PËRJETIME TË DIKTATURËS

nga Agron Alibali

Tiranë, mes tetori 1975.  Atë vit kishte qëlluar një tetor i zymtë, i vranët, i lagësht. Kishte ditë që binte shi me gjyma. Aq sa dukej sikur ishte bashkuar qielli me dheun, si për të parandjerë një mynxyrë…

  • Natë që nuk harrohet

Natën e 13 tetorit, ndërsa shiu nuk pushonte, rreth orës 22:30 papritur troket dera. E hap unë. Ishte Hatixhe B., kryetare e Frontit Demokratit të bllokut, të lagjes 8 në Tiranë.

-“Dua të flas pak me prindërit”, – shprehet ajo, pas përshëndetjes së rastit. Del babai.

-“Nesër duhet të paraqiteni qysh në ora 6:00 në Komitetin Ekzekutiv të Këshillit të Lagjes”, – kumtoi Hatixhe B., pa e zgjatur.

-“Për ç’arsye”?, – pyesim ne.

-“Nuk di t’ju them më tepër. Natën e mirë”, – tha, dhe u largua.

Asnjeri nga ne nuk mundi të vërë gjumë në sy atë natë. Mijëra mendime filluan të na vinin në kokë. Pse na thirrnin? Ç’do të ndodhte me ne nesër? Pse të na njoftojnë kaq vonë për një takim kaq herët?

Të nesërmen, rreth orës 5:40 dal me babain nga shtëpia, për të shkuar drejt vendit të caktuar. Rruga ishte e mbushur me njerëz “me kostume doku”, që na ndiqnin e na  vëzhgonin hap pas hapi. qysh nga shkolla “11 janari”, sot “Edith Durham”, e deri tek ndërtesa e Lagjes, pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”.

Rrugës babai më porosit se ç’duhet të bëja nëse atij do t’i ndodhte diçka. I burgosur nga fashistët italianë kur ishte student në Firence në dimrin e v. 1941, i arrestuar nga nazistët në burgun e Tiranës në verën e v. 1944, kuptohet se ai nuk përjashtonte as edhe një arrestim të mundshëm pikërisht atë mëngjes tetori në Tiranë.

Ai vit kishte qenë veçanërisht i rëndë për mbarë familjen tonë. Në shkurt dhe mars ishin arrestuar dy xhaxhallarë, për “veprimtari armiqësore”, dhe në korrik ishin dënuar me nga 10 vjet heqje lirie.

Në qershor unë dhe im vëlla, Iliri, ishim “gjykuar” nga organizatat e rinisë të shkollave që ndiqnim dhe ishim përjashtuar “për shfaqje të theksuara të huaja të ideologjisë borgjezo-revizioniste”.  Masa e tejskajshme dhe krejt e pazakontë represive ndaj dy të rinjve njomëzakë, praktikisht vinte njollë të pashlyeshme dhe mbyllte krejtësisht të ardhmen tonë.

Mamaja, artiste në Teatrin e Operas dhe Baletit, dhe aktore kryesore në një film të shquar, ishte pushuar nga puna dhe pastaj nxjerrë papritmas në pension të parakohshëm, ndërkohë që babai, për shfaqje liberalizmi dhe mungese vigjilence ishte dërguar “për riedukim” si punëtor me turne në sektorin e presave dhe shtampave në Uzinën “Partizani”.

E pra, siç dukej, terrori dhe represioni do të vijonin më tej e më egërsisht.

  • Humbja e lirisë

Tek prisnim në heshtje atë mëngjes të 14 tetorit para zyrës së Kryetarit të Lagjes, në sallon hyn Kozeta. M., e bija e një tjetër “armiku të Partisë”. “Mirëmëngjes”, tha e tronditur, dhe menjëherë pyeti: “Dini gjë pse na kanë thirrur”?

Ndërkohë hapet dera e Kryetarit dhe thërrasin emrin e babait. Futet brenda i qetë dhe me dinjitet. Pas mëse 5 minutash, që mua m’u dukën si shekuj, del jashtë. Ia bën me shenjë Kozeta M.-së, se diçka jo e mirë pritej, dhe largohemi ngadalë.

Rrugës më thotë:

“Sapo më lexuan Vendimin Nr. 5 të Komisionit Qendror të Internim Dëbimeve. Internohemi nga 6 muaj deri në 5 vjet në fshatin Labovë e Vogël, Gjirokastër. Largimi nga Tirana brenda 24 orësh”.

Kthehemi ngadalë në shtëpi. Njerëzit me “kostume doku” ishin kudo, dhe tanimë që kishim marrë njoftim, na survejonin fare haptas dhe pa kurrfarë ngurrimi.

Njoftojmë nënën dhe vëllain. Parandenja e keqe e një natë përpara ishte vërtetuar. Kishim humbur lirinë.

  • Përballja

Papritmas gjithshka ishte përmbysur. Tashmë duheshin marrë vendime dhe hapa të shpejta. Çdo gjë duhet të bëhej me kujdes dhe gjakftohtësi. Rrugë tjetër nuk kishte.

Së pari, duhet të njoftonim gjyshërit dhe të afërmit. Së dyti, duhet të fillonim të paketonim plaçkat dhe orenditë. Së treti, duhet të bëja shkëputjen nga shkolla. Shpresa ishte për ta vazhduar atë diku gjetkë, në vendbanimin tonë të ri e të panjohur.

Ndarja me katër gjyshërit ishte pjesa më e vështirë. Me prejardhje nga Shkodra dhe Dibra, dhe pasi kishin mbështetur pavarësinë e Shqipërisë, kishin pêrjetuar Luftën I Botërore, Mbretërinë e Zogut, pushtimin fashist dhe nazist, ata e kishin të vështirë ta kuptonin se si, në mugun e jetës, regjimi komunist do të mund t’i ndante për së gjalli nga fëmijët dhe nipërit e tyre.

Pjesa tjetër e vështirë ishte përgatitja për rrugën e gjatë drejt Jugut.

“Sa kamiona do t’ju nevojiten,” mbaj mend se na pyetën dikur. Menduam se një Zis do të mjaftonte.

Ndërkaq, një pjesë të mirë të plaçkave, përfshirë dhomën e pritjes me mobilje, një pjesë librash dhe dokumentesh, arritëm t’i bartim për ruajtje tek shtëpia e gjyshit nga mamaja, Haki Sharofi. Shpresa, që vdes e fundit, na mbante gjallë dhe mbetej besimi që do të ktheheshim dikur.

Gjatë ditës Ndërmarrja Komunale Banesa, e quajtur ndryshe si Pasuria e Shtetit, dërgoi në apartamentin tonë dy punonjës për të mbyllur kontratën e qerasë. Gjatë kontrollit të banesës ata vërejtën një plasaritje të vogël të një lavamani. Pa e zgjatur, na e vunë lavamanin në ngarkim për detyrim shpagimi, me një shumë aspak të vogël për kohën. Ajo faturë më vonë do të na ndalej deri në shlyerje çdo 15 ditësh nga mëditja jonë si punëtorë krahu të brigadës së Labovës së Vogël të Ndërmarrjes Bujqësore “Muzafer Asqeri” në rrethin Gjirokastër.

Shkoj në sekretarinë e shkollës për të marrë dokumentin e transferimit. Takoj zv. Drejtoreshën, që do ta nënshkruante.

-“Ku do të transferoheni”, më pyet?

-“Në Labovë të Gjirokastrës”, i them.

-“Oo, po aty është qytet”, më thotë, sigurisht për të më lehtësuar apo për të më ngushëlluar sadopak…

Me sa duket ajo i referohej Labovës së Kryqit, që ndahej në të Sipërmen dhe të Poshtmen. Të nesërmen e mësuam me siguri se, ndër katër Labovat e Gjirokastrës, destinacioni ynë ishte Labova e Vogël, ose e Odries ose e Zhapës, praktikisht një ndër katundet më piktoreskë, por edhe më të largët dhe të izoluar të Gjirokastrës.

Atë mëngjes largohem përfundimisht nga shkolla ime, ku edhe pse isha ndër nxënësit më të mirë, vetëm disa muaj më parë i isha nënshtruar një procesi të pashembullt inkuizicioni të mirëfilltë. Zanafilla kishte qenë një libër në italisht i Frojdit, “Pesë leksione të psikoanalizës”. Ngjarjen do ta përshkruaj njëherë tjetër, mbështetur edhe në shënimet e imta që mbajta asokohe. Shkurtimisht, krejt befas unë u akuzova se kisha dashur ta përkthej dhe ta përhap librin “e ndaluar”. Pas mbledhjesh të panumërta, madje unë kisha dalë si “pjestar i një grupi të rinjsh që synonin të përhapnin literaturë të ndaluar”, ku bënin pjesë Zana G., e vitit IV, Ilir K., i vitit II, dhe unë, që isha vetëm në vit të parë. Ngjarja bëri jehonë të madhe në Tiranën e “grupeve armiqësore”, që zbuloheshin çdo gjashtë muaj. Përfundimisht, pavarësisht se isha më i vogli në moshë, qëlloi që unë pësova dënimet më të ashpra, dhe u përjashtova nga organizata e rinisë.

  • Largimi

Nata e fundit në Tiranë kaloi edhe ajo pa gjumë. Shi nuk binte më. Kur u err, vërejmë se pas derës së apartamentit, në shkallë, qëndronte një person i armatosur. Humbja apo kufizimi i lirisë kishte nisur qysh atë mbrëmje…

Në mëngjes herët na njoftojnë se kamioni erdhi.

Fillojmë bartjen e plaçkave. Unë ndërkohë u ngjita një kat më sipër, në katin e tretë, dhe trokita tek apartamenti i Petraq M., për të dorëzuar diçka që ua kisha huazuar. Aty jetonte edhe bashkëshortja e tij, Ermioni, mësuesja ime e fillores. Ajo nuk mundi të dalë për çastin e hidhur të ndarjes..

Vijuam të ngarkojmë kamionin. Surpriza nuk vonoi. Nuk kishte më vend për plaçkat tona. Mirëpo “organet përkatëse” i kishin parashikuar të gjitha. Nuk vonon shumë, dhe vjen Zisi i i dytë.

E ngarkojmë me shpejtësi edhe atë.

Mbyllim apartamentin dhe dorëzojmë çelësin. Zbresim për herë të fundit shkallët – ato shkallë që i kishim përshkruar me mijëra herë.

Ishte ora rreth 7:30, koha kur unë zakonisht  nisesha për në shkollë. Nga hyrja e ndërtesës përballë nesh, Pallatit nr. 9, shpesh qëllonte që dilte njëkohësisht me mua edhe Ilira H. dhe Vladimir M. Ilirën, nxënëe e shkëlqyer, sidomos në matematikë e shkencat e sakta, e kisha shoqe klase. Ishte ndër të paktat që më kishte dalë përkrah gjatë mbledhjeve inkuizitoriale kundra meje në shkollë disa muaj më parë. Tjetri ishte edhe ai nxënës tek Petro Nini, por një vit më lart. Pasi përshëndeteshim, rrugën drejt shkollës e bënim bashkë.

Por këto kujtime e përkitje tashmë i takonin së kaluarës.

Tek po bartnim në Ziset plaçkat e fundit, papritmas vjen me biçikletë nga shtëpia e tij në Rr. H. Tahsin, për të na thënë lamtumirë daja, Faik Sharofi, mjek epidemiolog, me disa barna për mamanë, që po kalonte një gjendje shëndetësore të rënduar. Duke sfiduar gjithshka, dhe me një dashuri e guxim të admirueshëm, daja erdhi kinse për të na sjellë diçka për të ngrënë gjatë rrugës, që përgatur nga e shoqja e tij. Mirëpo ardhja e tij në ato momente ishte kumt i rrallë shprese, besimi, trimërie e afekti njerëzor.  Nuk ia harruam kurrë!

Tek i hipnim kamionit dhe shihnim për herë të fundit oborrin dhe pallatin ku isha lindur dhe rritur, nga ballkoni i katit të tretë të ndërtesës përballë, një grua zonjë del dhe na përshëndet me dorë. Ishte sopranoja e mirënjohur Nina M.  Tjetër gjest i pashembullt dhe i paharruar i guximit, sfidës, humanizmit dhe solidaritetit qytetar!

Në secilin nga dy kamionët u vendos një polic dhe u nisëm për rrugën e gjatë drejt Jugut të thellë.  Mamasë i bënë një favor: e vendosën në kamionin e parë pranë shoferit.  Lotët e saj nuk kishin të reshtur, gjithë rrugës. Ne të tjerët ishim pas, bashkë me policin.

Sëbashku me ne atë mëngjes të 15 tetorit, Tiranës i dhanë lamtumirën gjithsejt 84 familje, të cilat u internuan në të njëjtën ditë, në një nga goditjet më masive të represionit komunist në Shqipëri. Fatet e qindra njerëzve të pafajshëm, papritmas atë ditë tetori 1975, u përmbysën dhe jeta e tyre u transformua rrënjësisht.

Të nesërmen, me 16 tetor, ndërsa të internuarit e rinj filluan të pëballonin jetën e tyre të re dhe të papritur, në mbarë Tiranën u organizuan mbledhje masive, ku familjet e larguara një ditë më parë u denoncuan si “armiq të partisë” e të sistemit.  Tezja ime, Drita H. “u ftua” të asistonte pikërisht në mbledhjen e ish lagjes tonë, ku u denoncua dhe shpërfol familja “armike” e motrës së saj, Adivie, tashmë e “spastruar” nga Tirana dhe e vendosur në internim në Labovë të Vogël të Zhapës në Gjirokastër.

Simbolika dhe përkitja me ditëlindjen e diktatorit nuk mund të ishte më e goditur. Dhe më goditëse.

  • Po sot?

Pas kaq e kaq vitesh, ndërkohë që shoqëria shqiptare ecën përpara ngadalë dhe me këmbë të ngathta, bëhen përpjekje edhe për të trajtuar me vëmendje të kaluarën. Mirëpo shumë pak është bërë për t’i kthyer dinjitetin dhe dëmshpërblyer masën e gjerë të të internuarve politikë të regjimit komunist në Shqipëri.

Në debatet e herëpashershme, që jo rrallë dalin nga shinat e diskursit profesional, demokratik, etik e qytetar në Shqipëri, ndodh edhe shpesh në mënyrë krejt absurde që mendimi kritik apo i ndryshëm nga narrativa e grupeve të interesit, të etiketohet me terma dhe metoda të ngjashme me ato të diktaturës komuniste…

“Kur diskursi qytetar del nga shinat, ne kemi si model Kushtetutën”, do të shprehej pak a shumë paradokohe ish-anëtari i Gjykatës së Lartë Amerikane, A. Kennedy.

Shqiptarët sot, mjerisht, nuk e kanë luksin e një dokumenti themelor të ngjashëm me Kushtetutën Amerikane.

Mirëpo besojmë se ata bashkohen në një pikë: që të gjithë personave të internuar dhe dëbuar me rrugë administrative për shkaqe politike në Shqipëri, qysh nga fundi i viteve 1940 dhe deri në fundin e viteve 1980, duhet t’u njihet koha e vështirë e viteve të gjata të internimit.

Ndërkohë që është bërë punë e lëvdueshme për masën e të burgosurve politikë, ritheksojmë se pak ose aspak është bërë për të internuarit politikë.

Aktorja e rolit të Mamica Kastriotit, që ndofta është e vetmja artiste në botë e internuar, kaloi mbi 13 vjet internim, dhe me të drejtë ankohet që asaj dhe shumë të tjerëve ende nuk u njihet periudha e gjatë e lirisë së humbur.

Ndofta një nismë e Kuvendit të Shqipërisë mund të ndëmerret sa më parë, që ta korrigjojë këtë mangësi të pazakontë. Kjo do të përfshinte hapa konkrete për trajtimin me përparësi në punësime në administratë [apo për strehime] për brezin, në rrudhje, të të aftëve për punë nga shtresa e të ish-të internuarve politikë. Duke qenë të ndërgjegjshëm për vështirësitë në buxhetin e shtetit, ka rëndësi thelbësore që nisma në favor të ish-të internuarve politikë në Shqipëri – ku mund të bashkoheshin edhe fonde nga fondacione e OJQ të huaja – të sigurojë kompensimin material, sado të vogël dhe simbolik, për ditët e gjata të internimit, ditë të cilat ish të internuarve nuk u kthehen dot më. Por të paktën, liria e tyre, e kufizuar dhe e humbur brutalisht, si dhe dinjiteti ende i nëpërkëmbur, mund dhe duhet t’u afirmohen dhe t’u njihen.

(për t’u vijuar)

6 Komente

  1. Agron, si e ke mbajtur kaq gjate brenda vetes kete rrefim?
    E kujtoj fare mire ate nate. Ecja neper Tirane dhe disa here rradhazi pashe kamjone qe kishin qendruar poshte pallateve ne lagje te ndryshme. Nuk dyshova se ishte nje nate e pazakoneshme internimesh, por detajet i mesuam vetem ne darke. E gjithe Tirane fliste nen ze per familjet e internuara.
    Asnjehere nuk m’u largua nga mendja nje ngjarje e tille, madje per te shkruajta edhe ketu ne PTF nje rrefim qe m’u kujtua duke lexuar shkrimin tend. Nuk jemi larg ne detaje.

    https://peizazhe.com/2010/04/20/internimi/

    1. Përshëndetje z. Kokonozi dhe falemnderit për komentin tuaj, si dhe shkrimin shumë të çmuar në lidhje.

      Sa i takon pyetjes suaj, në fakt, po mendoj që në një moment të përshtatshëm t’i hedh në letër mbresat e atyre viteve. Kjo edhe sepse vërej me keqardhje se trajtimi i së kaluarës së hidhur komuniste në Shqipëri jo rrallë shpërdorohet për qëllime dhe interesa të papajtueshme me një qasje objektive dhe të kthjellët të problemit.

      Ç’mund të bëhet sot, çfarë hapash konkrete mund të ndërmerren sot, për të lehtësuar apo ndihmuar sadopak masën në rrudhje të ish-të internuarve politikë në Shqipëri? Kjo për mendimin tim është sot për sot çështja përparësore.

      Nga ana tjetër, zgjidhje, apo qasje, nuk mund të jetë vetëm ajo, që në anglisht e shprehin, si “beating a dead horse”. Nuk mund të mos përmend këtu “shembullin” e një juristi të shquar grek, Prof. Cakiraqis (Tsakyrakis), ekspert i së drejtës kushtetuese. Ai kurrë nuk e përdori të kaluarën e vet të hidhur nën regjimin e Juntës “si një medalje nderi”, dhe “kurrë nuk u mbërthye tek e kaluara”. Vlerësimi që i bëhet atij në një gazetë të djathtë, konservatore në Greqi flet vetë: http://www.ekathimerini.com/233222/opinion/ekathimerini/comment/the-example-of-tsakyrakis

      Së fundi, në një koment vijues në shkrimin tuaj ju përmendni edhe nënën e K. Spahivoglit. E mbaj mend shumë mirë Nënë Durijen, atë grua të fortë, stoike, të qeshur, të dashur, tek rrinte e ulur në stol pranë portës së hapur të shtëpisë së saj në Rr. H. Tahsin në Tiranë, dhe tek kalonte kohën – në pritje të të birit? – me cigaren e ndezur në dorë…

      E mbaj mend, madje, edhe momentin kur, nga mesi i viteve 1980, Nënë Durijen, dhe Kujtimin, i detyruan të linin dhe boshatisnin shtëpinë e tyre, rrënjët e tyre, pasi “i kishte rënë plani”. Si shumë familje të tjera të Tiranës, ata, dhe gjithë familja e tyre, ishin simbol i mirëfilltë i qytetarisë, shpresës dhe qëndresës, të cilët ruajtën deri në fund dinjitetin dhe humanizmin që na bashkon të gjithëve.

  2. Më kujtohen edhe mua kamionët….lemeri ishte…të hynte acari në kockë vetëm duke parë vetminë e atyre që hipnin në kamion pasi kishin ngarkuar ato pak plaçka

  3. E perpiva kete lexim, i dashur Agron dhe gjate gjithe leximit isha ne ato vite, ne ato ngjarje, ne ate dite, kur ati juaj fisnik, me republiken mbi koke doli prej asaj zyre e me sy me foli e me dha te kuptoja se c’na priste… E ke shkruar me penel . Do te shtoja se mbi kamion, mbi dengje gjendesha edhe une me femijet dhe policin me automatk prane…Zbuluar gjer ne dalje te Tiranes qe njerzit t’i shihnin mire “armiqte-ne”. Me pas ,kamionin e mbuluan per te mos pare se ku do shkonim ( mua nuk ma thane destinacinin ) …Eh sa ngjarje…sa shpirtera…Perqafime, sidomos Adivijes, artistes, qe nuk do mund ta harrojne kurre…

    1. E nderuara zonjë,

      Ju falenderoj me zemër për mesazhin tuaj!

      Sikur ta kishim parë në ndonjë film një imazh të ngjashëm me çastet që të tre bashkë kaluam atë mëngjes tetori në sallonin e pritjes të Komitetit Ekzekutiv të k.p. të Lagjes Nr. 8 në Tiranë, ndofta do të thoshim: “Ky është film. Nuk ndodh në jetë”…

      Pranoni, ju lutem, vlerësimin e veçantë për qëndresën, humanizmin, forcën dhe shpresën, që ju mundësuan të mbijetonit familjarisht në ato ditë e netë të gjata e të vështira të internimit politik.

      Agron Alibali

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin