LIRIA NË QYTET

Po të pyesësh dikë “A ndihesh i lirë/e lirë?”, me arsye do të marrësh si përgjigje një kundërpyetje: “I lirë për çfarë?”. Edhe sikur ti të prisje një përgjigje lidhur me perceptimin e asaj që e kanë quajtur liri “negative” (mungesë e pengesave), jo për lirinë “pozitive” (për bërë këtë ose atë, për të menduar këtë ose atë, etj.). Megjithatë, dikur në Shqipërinë totalitare deficiti i lirisë negative ishte kaq i madh, sa shumë ndiheshin si në burg dhe pyetjes më sipër do t’i përgjigjeshin thjesht “Jo”. Regjimi vetë operonte në formën e mohimit implicit të çdo lirie – duke u konstituuar si pengesë e përgjithshme. Dhe kjo, pa marrë fare në konsideratë koercionin, ose detyrimin “pozitiv” për të vepruar, folur ose menduar në një mënyrë specifike.

Vitet 1980 kanë qenë, për mua, vitet kur ëndërroja për të udhëtuar dhe mundësisht ndenjur ca kohë jashtë Shqipërisë: në fillim si student në Vjenë (këtë shans e pat djegur, për një pakujdesi, ambasadori i atëhershëm në Austri, M.K.); më pas për t’u specializuar, idealisht në Francë. Kisha një vend pune – në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë – që ta premtonte këtë; kolegë të mi në sektorët gjuhësorë po dërgoheshin dora-dorës në Perëndim. Erdhi pastaj edhe radha ime, gati aksidentalisht, për t’u dërguar në Romë. Si ngjarje, kjo do të ma ndante jetën më dysh, si ndonjë lloj rituali iniciatik, me pasoja të pakonceptueshme.

Javët e para të qëndrimit tim në kryeqytetin italian ishin fund e krye shokuese: asnjë eksperiencë në Shqipëri nuk më kish përgatitur për çfarë më priste “andej”. Megjithatë, pasi u mësova me botën tjetër dhe fillova të qetësohem, vura re se po e shijoja tmerrësisht jetën atje – edhe pse praktikisht nuk kisha ndonjë jetë për të qenë, meqë merrja një bursë të mjerueshme që nuk më dilte as për të ngrënë mish për të qenë një herë në javë. Më pëlqente shumë të shëtisja rrugë me rrugë, të shkelja vende dhe lagje të reja, të kaloja orë në librari dhe në dyqanet e muzikës. Dhe kryesorja: ndihesha më i lirë se kurrë, çfarë është edhe arsyeja që po i shkruaj këto gjëra tani.

Isha në Itali, vendin që – si shumë moshatarë të mi në Tiranë – e kisha admiruar dhe ndjekur së largu, si të ishte shfaqje. Me të tjerë të brezit dhe të qytetit tim, Italisë ia njihnim aq mirë politikanët dhe artistët, televizionin dhe filmin, futbollin dhe sporte të tjera, heronjtë e ekranit, ngjarjet e anni di piombo dhe terrorizmit. Italinë e njihnim edhe si imazh të “botës së lirë”, që i ngrihej përballë burgut tonë; dhe bota e lirë ishte, me përkufizim, bota ku njeriu gjente dhe shijonte lirinë. Dhe pikërisht atë lirie naive, të njeriut të rrugës, ose mundësinë “për të bërë ç’të doje.”

Por kjo nuk ishte liria që po perceptoja unë. Jeta ime në Romë ishte një rutinë aulash universitare, autobusësh në Tiburtina, studimi në bibliotekë, shëtitjesh, vizitash në librari dhe ndonjëherë në kisha e galeri arti. Në Romë më dukej vetja sikur kisha kapërcyer një dimension sekret dhe isha futur në skenën e një filmi: shumë vende i kisha të njohura, por tani i shihja drejtpërdrejt. Një ditë mbaj mend që i pata rënë qytetit mes për mes, për të shkuar në Viale Mazzini 14 dhe për të parë selinë e RAI-t, të cilën e “njihja” falë adresës që ia kisha dëgjuar ta përsëritnin pareshtur në radio. Herë pas here, kur mundja, shkoja në koncerte të mëdha dhe të vogla, për të ndjekur artistët e mi të preferuar, që i njihja prej vitesh. Më mungonte shoqëria që kisha lënë pas në Tiranë; por përballesha me sfida të mëdha intelektuale. Në universitet kisha fatin të dëgjoja dhe të komunikoja me disa nga mendjet më të ndritura të linguistikës italiane të kohës, si De Mauro, Belardi dhe Cardona; por edhe në Shqipëri i kisha pasur pedagogët të kalibrit të lartë.

Dua të them se, gjatë kohës që ndenja në Romë, nuk është se u angazhova me ndonjë gjë që regjimi në Tiranë do të ma kish konsideruar si “krim” politik, me përjashtimet përkatëse (si koncertet, leximet e ndaluara, si ato të Orwell-it e të Solzhenjitsin-it). Mungesat financiare më kufizonin aq rëndë, sa nuk udhëtoja dot, madje as deri në Napoli e në Firenze. Por sërish ndihesha më i lirë se kurrë.

E pata menduar atëherë, dhe e besoj edhe sot, se ajo liri që ndieja ishte mungesa e trysnisë sociale dhe e detyrimeve, që kisha ndaj të tjerëve në Tiranë. Nuk e kisha ndier, sa e fortë kish qenë kjo trysni, ose nevoja për të dhënë e për të marrë me familjen, të afërmit, shoqërinë, të njohurit, kolegët, eprorët; një varg i pafund mikro-negociatash që t’i shteronin energjitë dhe ta hiqnin oksigjenin. Por si “qytetar” i Romës, e kuptova edhe atë ndjesi çlirimi që thonë se të jep qyteti i madh, dhe që e provonin – mes të tjerash – të gjithë ata që “zbrisnin” në Tiranë nga fshati ose nga mali, dhe ngashënjeheshin nga hiret e anonimitetit të rrugës.

Në Romë nuk më njihte njeri, as pyeste për mua njeri. Isha i huaj, por pa mundim mund të kaloja për italian – askush nuk kthente kokën për të më parë me habi ose me kuriozitet, dhe aq më pak me përçmim. Nuk takoja kënd në rrugë, një rrethanë që mbase për shumë do të përjetohej si dramë (vetmia e rastit), por që mua në doza të përkohshme më shijonte. Edhe pse çdo moment që kaloja atje, çdo përshtypje dhe çdo ngjarje do të më shijonte edhe ngaqë e rikaloja në mendje duke ua treguar shokëve, të afërmve dhe kolegëve në Tiranë, kjo vonesë, kjo distancë mes përjetimit dhe rrëfimit, nuk më bezdiste. Ndërkohë që më pëlqente, madje pa e vënë gjithnjë re, fakti që askush nuk priste gjë prej meje, askush nuk më gjykonte, askush nuk më qortonte dhe as më lëvdonte.

Nuk ishte kjo, ajo që kërkonin ata që arratiseshin; nuk ishte ky premtimi i “botës së lirë”. Mitin e arratisjes e gjeje kudo në Shqipërinë time – disa e ushqenin me shpresën se do të bënin karrierë të madhe ose do të pasuroheshin, të tjerë se do të bënin qejf dhe do të shijonin jetën. Përfytyrimet e atyre që ëndërronin e mbase ndonjëherë edhe e përgatitnin arratisjen populloheshin jo rrallë nga imazhe të Amerikës, dollarit, Floridës, jahteve, femrave me bikini, kazinove, veturave Ferrari; por anonimiteti nuk ishte kurrsesi pjesë e planeve të tyre. As unë nuk e kisha ditur se do të shijoja këtë lloj lirie, e të qenit larg koercionit social dhe trysnisë prej Tjetrit. Mundet edhe që habitati i metropolit, aq i ri dhe i panjohur për mua, të m’i kish mprehur shqisat dhe të ma kish rritur flakën e vetëdijes – duke më bërë ta përjetoja të përditshmen me kontraste të forta. Mundet edhe që e gjitha kjo të varej, në analizë të fundit, nga përkohshmëria e qëndrimit tim në Romë, ose nga ajo që jeta ime në Itali nuk kishte të ardhme, gjë që edhe më çlironte nga nevoja për të menduar për të nesërmen. Të thoje se isha në një “kundërburg.”

Për dikë në pozitën time shoqërore, mjedisi në Shqipërinë e atyre viteve kishte pritje të forta: duhej të filloja të shkëlqeja në karrierë, të mbroja doktoratën, të martohesha dhe të krijoja familje. Të gjithë këta skenarë ishin shkruar dhe miratuar tashmë – mua nuk më mbetej veçse t’i realizoja. Trajektoren time e kishin vizatuar duar kolektive. Dhe aq më tepër që duhej ta shihja veten mes atyre me fat – shokët e mi emëroheshin në zona të thella, ose kishin mbaruar universitetin në degë të papreferuara, ose më keq akoma, nuk kishin fituar të drejtë studimi dhe kishin shkuar ushtarë (“ua kishin qethur kokën”). Por edhe ky “fat”, vetëm sa konfirmonte që unë nuk kisha kontroll ndaj zgjedhjeve të mia – dhe se, për t’u ndier i lirë (në paqe me veten) duhet të njihja “domosdoshmërinë” e zgjedhjeve të caktuara.

Mbase prej kohësh ziente tek unë një revoltë e heshtur, ndaj kësaj pafuqie kaq konvencionale; qoftë edhe thjesht për t’ia thënë një herë në fytyrë shefit tim në Institut, se ç’mendoja për të dhe Stalinin e tij qurrash dhe morracak. Kjo revoltë imja sekrete ishte njëherësh edhe përbuzje, ndaj maturisë sime, ose kujdesit me të cilin e përmbaja veten. Dhe gjithsesi, për të ndier një farë lirie sado minimale, më duhej të shkëputesha nga e përditshmja dhe të mbyllesha në hobby-t e mia private. Nuk e shihja veten si “kundërshtar” të regjimit, por paskësha qenë më keq: regjimi më ish neveritur, me gjithë hipokrizinë, ritualet idiote dhe maskarallëkun që kultivonte në shumë njerëz rreth meje, sidomos kolegë.

Roma më shpëtoi – edhe pse përkohësisht – nga të gjitha këto. Nuk më duhej më të merrja pjesë në mbledhje kolektivi dhe aktivitete të Bashkimeve Profesionale; as të zgjidhja se çfarë qëndrimi duhej mbajtur, kur hapej ndonjë bisedë delikate në shoqëri ose në zyrë. Maskën e konformimit, që më digjte e më vriste fytyrën, nuk më duhej ta mbaja më. Isha vërtet tepër i varfër, por në varfëri e kuptova edhe se mirëqenia materiale mbetej diçka relative – tek e fundit, nuk është se po vdisja për bukë, dhe as se po ngordhja së ftohti. E ndieja nga larg trysninë dhe, tërthorazi, edhe zhgënjimin e të gjithë atyre në Tiranë, që prisnin që unë të kthehesha me “plaçkë” të madhe nga Italia: televizorë, frigoriferë, motocikleta, xhupa, xhinse, triko, këpucë, çizme… Por edhe zhgënjimi i atyre mund të priste; dhe ndërkohë meraku im për të Tjetrët të pezullohej.

Vetëm se nuk më shkoi kurrë mendja për t’u arratisur. Arratisja mund të ishte vërtet shqiptim solemn i dëshirës për liri, por për mua në Romë mbetej po aq mundësi abstrakte, sa ç’ishte në Shqipëri. Edhe pse trysninë e njerëzve të mi e kisha përjetuar si stres, dhe si riprodhim në miniaturë të trysnisë prej shtetit, sërish nuk do t’u bëja kurrë keq dhe t’u shkaktoja vuajtje, për shkak të një burracakërie. Një arsye e dytë ishte edhe bindja se, sado që më shijonte liria anonime në Romë, mbetesha projeksion i vetes sime në Tiranë. Madje edhe sikur këto të ndërronin vende, dhe vetja ime në Tiranë të përfundonte në avatar të vetes në Romë, sërish statu quo-në nuk do ta kisha ndryshuar dot.

Por pasi u ktheva në Tiranë, nuk pati për mua dëshirë më të fortë, deri në kufi të dëshpërimit, se ajo për t’u kthyer në Romë; por edhe kjo përtej çdo konteksti të arratisjes, të shkëputjes nga Shqipëria. Më vonë, kur për arsye të miat personale më ndodhi të thoja me vete “këtu nuk kthehem më kurrë”, kur i hipja në Rinas avionit për të ikur, sërish e bëja këtë me vetëdijen se lirinë për t’u kthyer nuk ma prekte kush.

Nga ana tjetër, thjesht edhe ngaqë kisha më shumë kohë për të menduar, fillova të krijoj një ide për një arsye tjetër që e bënte arratisjen aq joshëse: mundësia për t’i bërë jetës sate një reset dhe për ta filluar nga e para; ose për t’i dhënë vetes një shans të dytë. Diçka si being born again, gjithë duke u çliruar nga depozitimet në ty të së tjerëve. Nuk do të habitesha që njerëz tejet ambiciozë, por të penguar në karrierë për arsye jashtë kontrollit të tyre (si biografia), të tundoheshin nga ky opsion. Edhe liria që provoja unë vinte njëfarësoj si vetëdije e mundësisë – sado teorike – për resetim, ose për ta hedhur tej ballastin e grumbulluar në emër. Vetëm si vetëdije – realizimi do të ishte vetvetiu kundërthënës.

Kështu e pata perceptuar botën e lirë atëherë. Liria politike dhe pluralizmi, sado të admirueshme me arsye, nuk është se më linin ndonjë mbresë kushedi çfarë. Praktikat fetare më linin indiferent (siç edhe më lënë) dhe katolicizmin e respektoja si institucion tejet inteligjent dhe kompleks. Pasurinë materiale e këqyrja si diçka të përtejme, ose të paktën përtej horizontit tim. Për Amerikën nuk ndieja ndonjë atraksion, madje as për së largu. I vetmi pikëllim që më vizitonte thellë, gjithë duke qenë unë në Romë, ishte që dikur, më shumë herët se vonë, do ta kisha praktikisht të pamundur për t’u kthyer atje. Vajtoja që nuk do të kthehesha dot, çfarë në fakt nuk ndodhi. Sepse vetëm tre vjet më pas, i ulur në një nga stolat e gurtë në Piazza del Campidoglio, u përpoqa ta rrok me mendje fatin tim dhe ta mbroj nga mbi-ekspozimi, teksa bëra diçka që në vitin 1987 e kisha dëshiruar aq herë, por nuk ia kisha lejuar vetes: e ndeza një cigare.

© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin