SHKRIMLEXIMI, OSE NGA FJALA NË TEKST

Shkruan Ivan Illich-i se, në veprën Didascalicon, Hugues de Saint-Victor e përkufizon leximin si “formimi i mendjes sipas rregullave dhe precepteve të marra nga librat”; duke dalluar tri lloje: Leximin e mësuesit, leximin e nxënësit dhe leximin e atij që e sodit librin më vete dhe për vete. Çfarë përvijon tri situata: situatën e atij që e dëgjon zërin e faqeve kur lexon me zë të lartë për hir të së tjerëve; situatën e atij të cilit i lexon dikush tjetër, ose që lexon me ndërmjetësimin e një mësuesi ose lektori; dhe situatën e atij që lexon duke e shqyrtuar (inspektuar) librin.

Leximi në heshtje praktikohej rrallë e tek edhe në lashtësi; siç e kemi përmendur këtu vite më parë (Kënga e shkronjave) dhe siç e kujtoi edhe kolegu Edion Petriti në një koment në pjesën e parë të kësaj eseje, Shën Augustini përmend mësuesin e vet, Ambrosin, që ndonjëherë i lexonte librat pa i lëvizur buzët. Illich-i përmend pastaj që shkrimit në manastire i kopjonin zakonisht dorëshkrimet nëpërmjet diktimit që ua bënte një i tretë: “skriptoriumet në Mesjetën e hershme ishin vende të zhurmshme,” shkruan ai. Pastaj mbërriti në Europë një teknikë e re, që ua riktheu këtyre heshtjen: e shpikur në Irlandë, kjo teknikë konsistonte në ndarjen e fjalëve me hapësira – në mënyrë që kopistët të mund t’i rroknin fjalët me sy si të ishin këto ideograme dhe t’i transferonin në faqe.

Në këtë pikë, Illich-it i intereson veçanërisht kufiri ndarës i dy klasëve aktivitetesh që sot na duken të ndryshme mes tyre, madje të kundërta: leximi dhe shkrimi; për ta ilustruar këtë kufi në epokën e Hugues-it, evokon dy personazhe në simbiozë: diktuesin (dictator) si autor të një teksti, dhe sekretarin e tij (scriptor) si shkruesin po e këtij teksti. Diktuesi nuk ekziston dot si i tillë, pa një shkrues; sikurse shkruesi nuk ekziston dot, pa dikë që t’i diktojë. Këto dy personazhe sot bashkëjetojnë te një individ i vetëm – por në Mesjetë rolet ishin të ndara: scriptor-i ofronte dorën që mbante penën, ndërsa dictator-i ia drejtonte lëvizjet. I pari, shkruesi, njihej edhe si a-manu-ensis, ose dora që vihej në shërbim të diktuesit.

Deri në fund të antikitetit, vazhdon Illich-i, një autor (dictator) mund të përdorte një ekip të madh shkruesish, mjaft që të kish fondet e nevojshme – aso kohe edhe stenografia romake kish arritur një nivel të lartë stërhollimi. Tabletat e shkruara me stenografi ktheheshin pastaj në tekste të plota të shkruara me dorë, nëpërmjet ri-diktimit të tekstit të stenografuar, një shkruesi të dytë. Krijohej kështu një draft, ose një skicë e dorëshkruar e veprës. Në një fazë të tretë, hynin në skenë kaligrafistet, të cilat ishin gra të specializuara për të prodhuar, me penë, master-tekstin ose bazën nga ku do të prodhoheshin pastaj kopjet për lexuesin.

Në shekullin e 12-të, shkruan Illich-i, një dëshmi të praktikave autoriale na ka mbetur nga abat Bernardi i Clairvaux-së, në gjendje të shfrytëzonte punën e një numri të madh murgjish në skriptorium. Si fillim, Bernardi flet (loquitur) ose thotë diçka (dicit); këto thënie (dicta) hidhen në tabletë nga një murg (amanuensis), i cili përdor një stylus, shufër prej druri ose prej briri, me majë të mprehtë. Sekretari i gërvisht shkronjat mbi sipërfaqen e mbuluar me dyllë; e parë nga një farë distance, ai duket sikur e lëvron faqen prej dylli, ndërsa diktuesi hedh atje farën – metafora e lavërtarit dhe e farëhedhësit vjen nga Isidori i Seville-s.

Në krahasim me antikitetin, sekretarët (amanuenses) e shekullit të 12-të nuk i përdornin më teknikat stenografike – të cilat kishin humbur. Për këtë arsye, abati Bernard detyrohej të fliste më ngadalë, dhe të kalonte nga diceredictare, nëse dëshironte që thëniet e tij t’ia mbanin shënim fjalë për fjalë (verbatim). Gjithsesi, pas një seance diktimi, autori-diktues largohej dhe teksti i gërvishtur shpejt e shpejt në tabletë do të hidhej, me penë, në pergamenë. Si rregull, në skriptoriumin e Bernardit, këtë e bënin dy murgj të ndryshëm, duke krijuar secili nga një kopje “të pastër”, e cila pastaj qarkullonte pa u “korrigjuar” më nga autori. Dhe kjo ngaqë, sipas Illich-it, Bernardi as që e vinte në dyshim se teksti i diktuar prej tij do të ndryshonte, sa herë që të kopjohej.

Ajo teknikë e korrigjimit (proofreading) ku njëri korrektor vihej ta lexonte tekstin origjinal me zë, ndërsa tjetri e krahasonte tekstin e lexuar me kopjen që kish para syve, dhe që ka qenë në përdorim deri vonë, në kopisteritë e shtëpive botuese, të universiteteve dhe të akademive, ende nuk ishte zhvilluar. Illich-i vëren se, kur Bernardi thoshte me zë ose diktonte ndonjë gjë, sekretari i tij e dëgjonte dhe pastaj ia përsëriste fjalët duke i murmuritur me vete. Kemi të bëjmë, kështu, me dy diktime: ai që ia bën Bernardi sekretarit, dhe ai që ia bën sekretari vetes së vet. Është goja e sekretarit (amanuensis) që ia drejton këtij dorën (dhe stylusin), shkruan Illich-i. Edhe shkrimi, njëlloj si leximi, ishte aktivitet murmuritës; për ç’arsye murgjve që dënoheshin me regjim të heshtjes totale, nuk u lejohej as të shkruanin – sepse nuk do të mund të shkruanin, pa murmuritur.

Në kohën e vet, Hugues-i u fliste studentëve; por vetëm një shekull më vonë, Thomas Aquinas-i do t’u mbante leksion: ai vinte në mësim, thotë Illich-i, me shënimet e veta, të shkruara me dorë, në letër. Dhe tashmë, nga fundi i shekullit të 13-të, studentët po mësoheshin që të merrnin diktim prej mësuesve të tyre; edhe pse, të paktën në fillim, sërish ia përsërisnin fjalën e mësuesit vetes me zë, para se ta shkruanin. Mes të tjerash, vëren Illich-i, kjo ngjallte edhe pakënaqësi mes studentëve, sidomos kur disa mësues i përdornin studentët e tyre si kopistë, me synimin për t’i shitur pastaj produktet e shkruara.

Dikur nga fundi i shekullit të 14-të, thotë Illich-i, pjesa e më e madhe e mësimit në universitete konsistonte në diktim dhe mbajtje shënimesh.[1] Ajo që bënte mësuesi në klasë quhej nominare, ose prununciare ad pennam (të artikulosh fjalën për penën); por edhe legere ad calamum (të lexoje drejt e në penë, me të cilën studenti shkruante në faqe). Ndërkohë, edhe argumenti i tekstit skolastik ish bërë aq i artikuluar dhe kompleks, vëren Illich-i, sa do të mund të ndiqej vetëm nëpërmjet një suporti pamor, si teksti i shkruar. Ishin përgatitur kështu kushtet që shkrimi të kalonte nga regjistrimi i të folurit, në regjistrimin e mendimit.

© 2018-2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim 1: Kjo është pjesa e dytë e një parashtrese të mbështetur mbi sprovën e filozofit Ivan Illich, me titull “Në vreshtën e tekstit”, kushtuar veprës Didascalicon të dijetarit mesjetar Hugues de Saint-Victor. Pjesa e parë mund të lexohet këtu.

Shënim 2: një version i kësaj eseje ka dalë në mars të vitit 2018, në këtë revistë. Komentet më poshtë janë të asaj periudhe.

 


[1] Kur kam ndjekur unë universitetin, në vitet 1978-1982 (Histori-Filologji, Gjuhë-Letërsi), studentëve ende u kërkohej madje imponohej të punonin “me leksione”, ose të mbanin shënim ato çfarë u thoshte profesori në klasë. Sidomos kur tekstet e lëndëve kishin autor të ndryshëm nga profesori i lëndës, leksionet merrnin përparësi ndaj tekstit, sepse gjasat ishin që studenti në provim do të gjykohej në bazë të aftësisë për të riprodhuar çfarë kish dëgjuar në klasë, jo të çfarë kish lexuar në tekst ose në materialet shoqëruese (literaturë). Ndonjë lëndë, si Estetika, të cilën e jepte Alfred Uçi, ose Historia e gjuhësisë së përgjithshme, të cilën e jepte Androkli Kostallari, as që kishte tekst fare; dhe studentët ishin të detyruar të studionin vetëm nga dorëshkrimet; ose nga transkriptimet e leksioneve të diktuara nga profesorët. Nga këta të fundit, kishte edhe të tillë që nuk e lexonin leksionin, por e flisnin (e diktonin), edhe pse ngadalë, gjithnjë për t’u dhënë studentëve mundësi që të mbanin shënim. Nga ana tjetër, mbajtja e shënimeve shihej me sy të mirë edhe atëherë kur studentët e kishin tekstin në dispozicion; sepse një student që nuk mbante shënime, fare mirë mund ta humbte fillin ose të merrej me ndonjë gjë tjetër gjatë leksionit, ose të bënte muhabet dhe të pengonte të tjerët ose të irritonte profesorin. Vetëm Shaban Demiraj, nëse nuk më tradhton kujtesa, na kërkonte të mos mbanim shënim, por të merrnim pjesë në leksion, qoftë edhe duke u angazhuar me pyetje. Unë vetë kur, në fund të viteve 1980, fillova të jap mësim Leksikologjinë e italishtes dhe pastaj Historinë e gjuhësisë të përgjithshme me studentët e degës së italishtes në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja isha i detyruar të punoja vetëm me leksione dhe t’u kërkoja studentëve të mbanin shënime, sepse teksti përkatës nuk ekzistonte. Komunikimit, edhe të koncepteve abstrakte dhe akademike, i mbetej gjithnjë një përmasë e fortë orale. Kur jam kthyer, pas dy vjetësh, si anëtar i komisionit të provimit në lëndën e leksikologjisë italiane, këtë herë të dhënë nga një ish-student imi i dy vjetëve më parë, u habita me transformimet që kishin pësuar leksionet e mia origjinale.

2 Komente

  1. Un jam i vetmi lrlandez,i ftuar nderi tek revista kulturore dhjete vjeçare “Peizazhe te Fjales”qe ruaj heshtjen, mejtuese te perkore, te faltores famullitare kishtare, duke shmangur diktimin, nga nje i trete, dhe duke krijuar hapesira, te gjelbra te mirmbajtura shembullore, midis fjalive aspo !

  2. Është ajo ndeshja titanike mes oralitetit dhe të shkruarit që u zhvillua në Mesjetë e përfundoi pastaj në favor të së dytës ku më shpejt e ku më vonë. Siç rrëfen Walter J. Ong, në Anglinë e shek. XII kontrolli i llogarive dhe i taksave të paguara, të shkruara, sigurisht, nëpër qitapë bëhej gojarisht (oralitet) – merrnin vlerë ligjore vetëm pasi lexoheshin më zë të lartë, nga rrjedh edhe sot e kësaj dite termi “auditing”.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin