RRËNJËT ETRUSKE (TË ETRUSKËVE)

Analiza të reja të DNA-së së rikuperuar nga skeletet, duket se tregojnë që etruskët – ky popull enigmatik i gadishullit italik – nuk janë “të ardhur” në trojet ku kanë banuar, por duhen parë si produkt lokal. Nga njëra anë, profili i tyre gjenetik praktikisht nuk ndryshon nga ai i latinëve dhe i banorëve të tjerë të zonës; nga ana tjetër, duket se impakti gjenetik i popullsive të stepës – që duhet gjykuar si shenjë e indo-europianizimit – ka qenë i njëllojtë si ndaj etruskëve ashtu edhe ndaj fqinjëve të tyre. Por ndryshe nga fqinjët e tyre, etruskët nuk u indoeuropianizuan dhe arritën t’i absorbonin ardhësit, mbase ngaqë kishin kulturë më të organizuar. Asimilimi i tyre prej latinëve do të ndodhte gradualisht dhe shumë më vonë (studimi vetë është parashtruar këtu).

Prandaj, po të konfirmohen këto të dhëna, i bie që etruskishtja, kjo gjuhë ende e pakuptuar mirë por gjithsesi jo-indoeuropiane, të jetë mbijetojë e një gjuhe, ose e një grupi gjuhësh, që flitej në gadishullin apenin para ardhjes së indo-europianëve; ngjashëm me retishten, picenishten veriore, sardishten e lashtë dhe ndoshta ligurishten e lashtë. Banorët e tjerë të gadishullit u indo-europianizuan dhe ashtu edhe adoptuan latinishten, osko-umbrishten, samnitishten, venetishten dhe gjuhë të tjera indo-europiane të familjes italike (të cilat u rrafshuan pastaj nga latinishtja), por duke mbetur gjenetikisht shumë të afërt me etruskët; alternativisht, adoptuan një gjuhë proto-italike, e cila më pas u diferencua në latinishten, osko-umbrishten, etj.

Kultura etruske, siç është përshkruar nga arkeologët, karakterizohet nga një hapje e pazakontë ndaj influencave të huaja, veçanërisht greke, gjithë duke e ruajtur një bërthamë lokale. Edhe disa tipare “orientale” të asaj kulture, duhen parë në marrëdhënie me kulturën greke (sidomos me periudhën orientalizante) dhe kulturën fenikase të kohës. Studiuesit nuk kanë gjetur, në DNA-në e skeleteve etruske, ndonjë provë të një emigrimi të këtij populli nga Azia e Vogël, sikurse ka qenë besuar prej disave; dhe ngjashmëritë kulturore me popullsitë dhe kulturat anatolike sërish duhen shpjeguar si pasojë e kontakteve dhe shkëmbimeve gjithfarësh, shpesh të ndërmjetësuara edhe nga grekët (duke filluar që me mikenasit), të cilët ishin vendosur tashmë në gadishullin italik.

Me rëndësi, në këtë mes, është se kjo analizë tërthorazi konfirmon edhe se nuk ka ndonjë lidhje mirëfilli mes DNA-së dhe gjuhës, dhe se një popull mund të ndërrojë gjuhë pa absorbuar shumë elementë “të huaj”, sikurse një gjuhë mund të mbijetojë në një zonë të caktuar, teksa folësit i nënshtrohen një ndryshimi gjenetik të spikatur, për shkak prurjesh njerëzore të reja. Me standardizimin e analizave të gjenetikës së popullatave, lidhja mes gjuhës dhe gjakut, ose “racës” siç e quajnë disa, po provohet gjithnjë e më shpesh të jetë produkt i ideologjive dhe i miteve romantike. Dhe pikërisht në rastin tonë, të shqipes dhe të shqiptarëve, gjasat janë që një popull (relativisht) autokton dhe para-indoeuropian të jetë indo-europianizuar, duke përqafuar gjuhën e fiseve ardhacake nga Veriu, por pa pësuar ndonjë katastrofë në profilin gjenetik. Them gjasat, sepse studimet e deritanishme kanë qenë sporadike dhe nuk duket të kenë pasur mbështetjen e duhur nga institucionet.

© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin