NOSTALGJI SË PRAPTHI

Më poshtë dhe në vijim të temës po përshkruaj shkurt dy teori komploti me temë nga e kaluara e afërt totalitare që qarkulluan në Shqipërinë e viteve 1990 – pikëpyetjet për vdekjen/vrasjen e Hysni Kapos në një klinikë në Paris dhe të ashtuquajturën “Katovicë”.

Sikurse nuk vihet në dyshim, Hysni Kapoja – i cili vdiq në 1979 në moshën 64 vjeç, ishte nga njerëzit më të afërt të Hoxhës dhe ndoshta numri dy i regjimit, mbase më i fuqishëm edhe se Mehmet Shehu. Dalja e tij nga skena duket sikur precipitoi edhe krizën e pasardhjes, që e kaploi shtetin totalitar, me vetëvrasjen e Shehut më pak se dy vjet më pas. Në shtypin shqiptar të viteve 1990 ka pasur shumë shkrime – dëshmi dhe intervista – të së afërmve të tij dhe mjekëve dhe shoqëruesve, ku aludohet se Kapon mund ta kenë likuiduar.

Hipoteza e vrasjes, në një spital Perëndimor, të një udhëheqësi të lartë të kupolës totalitare, i plotëson kriteret për t’u quajtur teori komploti. Megjithatë, materialet e nxjerra nga mediat nuk identifikojnë haptazi “komplotistët” dhe as japin arsye bindëse për synimet e tyre, edhe pse ideja e përgjithshme është se likuidimi i Hysniut ishte pjesë e luftës për pasardhje, që kish nisur brenda kupolës, që pas infarktit të parë të Enver Hoxhës, në vitin 1973.

Po ç’mund t’i interesonte lexuesit në Shqipëri fati i një lideri komunist si Kapoja, i cili kish dalë nga skena një dekadë më parë, dhe aq më tepër në rrethanat kur pas Kapos ishin likuiduar – me pushkatime, vrasje dhe internime – një numër i madh liderësh të tjerë të kupolës, që nga ish-kryeministri Shehu, ministra si Kadri Hazbiu, Nesti Nase, Llambi Ziçishti, Feçor Shehu e të tjerë, dhe qindra kuadro të tjerë më të ulët?

Dhe aq më tepër kur tashmë ishte bërë e qartë se likuidimi i një rivali me dhunë e pabesi kish qenë dinamikë standard e lëvizjeve brenda kupolës totalitare në Tiranë?

Një teori komploti do të ishte se e njëjta luftë për pushtet, që çoi në vrasjen (e supozuar) të Kapos atëherë, vazhdonte të luftohej akoma; dhe se zhurmat në media për “zbardhjen” e asaj çfarë ndodhi në Paris kishin qëllime të fshehta, të padukshme për një pjesë të madhe të lexuesve. Flitej aso kohe, ndonjëherë edhe haptazi, për “klanin e Kapove”, si grup që vazhdonte të lëvizte fijet në politikën, ekonominë dhe mediat në Shqipëri.

Por më shumë gjasë ka që suksesi i rrëfimeve për spitalizimin dhe vdekjen/vrasjen e Kapos t’i detyrohet natyrës së tyre prej thriller-i, ose faktit që histori të tilla e argëtonin lexuesin, e bënin të klikonte, e mbanin të lidhur pas sajtit në Internet. Nuk ishte pra likuidimi i dhunshëm vetë, por procesi i zbulimit të tij, me median rrëfimtare në rolin e një detektivi, që e sollën dhe e mbajtën në vëmendje teorinë e komplotit. Shumë nga lexuesit nuk është se nxirrnin ndonjë mësim moral nga kjo histori – që liderët totalitarë e kishin zakon të vrisnin njëri-tjetrin, kjo nuk ishte gjë e re, përkundrazi. Përkundrazi, kënaqësia që përjetonin lexuesit ishte intelektuale, dhe kish lidhje me shkoqitjen befasuese të një enigme rreth një personazhi mjaft të njohur.

Ndryshe qëndron puna me “Katovicën”, një teori komploti e sjellë dhe e rimarrë në mediat, e cila pretendon se ndryshimet politike dhe ekonomike, që ndodhën në Shqipëri gjatë viteve 1990 e më pas, ishin planifikuar gati në detaje që në fund të viteve 1980, sipas një letre që iu dërgua Ramiz Alisë nga Gorbaçovi – në atë kohë sekretar i përgjithshëm i PK të BRSS – në përfundim të një takimi sekret të krerëve të vendeve të Lindjes, në Katovicë të Polonisë.

Për Katovicën si teori komploti është shkruar relativisht shpesh[1], prandaj nuk po rikthehem të argumentoj se pse mbështetet në një hoax. Por suksesi i saj, përfshi këtu edhe një dokument – për mua të rremë – të paraqitur si procesverbalin e një mbledhjeje të Byrosë Politike në Tiranë, nuk mund të ndahet nga kriza që kaloi Shqipëria, në vitet 1990-1991, dhe zhgënjimi i mëpasëm, përballë kaosit social dhe ekonomik që u krijua në fazat fillestare të tranzicionit. Shumë njerëzve iu duk sikur, megjithë ndryshimet e mëdha në marrëdhëniet e pronësisë dhe ndërrimin e elitës në pushtet, një pjesë e mirë e të pushtetshmëve të djeshëm e mbajtën kontrollin e tyre ndaj Shqipërisë.

Si teori komploti, Katovica iu përgjigj bukur kësaj ndjesie të pafuqisë, të njeriut të rrugës, përballë ngjarjeve dhe zhvillimeve në vend, duke shpjeguar se të gjitha këto ishin vendosur gjetiu, nga një elitë sa e fortë aq edhe sekrete, e cila mund të ndërronte qimen, por nuk kish ndërmend ta lëshonte pushtetin që kish pasur deri dje (“e kemi marrë me gjak”). Efekti i kësaj teorie nuk ishte aq argëtues, sa ç’ishte terapeutik, meqë pritej të lehtësonte ankthin, duke u shpjeguar “të vegjëlve” se arsyet e dështimit personal për të përfituar duheshin kërkuar në vendime të marra në një “gjetiu” të paarritshëm.

Është për t’u shënuar që Katovica zuri vend të qëndrueshëm në diskursin konspiracist, por pa u shtjelluar – sepse nuk u artikulua tamam dhe as u shpjegua gjëkundi si e ruajtën “komunistët” e djeshëm pushtetin ndaj sendeve dhe njerëzve; ndryshe nga ç’ndodhi, të themi, me historitë e Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut dhe Hysni Kapos, të cilat ktheheshin në mënyrë ciklike në mediat, paçka se përsëritnin gjëra tashmë të mirëditura, spekulimet për Katovicën mbetën gjithnjë me premisa të nënkuptuara; ajo merrej dhe vazhdon të merret si e mirëqenë, por pa u elaboruar në hollësi. Është një përrallë morale-politike, pjesë e një folklori konspirativist, që tani nuk mund të mbijetojë veçse duke u përsëritur në formën që ka pasur; forca e saj qëndron te referimi i rregullt te një instancë e pakapshme dhe sekrete, ku e ka pasur zanafillën komploti; edhe në kuptimin që audienca e përrallës gjithnjë pritet ta dijë paraprakisht se për çfarë është fjala – si çdo narrativë folklorike e respektueshme, ajo gjithnjë i referohet kësaj instance të mëhershme dhe gjithnjë rimerr.

 

© 2021 Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Për shembull, Histori fiktive, nga Elidor Mëhilli. Lexoni po të keni kohë edhe shkrimet e mia Dysh në drejtshkrim, Fije që nuk priten, Katovica e zbardhur, Katovica sans peine. Ky shkrim i Kastriot Dervishit (“Katovica e Servet Pëllumbit…”) gjithashtu argumenton se dokumenti që kinse vërtetonte komplotin e Katovicës është i rremë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin