TATUAZHI NË GUR (III)

Një nga mënyrat si festonte “populli”, në Shqipërinë totalitare, ishte duke i ofruar koreografitë e veta, si buqeta lulesh, udhëheqjes – çka e shëmbëllzon parada e 1 majit, kur një lumë i pafund njerëzish viheshin të kalonin, madje të rridhnin përpara tribunës ku ishte ekspozuar, në vitrinë llamburitëse, udhëheqja e lartë e Partisë dhe e shtetit; për t’u blatuar këtyre burrave dhe ndonjëherë grave brohoritje, entuziazëm, parulla, portrete gjigantografike dhe valle të lëvizshme.

Parada as që mund të mendohej pa aspektin e saj thjesht grafik, ose që miklonte syrin: jo thjesht pankartat, fotot, portretet, lulet artificiale, flamujt dhe uniformat, por edhe pllakatet, hartat, globi me rrjetin e meridianëve dhe paraleleve, drapri dhe çekani, grafikët e arritjeve industriale, llambat e elektrifikimit, naftëtarët me pelerina, karikaturat e imperialistëve dhe të social-imperialistëve, kamionët e zbukuruar si lopë; karnaval i mirëfilltë i propagandës revolucionare, që synonte dëfrimin ideologjikisht të shëndoshë të gjithë pjesëmarrësve, nëpërmjet dëfrimit të imagjinuar Tjetrit.

Ky ekses, kjo orgji e shqisave, i drejtohej, para së gjithash, syrit lart – ose vështrimit të udhëheqësit. Si në rastin e konfigurimeve urbane, fashiste dhe komuniste, ishte syri lart, që u jepte formë dhe kuptim gjesteve vizuale poshtë.

Po atë raport vertikal të syrit me imazhin e gjeje edhe në manifestimet e mëdha sportive, ose të spartakiadave, siç i quanin atëherë; dhe kur mijëra e mijëra të rinj viktima, si rregull nxënës të shkollave të Tiranës, viheshin të kryenin gjithfarë gjestesh fizike, bashkërendimesh dhe ritualesh gjysmë ushtarake e gjysmë gjeometrike, në qilimin jeshil të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, të shoqëruar nga muzika solemne e bandës dhe buzëqeshja me dhëmb të ftohtë metalik e Enverit në tribunë.

Pjesë e këtyre koreografive ishte edhe dinamika e masës së atletëve që formonin shkronja në fushë, shkronja që së bashku formonin fjalë të lexueshme nga lart, e që zakonisht ishin po ato që shkëlqenin me funksionin e tyre trans-komunikativ, në hapësirat publike të shtetit: PARTI ENVER.

Suksesi i këtij ushtrimi formidabël varej nga orët e mërzitshme të stërvitjes, përkushtimi dhe aftësia e çdo individi për ta ndier veten pjesë të grupit; si dhe nga aftësia e grupit, dhe e koreografit përkatës (ndonjë mësues i mjerë fizkulture, me zërin pothuajse të ngjirur krejt nga komandat) për të ndërthurur, në një rrjedhë të vetme, elemente të baletit, pantomimës, gjimnastikës dhe përgatitjes rreshtore.

Vetë pamja e një mase homogjene trupash të hajthëm, të përfshirë në veprime të sinkronizuara ngjall entuziazëm të vetvetishëm; publikut i pëlqen manifestimi i disiplinës totale, siç e dëshmon suksesi i gjesteve të tilla masive: madje sa më masive, aq më të suksesshme.

Njëlloj sikurse shkronjat që kombinohen së bashku në fjalë nuk kanë ndonjë lidhje organike me kuptimin e fjalës vetë, edhe atleti ose ushtari individual, që merr pjesë në krijimin e këtij mesazhi, si me thënë, “kolektiv”, e bjerr thelbin e vet njerëzor, për t’u shndërruar në thërrmijë mishi, ose piksel human.

Nëpërmjet këtyre valleve mekanike, turma manifestohet si organizëm epror ndaj individit; jo më bashkim individësh, por rezultat i mohimit të tyre.

Dhe, si edhe herë të tjera, kjo koreografi, ose ky bukurshkrim njerëzish, i drejtohet udhëheqësit; si për të përçuar idenë, të frikshme në vetvete, se në momente solemne e vetmja mundësi që ka individi për të komunikuar me leaderin lart është duke vepruar anonimisht, si pjesë e kolektivit vetë-veprues.

Mendësinë totalitare, në mos autoritare në përgjithësi, duket se e tërheq veçanërisht arti i përçimit të ideve nëpërmjet gjigantizmit të mediave – imazheve dhe mesazheve ciklopike, me përmasa që i tejkalojnë caqet normale të njerëzores.

Pa qenë nevoja të ndalemi te simbolika e piramidave – atyre të mirëfilltave – të Egjiptit; dhe e katedraleve të Europës mesjetare, po mjaftohemi të vërejmë se, e vetmja mënyrë për ta pajtuar gjigantizmin me “vijën e masave”, ose me ideologjinë komuniste është ajo e përshoqërimit të madhësisë me popullin; duke e riparaqitur kështu edhe territorin si hapësirën ku jeton populli.

Shto pastaj edhe se këto mesazhe, monumentale nga përmasat në mos nga përmbajtja, duan mund për t’u përftuar; dhe kërkojnë mobilizimin e energjive dhe krahëve të punës, çka e plotëson edhe më mirë tablonë e bashkëlidhjes mes përmasave dhe popullit vetë, që mesazhe të tilla i dërgon, ose i merr, sipas rastit.

Energji të tilla përfundojnë të sublimuara në trajtat e sakrificës, ose të dhuratës që populli ia vendos udhëheqësit te këmbët, për një festë, gëzim, përvjetor ose jubile.

Praktika e gjigantizmit në komunikimin publik në Shqipëri duket të jetë huazuar nga përvoja e vendeve të tjera komuniste të atyre viteve – veçanërisht Bashkimit Sovjetik; por edhe Kinës Popullore dhe Koresë së Veriut.

Mjaft të kujtohet këtu se 100 vjetori i lindjes së Leninit, në 1970, u përkujtua edhe me mbishkrime gjigante, gati kilometrike, të krijuara me dhjetëra mijëra fidanë pemësh; të cilat në këtë apo atë mënyrë lidheshin me emrin ose imazhin e liderit të Revolucionit të Tetorit.[1]

Ironikisht, mbishkrime të tilla mund t’i shohësh sot e kësaj dite në fotot satelitore.

[1] Por ka edhe një DUX të shkruar me pisha, me shkronja 220 metra të gjata, që gjelbëron, sot e kësaj dite, në shpatin e malit Giano, në Apeninet qendrore, Itali; dhe që duket me sy të lirë deri edhe nga disa lagje të Romës. Ironikisht, mbishkrimi gjigant ishte lënë pas dore për një kohë të gjatë dhe do të ishte përpirë krejt nga peizazhi natyror i malit, sikur të mos restaurohej, me vendim të pushtetit lokal.

[vijon]

Klikoni këtu për një PDF të esesë në versionin e plotë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin