TEKSTE QË TË KAPIN

Shkrimin e mëparshëm, për tekstet që vrasin, e pata përfunduar para se të nisja të lexoja, rastësisht, një roman thriller të Max Barry-t, Lexicon, ku rrëfehet historia e një klike njerëzish jashtëzakonisht të talentuar, që kanë arritur kontroll aq absolut mbi gjuhën, sa ta përdorin për të nënshtruar të tjerët.

Këta njerëz, që në romanin e Barry-t e quajnë njëri-tjetrin “poetë”, ndërthurin në vete aftësitë e guruve dhe të magjistarëve të qëmotshëm, në gjendje të thërrisnin fuqi të mbinatyrshme, përmes formulave kriptike, por të shqiptuara saktë dhe me tonin e duhur.

Romani lexohet me ëndje, madje unë e përpiva me një frymë; edhe pse koncepti i fjalëve “vrasëse” nuk më bind, me gjithë përpjekjet e autorit për ta mbështetur me argumente të llojit neurolinguistik, paleolinguistik e ndonjëherë duke thirrur në ndihmë edhe koncepte të gjuhësisë chomskyane.

Unë ende anoj nga koncepti saussure-ean i arbitraritetit të shenjës gjuhësore; dhe nga ideja strukturaliste se njësitë e gjuhës funksionojnë vetëm duke iu kundërvënë njëra-tjetrës në sistem, jo për hir të ndonjë vetie të brendshme që mund të kenë a mund të kenë pasur.

E megjithatë, argumenti s’është aq i drejtpërdrejtë sa ç’mund të duket. Kush e ka lexuar dialogun “Kratylos” të Platonit, do t’i mbajë mend pozicionet që mbajnë atje dy bashkëbiseduesit e Sokratit, Kratylosi dhe Hermogjeni, në lidhje me natyrën e emrave – ose nëse emrat më të mirë janë ata që burojnë nga natyra e sendeve, siç thotë Kratylosi, apo emrat janë thjesht produkt i konvencionit, ose i marrëveshjes mes njerëzve për ta quajtur dikë kështu, dhe jo ashtu, sikurse thotë Hermogjeni.

Sokrati e zhvendos pastaj argumentin në histori, duke kaluar nga natyra e emrit në debatin rreth origjinës së tij; por më pas përfundon se studimi i emrave (ose linguistika) është inferior ndaj studimit të sendeve.

E gjithsesi, nuk ka nevojë të shtyhesh deri te simbolizmi tingullor, as në teoritë për origjinën e fjalëve, për të pranuar dallimin kategorik mes kuptimit të fjalës shqipe bukë, dhe kuptimit të fjalës anglishte bread; dallim që vërtet mund t’i ketë rrënjët në sistemin e kuptimeve dhe të shënjuesve për secilën gjuhë, por që tani është integruar në vetë veshjen tingullore përkatëse.

Përndryshe, askush nuk do ta vërë në dyshim natyrën onomatopeike të disa fjalëve (bubullimë, cicërimë), as faktin që thënia Vera i lëshoi flokët para pasqyrës (1), pastaj mori gërshërën (2) dhe filloi t’i shkurtonte (3) rimerr, me renditjen e pjesëve të saj, sekuencën në realitet të ngjarjeve që përshkruan (në kuptimin që rendi 1-2-3 në fjali i përgjigjet, strukturalisht, rendit të veprimeve përkatëse që ka kryer Vera).

Fuqinë e fjalëve për të bindur, që nuk varet gjë nga natyra e tyre mimetike, ose imitimi që i bën gjuha realitetit, e njohin mirë publicitarët, ata që shkruajnë tekstet dhe batutat për reklamat, emërtuesit e markave dhe pagëzuesit e produkteve (Viagra, Prozac), propagandistët dhe ideologët; ose të gjithë ata që kërkojnë të bindin publikun, ose t’ia manipulojnë këtij vullnetin dhe dëshirat, nëpërmjet gjuhës; idealisht për ta bërë dikë të veprojë ashtu siç dëshiron tjetri, por gjithnjë duke besuar se po vepron siç dëshiron vetë.

Ta bindësh dikë të bëjë një abonim telefonik ose të blejë një palë syze dielli është diçka relativisht e padëmshme; por teknika të ngjashme mund të përdoren, dhe janë përdorur edhe për shpëlarjen e trurit dhe skllavërimin ideologjik të publikut.

Veçanërisht efektive janë këto teknika, kur manipuluesi i publikut gëzon prestigj të plotë, si në rastin e një guru-je, të një rock star-i ose një politikani karizmatik.

Pyetjes nëse gjuha mund të ketë efekt toksik ndaj mendjes mund t’i përgjigjemi tani edhe duke kujtuar se, të paktën që prej një shekulli, ekziston një praktikë terapeutike e cila kërkon të shërojë gjithfarë sëmundjesh, të mendjes por edhe të trupit, nëpërmjet të folurit: the talking cure, psikoterapia, ose psikanaliza.

Idetë e shërimit të problemeve sociale dhe të defekteve në botëkuptim, përmes korrigjimit të koncepteve dhe ndërhyrjeve në semantikë, qëndron në bazë edhe të semantikës së përgjithshme, një teori dhe praktikë e themeluar nga Alfred Korzybski në vitet 1920.

Megjithatë, shumë më parë se të përpunohej teknika e psikanalizës dhe teknika të tjera të ngjashme psikoterapeutike, gjuha është përdorur për të marrë nën kontroll individët dhe turmat nëpërmjet efektit hipnotik, në kuptim të përgjithshëm; çka përfshin hipnozën e mirëfilltë, por edhe dukuri të tjera të ngjashme (p.sh. disa lloje të joga-s, ku formula të caktuara verbale përdoren për të përftuar gjendje të ndryshme fiziologjike, ose për të ndikuar në sistemin nervor autonom); forma që ndonjëherë konsiderohen edhe si forma të histerisë kolektive ose, në varësi të vëzhguesit, si mrekulli ose manifestime të së mbinatyrshmes (të vihet re urdhërorja e përdorur rëndom nga Krishti, në Ungjijtë, në kontekste mrekullish – si në episodin e Lazarit, ose një episod tjetër, me një të sëmurë në Jeruzalem; khs. edhe italishten apokrife Alzati e cammina!).

Hipnoza dhe hipnotizimi mund të shihen si dukuri të marrëdhënieve ndërpersonale, midis hipnotizuesit dhe të hipnotizuarit; por edhe si efekte të shkaktuara te subjekti, nëpërmjet një teknike gjuhësore të caktuar, të shoqëruar me elemente paragjuhësore (p.sh. intonacioni, përsëritja, etj.) dhe jashtëgjuhësore (mjedisi, muzika etj.), synimi i së cilës është të përcjellë udhëzime praktike, të cilat subjekti duhet t’i kryejë pastaj pa e mbajtur mend se ia kanë kërkuar, ose e kanë “urdhëruar” të veprojë ashtu.

Mund të pyetet, në këtë rast, nëse efekti hipnotik shkaktohet edhe konsumimi i teksteve të caktuara, të cilat na sugjerojnë të veprojmë në këtë ose në atë mënyrë, por në nivelin e pavetëdijes.

Ideja është shfrytëzuar për vdekje në rrafshin e kulturës pop (“The Manchurian Candidate”); çka nuk do të thotë se është doemos e pavlefshme.

Megjithatë, edhe nëse jemi të sigurt për efektin hipnotik të një teksti, të shkruar ose të folur, ndaj një individi ose një mase të caktuar, sërish mbetet problematik replikimi i efektit, si e vetmja mënyrë për të provuar se kemi kuptuar diçka.

Nga ana tjetër, ka efekte dhe efekte; për shembull, efekti Werther, që e ka marrë emrin nga reagimi në thelb histerik ndaj veprës së Goethes, Vuajtjet e djaloshit Werther, dhe që emërton dukurinë që, në anglishte, njihet edhe si copycat suicides. Edhe pse shumë lexues vendosën t’i japin fund jetës me vetëvrasje, “të kolonizuar” nga romani i Goethe-s, vetë teksti i romanit nuk përmbante ndonjë udhëzim, të drejtpërdrejtë, të sugjeruar ose subliminal, për vetëvrasje.

Përkundrazi, kultura pop (letërsia, filmi) dhe teoritë e komplotit kanë popullarizuar një lloj efekti kur sugjerimi për të vepruar në një mënyrë të caktuar vjen nga vetë teksti, ose është vendosur aty nga dikush që kërkon të marrë nën kontroll konsumatorin e tekstit.

Tek romani i Max Barry-t, që u bë shkas për këto përsiatje, efekti magjik, bindës ose paralizues lidhej me fjalë të caktuara; në thelb me kombinime të caktuara fonemash, të cilat – në universin e romanit – nuk ishin veçse forma të rindërtuara të gjuhës primordiale; më të fuqishmet prej tyre, ishin të ashtuquajturat “fjalë lakuriqe” (barewords), të cilat sillnin me vete pushtet absolut ndaj tjetrit: ëndrra e çdo despoti.

E megjithatë, sikurse edhe publicitarët dhe bindësit e tjerë profesionistë e dinë mirë, ligjërimi vepron ndaj tjetrit jo nëpërmjet fjalëve vetë, por nëpërmjet asaj që e kanë quajtur forcë ilokutive, e cila bashkon në vetvete kuptimin e thënies me synimet e folësit. Kjo forcë shprehet veçanërisht qartë në thënie që përmbajnë folje në mënyrën urdhërore ose dëshirore, ose në thënie të tjera ku këto modalitete shprehen tërthorazi (p.sh. sikur t’i mbyllnim sytë tani?). Në kontekste sociale të caktuara, mallkimet nga persona “të kualifikuar” mund të japin efekte të menjëhershme, madje edhe fiziologjike – p.sh. në Afrikë ku ndodh sot e kësaj dite, edhe pse kjo dukuri nuk kufizohet me komunikimin gjuhësor.

Edhe psikoterapia, në të gjitha format e saj, vepron në këtë mënyrë, sa kohë që pacienti ia lejon psikoterapeutit një farë kontrolli të pjesshëm ndaj vullnetit të tij; kontroll që ndonjëherë manifestohet edhe si nxitje që ia bën psikoterapeuti pacientit për të formuluar, në mënyrë diskursive (ose edhe narrative, nëse duam), elementet, konfliktet dhe përftesat e nënvetëdijës.

Kështu, ëndrra e treguar nuk është më e njëjtë me ëndrrën “e përjetuar” në gjumë; kur narrativizohet, ëndrra u nënshtrohet rregullsive të narrativitetit dhe diskursivitetit, duke u disiplinuar, si të thuash, në gjuhë; pa çka se edhe vetë ëndrra kësisoj e rrëfyer mund të përjetohet, si çdo tekst tjetër narrativ.

Kur është fjala për hipnozën, ose – në rrethana më të skajshme – për magjinë ose formën e saj moderne të komandimit të mendjes (mind control), kontrolli mund të shtyhet deri atje, sa subjekti, të paktën teorikisht, të shtyhet të veprojë në kundërshtim me bindjet e veta ose edhe interesin e vet, duke shpërfillur, bie fjala, instinktin e vetëmbrojtjes dhe duke u shndërruar në një kukull të telekomanduar.

Fantashkenca i ka përdorur këto trope rregullisht, duke shtruar njëkohësisht edhe problemin e identitetit, të vullnetit të lirë, të personalitetit të shumëfishtë dhe të agjencisë (agency); por nuk ka dyshim se interesi për komandim të mendjeve mbetet i madh mes specialistëve të marketing-ut, ideologëve, manipulatorëve të opinionit dhe të tjerëve ekspertë të marrëdhënieve me masat; pa folur pastaj për shërbimet sekrete, hetuesitë dhe rrethana të tjera ku individualiteti dhe vullneti i lirë (free will) mund të perceptohen si pengesë për arritjen e një synimi të caktuar.

Mirëpo këtu nuk duhet të harrojmë se çdo tekst, madje edhe ai më i pafajshmi, është një makinë për kontrollin e mendjeve; sepse vetëm duke e arritur këtë kontroll, mundet teksti të arrijë synimin e vet – të informojë, të zbavitë, të edukojë, të dizinformojë, të nxitë për veprim, të afrojë me Hyjninë, e kështu me radhë.

Dhe kjo do të thotë se, sikur të mos i kishim të gjithë ne mekanizmat mbrojtës të aktivizuar, çdo tekst potencialisht do të na ekspozonte ndaj efektit vdekjeprurës për mendjen, duke u orvatur të marrë komandën e saj dhe të mendojë për ne. Njëlloj siç ndodh në biologji, ku biodiversiteti garanton mbrojtje ndaj dominimit prej një specieje të vetme (p.sh. flora bakteriale që kemi në zorrë na mbron ndaj disa infeksioneve intestinale dhe të tjera; ose dhelpra, e cila nuk i lë lepujt të shtohen aq sa të shkatërrojnë krejt bimësinë në një zonë të caktuar, etj.), edhe në komunikim shumëllojshmëria e teksteve që konsumojmë, përfshi edhe ato me efekte potencialisht toksike, na mbron nga manipulimi dhe, tek e fundit, nga vetë toksiciteti.

Sërish, koncepti im mbetet strukturalist; dhe për mua çdo tekst, deri edhe një orar dyqani, e ka potencialin të hipnotizojë dhe të rekrutojë konsumuesin përkatës, në atë masë që nuk konkurrohet dhe luftohet prej teksteve të tjera, alternative, paralele, rivale; çka shpjegon edhe pse, një nga preokupimet madhore të çdo regjimi gjuhësor totalitar është të pastrojë, madje të sterilizojë hapësirën e komunikimit nga tekstet që nuk i kontrollon dot, ato me natyrë subversive, por edhe të tjerat, të cilat thjesht përcjellin një version tjetër të realitetit, duke krijuar pastaj katastrofa të ngjashme me ato që kanë shkaktuar steriliteti dhe antibiotikët në spitalet moderne (superbugs: se a nuk janë të tillë viruset anti-etike që po ia gangrenizojnë sot profilin moral qytetarit në Shqipëri?).

Në rrethana të tjera, p.sh. në kontekstin e tregut, luftëra të tilla inter-tekstuale mund të përftojnë edhe një tekst të nivelit epror; p.sh. konflikti për tregun e pijeve freskuese (Coke apo Pepsi?) përcjell megjithatë idenë e nënvendosur, se pija freskuese e gazuar, me shumë sheqer dhe pak kafeinë, është domosdoshmëri e përditshme (dhe çështja është vetëm për të zgjedhur midis kësaj dhe asaj). Tek e fundit, që zbrazja e mendjes nga idetë alternative është parakusht për kontrollin, këtë e dinë mirë edhe marrësit në pyetje, në qelitë e hetuesive të të gjitha ngjyrave dhe sistemeve.

[Shënim: u përgjërohem komentuesve që, së paku këtë herë, të heqin dorë nga përpjekjet për të qëmtuar gabime në shkrim. Hapësira e komenteve ofrohet bujarisht për shtjellim të mëtejshëm të temës, ose edhe hedhje poshtë të saj; por kurrsesi jo për debate të natyrës editoriale. Nëse dikush mendon se ka gjetur gabime, do t’i isha mirënjohës sikur të më shkruante privatisht.]

Nuk ka komente

  1. …..Unë ende anoj nga koncepti saussure-ean i arbitraritetit të shenjës gjuhësore; dhe nga ideja strukturaliste se njësitë e gjuhës funksionojnë vetëm duke iu kundërvënë njëra-tjetrës në sistem……..
    Une them se ,gjithshka ne natyre funksionon mbi bazen e Determinizmit absolut.Evolucioni funksional mbeshtetet jo mbi bazen e kundervenies te njesive strukturore te FJALES,por te sistemimit ose renditjes te perjashtimit qe i bejne dukurite fenomenale njera tjetres.
    Keto dukuri fenomenale jane thjesht Tre ;
    1-ndryshimi-shkaku(1)
    2- ecuria e ndryshimit-procesi (0)
    3- pasoja-produkti(1)
    KetoTRE jane thjeshte nje pjese e elementeve te Perceptueshem mbi te cilat ka evoluar procesi i NJohjes dhe si pasoje strukturimi i tingullit (deri ne strukture te plote,ate sindaksiologjike)
    Per vet Naturen nuk jane vecse DY(1,0) .Natyra nuk ka ,nuk i duhet gjuha,ajo funksionon nepermjet Aferise dhe Shtytjes.Per natyren ,cdo ndryshim eshte dhe pasoje,per te ka vlere( pasqyrohet ne evolucioni) vetem Ecuria,Vazhdueshmeria,Kohezioni.
    ……….Kush e ka lexuar dialogun “Kratylos” të Platonit, do t’i mbajë mend pozicionet që mbajnë atje dy bashkëbiseduesit e Sokratit, Kratylosi dhe Hermogjeni, në lidhje me natyrën e emrave – ose nëse emrat më të mirë janë ata që burojnë nga natyra e sendeve, siç thotë Kratylosi, apo emrat janë thjesht produkt i konvencionit, ose i marrëveshjes mes njerëzve për ta quajtur dikë kështu, dhe jo ashtu, sikurse thotë Hermogjen…….
    Ne “kohen” e Platonit, me siguri ju them se Attika e sotme ,ishte Bilinguale.Nuk ka fakte (material gjuhesor) ,por kete e vertetojne theniet te Platonit, Herodotit.Edhe po te analizosh thelle ,evolucionin struktural dhe funksional te greqishtes se sotme ,do te shikosh se njesite e saj strukturale nuk jane gje tjeter vecse ,mutacione fonetike (te qellimshme,te ndergjegjesuara) te cilat vecse na vijne ne formen e tyre natyrale,me kohezion te qarte ne aspektin fonologjik dhe ate semantik ne gjuhen vllahe dhe ate shqipe.
    Nga ana tjeter,ne gjuhen antike e HOMERIT “, nuk ka vazdimesi te tingujve-kode qe perbejne strukturen e qendrushme sindaksiologjike(si miniatura e gjuhes),ne procesin e fjaleformimit.Te ashtuquajtures “greqishte”te te gjitha kohrave i mungon kohezioni,vazhdimesia fono-semantike.
    Lind pyetja ,pse?
    Pikerisht kesaj grishe ,bota akademike sot i ka adaptuar thjesht termin “entitet abstrakt”
    Perderisa tingulli eshte nje “qenie” e dallueshme,e shquashme,e perceptushme ,ahere,perse strukturimi i tij eshte dicka “uranokatevato” ,abstrakte.
    Mos kjo dukuri lidhet me nevojat e njohjes ne fusha te tjera.(psh ato psiho-somatike?
    Dua te theksoje nje fakt qe dikush e solli ne nje debat ketu ne PF, si ore gjitha ato “reporter” te antikitetit nuk u gjend njeri te shkruaje se gjitha ato vepra arti (statujat) ngjyroseshin,te na flase njeri per predispozicitetin e grekve te lashte ndaj ngjyres……..

  2. Vetë titulli “tekste që të kapin” thotë shumë, të përgatit, të paralajmëron se çfarë roli mund të luajnë fjalët në përbërje të tekstit.

    Mendimtarët mesjetarë, njëlloj si Aristoteli, i mendonin fjalët si emra, por ishin të paqartë se si dhe çfarë emëronin. Të kujtojmë si përfundon novela e famshme e Eco-s Il Nome della Rosa:”… ne kemi vetëm emra”.

    Pasi u kapërcyen empirikët, pragmatistët, pozitivistët, pjesë e të cilëve ishte fillimisht Wittgenstein-i i ri, ai i theu vargojnë që e lidhnin me mendimin tradicional duke formuluar diçka të re, se “kuptimi i një fjale është përdorimi i(vet asaj) saj brenda gjuhës”.

    Për të sqaruar mendimin e tij “kuptimi është përdorimi(i vet fjalës)” ai i përqaset shpjegimit në këtë mënyrë:

    “Pyetja “Çfarë është një fjalë në të vërtetë?” është analoge me “çfarë është një gur në lojën e shahut?”…Le të themi që kuptimi i gurit është roli i tij në lojë. Me këtë ai synonte të përgjithësonte idenë që çfarëdo gjuhe, nuk është gjë tjetër veçse një lojë, një “lojë gjuh(e)ësore”.”

    E vërtetë, të gjitha lojërat kanë rregullat e tyre. Ja të marrim shembullin e ushtarit në shah. Kuptimi(dhe përdorimi) i tij në lojën e shahut lidhet dhe është pasojë e drejtpërdrejtë e rregullave të shahut. Ushtari zakonisht lëviz përpara veçse një fushë(katrore), me përjashtim të lëvizjes së parë, ku është i lejuar të lëvizë edhe dy katrore, por mund ta marrë gurin e kundërshtarit veçse diagonal(isht) dhe mund të këmbejë rolin, duke u kthyer edhe në mbretëreshe nëse arrin në krye, në anën tjetër të fushës, në fillim të fushës të kundërshtarit.

    Kështu ndodh edhe me gjuhën, fjalët, fjalitë apo shprehjet. Disa rregulla janë tepër të ngurta, kurse disa janë fleksibël, të negociueshme. Qoftë rregullat gramatikore, sintaksore apo semantika(përdorime kuptimore të ndryshme, apo deri ku mund ta idiomatizosh, ta përdorësh në mënyrë figurative “to stretch” kuptimin e një fjale) përbejnë atë që konsiderohen si rregullat e kontekstit. Nuk mund të thyhen pa pasur konsekuenca.

    Wittgenstein-i rastin kur thyheshin rregullat, sadopak, e quante si momenti kur “gjuha shkon me pushime”.

  3. Në vazhdën e idesë të shkrimit, desha të shtoja me tej se Wittgenstein-i, librat e Lizës(Alice), personazh i krijuar nga Lewis Carrol, pseudonimi i Charles Lutwidge Dogson, një matematicien eksentrik, talent shumë drejtimesh, i kishte ndër me favoritet, bile i përdorte për të ilustruar idetë e tij mbi natyrën e fjalëve dhe gjuhës.

    Shakatë dhe loja e fjalëve, që shoqëron dialogët e personazheve, tregon me elokuencë gazmore rezultatin komik dhe absurd, kur disa karakteristika të gjuhës qëllimisht ngatërrohen ose keqkuptohen.

    Të kujtojmë për shembull dialogun midis Mbretit të Bardhë dhe Lizës, kur ai i kërkon Lizës të shohë nga rruga nëse dallon dikë duke ardhur.

    Dialogun e shkurtër më duhet ta tregoj në anglisht, sepse kështu kuptohet edhe absurdi edhe komikja. Liza i përgjegjet: “I see Nobody on the road”(Nuk shoh njeri në rrugë… shqip nuk është korrekte, nuk thuhet “shoh Askënd në rrugë”). Mbreti i përgjigjet: “I only wish I had such eyes. To be able to see Nobody! And at that distance too!”(Sa dëshiroj të kisha sy të tillë! Të isha në gjendje të shihja Askënd! Dhe në atë largësi!)

    Pra kemi një keqkategorizim, keqinterpretim të qëllimshëm, ku dialogu bën që të arrihet në konkluzione aq absurde sa edhe komike.

    Por dialogu që i afrohet shumë afër të vërtetës dhe domethënies të shkrimit të 2xha është dialogu midis Humpty-Dumpty dhe Lizës.

    “Kur unë përdor një fjalë, – tha Humpty-Dumpty, me një ton përcmues – do të thotë, çfarë zgjedh unë të thotë(se si duhet të kuptohet), as më pak a as më shumë”

    “Pyetja që bëhet(çështja në këtë rast është), – iu gjegj Liza – nëse ti mund t’i bësh fjalët të tregojnë(të thonë, të kuptojnë) kaq shumë gjëra të ndryshme.”

    “Çështja është – vazhdoi Humpty-Dumpty – kush(kujt i takon të) bëhet Mjeshtri(fjalët i Pari, i Zoti i vendit, i bëjnë pak padrejtësi fjalës anglisht master), – kjo është e gjitha.”

    (“When I use a word,” Humpty Dumpty said, in rather a scornful tone, “it means just what I choose it to mean- neither more nor less.”
    “The question is,” said Alice, “whether you can make words mean so many different things.”
    “The question is,” said Humpty Dumpty, “which is to be master-that’s all.”)

  4. Ne fillim fjala kapte nje te vertete e sendit ose fenomenit, per dy arsye:
    1- nese emertohet diçka e verteta eshte e vetvetishme per njeriun
    2- lehtesia e percjelljes qe do te thote lehtesia e konvencionit.
    Udhe e Hekurt ose hekurudhe, e cila shpreh natyren e sendit eshte me lehtesisht e percjellshme ne shqip sesa ferrovia apo strada ferrata, aq me shume nga ”biyaheng daambakal” ne tagalogishten e Filipineve.
    Thuhet zezak dhe jo nje fjale dosido sepse kapet nje e vertete qe bie ne sy me lehte.

    E verteta ose nje nga te vertetat e sendit apo fenomenit, jane edhe natyra e sendit, cka e ben shume me te lehte edhe konvencionin. Eshte shume me e lehte qe dy njerez te binin dakort ta quanin zezakun zezak sesa bardhosh apo allash.

    Mendjen e njeriut e kap e verteta, eshte ne natyren e njeriut, prandaj edhe fillimisht gjithe fjalet e reja perfaqesonin nje te vertete rreth sendeve ose fenomeneve, derisa hyne huazimet dhe e bene lemsh lidhjen e gjuhes me te verteten e sendeve.

    Adhurimi antik i gjuhes ne forme fetare nuk ishte pasoje e injorances, por pasoje e lidhjes se gjuhes me te vertetat e realitetit. Cdo fjale qe mesohej ishte nje e vertete (apo qe mbahej si e vertete).

    Gradualisht, ndryshimet fonetike dhe huazimet, e dobesuan lidhjen e gjuhes me te verteten e sendeve, prandaj Sokrati, me urtesine e tij dhe nevojen per te mesuar te verteta rreth sendeve, kalon ne historikun dhe etimologjine e fjaleve.

    Fjala ne origjine mbart gjithnje nje te vertete, fjala eshte e verteta, ndryshe nga fjalia, e cila mund te jete e vertete apo e genjeshtert.
    Prandaj, fuqia ‘magjike’ e fjales, nuk eshte gje tjeter veçse fuqia e se vertetes.

    Emri sekret i Romes dhe domethenia e YHWH, jane dy shembuj ku mbahej fshehur fuqia e se vertetes.

    Konvencioni eshte domosdoshmeri, por a ka marreveshje me te lehte mes dy njerezve, kur fjala shpreh nje te vertete ? Mjaft te perfytyrojme Naimin ne debat me Samiun, ku Naimi thote ”hekurudhe” ndersa Samiu ”ujeudhe”. Ne si degjues do protestonim ndaj lajthitjes se Samiut, i cili do e mbronte tezen e vet te ujeudhes me argumente te tipit, kjo eshte thjesht diçka arbitrare, nje konvencion, ujeudhe eshte e barazvlefshme me hekurudhe.
    Nuk do e quanim lajthitje sepse ne perdorim hekurudhe, por sepse do na vriste veshin nje genjeshter kaq e madhe ne lidhje me natyren e hekurudhes.

    Pluralizmi si efekt mbrojtes ndaj helmimit te mendjes nuk me duket me vlere universale, e verteta eshte nje, nuk eshte shume.
    Pluralizmi ka efekt mbrojtes ne rastet kur nuk eshte zbuluar e verteta. Dhenia e vleres universale ne fakt eshte produkt relativist ose me sakte i paradoksit relativist, i cili nga njera ane nuk njeh universalitet nga ana tjeter jep receta universaliste.
    Gjithsesi duhet pranuar qe politika ka shume pak te verteta, prandaj pluralizmi kryen funksion pozitiv (pavaresisht se natyra njerezore eshte e prirur te absolutizoje te verteten qe njeh si te atille, prandaj formon llogoret politike).
    Ky funksion pozitiv ka vetem vlere te pjesshme sepse çdo civilizim dominohet nga nje ideologji sunduese, e cila mbart monopolin e se vertetes supreme, te ciles i nenshtrohet çdo forme pluralizmi politik, kulturor apo ekonomik.

    Coca Cola apo Pepsi ?

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin