Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Komunikim / Kulturë / Nostalgji / Sociologji / Teknologji / Totalitarizëm

MAKINA E SHKRIMIT

Olivetti Lettera 32Për shumë kohë ishte degdisur në kthinat më të humbura të shtëpisë, në errësirën më të frikshme të bodrumit, në plehrat më të largëta të qytetit. E braktisur, e harruar, e panjohur. E ç’të bëje me një instrument që nuk memorizonte asnjë fjalë, që nuk bënte dot kopjo/ngjit, që nuk korrigjonte pa u ngallosur me bojë të bardhë? Asgjë. Peshë e rëndë, metalike, kaba. Makina e shkrimit, ajo që dikur shkruante në letër falë tastierës mekanike e shiritit të zi, u arkivua pa ceremoni në seksionin e shekullit XX. Tashmë njerëzit e kanë harruar krejtësisht, e kanë syrgjynosur në fund të kujtesës, atje ku mbulohen nga pluhuri kujtimet e këqija dhe sendet e panevojshme.

Nuk kam asnjë nostalgji për makinën e shkrimit. Nuk më mungon si mjet pune. Megjithatë nuk e kam të vështirë t’i pranoj emocionet që kam provuar kur mësova të shkruaj me të. Magjia e prekjes së tasteve me gishta, krahu metalik që ngrihej me forcë, zhurma e thatë që shtypte shkronjën e duhur, rrëshqitja çliruese për të filluar rreshtin tjetër. Stilolapsi m’u duk i epokës së gurit. Të shkruaje në Shqipëri me makinë shkrimi nuk ishte dosido. Zakonisht me këtë instrument shkruanin daktilografistet, që përbënin profesion më vete, me fjalë të tjera mjeshtërinë e të shtypurit me makinë shkrimi. Daktilografist nuk improvizoheshe dot. Në fakt, bëheshin kurse të posaçme formimi, dhe një autodidakt si puna ime dallohej menjëherë, që me shkronjat e para.

Në atë kohë mësova ç’ishte modernia Olivetti Lettera 22, por kam parë edhe makina të tjera, të mbijetuara nga lufta e dytë botërore, ndoshta edhe nga e para, të cilave vetëm mekanikët shqiptarë u bënin derman kur prisheshin. Në zyrat shqiptare të asaj kohe kam parë makina shkrimi që vinin nga Lindja, me të gjitha shkronjat e alfabetit, çka më binin ndër mend edhe tani vonë, sa herë hapej pseudodebati për heqjen e shkronjës “ë” nga alfabeti shqiptar, meqë tastierat e sotme të kompjuterit nuk e kanë.

Nuk pata kohë të dashurohesha me makinat e shkrimit tradicionale. Temën e diplomës e kam mbrojtur me makinë shkrimi elektrike, paraardhëse e kompjuterit dhe e printerit, të cilëve u ngjasonte më shumë nga kostoja e shiritave dhe nga tastiera e butë se sa nga tiparet e tjera. Tani nuk kam nostalgji, por në atë kohë po. Shiritat kushtonin shumë, e papërdorshme po të iknin dritat, prishej nga një goditje fare e vogël: makina elektrike ishte si motra qullace e makinës së vërtetë të shkrimit.

Makina e shkrimit ishte përnjimend e ashpër, e egër, kërkuese, spartane. Brezi i kompjuterit nuk i ka njohur, por makina e shkrimit kërkonte edhe një angazhim të vogël fizik. Duhet t’i kalibroje më së miri goditjet në tastierë, përndryshe shkronja të dilte e fortë ose gati e padukshme. Për mua ka pasur gjithnjë pamjen e një mësueses së rreptë. Në fakt, nuk t’i lejonte gabimet. Mendimi duhet të dilte i pastër: nga truri tek dora, nga dora tek mollëzat e gishtave, nga mollëzat e gishtave tek letra. Si çdo gabim tjetër, më pas kërkohej shlyerja. Makina e shkrimit donte korrigjim me bojë të bardhë, që jo gjithnjë dilte estetikisht e pranueshme. Karakteri fizik i makinës së shkrimit dallohej edhe nga letrat kopjative. Bërja e dy kopjeve ose tri kopjeve me letër kopjativ ishte art i vërtetë. Gishtat me bojë ishin dëshmitarë të besuar.

Nuk pata shumë kohë të argëtohesha në shoqërinë e makinave të shkrimit, sepse qëllova në epokën e tranzicionit. Kalova pa trauma e me të shpejtë në epokën e informatikës. Jo të gjithë e patën këtë fat, sikurse ka nga ata që kanë njohur vetëm tastierën e Microsoft-it. Megjithatë, më duhet ta pranoj se, çka të tjerët e quanin zhurmë të makinës së shkrimit (tak-tak, tak, tak, tak-tak), mua më ngjasonte me muzikën. Kishte një farë ritmi të thellë në ato rrahje të germave, edhe pse në pamje të parë kaotike, që vinin ndoshta nga thellësitë e gramatikës e të sintaksës, të gjuhës e të mendimit njëkohësisht; mua më jepnin përshtypjen e harmonisë, që bëhej më e qartë kur “shkruanin” në kor, në orkestër, në disa zyra rresht. Dukej sikur komunikonin me njëra tjetrën, për hesap të vet, me një gjuhë që ne humanët nuk e kuptonim.

Po të kishin gojë çfarë do të na tregonin? Mendime të lira? Romane të porositura? Tregime me shumë kuptime? Raporte për “jetën e të tjerëve”? Relacione fuksash? Letra dashurie? Direktiva partie? Dënime kapitale? Ëndrra të parealizueshme? Shefa që, në diktim e sipër, shikojnë vjedhurazi sutjenat e daktilografes? Sekretare që lëshojnë “pa dashur” lapsin në tokë? Fakti është se duhet të kenë gojë që të flasin, përndryshe, kanë marrë me vete, së bashku me damnatio memoriae të epokës moderne, të gjitha të vërtetat, gënjeshtrat e sekretet që kanë shkruar nëpër vite.

Për fat të keq, ose të mirë, një nga dëshmitaret e së kaluarës sonë të afërt, prehej deri dje e mbuluar nga pluhuri i harresës. Fabrikat nuk prodhonin më. U desh lajmi që shërbimet sekrete ruse kanë vendosur të përdorin makina shkrimi, që ato të zinin faqet e para të gazetave. Pas skandalit Datagate, 007-t rusë vendosën t’i shpluhuronin makinat e vjetra të shkrimit për të shkruar raportet e tyre, meqë garantojnë sigurinë e plotë për postet më të larta të Shtetit. Tani që u pa se mjetet informatike spiunoheshin me të gjitha mënyrat, u vendos që të përdoreshin dokumentet prej letre, të shkruara si një herë e një kohë, me sa duket më të sigurta se komunikimet informatike.

Umberto Eco pati shkruar disa artikuj e një libër të veçantë ku shpjegonte me gjysmë shaka teorinë e vet, sipas së cilës progres do të thotë të ecësh edhe mbrapsht, praktikisht një lloj regresi teknologjik. Shembull i njohur është ai i energjisë së erës, që po përdoret në vend të naftës, ose përdorimi i telefonit për linjat Dsl, ndërkohë që ishin braktisur fillimisht në favor të celularëve. Teorinë e marshit për së mbrapshti, Eco ia ka përshtatur edhe shoqërisë e politikës në librin e tij të njohur “A passo di gambero”, ku përmendte midis të tjerash se patrullimet moderne nëpër rrugë ishin kthyer si ato të ushtarakëve gjatë pushtimit nazist. Po kështu atlaset e fundit, u desh të përditësoheshin e të ktheheshin pothuajse para luftës së parë botërore, pas rënies së Murit të Berlinit, shpërbërjes së BS e luftës në Ballkan. Semiologu italian përmend edhe raste të tjera, por më i rëndësishmi është ai i populizmit, që u kthye në shekullin e XXI me të gjithë forcën e vet, madje i veshur me petka moderne mediatike.

Po makina e shkrimit ç’hyn këtu? Ndoshta pak, sepse përdorimin e saj nuk mund ta konsiderojmë progres teknologjik; mirëpo nga pikëpamja e sigurisë së komunikimeve kemi gjithsesi një ecje përpara. Kush shkruan me makinë shkrimi është më i sigurtë, se sa ai që shkruan me kompjuter e komunikon me e-mail, ose nëpërmjet rrjeteve sociale. Nga pikëpamja e sigurisë kemi progres, nga pikëpamja e instrumenteve kemi regres. Kundërshti e habitshme. Çdo të thotë kjo? Që duhet t’i dërgojmë mesazhet me pëllumba si një herë e një kohë? Apo me postier që e memorizon si poezi kumtin e dërguesit?

Puna që bëj, nuk ma kërkon përdorimin e makinës së shtypit, ndaj nuk kam përse t’i kthehem “dashurisë” së vjetër. Porse, nuk mund të rri pa vënë re brishtësinë e komunikimit të sotëm, pabesueshmërinë e mjeteve moderne. Mes dritës me neon e fenerit do të zgjedh gjithnjë të parën, por i vetëdijshëm se mund të ndërpritet nga çasti në çasti, ja nga “politika”, ja nga defekti i radhës. Më ngushëllon fakti që filmat me telefona analogjikë e makina shkrimi, si James Bond-i i hershëm, që deri dje më dukeshin të vjetër, parahistorikë, të mërzitshëm, tani do të më duken supermodernë, interesantë, postdatagate. Do të përditësohen gjithashtu automatikisht, fotografimet me aparat të dokumenteve me letër, vjedhja e letrave kopjative, si dhe makinat shkatërruese të letrave, që i bënin fije fije sa herë nuhateshin kontrolle ose spiunazhe.

Mos kemi të bëjmë vallë me hakmarrjen e radhës? Objekti i harruar, i braktisur, i lënë pas dore, që kthehet triumfues si i domosdoshëm për jetën? Ka mundësi. Jo çdo hap përpara është progres. Nga ana tjetër, nga lapsi tek stilografi, nga makina e shkrimit tek kompjuteri modern, të gjitha këto mjete të shprehjes na kujtojnë mbi të gjitha se liria mbetet gjithnjë e çmuar.

Pa Komente

  1. Nga ana tjeter, duke cituar Gianmarco Lorenzi-n te MD Cleardata, ne koherat e makines se shkrimit konsumi i letres ka qene vertet shume me i paket kur daktilografet benin shume kujdes ne cdo germe qe shtypnin pasi cdo gabim mund te conte ne rishkrimin e te gjithe dokumentit.

  2. Makina e shkrimit , tak-tak-tak…peeerrr…taktak…tak…, kishte siguri, edhe pse ishin te skeduara nga disa cilesi te shkrimit, qe po te beje ndonje leter anonime me makine shkrimi sigurimi i at’hershem do t’a gjente se nga ‘c’fole’ kish dale…

    Ne kohe te saj ne institucionin tona ne kishim nja tre daktilografiste te bukura ,te shkatheta qe realizonin shtypjen e te pakten 12 flete format (A4), mbase e kishin norme. Kur kishim ndonje material per te daktilografuar shkonim e zinim rradhen dhe kur ato kishin ‘humor’ na merrnin ne telefon me gjasme nuk ‘perkthenin’ dot shkrimin e dores, e kerciste tymi i thashethemeve e ato shplodheshin pak nga ritmi i bukur tak-tak qe per tete ore behej tokmak ne kaptine te kokes…(Kur na paisen me makina shkrimi per cdo zyre une tete flete arrita te shtyp dhe pse pothuaj vetem me nje gisht, bile ishte dhe si mburrje kush ja kalonte shokushokut ).

    Per sigurine u nisa : Cdo flete e bere gabim e grisnim cika-cika dhe e hidhnim ne kosh; shiritin e zi te tejperdorur po keshtu ,dhe, ne fund te orarit zyrtar ,vinte kaldaisti i grumbullonte dhe i digjte ne kaldaje,pra pothuaj gjurmet zhdukeshin ne maksimumin e mundshem. Shiriti ,na thoshin me te vjetrit, eshte ‘spiun i madh’, mos shkruani dashuricka se deshifrohen.Njelloj si leter karboni . Dhe kush e ka perdorur e di se ishte e vertete, pasi rrahjet e tastieres linin gjurme ne ate shirit te zi qe qellonte ndonjehere e makina na e mblidhte keq e ngalloseshim me katran…

    Nuk besoj se do te kete fatin te rivendoset mbi tavolinat e punes me, ajo Oliveti, ne ate tak-tak-un qe degjohej qe ne hyrje te institucionit…dhe drejtuesit gezoheshin se po punonin nepunesit…

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin