DIJA DHE QYTETARI

(Vijon një përshëndetje e shkurtër që kisha përgatitur, për ta lexuar në ceremoninë e pranimit të anëtarëve të rinj të jashtëm të Akademisë së Shkencave – mes të cilëve edhe unë. Për arsye kohe dhe konteksti, m’u desh ta ndryshoja planin, të flisja pa letër – lexoni në vijim – dhe të them gjëra të tjera; por teksti ishte dhe mbetet nga unë për ju.)

Zoti Kryetar i Akademisë së Shkencave, të nderuar kolegë dhe miq,

Momenti është solemn, për mua sepse po më njihet një kontribut i një pune shumëvjeçare të pavarur, sikurse më jepet një përgjegjësi e re qytetare, që i kapërcen caqet e përgjegjësisë individuale; por edhe për Akademinë e Shkencave, që e ruan lartësinë e misionit të vet nëpërmjet ripërtëritjes.

Sot po marrim pjesë në një ceremoni, por përtej ceremonisë, qëndron sfida që i nxjerr koha përpara institucionit tonë, e cila sfidë ka të bëjë drejtpërdrejt me krizën e besimit publik te shkenca dhe te dija e organizuar.

Sikurse e pamë tashmë gjatë epidemisë së COVID-19, dhe sikurse na u konfirmua edhe këtu në Shqipëri, gjithnjë e më të shumtë janë ata mes nesh, madje edhe në familjet dhe në rrethet tona sociale, që shprehin dyshime ndaj integritetit të diskursit shkencor, gjithë duke përqafuar modele alternative të dijes, shpesh irracionale.

Arsyet e kësaj krize, që prek drejtpërdrejt shkencën dhe rolin e saj në shoqëri, janë komplekse dhe lidhen sa me analfabetizmin funksional të publikut, aq edhe me ndikimin e rrjeteve sociale; sa me prirjet post-moderne për relativizimin e së vërtetës aq edhe me dobësimin e përgjithshëm të autoritetit – të çdo autoriteti – në shoqëri; sa me nënshtrimin e shkencës dhe të dijes ndaj politikës dhe ideologjisë dhe interesave ekonomike, aq edhe me rënien e prestigjit të virtytit intelektual.

Në botën shqiptare, shkenca – me pak përjashtime të njohura – hodhi shtat gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX; nën një regjim që e përdorte për të konsoliduar dhe çuar përpara objektivat e ruajtjes së pushtetit. Megjithatë, optimizmi teknologjik i Pasluftës, nuk e la pa prekur botën shqiptare. Madje vetëdija e progresit teknologjik në vitet 1960, e kombinuar me traditën jo të varfër në humanitetet, patën ndikimin e tyre edhe në vetë krijimin e Akademisë së Shkencave në vitin 1972.

Gjysmë shekulli më pas, optimizmin e dikurshëm e shohim të shndërruar sa në pesimizëm, aq edhe në pragmatizëm; teksa kërkimi shkencor e ka të vështirë të ruajë identitetin dhe dinjitetin e vet, jashtë interesave të atij që një president amerikan, Eisenhauer-i, e pat quajtur “kompleksi ushtarak-industrial”.

Edhe pse Shqipëria luan ende rol të vogël në skenën e kërkimit shkencor global, sërish investimi në shkencë dhe në dije, edhe përtej politikave të arsimit të lartë dhe të riprodhimit të vetëdijes qytetare, mbetet garanci për të ardhmen e vendit. Dhe këtu nuk e kam fjalën aq për prodhimin dhe shumëfishimin e ekspertizës, sa ç’e kam për ruajtjen dhe kultivimin e besimit në suksesin e përpjekjeve tona racionale për ta njohur botën.

Nga vetë natyra e saj, Akademia e Shkencave i ekspozohet lehtë tundimit për t’u kthyer në tempull të mirëmbajtjes dhe riprodhimit ritual të traditës kulturore; të frekuentuar nga një elitë kujdestarësh të vlerave kombëtare. Por ditët e sotme kaq nuk mjafton, sidomos sa kohë që mendjet e brezave të rinj po kolonizohen nga irracionalizmi, indiferenca ndaj së vërtetës dhe anti-intelektualizmi; por edhe nga iluzioni se shkenca dhe dija duhen vënë në shërbim të ekspertizës.

Në Kushtetutë flitet haptazi dhe qartë për demokraci, por demokracia kërkon qytetarë racionalë dhe me mendje kritike, të mbrojtur – nuk po them të imunizuar – ndaj mashtrimit dhe manipulimit, dhe të aftë për shquar vijën ndarëse mes lirisë së mendimit dhe respektit të arsyeshëm ndaj autoritetit. Akademia e Shkencave, me institucionet e varura prej saj, do të jetë në krye të përpjekjeve për të krijuar dhe fuqizuar një qytetar të tillë, faktor themelor të jetës publike. Dhe këtë mund ta bëjë jo duke u konformuar me çfarë perceptohen – ose imponohen – si vlera të paprekshme, por duke udhëhequr dialogun dhe debatin publik, lidhur me çështjet madhore të së vërtetës, lirisë dhe përkushtimit qytetar.

Kështu e shoh Akademinë e Shkencave në të ardhmen, çfarë edhe më nxit që ta realizoj qytetarinë time në kontekstin e misionit të saj aq të domosdoshëm, por edhe aq të nderuar.

Faleminderit.

(E pashë gjithsesi me vend që, në vend të tekstit më lart, të improvizoja – pa letër – sa më poshtë; një tekst që po e sjell tani në 2024-ën të zbardhur, nga videoja e asamblesë.)

Zoti kryetar i Akademisë, zonja ministre [e Arsimit], të dashur profesorë të mi, kolegë, miq, bashkëpunëtorë dhe ish-bashkëpunëtorë,

Është kënaqësi e madhe për mua që jam këtu sot dhe që shikoj në sallë profesorë të mi, njerëz që më kanë formuar intelektualisht; shikoj autorë që i lexoj me dëshirë dhe mësoj shumë prej tyre; shikoj kolegë me të cilët bashkëpunoj, miq, dhe jam kthyer përsëri në Akademinë e Shkencave, ose në atë institucion ku fillova [jetën profesionale]. Në fakt unë kam qenë pjesë e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, para se të largohesha në 1990-ën për arsye të njohura; dhe që ishte një largim me pasoja traumatike për jetën time dhe për mënyrën si e konceptoja unë misionin tim publik. Për fatin tim të mirë, një zhvillim teknologjik i papritur si Interneti, më solli sërish në mesin e miqve dhe të kolegëve dhe ashtu munda të integrohem sërish në jetën intelektuale shqiptare. Etapa e tanishme e këtij integrimi është pikërisht pranimi im si anëtar i jashtëm i Akademisë, një gjë që do të ishte e pamundur pa këtë mjet të ri komunikimi që është Interneti. Pa u zgjatur, do të doja të them që Interneti i jep Akademisë sot një platformë të jashtëzakonshme për të artikuluar diskursin akademik në një mënyrë që ishte përpara e pamundur. Kemi vënë re, të gjithë, se si e kanë shfrytëzuar Internetin aq mirë të gjithë armiqtë e shkencës, të gjithë ata që kanë përqafuar irracionalizmin dhe, siç e pamë edhe me epideminë e Covidit, zëri i tyre u ngrit lart dhe në ndonjë rast e mbyti zërin e shkencës. Është një gjë që Akademia mund ta evitojë në të ardhmen, sepse – siç thashë – Interneti, me mundësitë e bashkëpunimit që krijon dhe sidomos me mundësitë për të artikuluar diskursin akademik në shekullin XXI anembanë botës, pa shpenzimet e mëdha të dikurshme të udhëtimeve, transferimeve, hoteleve; është besoj një investim që do të kthehet shumëfish, siç m’u kthye – proporcionalisht – edhe mua.

Faleminderit edhe një herë,

© 2021, 2024 Ardian Vehbiu & Peizazhe të fjalës™.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin