe bjerrja, në relativisht pak vite, e shprehisë për të shkuar në kinema. Edhe vetëm për këtë arsye, teatri i ri, kur të ngrihet, nuk mund as të pretendojë që të luajë rolin e të vjetrit. Në rastin më të mirë, mund të krijojë një publik të ri – dhe ky, në kombinim me morfologjinë e sallës dhe kontekstin e përgjithshëm të ndërtesës, të ndërtojë një “teatër” të ri për Tiranën dhe kombin (meqë flasim për Teatër Kombëtar).

Siç e thotë një fjalë e vjetër, parashikimet janë të vështira, sidomos për të ardhmen; dhe kjo vlen edhe për Teatrin në Tiranë. Përvoja ka treguar, përgjithësisht, se traditat dhe institucionet e ndërprera nuk “reanimohen” lehtë, madje jo rrallë kthehen në botë me trurin të dëmtuar, kur nuk kthehen si zombies; dhe ruajtja e emrit ose e statusit juridik nuk mjafton, për të ofruar ndonjë farë garancie. Tradicionalisht, në Tiranë, teatri ka shërbyer si vendi ku riprodhohej qyteti (qytetaria) madje edhe në periudhën kur përdorej si instrument indoktrinimi nga regjimi totalitar – prandaj edhe goditja e Teatrit iu bashkua sulmeve dhe rreziqeve të tjera që po i kanosen sot qytetit, si seli të qytetarisë. Në kuptimin që të shkuarit rregullisht në teatër pat qenë dhe mbetet një nga mënyrat më fine për ta mbajtur gjallë dhe riprodhuar frymën e qytetit.

Çfarë nuk vlen për Tiranën sot, ku ajo pak veprimtari teatrale që vijon, nuk është më në sinkroni me qytetin dhe as pretendon më që të krijojë dhe të mirëmbajë ndonjëfarë publiku. Pushteti lokal, por jo vetëm ai, po e orientojnë skenën publike drejt performimit të zhurmës – siç ndodh me sheshin Skënderbej këto javë; ku promovohen gjithfarë gjimnastikash ritmike dhe stroboskopish, të ambalazhuara si pop. Ndoshta argumenti është se “kështu e do rinia”, paçka se ky argument mund edhe të dëgjohet si “kështu e duam rininë”. Por muzika e amplifikuar i kundërvihet ballazi teatrit, i cili kërkon heshtje për t’u artikuluar; por edhe errësirë, për të ardhur në vështrim.

Idealisht, Teatri do të duhej të funksiononte si palestër morale për qytetarët – në epokën kur rriten e shumëzohen palestrat për mirëmbajtjen e trupit fizik. Tërheqjen e këtij institucioni, nga “sheshi” i qytetit, madje edhe me kontributin e makinerive të rënda të shtetit, nuk e ka kompensuar asgjë – çfarë e bën edhe më të rëndë humbjen për komunitetet. Për shkak të rrethanave, ndonjëherë edhe të rastit, si izolimi i imponuar prej pandemisë, sot nuk do të tingëllonte më e çuditshme pyetja nëse Qyteti sot ka ende nevojë për teatër. Nga përgjigjja, do të varet edhe mundësia reale për një rikthim, të cilin tani nuk mund ta përfytyrosh, veçse si një lloj rehabilitimi të gjatë dhe të dhimbshëm.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin