Z. SHYTI PËR PËRGJIMIN

Le të përfytyrojmë për një çast, tha z. Shyti, se shërbimet e fshehta interesohen për ne; ç’ka për t’u çuditur, sidomos sot kur kafetë janë kthyer në vatra të subversionit qytetar. Le të përfytyrojmë edhe se, për të kursyer në teknologji, këto shërbime na ndjekin me hafije, të cilat na përgjojnë bisedat dhe pastaj shkruajnë raporte për zyrat përkatëse. Le të përfytyrojmë, më në fund, vazhdoi ai, se shqyrtuesi i këtyre raporteve konstaton se dy hafijet që na ndjekin ne, janë duke rrëfyer gjëra të ndryshme – për të njëjtat rrethana dhe ngjarje. Për shembull, tha z. Shyti, këto që sapo thashë, njëri nga hafijet do t’i raportonte kështu: z. Shyti tha se shërbimet e fshehta të vendeve fqinje po interesohen për “ne” (duke nënkuptuar veten dhe miqtë e tij); ndërsa hafija tjetër: z. Shyti tha se shërbimet e fshehta nuk paskan punë tjetër, përveçse të observojnë qytetarët e shkretë në kafe.

Ja, po e përfytyrojmë, thamë ne. Pa zor fare. Madje, shtuam ne, ndonjëherë shërbimet e fshehta i bëjnë këto për t’i trajnuar hafijet e tyre: ja, shkoni te kafeja e Fates, ku nuk ndodh asgjë, dhe na raportoni pak për atë tavolinën e llafeve të mëdha.

Mirë, tha z. Shyti. Mbase është edhe kështu. Por unë e kam tjetërkund muhabetin; dhe pikërisht: ai tipi, që i lexon, krahason dhe gjykon raportet e hafijeve, çfarë do të mendojë, kur të vërë re se këto nuk përputhen; se hafijet e veta po i rrëfejnë me ndryshime ato gjëra që, me logjikë, duhet të ishin të njëjtat? Ai tipi duhet t’i ndërrojë hafijet, thamë ne. Ose t’i dërgojë në një seminar nga ato që kanë pasë ndjekur dikur gazetarët, për të mësuar si raportohet nga terreni. Ose, po të ketë nge dhe oreks, t’i krahasojë raportet dhe të nxjerrë prej tyre të përbashkëtën; duke i përdorur diferencat jo për të na njohur më mirë ne, të shënjestruarit; por hafijet vetë. Madje, madje, thamë ne, ai tipi mund t’u kërkojë eprorëve që të ndërmjetësojnë për të instaluar një çimkë te tryeza jonë (ose për ta aktivizuar çimkën, nëse ky është instaluar tashmë), në mënyrë që t’i krahasojë raportet e hafijeve, sado divergjente, me ato që janë thënë vërtet. Dhe këtë detyrë, krahasimin, mund t’ia japë një punonjësi të ri të shërbimeve të fshehta, i cili me këtë rast të mbrojë edhe masterin përkatës.

Mirë, tha z. Shyti. Tani, le të tërhiqemi një hap prapa dhe të përfytyrojmë sikur ata dy hafijet, që na ndjekin ne në kafe, po raportojnë të njëjtat gjëra – deri në hollësi. Në kuptimin që, të dy raportet do të përmbajnë informata të tilla si: “z. Shyti i ftoi miqtë e vet të përfytyronin sikur shërbimet e fshehta interesohen për ne; dhe se aty nuk kishte asgjë për t’u çuditur, sidomos sot kur kafetë janë kthyer në vatra të subversionit qytetar.” Çfarë do të mendonte ai tipi, kur të shihte se po i vijnë raporte identike?

Ai tipi, thamë ne, do të mendonte se hafijet e tij po bëjnë një punë aq profesioniste, aq korrekte, aq të shkëlqyer, sa një hafije tash e tutje do të mjaftonte, ndërsa tjetra mund të lirohej, për t’u çuar te ndonjë kafe ose vatër subversive tjetër.

Mos u ngutni, tha – babaxhan – z. Shyti. Ai tipi, që vlerëson raportet e hafijeve nga terreni, nuk mund ta dijë nëse hafijet e veta thonë apo jo të vërtetën; sepse nuk ka një hafije të tretë, të pavarur, që ta përdorë si hafije “kontrolli”; veç mund të krahasojë dy raportet, si tekste, dhe të vërejë se këto thonë të njëjtat gjëra, pa çka se kjo nuk e lejon të bëjë një kapërcim logjik dhe të nxjerrë përfundimin se hafijet e tij po punojnë mirë.

Nëse raportet përkojnë, thamë ne, atëherë kjo tregon se hafijet po raportojnë besnikërisht atë që kanë parë dhe dëgjuar, apo jo?

Jo doemos, jo doemos, tha z. Shyti. Mund të ndodhë – dhe në fakt ka ndodhur – që hafijet të bien në ujdi mes tyre, dhe ta ndajnë ngarkesën e punës përgjysmë: njëri të na përgjojë, ndërsa tjetri të shkojë të shullëhet në plazh, ose të nxjerrë ndonjë lek, për shembull duke shëtitur ndonjë plakë me makinë. Në fund të ditës, i pari i jep të dytit kopjen e raportit që ka bërë, në dorë të parë; dhe i dyti shton a heq ndonjë gjë kozmetike, dhe pastaj i dorëzojnë raportet të dy.

Në qoftë kështu, thamë ne, atëherë ai tipi duhet t’u kërkojë shefave të vet që të autorizojnë, përkohësisht, një hafije të tretë, i cili të ndjekë dy hafijet e para dhe të verifikojë nëse këto po punojnë vërtet, apo janë duke bërë lojëra.

Drejt, tha z. Shyti. Nëse hafijet prodhojnë në thelb të njëjtin raport, ka gjithnjë diçka që nuk shkon, në punën e tyre – edhe sikur të mos komplotojnë, për t’ia hedhur punëdhënësit, mund të ndodhë që ta kalojnë ditën bashkë, të shkëmbejnë informata dhe përshtypje, dhe pastaj të shkruajnë raporte fare të ngjashme pa e pasur këtë qëllim. Sepse po të rrinë bashkë, edhe botën do ta shikojnë bashkë. Prandaj, tha z. Shyti, po të isha unë ai tipi, do të shqetësohesha më pak po të kishin raportet ndryshime të mëdha, dhe më shumë nga po të kishin raportet ngjashmëri të mëdha.

Tani, vazhdoi ai, le të përfytyrojmë edhe këtë situatë tjetër: dy hafije, dy raporte. Njëri nga hafijet raporton kështu: “z. Shyti tha se shërbimet e fshehta interesohen për ne; asgjë për t’u çuditur, sidomos sot kur kafetë janë kthyer në vatra të subversionit qytetar. Dhe më tutje: z. Shyti tha se, edhe se, për të kursyer në teknologji, këto shërbime na ndjekin me hafije, të cilat na përgjojnë bisedat dhe pastaj shkruajnë raporte për zyrat përkatëse.” Etj., etj. Ndërsa hafija tjetër raporton kështu: “ishin të ulur në tryezën ku rrinin gjithnjë, dhe njëri prej tyre, më i moshuari, një burrë me pamje fisnike që dukej se gëzonte më shumë autoritet se miqtë e vet, dhe ish mësuar që të tjerët t’i shkonin nga pas, filloi të ligjëronte shtruar, duke bërë herë pas here pauza të nevojshme por edhe me efekt, për të rrufitur kafenë; ndërsa ata që e dëgjonin, ndoshta në shenjë respekti ose edhe thjesht të hipnotizuar nga oratoria e folësit, i lanë kafetë e tyre të ftohen, duke pritur që ky ta mbaronte fjalën.”

Të dy kanë raportuar saktë, thamë ne; e megjithatë, raportet e tyre nuk kanë asgjë të përbashkët, në kuptimin që nuk të përdoret njëri, për të konfirmuar tjetrin.

Vërtet, tha z. Shyti; dhe, gjithë duke mbetur brenda caqeve të përfytyrimit me të cilin e nisëm këtë muhabet, të mos gabohemi dhe të mendojmë që shërbimet e fshehta interesohen vetëm për çfarë themi ne, në kafe; sepse edhe mënyra si e themi, momentet kur heshtim, nënkuptimet, pyetjet retorike, dinamikat e grupit, kush udhëheq dhe kush udhëhiqet – të gjitha këto janë po aq të rëndësishme për mbledhësit e informacionit. Mbase këto dy hafije u përkasin dy shkollave të ndryshme të teknikave të përgjimit dhe ndjekin metoda të ndryshme. Dhe këtu ai tipi duhet të bëjë kujdes dhe ta vërë veten në rolin e regjisorit, duke e ndërtuar realitetin në bazë të informacioneve besnike, por të paplota.

 


HISTORIA QË RRËFEU Z. SHYTI TË NESËRMEN

Muhabeti që bëmë dje mund t’ju jetë dukur eksperimental, tha z. Shyti, por siç më ka treguar miku im Maks Gjerazi, në kohët e Xhaxhit gjëra të tilla kanë ndodhur, dhe jo pa pasoja. Dhe pikërisht, një punonjës i drejtorisë së informacionit, Uran M., filloi të merrte, nga dy hafijet e veta, raporte kaq kontradiktore për veprimtarinë e një farë Fitim K., inxhinier i Komunales, sa një ditë e mori në sy të shkelë protokollin dhe vajti ta intervistojë vetë viktimën, për të verifikuar nëse të dielën që shkoi ky i fundit kish qenë vërtet në stadiumin e lojërave me dorë, për të ndjekur një ndeshje volejbolli femrash, apo kish udhëtuar drejt Shupalit, për të vizituar një të afërm të sëmurë rëndë (versioni i dytë kish qenë i vërteti: i afërmi i Fitimit, tashmë në prag të vdekjes, kish qenë për ca kohë trajner i ekipit të volejbollit të vajzave të atij fshati). Doemos, kjo shkelje e paprecedent nuk u shpëtoi eprorëve të Uranit, të cilët edhe e ndëshkuan duke e degdisur operativ në Shupal: Sigurimi i Shtetit nuk të falte, kur vinte puna për respektimin e procedurave. Urani vetë pat shprehur më pas dyshimin se e kish spiunuar njëri nga hafijet, kur e kish parë të takohej me viktimën; por të tjerë, më të informuar se Urani, patën përsiatur se spiunimin këtij tek eprorët ia pat bërë inxhinier Fitimi vetë, i trembur se mos kjo shkelje protokolli ishte vetëm fillimi i ndonjë provokimi. Sidoqë ta marrësh, tha z. Shyti, ky vlen edhe si epilog simbolik i një përndjekjeje të kryqëzuar: si me thënë, dëshmi e karmës.

 

© 2020, Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Zoti Shyti™ është markë tregtare e zotit Shyti.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin