SHPËRNDARËSIT E KAMOMILIT

Lexova në Panorama një opinion të Jonila Godoles (“Arti në komunizëm dhe një mesazh i gabuar për Biennalen”), me tone të forta polemike ndaj pjesëmarrjes së Shqipërisë në Biennalen e sivjetshme. Pajtohem me polemikën e saj, dhe ndoshta do ta vazhdoj edhe unë ditët në vijim; por sot dua të shkruaj për diçka tjetër – i vetëdijshëm se Godole i ka thënë tashmë mirë gjërat. Sepse më tërhoqi vëmendjen që autorja e kish botuar këtë ndërhyrje te Panorama, çfarë është normale; por pastaj mendova se ky shkrim nuk do të ishte botuar dot – me gjasë – në periodikët kulturorë që qarkullojnë, përfshi edhe ata online. Jo për shkak të orientimit politik të autores ose të kësaj apo asaj medie, por sepse shumë gazeta e revista kulturore sot (për të mos thënë të gjitha) kanë hequr dorë nga debatet, polemikat, kritikat e ashpra dhe në përgjithësi nga çdo lloj ndërhyrjeje që “kafshon”, duke preferuar linja editoriale, si me thënë, soporifike, të njomura me çaj kamomili.

Do të sjell si shembull gazetën kulturore të përjavshme ExLibris, e cila kuratohet me kujdes të madh dhe i ofrohet lexuesit falas online. Për shkak të nivelit të bashkëpunimit dhe të profesionalitetit editorial, ExLibris dashur pa dashur shërben si model i një periodiku kulturor, që ndiqet pastaj edhe nga gazeta ose revista të tjera të fushës; por ky – për mendimin tim – nuk është modeli i duhur, sa kohë që tendencialisht i lë jashtë debatin, kundërvënien dhe polemikën, duke e edukuar lexuesin, numër pas numri, me idenë se kultura është hauz i paturbulluar në një kopshtije vlerash të topitura prej amshimit.

Paçka se shumë nga ne që merremi me tekste – si autorë, si botues, si redaktorë, si kritikë, si pedagogë, si mësues – e dimë mirë sa e mbarsur me polemika është kultura bashkëkohore te ne, por edhe politika e qëndrimit ndaj traditës. Për fat të keq, tonin dhe të kulturës, këto polemika mbeten të mbyllura në prapaskenat, në kafetë, në zyrat e jurive dhe në qarqet private. Kujtoj këtu – për ata që do të më kuptojnë – kacafytjet dhe mëritë homerike që shoqëruan dhënien e çmimeve letrare për vitin që shkoi; dorëheqjet, spërklat e pështymave, shantazhet dhe kërcënimet; zgurdullimat dhe konvulsionet e heshtura. Në një kohë që gazetat dhe revistat kulturore si ExLibris ngulin këmbë me botime tekstesh të vakëta nga tradita e vonë dhe e hershme, poezish fast food, qokash letrare të mërzitshme, intervistash që vënë në gjumë edhe intervistuesin dhe të intervistuarin, artikuj përkujtimorë për ngjarje kultur-historike minore, shfletime kalendarësh dhe çikërrima të tjera të hatashme, duket sikur ato duan u rrinë larg, me vetëdije në mos qëllimisht, polemikave dhe përplasjeve kulturore.

Kur lexova polemikën e Godoles, klikova mbi kategorinë “kinematografi” të ExLibris (versioni online), për të parë nëse ai artikull kontroversial do të mund të zinte vend, mes të tjerëve të kategorisë. Ndesha në një shkrim panegjirik për “rënkimin e Margarita Xhepës”, në kujtime të Piro Milkanit për filmin “Përse bie kjo daulle”, në një shkrim panegjirik për Rikard Ljarjen, në një shkrim panegjirik për Pandi Raidhin, në një shkrim ku tregohet si u zgjodhën aktorët shqiptarë në filmin artistik “Skënderbeu”, dhe në një shkrim ku njoftohet se Piro Milkanit i është dhënë medalja “Ambasadori i filmit shqiptar”, etj. Të gjitha këto kontribute, që kanë vendin e tyre në një periodik kulturor, nuk mund të qëndrojnë në vetvete, ose pa u shoqëruar me kontribute të tjera, më të qenësishme, të cilat të problematizojnë çështje të kinematografisë shqiptare – që nga tradita e kalbur e realizmit socialist, te fakti që shumë nga filmat që flasin sot shqip nuk ndiqen më nga publiku.

Te kjo kategori, kështu siç e pashë unë, sundojnë shkrimet me natyrë kremtuese dhe qokatare, të cilat i vënë lexuesit në gjumë; dhe kam frikë se edhe politika editoriale përkatëse e synon këtë efekt.

Revista të tilla si ExLibris i shërbejnë edhe ngjizjes dhe riprodhimit të komuniteteve kulturore – çfarë është normale. Përkundrazi, që komuniteti tashmë i organizuar rreth kësaj reviste u shmanget kundërvënieve, pozicionimeve polemike dhe debateve, nuk është normale; mes të tjerash, edhe ngaqë krijon përshtypjen se në kulturën shqip bashkëkohore gjithçka shkon vaj; edhe pse kjo është tepër larg realitetit. Gjithçka mbase mund të shkojë vaj, brenda sferës kulturore dhe letrare të shtëpisë botuese Onufri dhe të autorëve që botohen atje, por ExLibris nuk synon të lexohet si buletin i asaj shtëpie botuese dhe as të soditet nga publiku si vitrinë promocionale, por si periodik letrar-kulturor që tashmë ka zënë vend qendror në diskursin kulturor shqip; dhe jo rastësisht dhe as kundër dëshirës së botuesve. Edhe që kjo revistë mbetet e bashkëlidhur me praninë dhe ndikimin e Ismail Kadaresë në kulturën shqip bashkëkohore (nuk po them hegjemoninë që të mos hap polemika) nuk pengon aspak që të zërë vend qendror, përkundrazi.

Para disa muajsh, komentova jo pa entuziazëm, këtu te Peizazhet, një shkrim analitik tejet polemik, të Bujar Hudhrit, rreth defekteve serioze të një përkthimi letrar nga një mostro sacro i përkthimit shqip, si Robert Shvarci. Ai shkrim m’u duk perfekt për një revistë kulturore; nga ato ndërhyrje që i japin limfë kulturës, duke vënë në lëvizje debatin dhe dialogun. Por analiza në fjalë rezultoi të ishte – për ta thënë me një klishe – përjashtimi që vërtetoi rregullën. Me ndërhyrjen e vet autoritare dhe profesionale, Hudhri më tregoi çfarë mund të kish qenë ExLibris; por materialet në numrat që pasuan ma shuan shpresën, teksa më kot prita që ajo revistë të botonte polemika të ngjashme. Përkundrazi. Gjithnjë e më tepër më konsolidohet bindja se deri edhe gazeta “Drita”, e viteve të totalitarizmit, kishte më shumë nerv, kundërshtime dhe polemikë, se ExLibris sot. Shumë nga ata që botonin te “Drita”, në një mënyrë ose në një tjetër, rrezikonin dhe guxonin. Po këta që botojnë a botohen sot te ExLibris, çfarë rrezikojnë?

Këto pak vite kur ka qarkulluar ExLibris kanë qenë vite kundërshtish dhe debatesh të mëdha në kulturë – duke filluar nga Teatri Kombëtar dhe shkatërrimi i selisë së tij nga autoritetet shtetërore, te përplasjet për arkitekturën dhe urbanistikën qytetare, për skulpturën monumentale urbane, qëndrimin ndaj autorëve shqip të shekullit XX të lënë jashtë kanonit letrar të Realizmit Socialist, qëndrimin ndaj ca figurave kontroversiale të traditës si Mustafa Kruja, Mithat Frashëri dhe Ernest Koliqi, problematikat e botimeve të reja në gegnishte, nivelin kulturor përgjithësisht të ulët të televizioneve komerciale, fatin e letërsisë së sotme shqipe përballë lexuesit anembanë botës – mund të vazhdoja por besoj se kaq mjafton. Nuk kam parë shkrime që t’u qasen në formë debati këtyre problematikave, te ExLibris; mbase më kanë shpëtuar, por gjithsesi nuk do të kenë qenë të shpeshta. As debateve të mëdha në kulturën botërore, të paktën në atë Perëndimore së cilës i (duam t’i) përkasim, nuk u është lënë ndonjë vend për t’u shënuar.

Të shohim çfarë ka botuar ExLibris për teatrin, këtë periudhë kaq të shënjuar – dhe të lënduar – nga shembja aq simbolike e godinës po aq simbolike të Teatrit Kombëtar në qendër të Tiranës: kush ka pritur polemika dhe zëra pro dhe kundër detyrimisht do të jetë zhgënjyer. Mes një shkrimi për Martesën e Çehovit dhe një tjetri për vështirësitë e përkthimit të Kadaresë për skenën, një shkrimi për Aleksandër Moisiun nga Anton Holban, një shkrimi tjetër për një deklaratë të Moisiut për Viktor Eftimiun, një shkrimi për artistin Lekë Tasi dhe një shkrimi për Violeta Manushin, një shkrimi për dramën Letrat të bazuar në një tregim të Ylljet Aliçkës, një shkrimi për një komedi të Gogolit, një shkrimi për një opinion entuziast të Boris Pasternakut për Sandro Moisiun që ka shkuar në Moskë (tre shkrime për Moisiun deri më tash), një shkrimi për Moisiun në bisedë, nga Stefan Cvajg (i katërti, i përkthyer me një shqipe të pakuptueshme) dhe një shkrimi nga vetë Moisiu për “një vajzë” (i pesti, i përkthyer me një shqipe që lë shumë për të dëshiruar, përveçse klishe dhe sentimentalist si tekst letrar) e të tjera të ngjashme, lexuesi gati-gati harron se çfarë përfaqëson teatri, sot, në vetëdijen kulturore qytetare, pavarësisht politikës dhe simpatisë për ata që vendosën ta rrëzojnë një ndërtesë të çmuar sa në vetvete, aq edhe për traditën që ngërthente dhe për komunitetin që kish krijuar rreth vetes.

Si gazetë/revistë kulturore – që mbetet më e mira e llojit të vet tek ne për nga cilësia e përgjithshme – ExLibris po e dëmton kulturën bashkëkohore shqip pikërisht ngaqë funksionon edhe si model, veçanërisht për qasjen e dëshirueshme ndaj kulturës dhe traditës kulturore. Ndjekësi i saj i rregullt po mësohet tani me idenë – të gabuar dhe toksike – se diskursi kulturor ka natyrë kremtuese dhe i shërben riprodhimit të statu quo-së; në një kohë që pikërisht kremtimi dhe adhurimi i relikeve kulturore, krahas me mirëmbajtjen e statu quo-së, janë dy probleme të mëdha që kulturës shqip i duhet të zgjidhë sot. Shto këtu edhe zhvendosjen e debatit nga sfera publike në atë private dhe shmangien hipokrite të konflikteve ballazi, për t’u bindur se është momenti për të kërkuar një ndërrim paradigmatik të modeleve të diskursit kulturor – për t’i lënë vend pluralizmit, debatit, kundërvënieve dhe polemikës.

Nuk di nëse këtë do ta realizojë apo jo ExLibris sikurse nuk di nëse dëshiron ta realizojë; por dyshoj fort se modeli i tanishëm, i konfliktit dhe debatit zero, po i bën periodikët kulturorë, me ExLibris lokomotivë në krye, irrelevantë; sa kohë që kultura e mirëfilltë nuk mund të ndahet nga kritika, debati dhe pluralizmi në ide, opinione dhe vlerësime. Që këto të fundit janë zhvlerësuar keqazi për shkak të formatit televiziv të debatit dhe spektaklit të mjerë të fyerjeve reciproke mes “analistëve” dhe që është krijuar madje ideja se kritika pranohet vetëm në kontekste mirëfilli politike, kjo është arsye edhe më e fortë që kultura, me mjetet dhe resurset njerëzore që ka, të ofrojë një kundërmodel të shëndetshëm.

 

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi në media të tjera (por lejohet madje inkurajohet riprodhimi i plotë i shkrimit nga ExLibris). Përgjigjet për kritikat e ngritura më lart i mirëpresim, në adresën e redaksisë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin