OJQ-TË QË DUAM

Opozita e akuzon shoqërinë civile se është e kooptuar nga qeveria. Kjo nënkupton një përkufizim normativ të shoqërisë civile që duhet të jetë në antagonizëm të përhershëm me shtetin.

Shoqëria civile në literaturë përkufizohet si formë organizimi shoqëror që është i ndryshëm nga shteti (p.sh. A. Gramsci). Shoqëria civile i përfaqëson vlerat e saj kulturore, ideologjike e politike nëpërmjet një rrjeti institucionesh, si organizatat jo-qeveritare etj. Në aspektin operacional, shoqëri civile është çdo grupim shoqëror që nuk është shtetëror, duke përjashtuar edhe sferën ekonomike (korporatat etj.). Për një demokraci të shëndoshë shoqëria civile duhet të jetë antagoniste në marrëdhënie me shtetin. Por ajo mund të jetë edhe nën pushtetin hegjemonial të tij, e të përbëjë kësisoj një hallkë të rëndësishme për stabilizimin e pushtetit jodemokratik.

Kjo përballje ndërmjet shoqërisë civile e shtetit vërehet p.sh. në perceptimet e tyre mbi situatën në vend. Nga krahasimi i pyetësorëve të Bankës Botërore (Country Survey) në vitet 2012 dhe 2017, pra gjatë qeverisë së PD-ës dhe PS-ës, vërehen dallime, por këto janë zbehur prej 2014.

Në pyetjen nëse Shqipëria është orientuar në drejtimin e duhur, ka dallime statistikisht sinjifikante ndërmjet të intervistuarve të shoqërisë civile[1] dhe nëpunësve të shtetit. Këto dallime janë më të vogla në sondazhin e vitit 2014 dhe vazhdojnë të jenë të vogla edhe në vitin 2017 (shih tabelën). Anëtarë të shoqërisë civile kanë më shumë gjasa të jenë dakord me qëndrimin se Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur, sikur edhe ata që punojnë për shtetin.

Sondazhi i BB, Country Survey 2012-2017

Ndoshta gjendja është përmirësuar, edhe pse këtë e kanë kuptuar vetëm OJQ-të. P.sh. USAID (2016) në indeksin e tij të qëndrueshmërisë  (CSO Sustainability) raporton se situata është përmirësuar për shoqërinë civile prej 2013, por edhe ka ngelur në vend që prej 2014 (nga 7/i penguar në 1/i zgjeruar).

USAID - CSO sustainability in Albania

Raporti i USAID tregon se janë rreth 12 mijë organizata të regjistruara në gjykatë, ndërsa në tatime janë regjistruar 3.7 mijë organizata. Kurse, sipas një regjistri të Ministrisë së Financave në vitin 2017 ishin regjistruar 2196[2] organizata joqeveritare (2074 administratorë dhe 2117 NIPT-e, regjistruar te tatimet). Përfshirë këtu median, universitetet shtetërore e private dhe sindikatat e pazëshme, hapësira e shoqërisë civile në Shqipëri ka një sistem organizativ po aq penetrues e të shtrirë (në kohë e hapësirë), sa edhe shteti.

Pjesa më e madhe e organizatave të regjistruara merren me çështjet sociale (35%) dhe edukimin e informimin e publikut (25%). Tirana ka numrin më të madh të organizatave të regjistruara (66%), ndjekur nga Durrësi (3.5%), Elbasani (3 %) e Vlora (2.5%).

Numri i OJQ-ve ne Shqiperi sipas aktivitetit

Nga një analizë teksti i emërimeve të OJQ-ve nëpërmjet text-mining, mbi bazën e të dhënave të Ministrisë së Financave, vërehet se, pjesa më e madhe e organizatave merren me çështje shoqërore, mjedisore, kulturore dhe fetare.

Kategorite e OJQ sipas emertimit te veprimtarise

Fjala aktivitet preferohet ndaj fjalës veprimtari, ndërsa fjala promovim, mbrojtje e zhvillim janë më të shpeshtat. Kjo do të thotë se pjesa më e madhe e shoqatave në Shqipëri kanë si synim të promovojnë apo mbrojnë një çështje të caktuar (të përqëndruara).

Emri i subjekteve te regjistruara ne MF, 2017.

Nga analiza e emërimit të OJQ-ve, emri i regjistruar, shumica janë shoqata, qendra e më pak fondacione e institucione. Një pjesë e madhe e OJQ-ve e kufizojnë veprimtarinë e tyre gjeografisht në Shqipëri, ose i adresohen donatorëve të huaj (sipas USAID 2016, pjesa më e madhe e financimit vijnë nga donatorë të huaj).

 

Numri i madh i organizatave nuk ka ndonjë efekt në rritjen e angazhimit të qytetarëve. Ndërsa nga CIVICUS (2011) shqiptarët rezultonin relativisht pak të angazhuar, nga sondazhi i fundit i European Social Survey (Edition 6, 2012) vetëm rreth 28% e të anketuarëve kishin qenë ndonjëherë vullnetarë në ndonjë ngjarje apo organizatë.


[1] Kategorizimi është kryer nga unë duke përfshirë edhe median e akademinë në këtë grupim.

[2] Në database janë 2759, pasi një pjesë e shoqatave janë aktive në më shumë se një fushë veprimtarie (Database këtu).

2 Komente

  1. “Numri i madh i organizatave nuk ka ndonjë efekt në rritjen e angazhimit të qytetarëve.”

    Kjo meriton vëmendje, por të kujt?! Ndërkohë, them se do ishte interesant një studim joformal, ku shoqatat të grupoheshin sipas klasifikimeve të mëposhtme.*

    BRINGO (Briefcase NGO): Një OJQ që nuk është as më shumë e as më pak se një çantë dokumentash, me një projekt-propozim brenda, të shkruar mirë e bukur.

    CONGO (Commercial NGO): OJQ të krijuara nga bizneset me qëllim që të marrin pjesë në oferta, për t’i ndihmuar të fitojnë kontrata dhe për të ulur taksimin.

    GRINGO (Government run and initiated NGO): një lloj QUANGO-je (shih më poshtë), por që ka si objektiv kundërvënien ndaj OJQ-ve të vërteta.

    MANGO (Mafia NGO): Një OJQ kriminale që ofron shërbime për larjen e parave të pista

    MONGO (My own NGO): OJQ që janë prona personale të një individi, shpesh i/e dominuar nga egoja e tij/saj.

    PANGO (Party NGO): Një parti që aspiron të fitojë pushtet, e ka humbur atë, apo është e ndaluar të ushtrojë aktivitetin, ose një politikan që vesh petkun e OJQ-së.

    QUANGO (Quasi NGO): Një strukturë parashtetërore, e krijuar nga qeveria, shpesh për të mundësuar kushte më të mira të shërbimit, ose për të krijuar distancë politike.

    * Kumbari i këtyre emrave të OJQ-ve është Alan Fowler, autor i librit “Striking a Balance: A Guide to Enhancing the Effectiveness of Non-Governmental Organisations in International Development”.

  2. Listës së mësipërme do t’i shtoja edhe një emër të frymëzuar nga zhvillimet e fundit, ku rezulton se15 milion euro janë përdorur në Shqipëri për pagesat e mediave, politikanëve, partive, shoqatave, etj., për propagandën filogreke dhe antishqiptare:

    BINGO (Bribery Intermediary NGO): OJQ që sillen si ndërmjetëse për shpërndarjen e pagesave të paligjshme individëve që loja me fatet e vendit të tyre, u duket si llotari për t’u fituar.

    http://shekulli.com.al/dokumenti-greqia15-milione-euro-per-gazetaret-politikanet-dhe-shoqatat/

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin