HANADIELLI NË FESTIVALIN E ATHINËS

nga Eleana Zhako

Në 13-14 korrik, Hana e Elvira Dones-it u ngjit në Festivalin e Athinës në regji të regjisorit shqiptar në Athinë, Enke Fezollari. Është hera e parë që Shqipëria e Veriut me kostumet, muzikën, historinë, traditat e saj pushton skenën e teatrit të Athinës dhe bëhet pjesë e aktivitetit më të rëndësishëm kulturor të Greqisë. Fenomeni i Virgjëreshave të Betuara tashmë njihet gjerësisht përtej kufijve të Shqipërisë, madje ndoshta njihet më shumë jashtë Shqipërisë sesa brenda saj. Ngjan me konceptin e ri-huazimit në linguistikë, ku fjalët e importuara nga një gjuhë e huaj në gjuhën e vendit, në të vërtetë janë fjalë të eksportuara më parë nga kjo gjuhë, por që kanë rihyrë përsëri përmes “gjuhës –  tranzit” në gjuhën e destinacionit fillestar. Tema e burrneshave u bë e modës në Shqipëri vetëm pas vëmendjes që erdhi nga jashtë, dokumentarëve, shkrimeve, punimeve sociologjike, filmit, etj. Nëse të huajt kanë një përqasje përzier me kërshëri, ekzotizëm e mister ndaj këtij fenomeni, në Shqipëri vazhdon të mbijetojë falë patriarkalizmit despotik dhe qorrsokakut ekzistencial të femrës shqiptare.

Ndërsa tek vepra “Hana” mbizotëron lirizmi dramatik, Hana e teatrit ngjan me heroinat e tragjedive të lashta greke. Ashtu sikurse përshkruhet në shënimin e regjisorit, Hana është një lloj Antigone malësore e cila për hir të dashurisë dhe detyrës familjare, zgjedh të “varroset” për së gjalli brenda trupit të saj. Bashkë me trupin e të atit, ajo varros gjithë të kaluarën, ndjesitë, vibrimet femërore, ëndrrat, dëshirat dhe shndërrohet në një Amazonë luftarake dhe të vetmuar. Ajo lufton me vetveten, por edhe me ambientin patriarkal, në të cilin gruaja shihet si pronë e të atit dhe bashkëshortit të saj, ku gruaja nuk ka të drejtën e fjalës, por trajtohet si kafshë pune dyrrotake e si mall i gjallë. Hana e teatrit në kundërshti nga kushërira e saj Liljana, e cila rebelohet duke braktisur familjen e saj për të qënë me të dashurin e zemrës, vendos të bëhet edhe nënë, edhe babë, edhe motër, edhe vëlla, të jetë kreu i shtëpisë dhe të marrë emrin Mark. Duke qenë Mark, Hana mund të ngasë vetë një kamion dhe të mos detyrohet të jetë në rolin e pasagjeres e të bie viktimë e shoferëve nepsqarë, ashtu siç i ndodhi kur ishte ende Hana; si Mark mund të mbajë pushkë, të eci lirisht, të mos ketë nevojë për shoqërues, të tymosi e të ketë të drejtën e fjalës, të mos ndihet si zezakët mes të bardhëve kolonialistë. E gjithë liria e qënies kushtëzohet nga një emër; Hana është si hëna, të dyja i përkasin gjinisë femërore, ndriçimi i tyre është i tulatur, i zbehtë e i druajtur, janë të nëmura të jetojnë nën dritën e sistemit diellor. Mark-u është si dielli, i fuqishëm, i pushtetshëm, sovran. Në libër ka një kompozitë shumë të bukur, hanadiell, e cila nuk mund të përkthehet në asnjë gjuhë si e tillë, pasi nuk përkon emri Hana me fjalën hëna [në gegnisht hana], ashtu siç ndodh në shqip.

Fezollari do fusi gjithashtu në teatër legjendën shqiptare të Rozafës, të cilën e ëma që ka birësuar Hanën, u tregon në formë përralle dy vajzave të vogla, Hanës dhe kushërirës së saj. Natyra e veçantë dhe artistike e Hanës, në ndryshim nga ajo e kushërirës së saj, do duket nga pyetjet e saj. Përse duhej të flijohej trupi i një njeriu të dashur që të rezistonte kalaja, përse të mos murosej trupi i një armiku. Duhej të flijohej një trup i dashur, duhej që flijimi të bëhej me gjak e lot shpirti, që muri i kalasë të ishte i qëndrueshëm. Ky do ishte dhe kumti i parë i fatit të ardhshëm të Hanës. Hana porsi Rozafa do flijojë trupin e saj, që Kulla e Dodajve të jetë e fortë, që të përjetësohet mbiemri i familjes, që asnjë mësymës mos të prekë kështjellën e saj intime. Parthenopi Buzuri, aktorja greke që lozte rolin e Hanës, arriti mjeshtërisht të identifikohet kaq shumë me heroinën e saj, saqë dramaciteti i rolit u përçua tek shikuesit në mënyrë absolute. Shumë prej shikuesve grekë dhe shqiptarë pyesnin nëse është kaq dramatik në realitet pozicioni i femrës në shoqërinë shiptare dhe veçanërisht në Veri të Shqipërisë apo është produkt i teatrizimit. Fezollari nuk ishte munduar të jepte një imazh të ekuilibruar të aspekteve pozitive e negative të problemeve sociale të gruas shqiptare, të regresit e progresit, por ishte fokusuar kryesisht në elementin e dhunës, të dhunës verbale, trupore, sociale, politike, kulturore, ekonomike, ballkanase e perëndimore. Nëse në vepër Perëndimi përbën një lloj tuneli për Hanën, në teatër Ballkani dhe Perëndimi njëjtësohen. Tek Dones ironizohet tendenca perëndimore, sipas së cilës virgjëria konsiderohet si diçka demode dhe qesharake, ndërsa në teatër kjo ironi shndërrohet në tragjizëm, pasi zhvirgjërimi i Hanës në libër do jetë si pasojë e zgjedhjes së saj për t’iu përshtatur modës së kohës, duke zgjedhur të shkojë tek doktori për kryerjen e saj. Në teatër, zhvirgjërimi i Hanës do jetë pasojë e përdhunimit të saj nga tipi i mashkullit perëndimor, i cili nuk arrin të perceptojë se virgjëria është diçka më tej se një himen femëror, se bashkimi trupor e seksi nuk janë akte sinonime dhe mbi të gjitha ora intime e njerëzve nuk është e njëjtë për të gjithë. Këtu, mentaliteti lindor me atë perëndimor bashkohen në një himen virgjërie; i pari e shikon si korackë nënshtrimi, i dyti si një send pa vlerë.

Interes te veçantë kishte vepra teatrore dhe në aspektin skenografik. Skenografia bazohej në elementet e blloqeve të çimentos, të cilat në Shqipërine postkomuniste ndesheshin masivisht në shumicën e ndërtimeve dhe atë të llamarinës, i cili gjithashtu ishte shumë e përhapur. Përveç këtyre, govatat metalike ishin një dekor tjetër, të cilat të sillnin në mendje kushtet minimale dhe rraskapitjen e nënave, gjysheve, motrave të asaj kohe në betejën e tyre me dëngun e madh të larjes së rrobave me dorë. Rituali i përcjelljes së nuses nga shtëpia prindërore në atë dhëndërore, e cila në atë kohë ngjante më shumë si tragjedi sesa si kremtim, u kujtoi kryesisht shikuesve shqiptarë ngjarje dhe zakone të harruara. Fezollari duke dashur të përfshijë çdo fenomen të Shqipërisë komuniste dhe asaj demokratike në një albaniadë, arriti që brenda dy orëve të prezantojë gjithë ato “xhinglaminglat” që flejnë në vetëdijen dhe nënvetëdijen tonë; simbolet e komunizmit, shaminë e pionierit, muzikën e filmave shqiptarë, këngët e festivalit të 11-të, tasin me fasule, këngët e Albanos dhe Rominës, të Djelën Shqiptare, muzikën tallava që mbizotëron tashmë në Shqipëri, e plot elementë të tjerë. Aktorët grekë kishin mësuar disa fjalë shqip si, lamtumirë, qepe, gëzuar, përdhunim, pasaportë të cilat dëgjoheshin gjatë gjithë kohës së shfaqjes. Kostumi gri që mbante Hana greke në fillim të shfaqjes ishte i së ëmës së regjisorit kur erdhi ne Greqi, po ashtu edhe pasaporta që mbante Hana në teatër ishte pasaporta me të cilën e ëma e regjisorit kaloi për herë të parë kufirin, ndërsa këpucët ishin këpucët e vjetra të vetë regjisorit. Gjithçka në funksion të shfaqjes, të frymës së saj, të personalizimit, të identifikimit me emigrantin e të gjitha kohërave.

Skenat që dallonin më shumë për simbolikën e tyre të fuqishme ishin; Betimi si Virgjëreshë, ku Hana e shndërruar në Mark jep betimin dhe nje tufë virgjëreshash të betuara të veshura me kostume të zeza burrash e kapele e rrethojnë ngushtësisht, aq sa Hana mbulohet e tëra dhe dëgjohet në sfond një pjesë me kaba; skena e puthjes se famshme me shaminë e kuqe të pionierit sipas estetikës komuniste, ku puthja në buzë nuk ishte shumë e pranueshme dhe puthja realizohet me një shami mes gojëve të tyre; skena e nuses me fishekun e qepur në vellon e saj sipas ligjit te Kanunit, i cili i jep të drejtën burrit edhe ta vrasë në rast se kapërcen caqet e paracaktuara nga Kanuni; skena e përdhunimit të Hanës në fund të shfaqjes, e cila përbën dhe shkrehjen dramatike të veprës.

Albaniada e Fezollarit u mbyll me një këngë turke të trishtueshme, e cila pavarësisht se krijoi hutim, pakënaqësi e konfuzion tek shumë prej shikuesve shqiptarë, të cilët u ndjenë të rrezikuar nga identifikimi i mundshëm i Shqipërisë me Turqinë, mesazhi që përçonte ishte sensibilizimi ndaj pozitës së gruas në Turqi e në vende të tjera të botës, të cilat ashtu si Hana janë viktima të realitetit shtypës patriarkal.

27 Komente

  1. Romani i Donesit, mbi te cilin besoj se eshte bazuar edhe shfaqja teatrale, i vendos ngjarjet ne Shqiperine e sotme. Po a ka sot virgjinesha ne Shqiperi? Dhe nese po, ç’lidhje kane ato me patriarkalizmin, poziten e nenshtruar dhe dhunen ndaj grave sot?

    Per ata qe kuptojne italishten, ja nje reportazh italian i koheve te fundit mbi kete dukuri. Hidhini nje sy dhe me shpjegoni lidhjen me librin e Donesit.

    https://www.iene.mediaset.it/puntate/2015/05/07/pelazza-vergini-giurate-fino-alla-morte_9516.shtml

  2. Me falni e keni lexuar librin e Dones? Ngjarjet vendosen ne dy periudha, periudha komuniste dhe postkomuniste. Aty pershkruhen dhe arsyet qe e shtyne Hana Doden te behet Mark

  3. Eleana,

    Dukuria e virgjineshave dhe e burrneshave (i veçoj sepse nuk jane sinonime, nuk jane e njejta gje) i perket nje periudhe dhe realiteti historiko-social te kaluar tashme. Se paku qysh nga gjysma e dyte e shekullit te shkuar me ndryshimin e kushteve dhe rrethanave sociale dhe ekonomike, kjo dukuri pushoi se ekzistuari ne formen e vet historike. Pas Luftes se Dyte Boterore ne Shqiperi vajzat nuk ishin me te detyruara te shpalleshin virgjinesha apo burrnesha per te shmangur martesat e detyruara, sepse nuk rrezikonin me te vriteshin po te refuzonin burrin qe u caktonte babai; ose per te fituar pavaresine ekonomike, sepse mund te punonin dhe te ishin ekonomikisht te pavarura, as per çeshtje trashegimie, sepse para vitit 1990 nuk kishin se ç’trashegonin, ndersa pas atij viti trashegimine ia njeh ligji. Vertet qe sot ne Shqiperi, si ne gjithe boten, ka te rinj, vajza dhe djem, qe detyrohen te nderpresin studimet universitare per t’i ardhur ne ndihme familjes, por nuk ka vajza qe detyrohen te shpallen burrnesha qe te mund te shkojne ne farmaci per te blere ilaçe apo qe te kujdesen per xhaxhain e semure. Mund ta bejne kete fare mire duke mbetur vajza. Ne Shqiperi nuk ka as virgjinesha qe t’u duhet te shkojne deri ne Amerike per te rizbuluar feminilitetin qe i kishin mohuar vetes.

    Atehere ç’eshte kjo dukuri sot? Pse sot ne Shqiperi ka ende vajza qe vendosin te nderrojne seks, te vishen e te sillen si meshkuj?
    Per t’iu pergjigjur kesaj pyetjeje na vjen ne ndihme reportazhi italian, por edhe nje dokumentar qe ka bere para ca vitesh vete Donesi, ku disa nga protagonistet e intervistuara pohojne hapur se kane vendosur te behen meshkuj qysh ne moshe te njome, ne periudhen e pubertetit, jo se shtepia kishte mbetur pa meshkuj, as per t’i shpetuar tiranise se burrave, por sepse nuk u pelqen te jene vajza, nuk e ndiejne veten vajza, pra per arsye orientimi ose identiteti seksual.
    Me fjale te tjera, virgjineshat dhe burrneshat tona nuk ndryshojne nga simotrat e tyre neper bote.

    Une pajtohem plotesisht me ato qe thua ti mbi patriarkalizmin, poziten e veshtire te gruas ne Shqiperi, dhunen etj. por nuk jane keto arsyet qe i kane shtyre virgjineshat tone te behen te tilla. Ka qene vetem nje zgjedhje e lire e tyre. Madje shoqeria jone, me te drejten zakonore, traditen dhe mentalitetin qe ua lejon atyre nje zgjedhje te tille te pakten ne kete pike rezulton me e emancipuar se shume shoqeri te tjera ne bote.

    1. Faleminderit Relapso per komentin e gjate dhe kohen e kushtuar. Po e nis nga fundi. Shoqeria shqiptare eshte nder shoqerite me homofobe ne Ballkan, virgjeria konsiderohet ende si perkorje e dliresi ne shume vende te Shqiperise, martesat me mbleseri jane realitet ne vazhdimesi, femrat e divorcuara jane te detyruara ne shumicen e rasteve te jene vejusha per se gjalli, prostitucioni mbetet ende nje plage e hapur, etj, etj. Persa u perket virgjneshave ose burrneshave eshte madje e kunderta nga ajo qe thoni ju, nuk eshte rrjedhoje e shpirtit tolerant te shqiptarit, por e maskulizimit te tij dhe pranimit te socializimit te nje femre, vetem nese ajo i perngjet mashkullit. Mashkulli shqiptar ne nje pjese te Veriut te Shqiperise ku ruhet ende ky fenomen eshte si Zoti, e krijon njeriun sipas shembellimit te tij, vetem nje femer qe i ngjan shembellimit te tij ka te drejta te plota me te. Akoma edhe kur nje femer transformohet ne mashkull, ajo duhet te betohet per virgjeri te perjetshme pasi ne rast se ajo nderron mendje dhe do te rikthehet ne identitetin e meparshem, atehere duhet te vritet!!!

      E pashe dokumentarin e rekomanduar nga ju por sic duket kemi perceptime te ndryshme. Njera prej tyre thote qarte qe po te isha vajze do haja dru se s’mund te kthehesha vone ne shtepi e te e isha e lire dhe preferova te jetoj si mashkull! Sigurisht qe Hana tek romani i Dones ishte nje virgjereshe me e perpunuar dhe sterholluar ne shije, pasi eshte perzierje e realitetit me fiction, por thelbi eshte ai. Dhe nese juve ju duket qesharake dhe e pavertete sesi nje femer nuk mund te qarkulloje vetem, para disa vitesh qe u ndodha ne nje fshat shqiptar ne Maqedoni nuk mund te shkoja deri ne poste e vetme per te folur ne telefon pasi duhet te isha e shoqeruar nga nje mashkull i familjes ku qendroja!

      Pershendetje

      1. Tjeter Maqedonia, tjeter Shqiperia. Tjeter Tetova, tjeter Kumanova, Gostivari, Dibra e Madhe dhe tjeter Shkupi.

        Rastet personale nuk vlejne shume. Para disa viteve isha ne Shkup dhe ne Tetove, aty xhamia, aty ekstremistet salafite ne teqene Harabati, aty universiteti me femrat veshur shtrenguar. Ne Shkup, ne Cair te dukej sikur ishe ne ndonje skene filmi, sokake, ndertesa e dikurshme e hamamit dhe ndertesa publike osmane, verdalle bare me femra te lyera, madje do thosha te llangosura per standardin e nderteses se gurit, kuptohet ne lirine e tyre.

        Kjo qe thoni per mashkullin shqiptar ne Veri me duket pak e pergjithshme dhe qe nuk i pergjigjet realitetit. Ajo qe ndodh fshatrave kudo, eshte pjese e nje kulture dhe jo e ndonje kanoni qe vazhdon kembengul ne emer te disa virtyteve qe jane keqkuptuar. Historia e virtytit ne kete vend i ka faqet pa asnje rresht te vetem.

        Tirana eshte nje eksperiment ku keto “burreri” shihen ne virgjerine e tyre. Naten, diten, me leke, pa leke, nga veriu, jugu. Shqyqyr qe u thane palmat se do me dukej vetja ne Havane.

        Personalisht nuk e besoj skematizmin ne narrativa per tema te tilla karakteristike per Shqiperine si kjo e burrneshave dhe bunkereve, apo rrefimet per komunizmin. Nese ka nje gje qe na meson edhe pervoja e te tjereve, por edhe jetesa ketu xhanem, ne kete karantine hajnie, eshte se ne asgje nuk ka thjesht fajtore dhe te pafajshem, viktima dhe xhelate. Ka dicka me te nderthurur. Sigurisht raste te vecanta ka, mjafton te kujtojme Shote Galicen. Dhe keto dukuri qe e shohin femren si viktime duhet te vijne bashke me nje thellim mbi rolin e femres ne familjen shqiptare, qofte ate te Veriut. Rralle ndodh qe femrat te mos kene ndikim, sidomos mbi keta fare burrash me mbingarkese cerebrale qe ka Shqiperia.

        Ja nje dukuri e perhapur masivisht te femrat ne Tirane: magjia, pagesat per te pare fatin ne lloj lloj fallxhoresh e yshtesish. Prezumimi se femrat jane viktima dhe vuajne mungesen e lirise eshte me se paku jo i vertete edhe pse ka te verteta brenda. Po as meshkujt nuk jane te lire, jane burgosur ne friken e madhe te komplekseve qe kane.
        Edhe kur flitet per divorcet duhet te kemi ndonje te dhene se kush i inicion me se shumti. Personalisht habitem shpesh me brezin tim te meshkujve qe sa here bie diskutimi per ndonje divorc, akuzojne mashkullin – mikun e perbashket – qe ia beri vetes, u nda nga gruaja. U nda nga gruaja eshte si te thuash, qe eshte nje fare budallai qe nuk behet. Ky eshte kulmi. Habitem me friken dhe drojen qe kane nga divorci. Nje arsye mund te jete lodhja per t’ia nisur nga e para, kush njeh nje tjeter, kush rri e duron prape, sa ta njohesh, sa ashtu e sa keshtu. Po ato meselete e perditshme ne shtepi…Por serish, gjykohet mashkulli si i pazoti me prapashtesen “ajo, alamet goce”. Kthim mbrapa ne kohen e sqeparit.

        Nuk ka asgje muzeale ne Shqiperi, te pakten ne planin njerezor. Ka nje mije probleme po, por edhe kullat po behen hotele, frengjite po behen dritare. Sigurisht ca tema ecin mire akoma.

  4. Pamerak se Edhe Ne Vendet te tjera Ballkanike , pak a shume te njejtat Dukuri Socio-Kulturore Dhe Mentalitet Hasim( Si thua Flasim ndonje cikez per ‘Huqet’ e Kretaneve..), Avash edhe Shqiptaret do Bicim “Evropianizohen” ,se Fundja nuk Jemi ( i.e Shqiptaret)Njerez me Bishte ,Apo Jo !?

    1. Ky shkrim flet per fenomenin e Virgjereshave te Betuara ne Shqiperine Veriore duke iu referuar librit te Dones dhe regjise se Fezollarit. Nese ju doni te shkruani nje shkrim per rolin e sotshem te femres ne Krete, mund ta beni.

  5. Pikerishte permbajuni Thelbit te Ceshtjes e mos u ” Hallakatni” ne Pergjithesime e Hamendesime te Tepruara , Ato Taksini per nje tjeter ‘ Milieu’ Diskutantesh , e Nderuar.

    1. Faleminderit per imperativin, formen urdherore! Se cfare do publikoj une e vendos Kryezoti i kesaj reviste elektronike. Nese juve s’ju pelqen, nuk ka problem. Do ju sugjeroja qe te lexonit gjithe shkrimin (jo vetem komentet) te lexonit librin perkates, te shikonit filmin dhe dokumentaret ne fjale e me pas te me beni leksione per milieu. Ne krahasim me Afganistanin sigurisht qe eshte lule Shqiperia, ndersa me Kreten tuaj do te shtoja qe ate se beri dot shteti shqiptar me kanunin, e beri shteti grek ne Krete

    2. I nderuar mysafir, ky koment juaji kaloi aksidentalisht – ose vetëm ngaqë unë i besova korrektesës suaj dhe ju kisha hequr nga moderimi paraprak. Eleana, të kërkoj të falur që ndodhi kjo.

  6. “Tema e burrneshave u bë e modës në Shqipëri vetëm pas vëmendjes që erdhi nga jashtë”-Eleana Zhako

    Ne fakt, ne Shqiperi tema e burrneshave nuk eshte bere kurre e modes. Ne mode eshte tek perendimoret dhe tek nje numer i shqiptareve qe jetojne tashme prej dekadash jashte Shqiperise Nuk eshte e rastesishme qe edhe protagonistet e ketij shkrimi jane keta te fundit.

    Interesante edhe mbyllja qe Fezollari ka zgjedhur per fundin, ajo e kenges turke. Ose kemi te bejme me nje perpjekje te sforcuar per t’i dhene vepres universaliltet ose kemi te bejme me nje heqje paraleleje se kete fenomen e kemi peshqesh nga turqit. Nese eshte keshtu, atehere varianti i pare duket si nje zgjidhje me paterice ndersa varianti i dyte thjesht qesharak ne ate qe kerkon te jape idene se Marku katolik i malesive te thella shqiptare na qenkerka influencuar nga keta prapaniket e Anadollit.

    1. Kritikat na bejne me te mire ;), na ndihmojne te reflektojme mbi idete tona, por edhe per tendencat “e kritikes e kritikes” qe vijne nga te tjeret. Ndoshta duhet ta kisha vene ne thonjeza fjalen “e modes” qe te behesha me e qarte. Une sa vite kam jetuar ne Shqiperi nuk e kisha degjuar me pare si fenomen, as une dhe as miqte e mi. Kam ikur heret, por kjo ka pak rendesi, pasi jam informuar shume vite me vone mbi virgjerashat nga shtypi i huaj. Jane bere mjaft dokumentare dhe nga shqiptare mbi Virgjereshat, por kjo gjithmone pas vemendjes qe erdhi nga jashte. Tashme te gjithe shqiptaret e dine termin “virgjereshe e betuar”.
      Ne lidhje me kengen turke mund te pyesni regjisorin qe t’u shuaje kureshtine. Sigurisht, qe s’ka asnje lidhje me teorite konspirative qe shtjelloni. Mjafton t’i hidhni nje sy mediave te huaja ne lidhje me protestat ne Turqi, qe te kuptoni se c’ ndodh pertej Shqiperise tone te vockel

  7. Eleana, meqe ia hyra ketij muhabeti, me duhet te sqaroj mendimin tim.

    Ti thua:

    “Akoma edhe kur nje femer transformohet ne mashkull, ajo duhet te betohet per virgjeri te perjetshme pasi ne rast se ajo nderron mendje dhe do te rikthehet ne identitetin e meparshem, atehere duhet te vritet!!!”

    Ku e ke lexuar kete? Ne ç’dokument a deshmi historike e ke gjetur? Kjo eshte thjesht nje perralle nga e kaluara dhe nje mit modern, qe sikurse e thua me te drejte ti, na e kane veshur te huajt. Me sakte libri i Antonia Young prej nga eshte frymezuar Dones. Ti kur ke qene per here te fundit ne fshatrat katolike te Veriut? Nuk ekziston asnje formule a ceremoni betimi per virgjeri te perjetshme. Ne tekstet qe kemi mbi te drejten zakonore thuajse nuk zihet ngoje fare kjo dukuri. Te “Kanuni” i Gjeçovit, atje ku duhej te flitej, pra ne kreret mbi familjen, te drejtat dhe detyrat e grave, mbi fejesat e martesat etj. nuk flitet fare per virgjinesha a burrnesha. Ka vetem nje rresht ne kreun e fundit, ku flitet per perjashtimet. Thuhet se burrneshat mund te marrin pjese ne kuvend burrash, por nuk kane te drejte fjale dhe vote. As ne literaturen studimore mbi te drejten zakonore nuk ka thuajse asgje. Vetem Valentini i kushton 5 rreshta ku ben edhe dallimin mes virgjineshave (vajzave qe vendosnin te mos martoheshin dhe te jetonin ne shtepine e babait, duke mbetur femra) dhe burrneshave qe vendosnin te visheshin si burra. Keto te fundit sipas Valentinit fitonin te drejten te rrinin me burra, te mbanin arme etj., por nuk kishin te drejte trashegimie apo fjale e vote ne kuvende. Pra per gjerat e rendesishme mbeteshin gra.

    Qe te sqarohemi: une nuk kritikoj romanin e Donesit si te tille. Per sa kohe qe mbetemi ne kufijte e nje vepre letrare jemi ne rregull. Shkrimtari ka leje artistike te trilloje artistikisht sa dhe si te doje, te krijoje bote imagjinare, te fluturoje me fantazi pertej kufijve te reales dhe te se mundshmesh etj. Ky eshte domeni i letersise. Problemi nis kur romani pushon se qeni trillim letrar (fiction) dhe merr persiper atribute angazhimi social, studimi antropologjik, vertetesie objektive dhe pasqyre te realitetit.

    Se fundi, dua te theksoj edhe njehere arsyen qe me shtyu te komentoj ketu:

    Le t’i pranojme te gjitha: poziten e veshtire te gruas, patriarkalizmin, inferioritetin e skajshem, dhunen, kufizimet e shumta. Le t’i pranojme, pra, keto edhe si shkaqe te mundshme qe i shtyjne vajzat malesore te behen burra. Po pse duhet te perjashtojme edhe orientimin e ndyshem seksual si nje nga shkaqet e mundshme? Ketu nuk e kam aq me shkrimtaren Dones, sesa me frymezuesen e saj, antropologen Antonia Young, e cila ne librin e saj ngul kembe ne kete pike. Fakti qe orientimi apo identiteti i ndryshem seksual nuk pranohet hapur nga malesoret nuk do te thote se nuk ndikon si faktor percaktues i dukurise.

    Atehere pse ngulet kembe te mohohet ky faktor? Sepse po te pranohej, do te ishte nje gje krejt normale qe nuk do te çudiste boten. Synimi eshte t’i tregojme botes sa me shume çudira shqiptare. Synimi eshte t’i japim botes ate çka pret prej nesh. Bota na mban per te eger, barbare, patriarkale, te prapambetur, kafshe me dy kembe ne mes te Europes dhe ne e kenaqim duke ia permbushur pritshmerite. Greket na mbajne per vellezer te turqve? Atehere pse te mos e mbyllim shfaqen teatrale me nje kenge turke qe t’i zere gjumi te lumtur greket?
    – E degjuat? Mire e paskemi pasur ne, katoliket shqiptare i trajtojne grate njesoj si fshataret e Anadollit. Po na e thone vete…

  8. Zoti Vehbiu , me lejoni te Shprehem..
    kam jetuar ne Greqi , per pak kohe ne Maqedoni , se Fundmi ne Itali … Nje Histori Tipike Emigranti , pothuajse gjysmen e jetes Larg Vendit Tim , kam njohur Grek e Italian, Maqedonas e Serb , e c’do Soj e Sorrollopi , por mes ketyre kam Njohur e lidhur miqesi me Arvanitas,Cam ortodokse,Arberesh , Rekalinj Shqiptare etj Dhe ndac me besoni ndac Jo , nga keta te Fundit kam mesuar te cmoj , Vendin ,Popullin e Identitetin Tim …ata me Ben Shqiptare!!!!

    1. Ju lutem respektoni rregullat e debatit dhe mos sulmoni kolegët tuaj pa futur akoma mirë këmbët në këtë hapësirë. Ju lutem shkruani shqipen mirë dhe mos i filloni të gjitha fjalët me shkronja të mëdha. Shihni si shkruajnë të tjerët dhe përpiquni ta mbani edhe ju këtë standard. Përmbajuni temës së diskutimit dhe mos u merrni me diskutantët. Nëse nuk i zbatoni këto rregulla elementare, do të detyrohem t’ju mbaj nën moderim permanent. Ju lutem mos iu përgjigjni këtij komenti, sepse nuk mund të debatoj me ju për rregullat e diskutimit në faqe. Do t’ju këshilloja të kalonit ca kohë duke lexuar materialet në faqe, para se të fillonit të bënit ndonjë koment – që të mos humbasim kohë, as ju as unë.

  9. Ky eshte fenomen historik krejt i parendesishem, aq periferik dhe i paperfillshem, saqe na duheshin te huajt ne kerkim te elementeve ekzotike qe t’i mesonim ekzistencen historike.
    Nqs nxit turizmin ekzotik mire se te vije edhe promovimi artistik, me gjithe ate mafie dhe kanabis qe eksportojme, me mire te merren me kotesi historike, sesa me figuren aktuale te mafiozit.

    Ne analizat qe kane nxjerre se fundmi, turistet e huaj nuk vijne kryesisht ne behar per plazh, por me shume vijne ne pranvere dhe vjeshte, per turizem kulturor, ne kerkim te veçorive dhe ekzotizmave shqiptare. Figura e shqiptarit si mafioz dhe kanabist, ben dem te madh ne turizmin e huaj, kurse virgjereshat e betuara dhe burrneshat, vetem mund te shtojne turizmin ekzotik, madje nqs marrim parasysh tezen e Relapsos per orientim LGBT, promovimi i turizmit ne kete drejtim, mund ta ktheje Shqiperine ne nje mete ne mos Meke te turizmit kulturor lezbos, me perfitime shume te medha ekonomike.

    Kur kontekstet kalojne ne fazen historike, dmth pa peshe kushedi se çfare ne te sotmen, nuk stigmatizohen, thjesht kuptohen, perndryshe italianet qe futen ligjin e divorcit vetem ne vitin 1970 duhet te akuzohen me ulerima ne kupe te qiellit.
    Regjizori ta jape ate shfaqje ne çdo vend te Europes, mbase peshkon ndonje qe ka leke e s’di ç’tu beje, keshtu t’u lehtesohet fale turizmit jeta, ne radhe te pare banoreve shume te varfer te zonave malore, te cileve ambjenti i ashper s’ka shume ç’tu ofroje.

    1. E bukur si ide. Turiste perendimore qe enden shkrepave te Shqiperise dhe qe u fusin duart burrave tek vendi i hallateve per te provuar nese jane nga ata me te drejte vote e fjale apo nese jane burrneshat e famshme. Mund te sherbeje edhe si shtyse per shume forma arti. Skenaristi dhe regjizori shqiptare, audienca greke, muzika turke.

      1. Turizem kulturor lezbos jo turizem seksual, se fenomeni eshte inekzistent prej shume kohesh. Pastaj nqs ka turiste kureshtare, ate pune e zgjidh barsaleta e gjyshit.
        Nuk duhet marre si batute kjo çeshtje, se Thethi fale turizmit te huaj eshte bere parajse per banoret e zones.

        Kur turizmi ka sezonin e larte ne vjeshte dhe pranvere, eshte turizem kulturor dhe lere ca prashisin ne Shqiperi prej 25 vjetesh, vendet mbahen kryesisht me turizem kulturor. Numrin me te larte te turisteve ne bote e ka Parisi qe nuk ka det fare, pastaj Nju Jorku, ku nuk shkon njeri per detin, madje edhe Barcelona qe ka nje bum te pashembullt turistik nuk e ka prej detit, por se eshte bere pike turistike kulturore, sidomos brezi i ri.

        Ne na mbushen plazhet me emigrante , shqiptare Kosove e Maqedonie (nuk vijne sllavet e maqedonise) dhe themi u mbushen plazhet, ky eshte turizmi. Po plazhet jane te te gjithe shqiptareve, kur themi turizem te huaj duhet te nenkuptojme te huaj, joshqiptare.

        Po shihja ne lajme qe Apolonia kishte pasur nje rritje te jashtezakonshme 6 mujorin e pare, Auron Tare per Butrintin tha se ka kaq shume njerez saqe duhet rritur çmimi i biletes,qe te ulet numri i turisteve se po demtohet parku. Nuk besoj se jane logje qeveritare, sepse turizmi arkeologjik (qe hyn tek kulturori) eshte nga me te preferuarit kudo ne bote.

        Mendoj se çdo lloj klisheje, kotesie historike, arkaizmi, ekzotizmi etj, duhet promovuar, se bota ka njerez plot qe s’kane ç’u bejne lekeve, keshtu qe tek ne, ne mos do rrjedhe, do pikoje.

        Koço Kokedhima, futi nje ide interesante legalizmi te hashashit qe te vinin drogaxhinjte e Europes ne Shqiperi, Rama e ktheu ne prodhim industrial hashashi qe drogaxhinjte e Europes ta pine me çmim te lire ne vendet e tyre. Mbase ideja e Koços eshte e veshtire te mundesohet, se s’te fal Hollanda e cila ka vene monopolin e ketij lloj turizmi, po diçka besoj se mund te negociohej.

        Them se duhet te mendojme pozitivisht, ne vend qe te shahemi e grihemi me njeri-tjetrin, per gjera qe Historia i ka marre njehere e mire; nuk t’i kthen Historia fenomenet te cilave u ve vulen e pronesise se plote. Kete koncept e njohim nepermjet shprehjes, mos na ngjall pulat e ngordhura.

        Te pakten une keshtu e shoh, nqs nje gje eshte per muze, atehere eshte edhe per te nxjerre ndonje lek, se nuk me duket te turperohen as romanet, as parizienet, as londinezet, kur ta ngopin çmimin e biletes per ne muze, sa frengu pulen.

  10. Qe te mos me mbetet merak asgje, po e shtjelloj deri ne fund shqetesimin tim, duke marre ne sy edhe rrezikun te dal jashte teme.

    Nuk e kam ne veçanti me Elvira Donesin, por me nje kategori autoresh shqiptare emigrante (kryesisht femra), qe sidomos keto 10-15 vjetet e fundit kane botuar disa romane ne Perendim. Jane ato qe Kadare i ka quajtur “zonjat e vogla te letersise shqipe”, ku ben pjese edhe Donesi. Meqenese une shkruaj me pseudonim, nuk me duket e drejte te permend emra autoresh dhe tituj veprash, ndaj po flas ne pergjjithesi, por te kihet parasysh se bej fjale per romane te botuara vertet. Ketu nuk kane rendesi emrat, por dukuria si e tille.

    Sot ne Perendim ka nje imazh stereotipik jo shume te favorshem per shqiptaret dhe Shqiperine, te ushqyer nga fakte reale dhe kronika shtypi thuajse te perditshme. Sipas ketij imazhi shqiptaret jane kriminele, trafikante njerezish, armesh dhe droge, prostituta dhe shfrytezuesh prostitucioni, dredharake, mashtrues, njerez shpirtkazem qe e gjejne kenaqesine kur vrasin ose keqtrajtojne gra, pleq dhe femije etj. etj. Televizionet transmetojne perdite telefilma policieske amerikane, angleze, gjermane ose italiane ku ka thuajse gjithmone nje kriminel shqiptar. (Pikerisht dje, teksa po haja darke, nga televizori i ndezur ku po transmetohej nje telefilm australian, me kapi veshi shqiptarin e radhes qe kesaj here ishte trafikant pashaportash te falsifikuara). “Shqiptari i keq” tashme eshte bere element i pamohueshem i asaj qe mendjendriturit e sotem po e quajne “post-truth”.

    Ne kete klime ne Perendim ka lindur edhe nje letersi e veçante, me autore rigorozisht shqiptare, qe s’bejne gje tjeter veçse pllaquriten ne batakun e paragjykimeve dhe te stereotipave me “shqiptare te keqinj”. Keshtu kemi romane, me autore shqiptare, qe tregojne histori qe te kepusin zemren ku protagonistet vajza shqiptare per t’i shpetuar keqtrajtimit ne familje, dhunes, mjerimit, urise, bien pre e bashkatdhetareve kriminele qe i trafikojne ne Perendim, i perdhunojne e i shfrytezojne si prostituta, derisa me ne fund gjejne ndonje klient samaritan te mire qe bie ne dashuri me to dhe i shpeton. Ose romane ku sekretaret e partise, mesuesit e gjimnazeve, ose oficeret e sigurimit te regjimit komunist pershkruhen si perdhunues seriale qe pasi lene shtatzane vajzat e mitura, u internojne edhe familjet per faj te imoralitetit te vajzave, sepse tani po mesojme se te mbeteshe shtatzane ne moshe te mitur asokohe ishte krim qe denohej me ligj! Ose romane ku denoncohet para botes sporti kombetar i preferuar i shqiptareve: pedofilia! Ose romane ku…

    Eshte nje letersi qe shkruhet drejtperdrejt ne gjuhe te huaj dhe qe mendohet e konceptohet vetem per publikun e huaj, madje shpesh autoret, edhe kur ndonje botues shqiptar u ofrohet per t’i botuar ne shqip, e refuzojne oferten.

    Se fundi, Eleana, po i pergjigjem pyetjes sate nese e kam lexuar apo jo romanin e Donesit. Po, e kam lexuar, pasi kisha lexuar nderkohe, se ashtu ma donte puna, librin e Young-ut, librin e nje antropologeje italiane (Patrizia Resta) mbi kanunin, si edhe shume materiale e studime mbi te drejten zakonore shqiptare. E me beso kur te them se romani i Donesit, si veper letrare, me pelqeu. Siç me kane pelqyer edhe romane te tjera te saj. E perseris, nuk dua te kritikoj Elviren si shkrimtare. Kam pasur rast ta njoh personalisht dhe ta vleresoj edhe si njeri qysh kur ishte vajze e re. Cka nuk me pelqeu erdhi me vone, klima qe u krijua rreth romanit, intervistat, konferencat e shtypit, dokumentaret, filmat, qe e shnderruan vepren letrare ne nje lloj ungjilli antropologjik mbi shqiptaret. Ketu Elvira ka pjesen e saj te pergjegjesise.

    Nese ia ke dale te me lexosh deri ne fund, te falenderoj per kohen dhe durimin!

    1. Relapso, permende shkrimtaret nga Shqiperia qe shkruajne per publikun e huaj. Shtoj une, duke ngulur kembe tek ekzotikja, ne veper dhe ne prezantimin qe i bejne vetes. Ja cfare thote per veten Gezim Hajdari, qe boton italisht:

      I belong to a race of bards and rhapsodic singers hailing from the Northern Albanian Alps. My cultural background—luckily enough!—is centuries old. I was brought up on Albanian epic song. As a teenager, I was taught to recite each night before sleep the epic poems celebrating the deeds of the brave shqiptar in defense of their people and their land. My father knew more than ten thousand epic verses by heart, and each member of our family had the duty to transmit by memory the oral tradition of the lineage.

      during the dictatorship of Enver Hoxha, the study of the Italian language was forbidden in Albania for ideological reasons, Italy having been a fascist country that had invaded Albania and annexed it to its empire.

      But alongside the official culture, another clandestine literature was also circulating. We read Italian authors that were seen as “decadent” by the official communist culture. The texts by these authors were secretly copied by hand to escape censorship, because it was easy enough to end up in prison for subversive propaganda against the culture of “socialist realism.” It was in this way that I read Dante, Petrarch, Boccaccio, Ariosto, Tasso, Catullus, and other foreign classics secretly translated into Albanian. Reading these great poets made me fall in love with the Italian language. In the remote, icy winter of the Albanian dictatorship, my dream was to be able one day to read the Divine Comedy in the original language.

      If we look back at history, we find that the forefathers of Albanian literature wrote in Latin and that their works were printed in Rome. By writing in Italian I am stimulating and enriching the Italian language, but also my original language. I write in Italian and torment myself in Albanian—and vice versa! This is not a question of bilingualism, but of one “double language.” So my writing is a linguistic migration: to go in and out from one language to the other, teaching people to become migrants and foreigners so as to share common destinies and common futures. The language of the exiles returns a spark of truth to metaphor and vitality to language.

      http://www.wordswithoutborders.org/dispatches/article/an-interview-with-gezim-hajdari-cristina-viti

  11. Ndaj Cfare shkrojti Relapsos , jam thjeshte i Mahnitur Dhe nuk Mundem te shtoj absolutishte asgje , dua vec te rrefej pervojat e mia vetjake , Nje fare Stereotipizim e Paragjykime kryekeput ,..ndaj Shqiptareve Egziston qe c’ke me te , kete e kam perjetuar ne lekuren Time ( si parentesi ; Fillim i ‘2000 , perpjekja e nje Polici – Ushtarak ne Polikastro , per te me vene Flaken …nderhyn Shqiptaret e tjere te ‘Burgosur’ si une, qe me Shpetuan jeten …) im Vlla minoren i Keqtrajtuar e Burgosur Padrejtesishte per 4 vjet ne Burgjet me Famkeqe te Greqise.. Vellai i Madh po’ te njejtet Pervoje shto edhe ‘ Peripecite’ e Lengatat e Italise ne Fillimet e ‘2000 …Mundohuni Minimalishte te me Kuptoni , Jemi bere ” Delja e Zeze” pa e merituar, thjeshte sepse ishte nevoja per nje Rol te tille ‘ Common Enemy’, Gaz e Turp i ” Botes” , i ster- nxitur nga Gjitonet, Dhe nuk eshte thjeshte Nje obsesion i viktimizimit , Te nxehtin e Zjarrit ne trupin Tim e kam ndjere Une , Perbuzjet e Te Sharat ‘ Gamouto Alvane ‘ i kam degjuar une … Personalishte Mendoje se Fqinjet tane Kane nevoja per Nje Doze te mire ‘ Leksionesh Historie’ lidhur me Kush Jane Shqiptaret… , e dyta nje Mesim Humanizmi e Empatie- Solidarieti Njerzor, Keshtu qe te vetdijesohen per Faktin qe thelle – Thelle , Jemi te Gjithe Sic i Thone italiane ” Fatti della stessa Pasta”…

    1. I nderuar, ju lutem shkruajeni shqipen mirë.

      Në vend të:

      jam thjesht i Mahnitur Dhe Nuk Mundem të shtoj…

      Duhet të shkruani:

      jam thjesht i mahnitur dhe nuk mundem të shtoj…

      Shkronja e madhe në shqip përdoret (1) për të filluar një fjali, ose pas pikës dhe (2) për emrat e përveçëm. Ka edhe rregulla të tjera, por hë për hë këto mjaftojnë.

      Një njeri si ju, që kërkon të debatojë për mesapët, duhet të jetë në gjendje të dallojë emrat e përveçëm nga fjalët e tjera të gjuhës.

      Unë kam shumë shpresë se ju mund ta korrigjoni këtë, që të vazhdoni të merrni pjesë në diskutimet e këtushme. Shihni edhe rreth e rrotull: askush nuk shkruan kështu si ju. Thoni se jeni patriot: një patriot i mirë tregon kujdes për gjuhën amtare.

  12. 🙂 Zoti Vehbiu keni te drejte , te me qortoni per shkeljet e rregullave drejshkrimore , nuk mund te justifikohem , por shpjegime lehtesuese ne Kendveshtrimin tim ,mund t’ju jape ,jam duke u diplomuar per heren e dyte ,ne nje profil shkencore , te kryer jo ne gjuhen e Memes( M e madhe e vura qellimishte..), keshtu qe shpresoj te jeni sadopak me tolerant , por edhe verejtjet e mesimet i pranoj me gjithe deshiren e mire , do bej c’te mundem, faleminderit per mundesine .

  13. Interesante qe te gjithe komentuesit jane meshkuj, te cilet me shume pasion, perpiqen te hedhin poshte edhe vepren e shkrimtares, edhe te regjisorit, edhe cdo perpjekje timen per te shkruar rreth kesaj gjeje. Nuk e kam fjalen per te gjithe komentuesit ne kete shkrim, por per shume prej tyre. Strumbullari i komenteve paska qene Turqia, nderkohe qe Turqia eshte partner strategjik i Shqiperise ne programin qeveritar :D. As une, as shkrimtarja, as regjisori nuk kemi ndonje afiliacion te vecante me Turqine. Per me teper, nje vend si Turqia me mbi 79 milione banore nuk mund te barazohet me Shqiperine 3 milioneshe, qofte per nga pesha historike, qofte kulturore, gjeopolitike, etj. Turqia nuk eshte vetem Erdogani, por edhe Orhan Pamuk, Nazim Hikmet, Yasar Kemal, Ara Guler, etj, etj. Sipas logjikes se ekspozimit te te keqijave te Shqiperise, nuk duhej te kishin ekzistuar gjithe filmat mbi mafien italiane, librat e Roberto Savianos, mbi mafien meksikane, etj, etj. Faleminderit per kohen e kushtuar!

    https://www.youtube.com/watch?v=hFPcpv7KUKU

    Ju pershendes me disa paragrafe te Kanunit

    Neni: 42, «Njatë herë kúr t’ i teket djalit, âsht i lirë me lshue vajzen e xânun». Neni: 43,«Vajza e xânun nuk mundet me e lshue djalin edhè në mos e pasët per sý»; Neni: 31, «Vajza s’ ka tager me zgjedhë fatin e vet; do të shkojë per atë per të cilin t’ a fejojn».

    Kapitulli: 29, «Grueja njifet si nji calikë per me bajtë sá të jetë në derë të burrit […]». Ajo nuk ka asnjë shpagim ekonomik përveç bukës dhe rrobave, pasi (Kapitulli: 20) «grueja shqyptare farë trashigimit s’ ká te grindja, as me plâng, as në shpí – kanuja e xên gruen si nji tepricë në shpí». Neni: 88, «Kanuja njef per trashëgues djalin e jo vajzen»; Neni: 91, «as te grindja e as te burri gruaja s’ hînë në pjesë të trashigimit»; Neni: 92, «me dalë fare mashkullimi i njij shpije e njëqind bija me pase dalë aso dere, s’ kan tager me u perzie në trashëgim […]».

    Neni: 58, «Burri ka tager me e keshillue e me e qortue gruen; me rrahë e me lidhë gruen e vet, kùr te mbrrîjë me i a perbuzë fjalen e urdhnit

    Kapitulli: 31, «Per dý pûnë e ká fishekun në shpinë grueja […]: per kurvni; per mik të prém»

    Kapitulli: 28 «Njimend se mbas kanunit t’ onë “gjaku shkon per gisht”, porsè kjo kanû s’ e pershîn gruen, per arsye, qi “grueja s’ bjen në gjak” edhè me qillue se vret kend. Me vrá grueja burrin e vet a kêdo, grindja e kësaj do t’ apin arsye per at gjak […]. Me mbytë grueja burrin, e m’ u çue kunati me vrá të kunaten, pe i a vrau të vllán, kjo s’ âsht e perligjme më kanún. Gjaku i grues s’ bâhet krahas me gjak të burrit; prá, tepricen e gjakut të burrit do t’ a perligjin prindja e grues».

    Neni: 931, «Grueja e vejë a cuca, qi delshin me marre, do të digjeshin per së gjalli ne grumbull te plehit – Ase i vêjshin ndermjet dy turrave drûsh te ndezuna e a i bâjshin me kallxue simahorin, a i lêjshin te shkrihên per mnderë ndermjet dy zjarresh. Me kênë e mbrrîjshin me i a xjerrë fjalen se cili e koriti, atbotë i vêjshin rrethin edhè simahorit, edhè i grîjshin bashkë».

    Neni: 924, «Prindja e të marruemve nuk mund t’ i kerkojn per gjak por do t’i apin dorërasit fishekun e prishun me “Të lumët dora”».

    1. Eleana më fal që po përfshihem edhe unë kështu në debat (si mashkull e si i paftuar), por mendoj se ata që kanë komentuar më sipër kanë të drejtë kur thonë se vepra e Donesit duhet parë thjeshtë si vepër artistike e jo si një studim antropologjik për firgurën e gruas në Veriun rural. Pjesët e Kanunit të Lekë Dukagjinit që keni prurë flasin vetëm për shtypjen dhe trajtimin sikur objekt të gruas, por nuk përmendin fare fenomenin e virgjneshave ose burrneshave. Fakti që një fenomen i tillë nuk përmendet gati aspak në ligjet zakonore të asokohe ose në kulturën shqiptare më bënë të mendoj se hyllin ka të drejtë kur thotë që është një ekzotizëm që ka tërhequr të huajt dhe jo një fenomen i mirëpërhapur shqiptar. Që femra në Veriun rural trajohej e vazhdon të trajtohet si objekt kjo është pamohim, ashtu sic është pamohim një lloj tendence për t’u hequr si të vecantë në sy të botës, duke promovuar fenomene që janë më shumë të importuara sesa vërtetë shqiptare, sic është edhe rasti në fjalë.

      1. I dashur Migjen
        Sic duket qarte te gjithe komentuesit komentojne me pseudonim pasi keshtu e kane me te lehte te parashtrojne kunderargumentet e tyre madje dhe te tallen. Une shkruajta nje shkrim artistik kryesisht bazuar mbi librin dhe teatrin dhe ishin komentuesit qe e shnderruan ne analize antropologjike e sociologjike. Perpara se ta konsideronit fenomenin si dicka tejet periferike dhe te papeshe, do ju sugjeroja te thelloheshit me teper mbi figuren e gruas ne Shqiperi. Une nuk permenda qe eshte fenomen dominues, por eshte po aq i rendesishem per mua sa dhe ai i femrave shqiptare qe trafikohen rrugeve te Evropes. Mjafton te beni nje shetitje neteve ne nje nga kryqytetet qendrore te Evropes dhe do degjoni shqip ne te gjitha segmentet rrugore ku dalin neteve. Letersia dhe teatri kane sì mision te kapin pikerisht keto fenomene anesore qe juve ju duken dytesore. Rilexojeni perseri Kanunin dhe aty do kuptoni si linden burrneshat

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: