POSTDJATHTAS NË POSTMODERNIZËM

nga Eno Trimçev

 

Përpara se të flasim për të djathtën në postmodernizëm, dy fjalë për ‘postmodernen’ dhe të ‘djathtën.’ Ndryshe nga se pretendohet ndonjëherë, postmodernia nuk është një filozofi, ideologji, besim, apo edhe ide (ndonëse është edhe të gjitha nga këto). Pikësëpari postmodernia është gjendja në të cilën ndodhemi; një gjendje që afërmendsh na kushtëzon dhe na krijon si të këtillë dhe jo të atillë. Në gjuhën e përditshme do ta quanim kulturë; në atë hajdegeriane do ta quanim botë, dhe në atë më të hershme platonike do ta quanim guvë. Që mos ta ngatërrojmë me artin, gatimin, apo këngët popullore, le ta quajmë guvë-botë. Por me një dallim: guvë-bota postmoderne karakterizohet nga rikonfigurimi i plotë teknologjik i guvës natyrore të Platonit. Pra në vend të zjarrit kemi sistem ngrohës dhe drita elektrike; në vend të objekteve që lëvizin para tij kemi simbole dixhitale; në vend të hijeve që ato hedhin mbi mur kemi televizor e internet; e në vend të gurit, vijës, e murit të guvës kemi paanësinë e pafundësinë e botës. Njerëzia ka lindur gjithnjë në guvë-botë ku më shumë e ku më pak natyrore. E veçanta e kësaj është se është plotësisht artificë. Ndodhitë e atyshme nuk bazohen në opinion, argument, e akt ose në bindje, ritual, e besnikëri por në imazh, spektakël, emocion, dhe kapital. Pra është sikur guva natyrore e Platonit të jetë futur në një camera obscura që prodhon imazhin e përkryer por kokë poshtë të origjinalit: gjendjen postmoderne.

Pa metafora, postmodernia karakterizohet nga rikonfigurimi teknologjik jo i këtij apo atij aspekti të guvës, por i të gjithë harkut të eksperiencës njerëzore; p.sh. nga dashuria (me pornografi, hape, terapi, dhe turlisoj veglash) deri te gjumi (me maskë mbi sy, muzikë qetësuese në sfond, dhe orë monitoruese në kyç). Në të çdo gjë matet, optimizohet dhe fundja riciklohet si letër me vlerë; gjuha e Naim Frashërit dhe Petro Ninit p.sh. rivjen si pastiche-ja e shfaqjeve televizive reality. Disa cilësi të saj janë destabilizimi identitar, përthyerja e tij në një mori tregimesh apo rrëfenjash të përcjella nga një mori mediumesh, pasiguria, rastësia, zhbërja e kufinjve mes vendeve, sferave jetësore, dhe madje edhe realitetit dhe fantazisë, sheshimi i ndarjeve, diferencimeve dhe dallimeve që karakterizojnë botën njerëzore, dhe dekonstruksioni dhe komodifikimi gjithnjë e më i shpejtë i asaj që deri dje ishte e mirë, e dashur, e rregullt, apo e vërtetë. Ajo nuk ka as arsye e, ndryshe nga sa trumbetohet, as rrëfim, por vetëm interes, imazh, e vullnet; postmodernizmi është mishërimi i asaj bote që Marx-i e paralajmëroi dhe keqkuptoi, dorën në zemër me goxha vonesë, më 1848.

Përkundrejt sa më lart, na thuhet se postmodernia shenjon triumfin e të veçantës, singularitetit, apo autenticitetit kundrejt të përgjithshmes. Por aty ku të gjithë mundohen të jenë të veçantë (dhe, për më shumë, në të njëjtën insta-mënyrë) nuk ka veç të përgjithshme. Na thuhet se postmodernia shenjon triumfin e një bote të lirë ku çdo gjë mund (dhe duhet) të politizohet. Por aty ku çdo akt është publik, nuk ka veç akte private. Prandaj, postmodernia është post-politike.

Në këtë kontekst, njeriu postmodern është subjekti ironik; por ironia e tij nuk është ajo metafizikja e Sokratit mamí e së vërtetës por ajo e Richard Rorty-t mamí e vetërilindjes. E mira e saj është se nuk të vret ngaqë s’të merr seriozisht. Por në anët tona, postmodernia si gjithnjë lindi mbrapsht; jo si gjendje e si kulturë, por si politikë, diku aty kur Rilindja varrosi Partinë Socialiste. Kumbari i saj është shoku Gramoz Ruçi, ura lidhëse mes së kuqes së 2 prillit 1991 dhe mavisë së Rilindjes.

E djathta është e kundërta e kësaj. E kundërt sepse ajo është pikësëpari ide apo ideologji dhe jo mënyrë e të qenurit dhe qenies si postmodernia. Ndonëse premisat e saj burojnë nga një formë e qenies ku trualli, identiteti, dhe trashëgimia luajnë një rol vendimtar, pa përthyerjen e kësaj forme në një ideologji politike që e mbron atë si të tillë, nuk kemi të djathtë. Pra e djathta nuk rrjedh domosdoshmërisht nga një humus jopostmodern; i njëjti mund të lindë edhe lëvizje thellësisht të majta si të gjelbrit sot dhe lëvizja punëtore dje në Evropë.  Dhe pikësëdyti sepse si ide e ideologji, e djathta përballet me idetë e ideologjitë që mbrojnë postmodernen si të tillë: p.sh. idetë për shuarjen e kufinjve, shkrirjen e të veçantave, dhe komodifikimin e vlerave si kultura (e kombit), substanca (etike), dhe materia (e botës në të cilën kemi lindur e jemi rritur). E kuptuar kështu, e djathta është me Teatrin kundër Bashkisë.

Por në anët tona, si gjithnjë ajo lindi mbrapsht jo si politikë e si ide, por si gjendje, sjellje, e komportim: diku aty kur anti-komunizmi i luftës së dytë botërore të cilit iu nxi jeta për 45 vjet nga aktivistët e Frontit Demokratik takoi çunat e lagjes që u nxinë jetën si aktivistëve të Frontit në vitet 80-të ashtu edhe policisë së Rilindjes më 2020. E djathta shqiptare s’ka kumbarë por ka plot hije kumbarësh eshtrat e të cilëve ose nuk gjenden ose gjenden jashtë atdheut.

Kjo cilësi e së djathtës shqiptare si gjendje dhe jo ideologji, ka sjellë edhe zaptimin e truallit të saj qenësor nga një lëvizje e mbushur me kontradikta me të vërtetë pjellore dialektike: Vetëvendosja si lëvizje thellësisht e majtë, idealiste dhe postmoderne njëkohësisht. Që të rilindë në të njëjtin truall, e djathta duhet t’i kundërvihet platonizmit të Lëvizjes me aristotelianizëm.

Duke qenë se dialektikën perëndimore e kemi kthyer kokëmbrapsht, le të rrimë me dialektikën ku e ku më të thjeshtë perëndimore. Ngërthyerja qëndron këtu: postmodernia dhe e djathta janë në një kundërthënie që sigurisht mund të shprehet, por asesi nuk mund të gjejë zgjidhje në ndonjë nga format që njerëzimi njeh për të rrahur këto punë si p.sh. politika (mes të majtës postmoderne dhe të djathtës kombëtariste p.sh.) apo edhe filozofia (mes dekonstruktivistëve dhe idealistëve p.sh.). Duke qenë se postmodernia është gjendje dhe jo ide, ajo nuk mundet as në fushëbetejën e ideve e as në atë të votave. Asaj s’ka ç’i bën as Heidegger-i, as Sali Berisha e as Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Bashkia edhe mundet, Big Brother-i kurrsesi.

Logjikisht atëherë mundësitë janë dy dhe vetëm dy: ose e djathta zhduket nga guvë-bota postmoderne ose ajo përshtatet, pra një e djathtë postmoderne. Por siç duken bathët, e para nuk është mundësi reale. Siç e ka provuar më së fundmi edhe shkenca e sociologjisë, eksperiencat e përditshme mund të rikonfigurohen pafundësisht por kurrë nuk mund të pastrohen plotësisht nga përvijimi i realitetit si truall, identitet e trashëgimi. Pra pyetja, e vetmja pyetje që na shtrohet, është: ç’është e djathta postmoderne?

Shëmtia e Jetës së Re që po  ‘Lulëzon Gërmadhash’

Që t’i përgjigjemi jofallxhorçe pyetjes duhet të hedhim një sy përqark e të parapyesim: si i duket (të djathtit) guvë-bota postmoderne që po lulëzon gërmadhash? Përgjigja: ajo ka më pak mundësi të jetë e përkorë, e guximshme, mendjehollë, dhe e drejtë se ajo e gërmadhave. Pra më larg Platonit se kurrë. Por për ta thjeshtuar dhe rrumbullakosur: guvë-bota postmoderne është më e shëmtuar se ajo edhe ashtu hiç e bukur moderne (një lloj enverhoxhizmi me drita neoni). Dhe, si na mëson Kryepiktori,  kur një gjë bie estetikisht s’ka virtyt që ta mbajë gjallë.

Arsyet janë një e vogël filozofike dhe një e madhe politike. E vogla: guvë-bota e re është e shëmtuar jo si pamje, paraqitje, apo arredim por si botë e guvë dhe kjo për një arsye fare të thjeshtë: nëse ajo është tërësisht e rikonfigurueshme nga ana teknologjike, mundësia që progresi teknologjik t’i nënshtrohet qëllimeve jo-teknologjike (p.sh. të drejta, të bukura, apo të vërteta) është zero. Për këtë s’ka nevojë të lexohet i vështiri Heidegger por i qashtri Rousseau që e zbardhi kleçkën në të famshmin Diskurs mbi Origjinën e Pabarazisë qysh më 1755 (prandaj vonesa e Marx-it!). Ajo mund të përmblidhet kështu: nëse teknologjia fillon si mjet që mund ta përdorim sipas qejfit për qëllimet tona, ajo përfundon si qëllim që na përdor sipas mjeteve të veta. Që kjo situatë sjell me kalimin e kohës breza që janë më të paaftë të ndërtojnë diçka të njerëzishme, këtë e di edhe bufi (i Minervës, i Theodor Adorno-s, George Grant-it, Jacques Ellul-it, Jean Baudrillard-it etj.). Një guvë-bote të tillë do t’i binte edhe Qemal Stafa – ai i gërmadhave – që i lexonte Drita Kosturit rehat në krevat poezi të Manzonit.

Ama arsyeja e dytë është më e rëndësishme për ne që s’ndjekim dot bufa. Të jesh i djathtë është të parapëlqesh guvë-botën tënde; pra, që guva jote të të duket botë. Kjo nuk të pengon ta meremetosh atë aty ku ka nevojë e helbete edhe ta zbukurosh sipas shijes tënde pak nga pak e pjesë-pjesë. Prandaj të djathtit s’i ngjit fare guvë-bota postmoderne se ajo duke tejkaluar e ribërë vetveten e demaskon si guvë atë që deri dje dukej si botë. Prandaj i djathti mundohet t’i largohet asaj si të ishte strofull (kafshësh) apo shpellë (të egrish). Kjo sepse çfarëdo formash e ngjyrash që guvë-bota njerëzore mund të ketë, dy gjëra e bëjnë atë të dashur për të djathtin: institucionet njerëzore që ajo ka krijuar (familja, p.sh., ose zekati) dhe ligjet e zakonet që rregullojnë jetën e tyre të përbashkët duke e formësuar atë.

Por institucionet e guvë-botës së re nuk funksionojnë si institucione që i japin jetës konture, kallëp, trajtë, e model. Ato e shpërbëjnë atë në një hapësirë të hapur e të pamatë; një lloj shkretëtire Gobi të panjerëzishme që gëlon nga njerëzit. Tashmë në pjesë të mëdha të perëndimit shkollat, kishat, universitetet, apo edhe fondacionet bamirëse – institucione që i janë transmetuar botës moderne në formë dhe përmbajtje si një peshqesh nga ajo shumë-e-përçmuara mesjetare – kontrollohen nga ideologë që as e njohin, as nuk mund ta njohin funksionin e tyre institucional; ideologë që Mesjetën e shohin thejsht e vetëm si Inkuizicion. Dhe ideologët bëjnë hapur e ditën me diell të kundërtën e asaj që duhet të bënin.

Dy shembuj për këtë: universiteti dhe Bashkimi Evropian. Pasi u mësuan studentëve me dekada me rradhë se si të mos i shijojnë veprat e mëdha filozofike e artistike të së shkuarës, universitetet tani i bien shkurt dhe thjesht nuk iu a mësojnë fare (edhe të donin, nuk do të mundeshin sepse katedrave në të shumtën e rasteve u ka rënë COVID-i kulturor dhe s’e ndajnë dot as çomlekun nga revania kurse studentët, në të shumtën e rasteve jo për faj të tyre, e shohin universitetin si Harrifulc). Ose Bashkimi Evropian: cilado të ketë qenë arsyeja fillestare, nga sa kuptohet (dhe s’është se kuptohet shumë në fakt!) ai është kthyer në një mënyrë administrimi (as sundimi jo!) e shkëputur nga njerëzit (në fakt popujt!) që ka marrë në dorëzim. Ndoshta ai është prototipi i formës që merr e paforma sot; një shenjë që shenjon kapërcimin e formave (kombëtare, klasore, e fetare) që gëlonin në Evropën e deridjeshme. Prandaj atë as e njeh kush (se askush nuk mund ta shohë pavarësisht tabelave në qytete e fshatra që na tregojnë të mirat që na bën) e as nuk e kupton kush (se askush nuk mund ta dëgjojë sado i ngremë zërin televizorit kur del ndonjë funksionar të na shpjegojë pozicionet e tij). Dhe pikërisht për këtë e paforma nuk mund të mos sillet në mënyrë raciste sa herë që ballafaqohet me ndonjë çështje forme, p.sh. në përcaktimin e kufijve të jashtëm të vetvetes (Turqia, Shqipëria). Për këto arsye, e ndryshe nga sa thuhet, BE nuk ka fituar pëlqimin e shumicës së evropianëve por vetëm pajtueshmërinë e tyre. E vetmja gjë që në fakt e shpëton është e kundërta e saj – politikat e formësuara, pra kombëtare, të vendeve anëtare si Gjermania apo Franca që kanë arsye të mirëformuara për të mos bërë “Mbrapakthehu!”

Pra nëse e djathta është mbrojtje dhe meremetim i botës si trashëgimi, si do të sillej një i djathtë me këtë biçim trashëgimie? Ndoshta jo shumë ndryshe nga Kryepiktori ynë me Kthimin e tij në Identitet.

Tani që i dhamë një lloj përgjigjeje parapyetjes, le t’i kthehemi pyetjes: ç’është, pra, e djathta postmoderne?

Djathtas në Guvë

Nëse postmodernia është post-politike atëherë pyetja rishtrohet: ç’është post-e djathta? Por për të qenë sa më të qartë, në sa më poshtë do bëjmë sikur në postmoderne ka të djathtë dhe jo simulim-të-djathte. Dy mundësi ravijëzohen: e para, e djathta postmoderne dhe e dyta, e ashtuquajtura e djathta revolucionare ose radikale. E para vjen si më e re, dhe e dyta si më e vjetër, prej atyre gërmadhave për të cilat folëm më lart. Prandaj nuk është hiç për t’u habitur që e para na vjen e shëmtuar si dreqi dhe e dyta me një vezullim bosh. Të dyja janë për t’u duruar ose për t’u mbajtur larg sipas mundësisë dhe nevojës së gjithsecilit.

E para, e djathta postmoderne. Një vegim i saj u pa me Presidentin Donald Trump në Shtetet e Bashkuara që për katër vite shkaktoi aq shumë rrëmujë sa s’ngeli i djathtë i botës së gërmadhave pa e denoncuar (pa pikën e efektit). Antindërkombëtare e antiglobaliste, ajo lind si reaksion ndaj aleancës së neoliberalëve, neokonservatorëve dhe të tjerëve që sundonte rehatisht botën e thjeshtë të viteve 90-të me serialin teveqel Friends dhe bombardimin ndërgjegjepastër të Serbisë për Kosovën. Në Amerikë, Presidenti Biden është i fundmi i atyre mohikanëve; që tani e tutje, nëse në atë kontinent pararojë do të ketë vend për nostalgji politike, ajo do t’i përkasë të majtës që i duhet se s’bën qarku i shkurtër mes qarqeve akademike, burokratike dhe mediatike. Kurse e djathta postmoderne është shumë e pacipë për qarjezemre nostalgjike. Biznesi i saj (dhe postmodernia është pikësëpari biznes që kamuflohet aty këtu si politikë apo intelekt) është performanca e simboleve, ritualeve, dhe identiteteve tradicionale në forma të reja spektakolare dhe argëtuese. Arsyeja është e thjeshtë: në një botë ku s’ka blasfemi nuk mund të luftohet me liturgji. Si gjithë të birtë e shekullit të ri, e djathta postmoderne çmon transgresionin, përçarjen, hallakatjen, kaosin, dhe kapërcyeshmërinë. E saja është kultura e zullumit gjigandoman, me të këqinj njëkohësisht të kudondodhur e të padukshëm (elitat globale apo Islami radikal p.sh.) dhe heronj të thjeshtë e të përveçëm (unë dhe ti p.sh.) E djathta postmoderne pra sinjalizon ndërprerjen e përnjëmendtë të sensit historik mbi të cilin mbahej në këmbë e djathta e deridjeshme – konservatorizmi – dhe shprehja më e lartë e tij në këto anë – Opinioni i Blendi Fevziut. Prandaj insistimi i këtij të fundit në edukimin e brezave të rinj me rrëfimin e shqiptarisë së këtyre 30 vjetëve të fundit është i kotë: ata nuk dinë jo sepse janë injorantë por sepse nuk jetojnë historikisht.

E dyta e djathtë, ajo revolucionarja, është ndoshta më pak e njohur. Emrin e merr nga konservatorizmi thellësisht jokonservator gjerman i viteve 1920. Mendjemprehtësia e kësaj rryme qëndronte në idenë se pas luftës së parë botërore tashmë konservatorizmi s’kishte më se ç’të konservonte; në fjalët e Arthur Moeller van den Bruck-ut, ai duhet të krijojë gjëra që meritojnë të ruhen. Bash si armiqtë e tij ideologjikë pra, konservatorizmi duhet t’i kthejë sytë nga bota e ardhme prej nga mund të kapërcehet guva e sotshme. Përfundimi i këtij projekti në Stunde Null-in e 8 Majit 1945 në Gjermani dihet. Por ideja është dhe do të mbetet që kësaj here projekti krijues duhet të përsëritet pa gabimet e të shkuarës.

Shembuj të një të djathte të tillë sot po ravijëzohen kudo nëpër botë: nga neo-reaksionarët absolutistë të Curtis Yarvin-it (Mencius Moldbug) që mëtojnë krijimin e formave absolutisht të reja politike, tek radikalët ortodoksë të John Milbank-ut që i kundërpërgjigjen nihilizmit me shenjtëri, apo edhe euroaziatikët e Alexander Dugin-it që i kundërpërgjigjen post-politikës me gjeo-politikë (Ah Ukraina!). Intelektualisht interesantë por jo të kollajtë për t’u gjetur e përvetësuar, e ardhmja e tyre politike mbetet e paqartë.

Sido që të jetë e djathta revolucionare ka shumë gjasa të ringjallet po aq shpesh sa edhe Sizifi i afrohet majëkodrës. Dhe kjo për një arsye fare të thjeshtë: njerëzit nuk kanë as qejf e as mundësi që ta marrin ekzistencën e tyre thjeshtë dhe vetëm ironikisht. Kur realiteti e humb shkëlqimin e tij (p.sh. prej spektrit të larmishëm të ngjyrave të imazhit dixhital), ata janë të detyrurar të mundohen t’ja restaurojnë dinjitetin – pra vijueshmërinë, historicitetin, dhe rrjedhimisht vërtetësinë – me të gjitha mënyrat e mundshme.

Përpara se ta mbyllim edhe një prapapyetje: A mund të japë fryte të ëmbla e djathta revolucionare? Ndoshta, por vështirë. Standarti i suksesit të së djathtës revolucionare do të ishte një botë e dinjitetshme pra me vijueshmëri, historicitet, dhe vërtetësi. Por sekreti i tmerrshëm, ai që të gjithë e dinë por askujt nuk ia nxë goja, është se një botë e tillë nuk mund të krijohet; ajo vetëm trashëgohet, meremetohet the rregullohet. Dhe ndoshta kemi thënë boll për të kuptuar mundësitë e një bote të tillë postmoderne.

Në Vend të Mbylljes…

….një Post Scriptum eppur si muove: Po sikur të hidhnim një sy platonik jashtë guvës? Diku pas ferrave e korijeve që e rrethojnë atë, gjendet –apo më duket se gjendet? – një shteg. Më shumë monopat, atë e kanë rrahur të gjithë të mençurit e kësaj dynjaje, jo vetëm filozofët e qëmotit që vrapin nga guvë-bota e shihnin si parakusht të të filozofuarit, por edhe ata të deridjeshmit, në dukje të majtë, që majtizmi në fund u erdhi tepër ngushtë si p.sh. Lyotard-i apo Foucault-ja. Sepse kur me apo pa dashje ndërmerret, ajo ecejake zvetënon çdo iluzion ideologjik dhe mbodhis çdo përpjekje për kapital shoqëror. Eksperienca e saj qëndron pa më të voglin dyshim në zemër të universitetit dhe ndoshta edhe të sferave të tjera si të besimit (mendo nga Krishti tek At Zefi), të artit (mendo jo vetëm artist-Kadarenë, por edhe shijues-lexuesin e tij) atëherë dhe vetëm atëherë kur ato bien ndesh me gjigando-sferën soc-politike.

Kjo sigurisht nuk do të thotë që politika nuk ka lidhje me çelnajën mes ferrave ku mund të gjendet fillimi i shtegut. Gjetja e fill-imit të tij ndoshta nënkupton edhe rigjetjen e artit institucional: të tilla institucione në perëndim ka disa fringo të reja si p.sh. më së fundi në Amerikë ku një universitet i ri në Austin, Texas është themeluar me idenë radikale që të ndjekë të vërtetën kudo që të shpjerë ajo. Nisur nga kjo shtegu ynë ndoshta kryqëzohet edhe me të djathtën që kërkon të formësojë, reformojë, konformojë, e transformojë në vend që të de-formojë. Por asnjë nga këto nuk prek zemrën e e eksperiencës së ecejakes në të: kënaqësinë e zbulimit dhe krenarinë e zotërimit të së vërtetës që s’kërkon kurrfarë çertifikimi troglodit.

Shumë është shkruar e ëndërruar për këtë vegimshteg. Por dy gjëra ndoshta harrohen. E para, ta gjurmosh shtegun kërkon edhe nje marifet të hollë përveç cilësive të tjera të udhëtarëve të tij të qëmotshëm. Ai kërkon aventurierë që dinë të jenë vetijakisht; individualistë të padurueshëm që e kanë mendjen veç te syri, veshi, hunda, gjuha, lëkura dhe shpirti i vet. E dyta, ai është i bukur dhe i lehtë, sepse s’kërkon asgjë përveç një sokratiku që dëshiron ta rrahë kryq e tërthor, kudo që ta shpjerë ai, me atë menefrigizëm dhe shohimebëjmë që të paktën ne, refugjatët e guvë-botës së gërmadhave, e kemi gjendjen tonë natyrale.

 

Ky shkrim është botuar për herë të parë në revistën Medius (Janar-Mars 2022, nr. 15).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin