PYLLI DHE KOPSHTI

Sait Saiti, në shkrimin e tij të fundit në Peizazhe të fjalës (Pyllit pa spatë) flet për një çështje që pak si shumë lehtë po lihet mënjanë në studimet historike, antropologjike dhe folklorike – ndërhyrjet e mbledhësve të materialeve, në materialet e mbledhura; ndërhyrje të tilla që, në parim, mund ta bëjnë deri të pamundur shfrytëzimin e këtyre materialeve sot.

Dhe këtu nuk është fjala thjesht për zëvendësime fjalësh të huaja ose rregullime të tjera gjuhësore, por për ndërhyrje të qëllimshme, për të minimizuar faktorin osman dhe islamik në jetën shqiptare, të paktën para vitit 1912. Shembulli me Kanunin e Gjeçovit më duket mjaft flagrant – sa kohë që ai autor e ka përdorur përmbledhjen e vet të materialeve gojore edhe si platformë për një pozicionim kulturor.

Në përgjithësi, po të shohim se kush i ka mbledhur këto dy shekujt e fundit materialet folklorike – po them mbledhur jo regjistruar – do të shohim se nga njëra anë, kemi të bëjmë me autorë të huaj, albanologë dhe udhëtarë dhe të tjerë amatorë, të cilëve u kanë shpëtuar shumë gabime edhe në regjistrim edhe në interpretim, qoftë edhe thjesht ngaqë nuk kanë ditur mirë shqip; dhe nga ana tjetër vendës që shqipen e kanë ditur mirë, por që nuk kanë pasur formimin e duhur profesional ose që kanë qenë të kushtëzuar ideologjikisht.

Në materialet më të vjetra, nën ndikimin edhe të ideologjisë së Rilindjes, synimi mund të ketë qenë që të “pastrohen” materialet nga shtresa osmane-islamike, e cila është gjykuar si parazitare dhe e panevojshme, në mos si e dëmshme; në materialet më të reja, si ato të mbledhura gjatë viteve 1945-1990, këtij synimi i është shtuar edhe ideologjia enveriste, një formë e vulgarizuar e marksizëm-leninizmit, e cila e sheh “popullin” si burim të dijes, të historisë dhe të udhëheqësisë morale.

Kjo nuk do të thotë se ÇDO material i mbledhur vuan nga këto ndërhyrje; por vetëm se, fakti që është ndërhyrë, i bën studiuesit të dyshojnë – me të drejtë – për autenticitetin e çdo materiali që vjen nga ajo kohë.

Si lëvizje shumëplanëshe, Rilindja kërkonte ta nxirrte shqiptarinë nga Perandoria Osmane, duke minimizuar, në mos krejt mohuar ndikimin e pesë shekujve jetesë nën sundimin osman në psikologjinë, zakonet dhe organizimin social të shqiptarëve. Pjesë e kësaj lëvizjeje ishin edhe përpjekjet për të restauruar, mes shqiptarëve, ato tipare që supozohej se ekzistonin por pastaj ishin zhdukur, ose të paktën “narkotizuar”, gjatë periudhës osmane.

Kësaj vale “restauruese” i përkasin edhe përpjekjet e dijetarëve dhe shkrimtarëve arbëreshë në Itali; kujtoj këtu se autenticiteti i materialeve të “mbledhura” nga De Rada, nën trajtën e një “Rapsodie d’un poema albanese” mbetet më se i dyshimtë, madje më i dyshimtë edhe se rrënjët e vetëdijes arbëreshe për “motin e madh” dhe të kaluarën e tyre të lavdishme, nën Skënderbeun.

Siç e vëren edhe Saiti në shkrimin e lartcituar, mbledhësit e folklorit, edhe në Shqipërinë e 1912-ës, mbetën rob të “kultit të lashtësisë”, të bindjes se në popull, veçanërisht në zonat e malësive, janë RUAJTUR tipare të lashta, madje tejet të lashta, që dëshmojnë për fisnikërinë e origjinës së kulturës dhe të “racës” shqiptare dhe lidhjet e saj me “raca” të tjera të fisme, si romakët ose fiset gjermanike. Për këto deformime ka shkruar mirë dhe rëndësishëm edhe Albert Doja, në veprën “Shfaqja e antropologjisë në Shqipëri” (të cilën ia rekomandoj çdo të interesuari). Këtu do të vëreja vetëm që, në përpjekjet e tyre për çfarë nuk mund ta quaj veçse si “arkeologji folklorike”, këta mbledhës kanë nënvlerësuar mënyrën si funksionon kujtesa kolektive, në kultura thellësisht orale (pa shkrim) si ajo jona. Kjo vazhdon njëfarësoj sot e kësaj dite – aq sa ka nga ne që kujtojnë se Kanuni i Lek Dukagjinit është teksti i librit të Gjeçovit (në fakt libri është komentar i Kanunit, ndërsa Kanuni vetë ekziston në trajtën e një bashkësie proverbash dhe thëniesh të ngjashme).

Sot, kur objektivi i Rilindjes për “pastrimin” e shqiptarisë nga mbetjet osmane-islamike nuk qëndron më, ose të paktën nuk mund të mbrohet më me aq zell, studiuesit e trashëgimisë folklorike, por edhe historianët e kulturës, duhet të ndihen të penguar në punën e tyre, sa kohë që punojnë me materiale që, po aq sa pasqyrojnë realitetin kulturor popullor të kohës kur janë mbledhur, njëlloj edhe mishërojnë ideologjitë – tashmë të vjetruara ose të diskredituara – të mbledhësve të tyre. Dhe, nga kjo pikëpamje, unë e kuptoj edhe frustrimin e atyre studiuesve që, kur punojnë me materiale të tilla, refuzojnë të rekrutohen nga fantazmat e mbledhësve dhe të kamzhikojnë, si me thënë, një kalë të ngordhur.

Këtë ndjesi e kam provuar vetë, kur më ka qëlluar të punoj me Këngët e Kreshnikëve, në versionin e botuar në Visaret e Kombit. Edhe pse nuk kam pasur prova dhe as kam tani, që mbledhësit e atyre këngëve i kanë përpunuar tekstet, për ta “shqiptarizuar” ciklin, sërish nuk më është ndarë dyshimi se tekstet nuk janë autentike; ose edhe që janë po aq autentike sa edhe Rapsoditë e De Radës. Nuk e kam lënë këtë dyshim të më kthehet në paranojë, por edhe nuk kam arritur ta neutralizoj krejt. Tani që lexoj kritikën e Saitit, ndaj Kanunit dhe qasjeve tona të sotme ndaj tekstit të Gjeçovit, e kuptoj se nuk paskam qenë i vetmi. Dhe këtë e them jo sepse dua t’u bëj gjyqin mbledhësve të dikurshëm, por vetëm për të vënë në dukje se kriteret dhe standardet shkencore të një shekulli më parë nuk kanë qenë aq solide sa sot, dhe aq më tepër në kushtet kur Rilindësit dhe pasuesit e tyre, gjithnjë në përpjekje për t’i dhënë shqiptarit një identitet kulturor “ideal”, kanë qenë të bindur se, me ndërhyrjet e tyre në materialet folklorike i kanë shërbyer çështjes kombëtare. Dhe mbase i kanë shërbyer vërtet – nuk më takon mua t’i gjykoj për këtë; paçka se, duke vepruar ashtu, e kanë vështirësuar keq shfrytëzimin e atyre materialeve nga studiuesit sot.

© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.