KABALË DHE SHPIKJE

nga Arjan Shahini

Janë dy momente kur mendimi konspirativ i ndihmon zbulimit të së vërtetës. Kur njeriu rishpik veten për të përjetuar atë që dëshiron të jetë në të vërtetë, qoftë kjo edhe në formën e një biografie konspirative. Dhe kur hulumtimi i së vërtetës kërkon një shtyrje, një shpikje, arte-fakte e fjalor konspirativ (shih Umberto Ecco, 2011). Ndërsa të parën e shoh në realizimin e disa karaktereve interesante nga Polonia dhe Shqipëria, të dytën e kam analizuar në shembullin e eliminimit të Mehmet Shehut (titulli është kopjuar nga Intrigë dhe dashuri, [Kabale und Liebe], Friedrich Schiller, 1784).

Po përdor si shembull jetën e artistit polak Szukalski, të trajtuar më parë këtu nga A. Vehbiu (2019). Kur aradha e valës emigratore polake pas viteve të Luftës së Dytë Botërore shpëlau Stanisław Szukalski-n sërish në brigjet e Amerikës, ai rilindi e rishpiku veten (Struggle: The Life and Lost Art of Szukalski, I. Dobrowolski, 2018.) Sikur këndon Brian Ferry “Nein das ist nicht das ende der Welt. Gestrandet an Leben und Kunst, und das Spiel geht weiter, wie man weiß. Noch viele schönste Wiedersehen.” (Bitter SweetBabylon Berlin, 2017.)* Fashisti peksimadh e vazhdoi konspiracionin e tij në jetë e teori, por jo si dikur në art. Edhe pse arti është po aq konspirativ[1] e mashtrues (Basquiat!). Megjithatë, trashëgimia e tij artistike, ikonografia futuriste fashiste e totalitare, ngatërroi dynjanë në një tjetër konspiracion e frymëzoi një seri plagjiaturash në filmat fantastiko-shkencorë më të diskutueshëm të shekullit të kaluar[2]. Bukën mistike fashiste e trazoi në bukëvalen teorike të zermatismës: mbi rrënjët e përbashkëta gjuhësore me origjinë në Ishullin e Pashkëve (Vehbiu, 2019: teoria konfirmon “që nacionalizmi, si pasion dhe si forma mentis, kanë gjithnjë natyrë totalitare, dhe nuk ndalen përveçse kur të kenë asimiluar gjithçka; po të mos i frenojë bon sensi dhe arsyeja.”) Një qasje e ngjashme e po aq konspirative me ato teoritë fantastike mbi historinë pellazgo-shqipe të “mistiku[t të] Mesjetës, [të] maskuar si njeri i Rilindjes”, që Vehbiu i ka trajtuar në një tjetër figurë po aq interesante.[3]

Një tjetër biografi konspiratore polake është edhe karakteri i dramatizuar në filmin The Disaster Artist (J. Franco, 2017). Karakteri i Tommy Wiseau, ish-tregtar pantallonash, dëshmon se edhe ëndrrat janë konspiracione („master re-writer of history“), reflektimet në magnetofon të të cilit ja paraqitën botës, edhe për të qarë[4]). Ëndërrimtarit nuk ja ngjyen njeri bëmat kinematografike; recensionet e filmave të tij i shkruan vetë me llagape të ndryshme. Kjo më ngjan me biografinë e atij ëndërrimtarit të Tiranës që i ka bërë një lapidar kinematografik J. Shanaj (2000).[5] Punkisti Ivi ndoshta nuk ka pasur lidhje me ekonominë e tregut, por sa prej atyre që shisnin te tregu i madh te rruga e Dibrës, apo te Tregu Çam, e meritojnë një përkujtimore të tillë? Meritat i kanë shkuar Çetit (Shefqet Kastrati), me po aq biografi të mistershme, sa edhe pionierë të tjerë të tranzicionit ekonomik.

Po aq konspirative është edhe biografia e polakut Ryszard Kapuściński që dërgonte bashkë me kronikat e udhëtimeve edhe ndonjë analizë për shërbimet sekrete polake. Por ndërsa Kapuściński-t ja shkruan të tjerët biografinë e dihet ca për shërbimet apo shpikjet (fiksionet e orientalizmat) në reportazhet e tij, pak dimë për të ngjashmin e tij në Shqipëri. Ymer Minxhozi ka publikuar kronika e një libër mbi vizitat e tij në Afrikë e gjetkë për të mos thënë asgjë (siç del nga recensioni shoqëror i Izet S. Çulit)[6]. As kam parë gjëkundi ndonjë lexim kritik të veprës së këtij gazetari/diplomati/? që shërbeu si dritare për botën gjatë izolimit të Shqipërisë. Sa prej kronikave të tij ishin të shpikura pse në shërbim të propagandës së regjimit?

Asgjë kundër shpikjes, se sikur na mëson Werner Herzog, faktet nuk kanë lidhje me të vërtetën; ato thjeshtë krijojnë norma. Dhe këtu vijmë te momenti i dytë. Sikur konspiracionistët që besojnë se objekti i paidentifikuar fluturak duhet ndihmuar (nudge!) ca në paraqitjen e tij vizuale duke e manipuluar, lipset që edhe historianët të shpikin, zmadhojnë, spekulojnë mbi faktet. Sidomos nëse këto nuk mjaftojnë për të rrëfyer një histori koherente.

Për shembull, narrativat e kabalës së historianëve, nëse do ta konceptonim historiografinë, edhe atë bashkëkohore revizioniste, si konspiracion, nuk janë në gjendje të formulojnë teori bindëse mbi intrigat që mund të konkurrojnë me esnafët e letërsisë. Marrim si shembull historinë e eliminimit të M. Shehut. Më afër të vërtetës qëndron Ismail Kadare, edhe pse nuk u ka qëndruar besnik fakteve (Pasardhësi, 2003.) Ndërsa artikulli i fundit i Idrit Idrizit mbi eliminimin e grupit rreth Mehmet Shehut në 1982-1983 (autori e vë në dyshim idenë e grupit),[7] i qëndron fakteve e objektivitetit shkencor. Por nuk jam i sigurtë nëse dalim më të mençur, nëse historia është e bukur. Idrizi tregon rrjedhjen e ngjarjeve prej vetëvrasjes së Mehmet Shehut deri në atë të asgjësimit të K. Hazbiut e F. Shehut sikur paraqitet në dokumentet arkivore, kryesisht protokollet e mbledhjeve të Byrosë Politike dhe të gjykatës. Autori nxjerr në pah mekanizmat dhe strategjitë e Enver Hoxhës për të kontrolluar shpurën e tij. Bllokun autori e paraqet si skenë krimesh të një vrasësi serial. Idrizi i qaset me të njëjtën logjikë të ftohtë hetimore krimit për të gjetur vrasësin dhe motivin.

Por edhe pse rregullsitë (patterns, gjurmët) duket se kanë të njëjtin autor – të njëjtin numër këpuce, thellësi gjurme, e të tjera shenja për analiza mjeko-ligjore – unë e shoh Bllokun si kabalë. Ky konspiracion, që përfshin më shumë autorë se ç’mund të identifikohen nëpër arkiva (nga qasjet deduktive, abduktive, apo induktive të Sherlock Holmes apo Poirot), zbulohet vetëm nëpërmjet një tjetër konspiracioni, duke qenë i hapur ndaj spekulimit e shpikjes konspirative (një qasje si ajo e Dale Cooper, në Twin Peaks të David Lynch, 1990). Kjo nuk do të thotë të shkasim në çmenduri a letërsi për t’i dhënë epërsi idesë se çdo përpjekje a sistem social (shkenca, politika, ekonomia) është konspirativ, një lloj tjetër totaliteti, por të përdorim metoda të pranueshme shkencore (më saktë, të imponuara nga kabala e shkencës).

Le të qëndrojmë te shembulli i Mehmet Shehut. Një version, ai i Idrizit, është luftë të brendshme për pushtet. Enver Hoxhën mund ta paraqesim si një lloj psikopati, edhe pse racional në qasjen e tij për të mbajtur pushtetin, ngjashëm me J. Stalinin e N. Çaushesku-n. Nëse do të vlerësohej personaliteti i tij nëpërmjet instrumenteve të psikologjisë politike, p.sh. duke marrë fjalimet apo tekstet e tij dhe vlerësuar disi profilin e tij psikologjik (p.sh. me programin ProfilerPlus të Levine dhe Young, 2014)[8] mund të rezultojë diçka e vlefshme, nëse tekstet e përkthyera në anglisht tradhtojnë diçka nga personaliteti i tij (ndonjë i ngeshëm mund ta përkthejë algorithmin). Nga prova ime me disa tekste, Enveri shfaqet si profeti i qametit (indeksi i lartë në dimensionet e ndëshkimit të tjetrit, kundërshtimin, thirrje, kritika ndaj tjetrit e premtime për shpërblim, dhe shumë pak pikë në kritikë ndaj vetes). Një qasje të ngjashme mbi krijimin e profileve është edhe ajo e Margaret G. Hermann, që studion personalitetet e udhëheqësve të shtetit e ka shërbyer si eksperte edhe për shërbimet sekrete amerikane (nuk kam parë në librat e saj trajtimin e Enver Hoxhës). Por nuk jam i bindur se analiza e personalitetit (vetë një konstrukt) është shpjegim bindës për veprimtarinë e një udhëheqësi (shih diskutimin mbi tezat e Fatos Lubonjës për personalitetin e Edi Ramës ku autorin e shkrimit e zunë me dajak virtual).[9]

Një tjetër version më interesant, është ai që Idrizi (2021) e përmend shkarazi me një fjali: si një konflikt klanesh, që shfaqet në konkurrencën ndërmjet bashkëshorteve të M. Shehut dhe E. Hoxhës. Konflikti në thelb është krahinor, social e klasor; ashtu sikur këta individë ishin po aq të ndjeshëm ta pasqyronin në strategjitë e tyre të inxhinierisë sociale në nivel kombëtar. Një analizë sistematike e rrjeteve sociale të këtyre grupeve me tiparet (krahinore, klasore, farefisnore etj.) e personave kyç do të ishte një prurje interesante, edhe konspirative njëkohësisht. Se sikur shprehet Idrizi qarkullojnë shumë të pavërteta mbi lidhjet që ekzistonin ndërmjet këtyre individëve.

Një version tjetër konspirativ, është skenari hipotetik e probabilitar mbi rrjedhjen e ngjarjeve (qasja abduktive); ndihmuar ca dhe nëpërmjet premisave të “shpikura” (imagjinare e fantastike). Sipas këtij skenari, eliminimi mund të trajtohej si proces i ndikuar nga shërbimet perëndimore duke u bazuar mbi disa supozime me probabilitetet përkatëse (me parimin: çfarë mendohet, është e mundur). P.sh. probabiliteti 0.4 që është rekrutuar nga GRU (Glavnoye razvedyvatel’noye upravleniye) kur ishte në Brigadën Internacionale në Spanjë, se ka qenë pikërisht në një brigadë të komanduar nga një oficer gjerman e agjent sovjetik.[10]; 0.3 që është kallëzuar nga V. Suvorov në 1978, nga A. Shevchenko në 1976, apo A. M. Orlov prej 1938; e 0.5 që mërgata shqiptare në Argjentinë apo Itali është përfshirë. Që si nacionalist Shehu (probabilitet 0.8) dështoi përballë kabalës së kozmopolitëve etj. E çfarë ndodhi më tej është teatri në një atmosferë gati mistike konfliktesh ideologjish, kabalash, e skenarësh të gatuara në kompjuterët e Pentagonit. E në këtë mënyrë mund të ndërtohen skenarë të ndryshëm me gjasat përkatëse duke qenë gjithmonë të hapur për skenarë e atribute që duken të papajtueshme (p.sh. rekrutimi nga shërbimet e huaja, ndërkohë që udhëhiqet nga një ideologji kombëtariste etj.)

 


[1] Eklund, Douglas, et al. Everything is Connected: Art and Conspiracy. Metropolitan Museum of Art, 2018.

[2] Sipas A. Jorodowsky (Jodorowsky’s Dune, F. Pavich, 2013) një pjesë e skenarit iu vodh atij nga Lynch D. (Dune, 1984), ndërsa cilësi karakteresh te Alien (R. Scott, 1985, veç që kanë pasur të njëjtin skenarist, Dan O‘Bannon). Ndërsa vetë Frank Herbert, autori i Dune, mendon se R. Scott ka kopjuar te Star Wars (shih intervistën në UCLA, 17 April 1985. URL: https://www.youtube.com/watch?v=5IfgBX1EW00&ab_channel=UCLACommStudies).

[3] Shih Vehbiu, Ardian. Për Moikomin – vizitorin ndryshe. Peizazhe të Fjalës. (15 Qershor, 2020) URL: https://peizazhe.com/2020/06/15/per-moikomin-vizitorin-ndryshe/

[4] Franco, James. The Disaster Artist: Talks at Google. (7 Dhjetor, 2017). URL: https://www.youtube.com/watch?v=KahzatXW5B0&ab_channel=TalksatGoogle

[5] Shanaj, Joni. Ivi Tirana Punk. (2000) URL: https://www.youtube.com/watch?v=m1le5SqvysU&ab_channel=ZIG-ZAGFilm

[6] Culi S. Izet, Një libër me vlera të veçanta nga Ymer Minxhozi. Gazeta Dita (21 Shtator, 2016)

[7] Idrizi, Idrit. Enver Hoxha’s Last Purge: Inside the Ruling Circle of Communist Albania (1981–1983). East European Politics and Societies. August 2021. doi:10.1177/08883254211036184

[8] Nick Levine and Michael D Young (2014) “Leadership Trait Analysis and Threat Assessment with Profiler Plus”. Proceedings of ILC 2014 on 8th International Lisp Conference, Montreal, QC, Canada — August 14 – 17, 2014. Association for Computing Machinery.

[9] Shahini, Arjan. Populistët Maten. Peizazhe të Fjalës.

[10] Richardson, R Dan. Comintern Army: The Internat. Brigades and the Spanish Civil War. Lesxington: Univ. Pr. of Kentucky, 1982.

* “Jo, nuk është fundi i botës. Dihet që loja vazhdon edhe kur ngecim brigjeve të jetës a artit. Për të mira u pafshim!”

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin