MENDIME TË PAKREHURA (LXX)

(nga Stanislaw Lec*)

E vështirë ta përkëdhelësh një kafshë, kur kjo është veshur me lëkurë njeriu.

Tabelat rrugore mund ta shndërrojnë xhadenë në labirint.

Si rregull, ne nuk dëgjojmë veç versionet finale të psherëtimave.

Le të jemi koncizë, që ta mbarojmë frazën në të njëjtën epokë.

Sa për të qeshur do të më vijë, kur të shoh se nuk do të kenë kohë ta shkatërrojnë botën para se kësaj t’i vijë fundi!

E kish mendjen të hapur, për fat të keq ndaj të gjitha erërave.

Edhe Mesitë e presin me padurim ardhjen e tyre.

Ishte ndërgjegjja e epokës së vet, që nuk kish ndërgjegje.

Një bufon i vërtetë nuk mund të përqeshë një bufon tjetër të vërtetë. Njëri prej të dyve duhet të jetë i rremë.

Ja dhe rojtari i ligjit: e mbron kaq mirë, sa askush nuk mund ta përdorë.

Djajtë ndahen në engjëj të rënë dhe në njerëz që kanë avancuar në karrierë.

Mungesa e precedentit është edhe ajo precedent.

Pagjumësia: sëmundje e atyre epokave, kur njerëzve u jepet urdhër të mbyllin sytë para shumë gjërave.

Kur po e torturonin, nuk pushonte së pickuari veten. “Ç’bën?” i tha xhelati, i irrituar. “Po verifikoj që nuk jam duke parë një ëndërr të keqe.”

Disa festojnë me të madhe disfatat e tyre, kur i ftojnë në banketet e fitimtarëve.

Më lavdëruan: “Ai e mendon si ne.” Siç e duam ne të mendojë.

Të tredhurit kërcejnë në të gjitha dasmat. Asgjë nuk ua ndalon.

Mund ta shohësh veten në fund pa e arritur thellësinë.

Tabutë, megjithëse të paprekshme, riprodhohen në mënyrë të frikshme.

Disa kiromantë nxjerrin këtë pretekst: “Nuk i lexoj dot duart e pista!”

Martir i vërtetë është ai që ia kanë refuzuar edhe këtë titull.

Satirës i duhet ndonjëherë të rindërtojë çfarë ka shkatërruar pathosi.

Nuk jam dakord me matematikën. Besoj se një shumë zerosh jep një numër kërcënues.

Ndonjëherë është më lehtë të japësh një çmim, se të japësh të drejtë.

E gjetën më në fund një gjuhë të përbashkët: arritën në përfundimin se janë armiq.

 


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin