KAM NJË GOJË

Fragment nga libri Me emrin e vërtetë, nga Ani Gjika, fituese e Restless Books 2021 Prize për Shkrimtarin e Ri Emigrant. Origjinali në anglisht këtu

Në Ande jeton një grup njerëzish që flasin gjuhën aymara dhe kohën e përfytyrojnë ndryshe nga ne të tjerët. Për aymara-t e ardhmja, “qhipa pacha/timpu” do të thotë “pas” ose “prapa kohës”, kurse e shkuara, “nayra pacha/timpu” është “koha e përparme”, që do të thotë se e shkuara gjithmonë qëndron përpara nesh, pasi gjithmonë mendojmë se nga kemi ardhur, çfarë kemi bërë. Kurse e ardhmja ndodhet pas nesh, e panjohur, s’e parashikojmë dot.

Tek rritesha në Shqipërinë e viteve ’80, shihja shumë njerëz pa të tashme. Njerëzit ishin e shkuara e tyre, përgjithmonë. Edhe kur ishe njeri i panjohur, dikush shkonte dhe rrëmonte diçka në të shkuarën tënde, dhe kjo bëhej karakteristika jote për gjithë jetën e mbetur. Nuk arrije dot asgjë tjetër. Si ëndërronin njerëzit atëherë? Mbeteshe kyçur në kutinë e “asaj që kishe bërë”. Damkoseshe. Si e dashuronte njëri tjetrin në atë kohë? Kur njerëzve u vidhet e tashmja, tashmë janë të vdekur. Di, po ashtu, se kur mendon ose shqetësohesh së tepërmi për të ardhmen, nuk arrin të shohësh kush je dhe çfarë ke në të tashmen.

*

“Mirë pra, më duhet të shkoj”, thotë T një mëngjes, pasi e ka thënë disa herë, por s’ia ka dalë të çohet nga shtrati.

Më në fund çohemi dhe e shoqëroj në dhomën e ndenjjes. Qëndrojmë atje për pak, më shkon krahët përqark, pothuaj menjëherë më puth qafën, kurse unë puth qafën e tij, kokat tona vallëzojnë shumë ngadalë, balli tek faqja, balli tek balli, duart tona enden si trena pa lokomotiva, shkojnë kudo. E di se, pas meje, rri varur në mur “Puthja” e Gustav Klimt-it, ndoshta duke na vështruar, por ndryshimi është se s’kam rënë në gjunjë. Qëndroj më këmbë shi në mes të dhomës së ndenjjes, ai qëndron para meje, drita e mëngjesit ka shtangur përqark. Për një çast të përjetshëm jemi të vetmet perëndi të gjalla në botë. Ai më tërheq poshtë bluzën e natës dhe gjiri im i djathtë ia beh jashtë. Ai e puth, bën sikur ta përpijë, ose të dyja bashkë. Pastaj më ngre bluzën, pa ma hequr, dhe përkulet për të ndukur gjirin e majtë, teksa unë i kafshoj supin, pastaj kraharorin, dhe filloj t’i ngre bluzën, por pa ia hequr. Ai çon duart për të zbërthyer zinxhirin e pantallonave të veta, por duart s’dinë si të sillen, teksa ne dihasim si trenat poshtë në luginë. Ia zbërthej unë zinxhirin dhe, teksa i ul pantallonat, goja ime përvijon një vijë të përsosur e të padukshme vertikale drejt burimit të asaj që e solli këtu një natë më parë, dhe ndërsa gjithë trupi im ndjek gojën, ai më heq bluzën nga koka. Çohem sërish, i puth buzët dhe ul pantallonat e mia. Bien në dysheme bashkë me të brendshmet – lutje që s’shkojnë askund. Qëndrojmë zhveshur në dhomë dhe asgjë s’më shkëput prej së tashmes. Më çon sërish në dhomën e gjumit, ku fërfëllimat e trupave tanë bien e çohen në shtrat sipas dëshirës së tyre, ashtu siç goja e tij bie befas mes këmbëve të mia dhe pastaj çohet dhe vjen tek goja ime. Jemi të mrekullueshëm në këtë art.

Ndonjëherë bëjmë seks thjesht sepse krijohet ndjesia e pushtetit, kur sheh se personi tjetër përjeton pushtetin gjatë procesit të përmbushjes së dëshirave – tjetri përndizet prej teje në fillim, e më pas fiton të drejtën të gostisë veten me ty. Kur ushqen dikë dhe ke në dorë fijet e urisë së tij, kjo nënkupton pushtet. Nuk më pëlqen kjo anë imja. Nuk ka zemër aty. Zemra është një gjë e vogël me flatra që pret e pret dashurinë. E përpij zemrën, pa menduar, shi atë çast kur vazhdoj dhe përndez tjetrin.

Po ai? Pse erdhi kësaj here? Ç’tjetër kërkon prej meje?

Pse nuk e pranon dhe ai? Është i varur prej kësaj përvoje, kur më sheh tek përndizem nën prekjen e tij, teksa fryma e tij më përshkon qafën, tek më mbërthen ijët dhe gjithë të përbrendshmet.

E vërteta është më e thjeshtë se kaq. Që të dyve na pëlqen seksi. Teksa e di këtë, e lejoj të marrë ç’të dojë, pasi kur merr gjithë ç’dëshiron, edhe më shumë kthen pas, si dhe më pëlqen tek e shoh të dorëzuar. Më herët u zgjova dhe e vështroja tek flinte, duke menduar, o Zot, sa plak që duket. Pastaj m’u duk vetja njeri i poshtër. Kjo ndjesi tani është vetëm epsh. Jam kthyer në njeriun që dëshiron të shohë dhe vijon të shohë dorëzimin me gjithsej të tjetrit.

Ndodh ndonjëherë që shijon atë lloj seksi, gjatë të cilit sheh se ke në dorë çdo lëvizje të tjetrit, dhe seksi shndërrohet pafundësisht në diçka që ka vetëm formë dhe jo gjuhë. Ndonjëherë e bën edhe duke e ditur fort mirë se është hera e fundit.

*

– Nuk bëj më seks me ty, – i thashë T një natë kur kishim dalë në verandën e shtëpisë së tij në Cape. – Nuk e dua këtë marrëdhënie të pjesshme. E kam seriozisht kësaj here.

– E di se s’ke për ta bërë, – tha. – Ta shoh në sy.

– Mirë, – thashë, duke e thithur edhe një herë, pa m’u dridhur qerpiku.

– Pa shiko puron, digjet përsosmërish, as që t’u desh ta ndezësh përsëri.

– Vetëbesim, – thashë, e çuditur që iu përgjigja aq shpejt dhe me atë fjalë, ndaj qesha.

M’u kujtua Pura Lopez Colme atëherë kur e takova, bashkë me të shoqin, në Slloveni gjatë një festivali poetik. Kur u ndamë, më dha dy puro Romeo & Julietta, dhe i thashë se kisha për t’i pirë “me një mik të mirë”.

“Kërko lumturinë, Ani”, ishin fjalët e saj të ndarjes.

Shi atë çast, tek merrja atë vendim, ndjehesha e lumtur, çuditërisht.

Fjetëm në shtretër të ndryshëm atë natë. Teksa rrija shtrirë, duke u përpjekur të flija, mendjes sime i dukej se më shikonte fytyra e shtrembëruar e një gruaje flokëzezë që më vështronte nga jashtë kornizës së dritares, që ndodhej jashtë kornizës së dritares nga jashtë kornizës së dritares, e kështu me radhë, ndaj dhe dukej se më vështronte nga shumë larg. Fytyra e saj dukej e mëdyshur, nuk e ndante dot në donte të më trembte, apo të më paralajmëronte për diçka. Cila ishte? Rozafa e murosur? Ndonjë paraardhëse? Apo thjesht përfytyrimi im? E vura mendjen të kthehej e ta vështronte në sy, dhe sa më shumë e vështroja nga afër, ajo dukej sikur afrohej, kornizat e dritareve zhdukeshin, deri sa fytyra e saj u zmadhua dhe u bë një hije e errët, si gjithë nata që më qarkonte. Kur u duk sikur errësira më pat mbuluar, i thashë të hiqej qafe, errësira u davarit si tym temjani dhe, më në fund, më mori gjumi.

*

Dikur, në moshë të adoleshencës, pashë një ëndërr të pabesueshme. Po shikoja nga ballkoni, me sytë nga qielli, dhe retë u hapën, si sipari i teatrit, dhe një skenë gjigande zbuloi qiejt: parajsa: jeta pas vdekjes: vendi i Perëndisë, ndonëse nuk kishte as Perëndi, as kafshë të egra bukuroshe apo njerëz, vetëm rrugë dhe shtëpi të arta. Gjithçka vezullonte, xixëllonte, ishte stolisur me xhevahire nën një qiell të përsosur blu. Sikur kalova në orgazëm vetëm duke vështruar. Ndjeva, në ëndërr, sikur e gjithë kjo pamje u hap për të më zbuluar se kjo parajsë pas vdekjes ishte e vërtetë, vetëm se kur u zgjova, menjëherë u ndërgjegjësova se ëndrra nuk ishte kushedi sa e veçantë, pasi ngjante me ilustrimet e Arthur S. Maxwell-it tek seria e Rrëfimeve të Biblës, të cilën na e kishin sjellë misionarë të huaj nga Amerika kur jetoja në Tiranë, Shqipëri. Qartazi, ëndrra ime ishte manifestim ose përgjigje e asaj që kërkoja gjatë kohës kur isha zgjuar. U zhgënjeva kaq shumë.

Mirëpo, mendoj tani për këtë, për këtë “vendmbërritje”, këtë vend ku dëshirojnë të shkojnë të gjithë ata që besojnë parajsën. Nuk e di pse, por gjithmonë më shqetëson vdekja. Nuk e kuptoj, pse gjithçka duhet të vdesë? Është kaq e madhe bukuria këtu, teksa njihemi mes nesh, dimë fuqitë dhe humbjet e njëri-tjetrit, jemi dëshmitarë të gjithçkaje. Nuk e kuptoj pse kjo dhuratë e dëshmisë duhet të përfundojë. Diçka kaq kuptimplotë, siç është dashuria për dikë, prindin, fëmijën, mikun, qenin, shtëpinë, lumin, gurin… e pastaj s’i sheh dot më. Përse na u dha gjithë kjo?

– Ku është gjyshja, – më pyeti terapistja një herë, kur po flisnim për këtë frikë nga vdekja.

– Ka vdekur.

– Është larguar, – pyeti sërish, pa formuluar tjetër pyetje, si për të qartësuar se më preku në vendin e duhur, teksa mendoja për këtë, sepse jo, jo, në fakt, nuk ka shkuar askund, ndoshta ndodhet brenda meje?

– Një shprehje e vjetër, – tha, – që s’e mbaj mend e kujt është, thotë: Miqtë e vjetër vijnë dhe shkojnë, por të vdekurit mbeten gjithmonë me ne.

Qava, pasi më pati ndodhur e njëjta gjë me qenin tim, Petey-n. Tani kuptoj se e qara është, po ashtu, një mënyrë përmes së cilës trupi të thotë se e ka shquar dhe kuptuar të vërtetën tënde.

Sa më shumë bëj pyetje për vdekjen, aq më shumë u largohem përgjigjeve. Ndonëse thellë brenda meje kam këtë ndjesinë e fortë se pyetjet e mia kanë një farë lidhjeje me atdheun tim. Thua se atdheu është e kundërta e vdekjes, dhe sapo të kem mbërritur atje, ose sapo ta kem kuptuar më mirë se ç’është atdheu, nuk do të kem më frikë nga vdekja, apo nga humbja e gjithçkaje, pasi s’do të ketë asnjë humbje. Vetëm ndryshim. Një mënyrë tjetër për të përjetuar atdheun. Ndoshta. Megjithatë, s’kam për ta reshtur ndonjëherë këtë vijë mendimi. Apo do të shkoj në ferr?

Kur gjyshja ime zuri shtratin e vdekjes, xhaxhai na tha se ndërroi jetë duke përsëritur frazën “Jezu Krishti është i biri i Perëndisë”.

Ajo grua shtatvogël 96 vjeçare, të cilën shikimi e kishte lënë krejtësisht atyre pak muajve të fundit të jetës, e kishte zakon të ruante copa nga buka e çdo mëngjesi gjatë atyre muajve, për të ushqyer zogjtë në ballkon, dhe varej nëpër hekurat e ballkonit më shumë nga ç’duhej, pasi nuk shikonte mirë. E shoh teksa pothuaj fluturon… me krahë shtrirë, ashtu siç i mbante kur lutej kaq herë, dikur, gjatë fëmijërisë sime, kur jetonim bashkë. Zgjohesha në mes të natës dhe e gjeja atje, rrafsh me tokën, tek pëshpëriste lutje. Çohej dhe ngrite krahët lart, pastaj përkulej dhe shtrihej sërish, pastaj çohej, tre a pesë herë e përsëriste këtë veprim. Gjithmonë me drejtim nga veriu, si Davidi i Biblës. Kurse unë shikoja këtë hije. Nuk kam qenë kurrë kaq e përkushtuar.

Xhaxhai nuk shpjegoi ç’ mendonte për ato fjalë që tha gjyshja në shtratin e vdekjes. As im atë nuk i dha ndonjë shpjegim, dhe nuk pyeta më. Por më ka mbetur në mendje se edhe asaj, grua me kaq besim të fortë, i duhej t’i thoshte ato fjalë në shtratin e vdekjes, tek jepte frymën e fundit.

Mendja vetvetiu më thotë se ato fjalë i tha, pasi dëshironte aq shumë të mbërrinte në parajsë. Se sikur Zoti t’i dëgjonte ato fjalë, kishte për të parë sa e përkushtuar ishte, dhe kishte për ta marrë me vete.

Ndoshta e kam gabim, apo jo, gjyshe? Ti vërtetë besoje. Por pse duhej t’i thoshe ato fjalë në shtratin e vdekjes, e verbër si lakuriq nate… mos kishe ndonjë dyshim? Mirë. Do të besoj se ajo ishte atdheu ku dëshiroje të mbërrije. Ai pranim i thellë, nëse e quajmë pranim, dorëzim, apo dije. Dija se “ka mbaruar”, dhe të biesh në një mendje me mbarimin.

Ajo që di tani është se atdheu për mua nuk është diçka që përshkruhet në ndonjë libër, dhe aspak ndonjë gjë që shfaqet në ëndrra. Nuk ka koordinata gjeografike. Dikush tjetër nuk mund të jetë atdheu im. Teksa kuptoj këtë, kam mbetur vetëm me veten. Me trupin tim. Me zemrën që më rreh. Me gjakun tim. Me shpirtin tim. Me vetminë time. Këto janë i vetmi atdhe. Ky çast. Prania ime. E ardhmja prapa meje. Nuk e shoh dot. E shkuara gjithmonë para meje tund një gisht që sikur kërkon të thotë nc, nc, nc, kujto kush ke qenë, e unë kujtoj dhe  bart gjithë ç’kam qenë. Por frymë po marr Tani. Teksa di se çfarë dua, madje edhe teksa e di se nuk e di çfarë dua pikërisht.

Atdheu është aty ku ndalem dhe mejtohem për besimin. Nuk ka gabime. Vetëm zgjedhje. Një ditë e gjatë fëmijërie gjatë së cilës luan, mavijosesh, çohesh e luan sërish, deri sa ulesh në trotuar duke pritur që shoku i ngushtë të mbarojë lojën, dhe të zë gjumi me krahët kryqëzuar, me kokën në gjunjë.

Lutjet mbërrijnë në atdhe çdo herë kur mendoj se sa e dua veten. Është si të ngjitësh shkallët e shtëpisë pasi gjithë të ftuarit janë larguar, e kënaqur nga gjithçka, enët janë thuajse larë, mbrëmja është e gjitha imja, e gjithë të nesërmet mund të presin.

Atdheun tim e gjej sa herë hap pëllëmbën e dorës dhe dorëzoj gjithçka, megjithatë, ndjehem e rrethuar nga gjithçka kam dashur dhe gjithçka kam humbur. Petey im është këtu. Gjyshja është këtu. Fëmijëria ime është këtu. Tirana është këtu. Gjithkush kam dashuruar është këtu. Perëndia është këtu. Dhe unë jam Perëndia.

 

Përktheu: Sokol Çunga

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin