DY PËRKTHIME, NJË KATASTROFË

Para pak ditësh, gjatë një debati për fjalën e huaj në ligjërimin shqip, u pata shprehur se shqipja e sotme letrare është ende aq e varfër në leksik, sa e përkthyesit edhe të teksteve artistike (poezi, prozë) heqin keq, për ta dhënë me besnikëri origjinalin; me ç’rast një kolege (Fatma) më vuri në dukje se Lehtësia e padurueshme e qenies, e Milan Kunderës, e përkthyer “nga frëngjishtja”, tingëllon “s’ka më bukur dhe turqishtja është me pikatore.”

Nuk po ndalem këtu në faktin se ky roman i rëndësishëm i Kunderës është përkthyer nga një gjuhë e dytë, frëngjishtja (nga Saverina Pasho), edhe pse në shqipe ekziston një traditë – do të thoja e mirënjohur – e përkthimit nga çekishtja (“Ushtari i mirë Shvejk”, përkthyer nga Gëzim Erebara dhe Tonin Bushati).

Po ndalem në faktin tjetër, edhe më të rëndësishëm, se një tekst i përkthyer mund të lexohet bukur dhe rrjedhshëm, e megjithatë të mos i mbetet besnik origjinalit; jo në kuptimin e ndonjë interpretimi të ri nga ana e përkthyesit, por thjesht ngaqë përkthyesi, i ndodhur përballë vështirësish të pakapërcyeshme, i ka rënë shkurt.

Lexuesi mund të kënaqet me “rrjedhshmërinë” e tekstit të përkthyer, pa e kuptuar që ky nuk i përgjigjet më origjinalin.

Prandaj, është mirë që një përkthim ta vlerësojmë jo vetëm ngaqë lexohet mirë, por edhe duke e krahasuar me tekstin burimor.

Para disa muajsh, gazeta Ex Libris botoi një artikull të gjatë të Bujar Hudhrit, i cili krahason dy përkthime të romanit Njëqind vjet vetmi të Gabriel García Márquez-it, njërin më të hershëm nga gjermanishtja të Robert Shvarcit, dhe tjetrin më të ri nga origjinali spanjisht, të Mira Meksit.

Artikullin mund ta lexoni këtu: Përse duhej përkthyer përsëri në shqip romani Njëqind vjet vetmi.[1]

Edhe një herë, një roman aq i rëndësishëm i Márquez-it nuk duhej përkthyer nga gjermanishtja, sa kohë që në shqipe ka përkthyes të shkëlqyer të spanjishtes. Por kjo nuk është temë e këtij shkrimi, edhe pse mund të mos jetë krejt pa lidhje me shqetësimin tim.

Nga krahasimet e imta të Hudhrit, rezulton se Shvarci – ky përkthyes përndryshe kaq i dashur për lexuesin shqip – ka bërë gabime të mëdha, në punën e tij me romanin e Márquez-it, gabime që vetëm një krahasim i tillë do të mund t’i vinte në pah.

Me gjasë, një lexues i zakonshëm i atij teksti, do të mjaftohej të thoshte: “ah, Shvarci, si i këndon pena shqip!” Dhe me gjasë i këndon vërtet – pa çka se përkthimi është i dobët.

Vështirë të thuash çfarë ka ndodhur: ndoshta përkthyesi i njohur ka gabuar dhe ia ka besuar punën dikujt tjetër, sepse ka qenë tejet i zënë ose i sëmurë; ndoshta është ngutur, për ndonjë arsye çfarëdo.

Sërish, nuk më takon mua të përsëris një gjykim që argumentohet me kujdes të madh, tek artikulli krahasues i Hudhrit. Nëse i shkruaj këto radhë, e bëj sepse vetëm ky lloj krahasimi, do të mund të tregonte mangësitë e përkthimit.

Po sjell një shembull të vetëm:

Teksti i Shvarcit thotë:

Edhe sikur të më degdisin në fund të botës, do t’i gjej mjetet dhe rrugët për ta prishur martesën, qoftë edhe në u detyrofsha të vras veten!

Ndërsa origjinali spanjisht:

Aunque me lleven al fin del mundo encontraré la manera de impeder que te cases, así tenga que matarte.

Për krahasim, po rimarr edhe tekstin anglisht dhe italisht, gjithnjë nga Ex Libris:

Even if they send me to the ends of the earth I’ll find some way of stopping you from getting married, even if I have to kill you.

Anche se mi porteranno in capo al mondo troverò il modo di impedire che ti sposi, dovessi ucciderti.

Natyrisht, përkthimi i Meksit është ai i sakti:

Në fund të botës të më çojnë, do ta gjej mënyrën dhe nuk të lë të martohesh, edhe po të më duhet të të vras.

Gabimi i Shvarcit përkthyes është flagrant, sepse ka çuar në përçudnim të kuptimit: personazhi që flet, nuk thotë “edhe në u detyrofsha të vras veten”, por “edhe po të më duhet të të vras.”

Gjermanishtja është në këtë rast korrekte:

Auch wenn man mich bis ans Ende der Welt schleppt, werde ich Mittel und Wege finden, deine Ehe zu vereiteln, und müßte ich dich dafür umbringen.

Nga ta ketë gjetur Shvarci përkthyes “të vrarët e vetes”? Nuk gjej dot shpjegim tjetër, veç ngutit (do ta ketë lexuar tekstin gjermanisht si “müßte ich mich dafür umbringen”).

Por vini re: lexuesi nuk ka si të dyshojë se po i thuhet diçka tjetër nga origjinali, meqë teksti – edhe i përçudnuar – sërish ka kuptim në shqipe.

Në parim, gabime të tilla do të kapeshin në procesin e redaktimit – dhe ka qenë një kohë kur, në Shqipëri, përkthimet redaktoheshin rresht për rresht. Sot, për fat të keq, përkushtime të tilla ndaj fjalës janë rralluar, dhe shumë botues vetëm sa e kalojnë dorëshkrimin nga përkthyesi në shtypshkronjë, duke u dhënë lexuesve përkthime substandard.

Ja një këshillë për botuesit: mos i besoni reputacionit të përkthyesit!

Për t’u kthyer tani në temë: artikulli i Hudhrit m’u lexua si një kritikë përkthimi, nga ato që nuk janë botuar kurrë në shqipe – dhe është ndoshta kontributi më i vyer, në lëmin e kritikës letrare shqip, që kam lexuar këto vitet e fundit. Kjo, sidomos në qoftë se lexuesi i jep vetes kohë që të shkojë përtej identifikimit të gabimeve të Shvarcit, dhe të krahasojë nuancat në përkthim jo vetëm të shqipes, por edhe të ndonjë gjuhe tjetër që zotëron. Unë do ta quaja, pa frikë, si një shembull klasik, në llojin e vet, të analizës së përkthimit të krahasuar në shqip.

Veçanërisht dhe mes të tjerash, ai dëshmon se një përkthim nuk duhet ta gjykojmë nga lehtësia dhe ëndja me të cilën lexohet teksti në gjuhën mbërritëse (siç veprojmë të gjithë, por gjithnjë gabimisht); dhe se një përkthyes mund ta zotërojë shqipen mirë dhe ta shkruajë me art, dhe megjithatë të përkthejë keq.

Disa miqve të mi nuk u erdhi mirë, për këtë ekspozim që iu bë Shvarcit – janë rritur me kultin e tij si përkthyes dhe nuk mund ta pranojnë këtë krisje kaq masive të imazhit së tij.

Edhe mua më erdhi keq. Dhe më erdhi njëkohësisht mirë, që kultura e sotme shqip tregoi pjekurinë e duhur, për ta përballuar këtë lloj ekspozimi.

Por kujdes: përgjegjësia e përkthyesit këtu nuk duhet mbivlerësuar; dhe se një redaktor i mirë do ta kish mbrojtur Shvarcin nga ky ekspozim duke i kërkuar t’i ndreqte gabimet; sikurse një botues i kujdesshëm nuk do t’ia kish kërkuar (ose pranuar) përkthimin e Gabriel García Márquez-it nga gjermanishtja.

Botimi, dhe veçanërisht botimi i një vepre të përkthyer, është gjithnjë kombinim përgjegjësish. Prandaj edhe studimin e Hudhrit unë e lexova edhe si një akt-akuzë për të gjithë ata aktorë të papërgjegjshëm të industrisë së librit, të cilët e mundësuan këtë katastrofë.

 

©2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi në mediat. Kopjuesit do të ndiqen ligjërisht.

 


[1] I kam bërë një PDF – në qoftë se linku një ditë prej ditësh nuk hapet më, më kontaktoni.

10 Komente

  1. Artikulli në ExLibris është i Bujar Hudhrit, jo i Feridit.
    Duhet thënê se Kundera i ka qëndruar në kokë të gjithë përkthimeve të romaneve të tij nga çekishtja në frëngjisht. Ka dhe një përkthim nga origjinali çekisht të “Lehtësia…” prej Jani Guxos.

  2. Pajtohem me thuajse te gjithe mendimet, pertej asaj qe Ju jeni gjithmone nje verejtes I kthjellet dhe mjaft I mprehte! Deri me tani ne gjithe kritiken e krahasuar te perkthimit jane mare me shqyrtim kontrastet e thekshme, mendoj se duhet ti leme vend si edhe shqyrtimit te burimit, pra cili variant ne ate gjuhe eshte marre per baze(Kam hasur shpesh qe perkthyesit genjejne nga cila gjuhe e kane perkthyer) por edhe parimeve estetike nga nisen per te kthyer ne shqip! Ne piken e fundit çalojme shume, por ky rrafsh e ngre nivelin e hulumtimeve te perkthimeve ne nje stad me cilesor.

    1. bota ka shpik institucionin e redaktimit. Po ne kete grafikun bashkelidhur dalin ca perkthyes me mbi 20-40 tituj ne vit. Ose perkthejne gjera te lehta, nga ato keshilluesit (Ratgeber) ose i perkthejne 5-6 vete dhe njeri i vendos emrin. Si perpjekje kolektive duhet pergezuar.

      https://i0.wp.com/peizazhe.com/wp-content/uploads/2020/04/top_perkthyes_viti.png?resize=1024%2C788&ssl=1

      Nese genjejne se nga cila gjuhe perkthejne, duhen pare se kush jane perkthyesit, mos del ndonjeri i shtate gjuheve. Interesante eshte qe anglishtja ka mesatarisht 200 tituj ne vit prej 2005-6, ndersa gjermanishtja me pak se 20-30. Keto shifra i raportohen UNESCO nga biblioteka kombetare. Fakulteti duhet te shtoje punen 🙂

      https://i1.wp.com/peizazhe.com/wp-content/uploads/2020/04/shperndarja_viti_perkthimet-1.png?resize=1024%2C788&ssl=1

  3. « Entre 1985 et 1987 les traductions des ouvrages ci-dessus ont été entièrement revues par l’auteur et, dès lors, ont la même valeur d’authenticité que le texte tchèque. 
    Kjo figuron ne te gjitha ribotimet.
    Pra, jo vetem « u ka ndenjur ne koke », por deklarativisht versionet frengjisht jane te barazvlefshme me « origjinalin » çekisht. Vendimi mund te jete i diskutueshem, por eshte vendim plotesisht autorial.

    1. Origjinali çekisht i romanit të Kunderës ka pasur histori të komplikuar – dhe disa nga këto shënime paratekstore besoj se janë bërë edhe për arsye ligjore, që të trajtohet versioni frëngjisht si një “origjinal” i dytë. Me sa kam parë, Kundera nuk e ka dhënë deri vonë të drejtën e botimit të versionit çekisht. Diçka e ngjashme – me sa mbaj mend – ka ndodhur edhe me versionet frëngjisht të ca teksteve të Kadaresë, të cilat ndryshojnë nga versionet shqip. Kjo mund ta formalizojë tekstin frëngjisht si “autentik”, por nuk mund ta zhbëjë atë që romani, si tekst letrar, është shkruar më parë në çekisht (kur kam lexuar romanin e parë që Kundera e shkroi drejtpërdrejt në frëngjisht, më është dukur sikur kisha përpara një shkrimtar tjetër, të zbehtë dhe pa dhëmbë; por këtë e them si përshtypje personale, nuk është se jam ulur ta hetoj si efekt). Përkthimi i letërsisë artistike nga gjuhë të dyta ka arsyet dhe traditën e vet, por është gjithnjë më mirë që të përkthehet nga origjinali, atje ku kjo mundësi praktike ekziston. Meqë jemi në temë (ose më mirë, jashtë teme), do t’ju sugjeroja t’i hidhnit një sy edhe këtij shkrimi: Të përkthesh dy herë.

  4. Shakaja e botuar në Francë, kujton Kundera, u rishkruar nga përkthyesi, u stolis me stilin barok , aq sa nuk e njoha romanin tim kur e lexova frëngjisht.

  5. Pse hezitoni ta thoni qe M.M. e ka perkthyer me pasaktesi fjaline e pare? “Conocer” nuk eshte “shihte”!
    Di qe kane pasur ne projekt te riperkthejne gjithe klasiket me financim shteteror. T’u blejme nga nje qefin perkthimeve te Nolit????

    1. NGA MODERATORI: Komenti juaj ishte – dhe është – jashtë teme. Shpresova se do ta kuptonit vetë. Tani të paktën kuptojeni se nuk merremi me fjalitë e para të Mira Meksit. Ju lutem përpiquni të mësoni si komentohet te ky log – komentet moderohen rreptë, për të mos lejuar shmangie të vëmendjes.

  6. Rast tipik dhe i çuditshëm i përkthmit nga gjuhë e dytë në shqipe është romani L’ IGNORANCE i Kunderës. Ka tre përkthime me titujt : “Nostalgjia” ( J. Guxo nga çekishtja) , “Fati i Irenës” (G. Leka nga ital.) dhe më në fund “Mosdija” (M. Kumbaro nga frëngj.) Me shumë gjasë është edhe problem i së drejtës së autorit në dy botimet e para. “Shakaja” në Kosovë është përkthyer dhe botuar më herët, në 1981 nga R. Kelmendi,, por nuk e di nga cila gjuhë.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin