REPUBLIKË E VLORËS APO E VICHY-SË

nga Ridendo Mores

Një deklaratë e Ministrit të Jashtëm grek, Z. Niko Dendias, e 5 qershorit 2021 për gazetën Parapolitika qartëson disa gjëra për opinionit publik në Shqipëri e më gjerë, por edhe ngre disa pikëpyetje serioze.

“Transparenca” e z. Dendias

Së pari, sipas z. Dendias, në tetor 2020 është arritur një “marrëveshje politike” midis Shqipërisë e Greqisë “për t’iu drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për të delimituar Zonën Ekskluzive Ekonomike” midis dy vendeve. Kur u nënshkrua kjo marrëveshje? Kur u diskutua nga spektri politik shqiptar dhe, nëse nevojitet, kur u ratifikua nga Kuvendi? Tjetër, në përmendjen e Zonave ekskluzive ekonomike, mos vallë z. Dendias pa dashje “harron” se ka edhe dy kategori të tjera që duhen delimituar, që janë Deti territorial dhe Shelfi kontinental?

Së dyti, z. Dendias bën me dije se “sa i takon anës teknike,…shërbimet kompetente të dyja vendeve janë duke ndërmarrë konsultime të drejtpërdrejta për hartimin e draftit…të marrëveshjes së posaçme…që lipset t’i paraqitet” Gjykatës në Hagë.

Dihet se, në lidhje me hapësirat detare të veta shteti grek ka qëndrim të përcaktuar, të mirëkoordinuar dhe të mbështetur nga të gjithë aktorët kryesorë të spektrit politik, më saktë mes Presidencës, Qeverisë, Parlamentit dhe Opozitës. Po ashtu, qëndrimi grek pretendon se është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare, paçka se bazohet në interpretime maksimaliste të saj dhe, pavarësisht nga mbështetja nominale e BE-së dhe e Francës, nuk gjen precedent në të. Megjithatë, konsensusi në Greqi është i plotë dhe i gjerë.

Sa i takon Shqipërisë, ajo çka mund të thuhet është e kundërta e qëndrimit grek. Dihet botërisht se shteti shqiptar për këtë problem ka folur në mënyrë konsensuale vetëm me Vendimin historik të Gjykatës Kushtetuese të 15 prillit 2010. Përtej tij, në Shqipëri nuk ka qëndrim të përcaktuar, të mirëkoordinuar dhe të mbështetur nga të gjithë aktorët kryesorë të spektrit politik siç janë Presidenca, Qeveria, Parlamenti dhe Opozita. Për konsensus as që bëhet fjalë.

Rrjedhimisht, përderisa njëri aktor relevant vendimmarrës nuk ka diskutuar, koordinuar, përpunuar apo rakorduar qëndrimin zyrtar të shtetit shqiptar me aktorët e tjerë relevantë, dhe nëse ky qëndrim nuk i është nënshtruar llogaridhënies normale në një shtet demokratik, është e vështirë të pranohet se “në tetor 2020 midis dy vendeve është arritur një marrëveshje [mirëfilli] politike”.

Pjesa tjetër e deklaratës së z. Dendias, zbulon se konsultimet teknike për hartimin e draftit të Marrëveshjes së posaçme që do t’i paraqitet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë janë duke u kryer, për të mos thënë ndodhen në stad të avancuar. “Konsultimet teknike”, nëse vërtet janë duke u ndërmarrë, duhen pezulluar menjëherë dhe sine die.

Dihet mirë se si funksionon kjo pjesë për administratën shqiptare: pala e huaj harton draftin e saj dhe “ia përcjell”, për të mos thënë “ia imponon” atë palës shqiptare. Kjo e fundit i bën disa “meremetime kozmetike” që nuk prekin thelbin e tekstit dhe, voilá, u arrit edhe marrëveshja dypalëshe “teknike”.

Marrëveshje “politike” apo dakordësi “personale”?

Mirëpo, përveç ceneve të mësipërme, ekzistencës së një klime përçarëse politike, një Kuvendi jo mirëfilli funksional, si  një opinion publik të stresuar e të hutuar, “marrëveshja politike Dendias – Rama” e tetorit 2020 për dërgimin në Hagë të çështjes së delimitimit shfaqet më shumë si dakordësi personale e bërë në ngutje e nën trysni, dhe që madje stonon edhe me faktin kokëfortë të qenies teknikisht në fuqi të Dekretit grek 2636/1940 të Gjendjes së Luftës me Shqipërinë të tetorit 1940.

Vërtet, si mundet një shtet serioz e normal A, që ka në themel një kushtetutë demokratike e moderne, të pranojë që të shkojë në Gjykatën Botërore për çështjen x apo y së bashku me shtetin B, i cili ndodhet formalisht në gjendje lufte dhe që e konsideron shtetin A formalisht si vend armik?

Dihet se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është pjesë integrale e sistemit të Kombeve të Bashkuara të përcaktuar me Kartën e OKB-së. E mbrujtur me gjakun e miliona viktimave të Luftës II Botërore, Karta sanksionon qysh në Nenin 1 të saj parimin e ruajtjes së paqes dhe mënjanimin e kërcënimeve ndaj saj. Kurse Neni 2 afirmon parimin e barazisë sovrane midis anëtarëve si dhe detyrimin për të shmangur kërcënimet dhe përdorimin e forcës ndaj integritetit territorial dhe pavarësisë politike të çdo shteti.

A përbën në thelb Dekreti 2636/1940 i gjendjes së luftës me Shqipërinë – ende në fuqi në vitin 2021 – cenim të paqes në rajon? A përbën ai dekret famëkeq kërcënim ndaj integritetit territorial dhe pavarësisë politike të një shteti fqinj, në shkelje flagrante të Kartës së OKB-së?

Mbreti Zog dhe Mareshali Petain

Dihet botërisht se Shqipëria e Mbretit Zog, e dalë nga Kuvendi i Vlorës dhe Kongresi i Lushnjes, ishte viktima e parë e agresionit fashist të 7 prillit 1939 në Luftën e Dytë Botërore. Madje Mbreti Zog, edhe pse i braktisur dhe i lënë pa asnjë ndihmë nga fqinjët grekë dhe jugosllavë në prill 1939, ofroi ndihmë konkrete krah përkrah ushtrisë greke qysh në fillim të Luftës Italo-Greke në vjeshtën e vitit 1940. Ndryshe nga Mareshali Petain, Mbreti Zog dhe Shqipëria e vërtetë u radhitën qysh në fillim dhe pa asnjë hezitim krahas Aleatëve të Mëdhenj. Kurse Shqipëria e Vichy-së, apo administrata kuislinge e instaluar në Tiranën e pushtuar nga trupat e Musolinit i shpalli atëherë luftë gjysmës së botës, sikurse Italia pushtuese. Kuptohet se të gjitha aktet Tiranës të asaj kohe, si akte të vendit nën pushtim, nuk janë akte të Shqipërisë së vërtetë. Ato kanë qenë nul dhe, përveç Greqisë së Metaksait, nuk janë konsideruar si të mirëqena nga shtetet e tjera.

Mirëpo kokëfortësia greke në mosabrogimin e Dekretit famëkeq nënkupton se Greqia e Micotaqisit sot, pavarësisht nga tullumbacet kinse miqësore, e shikon Shqipërinë me syzet e Metaksait dhe të K. Caldarisit në vitin 1946, d.m.th. si vend agresor, humbës dhe ish-pjesëtar i Boshtit nazifashist…

Prandaj, Shqipëria e sotme si pasardhësja e denjë e Kuvendit të Vlorës dhe e Kongresit të Lushnjes, nuk duhet të pranojë kurrsesi dhe në asnjë mënyrë e formë që të nënkuptohet si vend agresor e vend humbës i Luftës II Botërore.

Përndryshe, Shqipëria e dalë në kësi kushtesh para Gjykatës Botërore, informalisht do të konsiderohej pasardhëse e Shqipërisë së Vichy-së, dhe do të bëhej kësisoj gazi i trupës së gjykatësve, në mos “gazi i botës”.

Rrjedhimisht, pa abroguar paraprakisht e pa asnjë kusht nga pala greke Dekretin 2636/1940, midis dy vendeve nuk mund të ketë asnjë “marrëveshje politike”, apo “teknike”, zyrtare apo personale, për ndarjen e hapësirave detare, sikurse pretendon z. Dendias.

 


Të gjitha të drejtat janë të autorit. Shkrimi botohet në mirëbesim, meqë Peizazhe të fjalës nuk i ka verifikuar në mënyrë të pavarur faktet e përmendura në tekst.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin