TEATRI I KONSPIRACIONIT

Gjatë totalitarizmit, teoritë e komplotit[1] në kulturën shqiptare (të Shqipërisë) i gjeje ose në trajtën e shpjegimeve alternative informale, gati folklorike, të ngjarjeve shqetësuese ose të rrezikshme; ose në trajtën e akuzave politike brenda kupolës së shtetit. Të parat qarkullonin dhe riprodhoheshin në trajtë “thashethemesh” dhe shiheshin shtrembër nga regjimi; të dytat aktivizoheshin në momentet e larjes së hesapeve brenda grupimeve politike: shembull tipik, tabloja sinoptike për veprimtarinë e ish-kryeministrit dhe tani poliagjentit Mehmet Shehu. Por, në përgjithësi, shumë nga linçimet dhe gjyqet politike brenda PPSH-së janë mbështetur në teori komploti të formuluara nga Enver Hoxha dhe haptazi të pabazuara, të paktën nga pikëpamja mirëfilli juridike.

Pas përmbysjes së regjimit në vitin 1990 dhe liberalizimit të mediave, teoritë e komplotit u ulën këmbëkryq në faqet e gazetave, në emisionet radio dhe televizive, dhe më pas në Internet, teksa mediat vetë e kuptuan shumë shpejt sa fort tërhiqej publiku pas këtyre narrativave, që sfidonin pikëpyetjet dhe të panjohurat e realitetit aq kaotik të dekadës së fundit të shekullit XX në Shqipëri, përfshi kolapsin e pronës socialiste, shkatërrimin e institucioneve të mëdha publike, krizën e shoqërive financiare, luftën civile dhe luftën në Kosovë.

Paralelisht, stabilizimi i jetës së përditshme, që u arrit shkallë-shkallë, riktheu në vëmendje disa nga teoritë e vjetra të komplotit, sidomos në lidhje me zhvillimet politike nën totalitarizëm. Që nga ajo kohë, mediat nuk hoqën më dorë nga tema të tilla si vetëvrasja e Mehmet Shehut dhe, ngjashëm me të, vdekja e Hysni Kapos në një klinikë në Paris. Meqë këto enigma – nëse mund t’i quajmë kështu – kishin të bëjnë me ngjarje të së kaluarës pa ndonjë impakt në jetën e ditës së qytetarëve, interesi për to me gjasë do të shpjegohet kryesisht me dëshirën e konsumatorit të mediave për t’u argëtuar (ose të mediave për ta tërhequr konsumatorin duke e argëtuar).

Marrëdhëniet e teorive të komplotit me filmin, televizionin dhe letërsinë e zhanrit në SHBA janë analizuar mirë – dhe Gordon B. Arnold, autor i një studimi për Conspiracy Theory in Film, Television, and Politics (Greenwood Publishing, 2008), ka argumentuar se tashmë teoria e komplotit funksionon si narrativë kulturore e fuqishme, madje e kategorizueshme si folklor i bashkëkohësisë, sa kohë që mund të pikaset si temë e përgjithshme që i nënvendoset një pjese të madhe të rrëfimtarisë popullore. Një numër i madh filmash amerikanë të suksesshëm por edhe programesh televizive, e kanë normalizuar – për publikun – idenë se ajo çfarë ndodh vërtet është shumë larg asaj çfarë jepet si shpjegim ose arsye.

Brenda kornizës së konsumit të këtyre produkteve pop, teoritë e komplotit – thotë Arnold – nuk funksionojnë veçse si metafora të jetës moderne. Publiku masiv, i përbërë nga individë që ndihen të pafuqishëm ndaj forcave të papërballueshme që rregullojnë dhe modifikojnë realitetin, i përjeton këto teori komploti në fiction si ngushëllim, dhe duke u ngushëlluar argëtohet. Formula e produkteve të llojit thriller, pavarësisht nga mediumi dhe formati, u tregua veçanërisht e suksesshme dhe sot e kësaj dite teoritë e komplotit mbeten një nga shtyllat peshëmbajtëse të narrativës në filma të llojeve political thrillers, spiunazhi (Capricorn One, seria e James Bond-it, seria Mission Impossible, seria Bourne; ose serialet televizive “The X-Files” dhe “24”) madje edhe të llojit fantashkencor distopik (The Matrix, Thirteenth Floor, Dark City, The Adjustment Bureau), të paktën brenda universit mediatik në Perëndim. Në të njëjtën kohë, kjo mori narrativash të prekonfeksionuara, që nuk janë veçse variacione të temës konspiraciste e ka dekondicionuar publikun Perëndimor, në mënyrë të tillë që ky të mos i marrë më shumë seriozisht teoritë e komplotit, kur ato ia sjellin si shpjegime për ngjarje reale, aktuale ose në të kaluarën.

Numri jashtëzakonisht i madh i historive që janë rrëfyer dhe vazhdojnë të rrëfehen në media, për ngjarje ndonjëherë fare të parëndësishme të periudhës totalitare, mund të shpjegohet kështu edhe me efektin catharsis të një teorie komploti, që mëton të shpjegojë një enigmë të atyre kohëve; ose edhe ta krijojë enigmën nga hiçi. Materialet me supozime dhe insinuata, për mundësinë që Hysni Kapon ta kenë eliminuar në Paris, me bashkëfajësinë e ndonjë anëtari tjetër të kupolës, nuk kanë pasur ndonjë lidhje të dukshme me realitetin e kohës kur janë bërë publike; por botuesit e tyre kanë gjykuar se publiku do t’i mirëpriste dhe do të argëtohej duke i lexuar. Për një kohë të gjatë, mediat në Shqipëri – mbase edhe pa e kuptuar mirë – i kushtëzuan ndjekësit e tyre me idenë se një teori komploti, më shumë se së vërtetës, i shërben argëtimit masiv; dhe kjo mbase do të shpjegojë suksesin që do të arrinin, më pas, teoricienët e komplotit në televizion dhe në Internet – ata që “shpjegonin” gjithçka që u dilte përpara nga historia dhe politika shqiptare, dhe ata të tjerët, që filluan të kullosnin allegramente në lëndinat e teorive globale të komplotit. Çfarë edhe e sanksionoi – sikur të ishte nevoja – natyrën në thelb folklorik të performimit konspirativ në media dhe efektin e tij psikoterapeutik te publiku, përndryshe në ankth dhe i çarmatosur para një të përditshmeje ndaj së cilës nuk kishte kurrfarë kontrolli.

© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Me “teori komploti” këtu kam parasysh përpjekjen për të shpjeguar ngjarje të ndryshme, zakonisht me pasoja dramatike ose tragjike, si rezultat të vendimeve dhe veprimeve të një grupi të vogël të fuqishëm, që vepron në sekret, për të arritur synimet e veta; shpjegim që bie ndesh me versionin zyrtarisht të pranuar të ngjarjeve. Për kulturën në Perëndim, Frank P. Mintz e ka quajtur konspiracizmin një sistem besimesh që “u shërben nevojave të grupeve të ndryshme politike dhe sociale në Shtetet e Bashkuara dhe gjetiu. Ai i identifikon elitat, i bën me faj për katastrofat ekonomike dhe sociale dhe supozon se gjërat do të shkojnë në mirë, sapo populli të ngrihet dhe t’i rrëzojë këto nga pushteti.”

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin