Ku shkoi diktatura

Sa herë që shtypi shqiptar vjen e boton xhevahire të radhës për bëmat e krerëve të regjimit totalitar dhe familiarëve të tyre, ne të tjerët nuk rrimë dot pa pyetur veten për arsyet e këtij interesi të pashterrur për çikërrima të jetës së udhëheqjes komuniste, si dhe të mungesës së një interesimi i ngjashëm nga ana e publikut për kalvarin e viktimave të mirëfillta të komunizmit.

Për pyetjen e parë, besoj se nuk mund të gjendet një përgjigje e vetme e kënaqshme. Ka njerëz që interesimin e publikut për kryetotalitarët e shpjegojnë me misterin ose sekretin që e rrethonte shtetin komunist të Hoxhës. Të tjerë pasionin për këtë ritregrim ose riprodhim të historisë e shohin si një lloj psikoterapie ndaj pasojave të traumës së atëhershme. Agron Tufa në “TemA” përqaste kuriozitetin e sotëm për udhëheqjen totalitare me nevojën e fëmijës për ta shtjelluar personalitetin rreth figurës së Atit, duke e parë dukurinë si dëshmi të papjekurisë së shoqërisë shqiptare. E kështu me radhë.

Mbetet për t’u provuar që denduria e shkrimeve gjysmë-apologjetike dhe e kujtimeve për figura të diktaturës i ka rrënjët në interesin e madh të publikut për këto tema, jo në ndonjë konspiracion për ta rehabilituar diktaturën në sytë e publikut shqiptar të sotëm. E vërteta është që të tilla shkrime i gjen rëndom në gazeta të të gjitha ngjyrave, të majta e të djathta, liberale e konservatore. Edhe pse brezi i ri në Shqipërinë e sotme mund të përjetojë ndonjëfarë tërheqjeje paradoksale ndaj mitit totalitar, nuk besoj se shkrimet në fjalë të kenë për synim manipulimin e këtij brezi, as që përpjekjet për botim të tyre të jenë të orkestruara. Përshtypja ime është që shtypi i shkruar shqiptar lexohet kryesisht nga njerëz që në një mënyrë ose në një tjetër i kanë fillimet në totalitarizëm, dhe që kujtimet, ta zëmë, të Veli Llakajt, i përdorin si një mënyrë për të sistemuar kujtesën e tyre vetjake. Gazetat i japin lexuesit çka mendojnë se ky dëshiron të lexojë. Numërojnë edhe klikimet në faqet e tyre të Internetit.

Ajo pjesë e publikut që e ka përjetuar edhe totalitarizmin, edhe post-totalitarizmin, nuk mund t’i shmanget krahasimit midis këtyre dy periudhave në historinë e vonë të Shqipërisë. Për fat të keq, bëmat e pushtetarëve të sotëm, të të gjitha ngjyrave, nuk përjetohen veçse si komedi, në një kohë që e djeshmja totalitare përkujtohet si periudhë e dramës, sociale familiare dhe individuale. Mund të diskutohet gjatë nëse një figurë si Mehmet Shehu është apo jo tragjike, por gjithsesi komike nuk besoj t’i jetë dukur kujt as atëherë as tani. Nëse shqiptari e bashkëlidh shtetin me autoritetin, dhe autoritetin me respektin, atëherë interesi për histori të prapaskenave totalitare është edhe një kompensim për farsat e pushtetarëve sot, ose mungesën e përmasës dramatike në politikën shqiptare të tanishme, sa kohë që asnjë figurë madhore e politikës nuk perceptohet si e përkushtuar ndaj shërbimit ose interesit publik.

o o o
Megjithatë, më shqetësuese është mungesa në shtyp dhe në përgjithësi në vetëdijën kombëtare, e zërit të viktimave të dhunës totalitare. Për çdo autor që shkruan, bie fjala, për vuajtjet e Musine Kokalarit, do të gjenden dhjetë autorë që të shkruajnë për kalvarin e Kadri Hazbiut. Ndokujt që mundohet të krijojë një ide për totalitarizmin shqiptar nga faqet e gazetave, do t’i dukej se terrori policor në Shqipërinë e Enver Hoxhës ka qenë ushtruar pikësëpari kundër policëve vetë.

As këtu unë nuk shoh, gjithsesi, efektin e ndonjë konspiracioni ramizist.

Natyrisht, diktatura në Shqipëri ka pasur kohë të përndjekë edhe armiq të vërtetë të komunizmit, edhe pushtetarë të lartë komunistë si pjesë e luftës për pushtet, edhe njerëz të rastit ose njerëz që nuk janë pajtuar me diktaturën pa qenë mirëfilli armiq të saj. Po kush mund të thoshte nëse Liri Belishova ka vuajtur më pak sesa Musine Kokalari? A do të ishte e hijshme ose etikisht e pranueshme të krahasoheshin vuajtjet? Arshi Pipa ka bërë më pak burg sesa Fadil Paçrami, po vallë na thotë kjo gjëkafshë për natyrën e vuajtjeve së tyre?

Megjithatë, kur flasim për terror të regjimit policor totalitar, nuk kemi zakonisht parasysh fatin e Kadri Hazbiut e të familjes së tij. Kadri Hazbiu ishte ministër i brendshëm dhe një prej arkitektëve të atij terrori, deri në ditën kur përfundoi ai vetë viktimë e një mekanizmi pervers të cilin e kishte selitur e mirëmbajtur për dekada. Drama e atij njeriu është drama e kujt zhgënjehet totalisht nga Perëndia e vet, por kjo nuk më duket se ka të bëjë me dramën e madhe të viktimave të komunizmit në shoqërinë shqiptare.

Viktima të mirëfillta të dhunës policore totalitare unë do të quaja para së gjithash ato klasa dhe shtresa të cilat komunizmi u kujdes t’i çrrënjoste themelisht nga shoqëria shqiptare duke i asgjësuar edhe fizikisht: pronarët e mëdhenj, intelektualët liberalë, dyert e mëdha, njerëzit me influencë në popull, klerin e lartë sidomos katolik, paritë e krahinave, aristokracinë shqiptare në kuptimin jofeudal të fjalës, e një numër të madh të atyre që ishin shquar njëfarësoj gjatë viteve të mbretërisë së Zogut. Pisllëku i sotëm i politikës shqiptare shpjegohet edhe e para së gjithash me mungesën e frikshme të një klase në Shqipëri që do të ndihej aq e garantuar në statusin e vet në krye të shoqërisë, sa do t’i futej politikës vetëm në emër të gatishmërisë për shërbim publik.

Mund të më thuhet se kjo klasë u zhduk, u asgjësua, u gjymtua psikologjikisht, u topit burgjeve, prandaj sot nuk ka as zë as dëshirë as fuqi të tregojë plagët e veta. Me fjalë të tjera, një nga pasojat më të kobshme të dhunës totalitare është heshtimi ose shurdhimi i viktimave të saj.

Ta besojmë këtë? Në të vërtetë, përpjekjet nuk kanë munguar për t’i kujtuar këto viktima, me shkrime dhe libra biografike, ose me përmendore të ndryshme, por kam përshtypjen se këto përpjekje, të admirueshme në vetvete, kanë mbetur sporadike. Në ndonjë rast, me emrin e viktimave të djeshme kanë spekuluar ithtarë të sotëm politikash të skajshme.

Çka i mungoi post-totalitarizmit në Shqipëri ishte një tribunal civil i krimeve të komunizmit, ose një përpjekje e organizuar për të evidentuar dhe bërë publike krimet e periudhës totalitare, emrat e autorëve të tyre dhe emrat e viktimave. Të famshme gjyqe “të kafeve” u treguan kundërprodhuese, madje fyese për të gjithë ata që e kishin provuar në kurriz kamzhikun totalitar.

Dihet sa e vështirë është të dënohen ligjërisht udhëheqësit politikë të një diktature. E tregon vetë përvoja e gjyqit të Hagës me Milosheviçin dhe tani e gjyqit në Bagdad kundër Sadamit. Por një tribunal civil nuk do t’i kishte kufizimet, as do të haste në pengesat e një gjykimi penal. Ky tribunal vetëm do t’i përafrohej të vërtetës e do ta bënte publike në mënyrë të tillë, që drama politike e Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut dhe e të tjerëve të përjetohej natyrshëm në kontekstin e dramës së viktimave të panumërta të këtyre dy komisarëve të dhunës totalitare.

Një pjesë e viktimave të hershme të dhunës – gjatë viteve të para pas Çlirimit – nuk jetojnë më. Një pjesë tjetër janë larguar prej Shqipërie. Pjesa më e madhe nuk duan të flasin më për vuajtjen e tyre e të prindërve të tyre. Kjo shpjegohet psikologjikisht. Ka edhe një palë që parapëlqen të mos flasë, sepse e ndien që klima kulturore në vend është e tillë që publikut i interesoka më shumë të lexojë për Mehmetin, sesa për viktimat e terrorit të Mehmetit.

Kjo heshtje e viktimave nuk e përligj megjithatë heshtjen e shoqërisë civile në Shqipëri ndaj krimeve të komunizmit. [2006]

1 Koment

  1. Mendohet, dhe nuk fantazohet, realiteti. Jo kohe e humbur edhe kur lexon gjera qe ndjekin nje linje mendimi jo te huaj nga e jotja.
    Xha, e mbyll shkrimin me:
    “Kjo heshtje e viktimave nuk e përligj megjithatë heshtjen e shoqërisë civile në Shqipëri ndaj krimeve të komunizmit.”

    Nuk ka pamje te qarte, ne pjesmarrjen dhe aktivitetin politik te viktimave. Nje shembull: Te interrnuar, apo te persekutuar nga rregjimi diktatorial, nuk kan qene te paket qe e kan mbeshtetur ne menyre krijuese ate rregjim. Duke u bere keshtu e papritura e mbeshtetjes se pseudodemokrateve qe vazhdojne kaq gjate, deri sot. Duke u bere lidhes, si cimento per llojin e betonit diktatorial. Si ishin, jane edhe me “komunizmin” e djeshem, si dhe me “demokratet” sot.

    Ndryshimi, mendoj, vjen jo nga kategori, kategorizim te popullsise brenda nje jete politike apo soc-shoqerore, por nga mendesi qe sheh brenda individit shoqerin qe ai vet behet.

    P.S.
    Shih sa komike eshte situata e nje partie qe quhet: “Poli i Lirise”; A Meksi, kryetari i saj, rrodhi me Berishen. Kush eshte cfare? Berisha do ish nje aktivist pathetik komunist, pa mbeshtetjen e te persekutuareve-viktimave. E mira e trashguar prej atij sistemi diktatorial, pikun e suksesit te saj e kish me degjenerimin Nanon, dhe jo Berisha qe eshte zgjatim i sistemit te vjeter – konflikt – pjelles. Pra, “Ku shkoi diktatura”; diktatura eshte gjalle, shendosh e mire, me te te gjitha kushtet, si as nji here me pare ligjeron.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: