LIRI NË SHUMËS

Çfarë lidhjeje kuptimore ka mbiemri i lirë, në fjalinë “shqiptarët jetojnë të lirë në trojet e tyre”, me të njëjtin mbiemër, në fjalinë tjetër “je i lirë të shprehësh atë që mendon”? Përkufizimi i përgjithshëm i konceptit është “të mos kesh shtrëngime ose kufizime”, çfarë e bën konceptin “negativ”, por përndryshe të përbashkëtat kuptimore mes atyre dy përdorimeve të mbiemrit shpesh mashtrojnë. Dhe jo thjesht në kuptimin që një popull është “i lirë” ndryshe nga një individ; dhe as që në kuptimin e parë flitet më shumë për sovranitet (“shqiptarët e lirë në trojet e tyre” parakuptohet që të kenë edhe shtetin e tyre, mundësisht “kombëtar”), ndërsa në rastin e dytë, të atij që është “i lirë të shprehë atë që mendon”, mbiemri i referohet më shumë atij koncepti që në filozofi e quajnë libero arbitrio, ose free will (edhe pse pa u njëjtësuar me të). Dhe, në praktikë, kur themi që në aksh datë “shqiptarët fituan lirinë”, datë që pastaj festohet edhe si “data e çlirimit”, zakonisht bëhet fjalë për dëbimin ose largimin e një sundimtari të huaj; pra për shkëputjen e kombit shqiptar – për ta thënë trashë – nga sundimi i një kombi tjetër. Edhe ai luftëtari që ngrihet “të luftojë për liri”, e bën për të hequr qafe pushtuesin, të huajin; siç e konfirmon, mes të tjerash, edhe historia e Luftës NaÇl në Shqipëri. Në 29 nëntor të vitit 1944 Shqipëria e fitoi vërtet lirinë, në kuptimin që u çlirua nga sundimi nazist; por a e fituan lirinë edhe shqiptarët? Po të shohësh historinë si rrodhi në vitet dhe dekadat që pasuan, liritë individuale, të çdo qytetari të shtetit sovran të Shqipërisë, erdhën duke u tkurrur – derisa vendi u kthye virtualisht në burg. Madje nuk ishte dhe aq koincidencë që kur Shqipëria e Hoxhës u shkëput edhe nga aleati i vetëm strategjik që i kish mbetur, Kina e Maos, për të fituar autonomi të plotë veprimi në arenën ndërkombëtare, mu në atë kohë liritë individuale të qytetarëve të saj u kufizuan sa s’ka. Sidoqë ta rrotullosh, edhe në Bashkimin Sovjetik të viteve 1960, qytetarët ishin më të lirë se në Shqipëri; kur në Moskë shkonin të këndonin Beatles-at, Tiranën e vizitonte Cirku i Pekinit. Ka njerëz, megjithatë, që këtë lloj lirie “kombëtare” e vlerësojnë më shumë se liritë individuale; një temë e përhershme debati, me shqiptarët nga Kosova, ka të bëjë me krahasimin e lirive: neve të Shqipërisë na dukej se qytetarët në Kosovë ishin shumë më të lirë, ngaqë kishin liri individuale pakrahasimisht më të mëdha se ne (mund të udhëtonin, të emigronin, të nisnin një biznes privat, të studionin jashtë, të shijonin produkte kulturore gjithfarësh); ndërsa disa nga kosovarët mendonin se ne të Shqipërisë e kishim të vështirë të përfytyronim se ç’do të thoshte të jetoje “nën serbin”, pa çka se Jugosllavia – të paktën pas rënies së Rankoviçit – i kishte individualisht më të lirë qytetarët e vet se Shqipëria. Sërish, na ngatërronin fjalët i lirë dhe liri; flisnim për gjëra të ndryshme. Madje edhe shprehja klishe, të cilën e citova në krye të shkrimit, “shqiptarët jetojnë të lirë në trojet e tyre”, e lidh sovranitetin me titullimin ndaj trojeve, duke futur në valle edhe koncepte operativisht të dyshimta, si ai i autoktonisë, gjithë duke bërë dallim midis pronarëve të ligjshëm dhe uzurpatorëve, që do të ishin zakonisht “të huaj”. Pa çka se, siç e tregon historia e Shqipërisë totalitare, të drejtat dhe liritë e personit nuk kanë të bëjnë me atë nëse pushtetin e ushtron “yti” apo “i huaji”; dhe se shumë shtete kombe sidomos të vogla janë katandisur shpejt në kasaphana të lirive individuale – një shembull i mirë do të ishte Austro-Hungaria, në krahasim me shtet-that që dolën me shpërbërjen e Perandorisë pas disfatës në Luftën I Botërore. Mund të sillet këtu argumenti se liritë individuale lulëzojnë në një kontekst diversiteti (ose pluralizmi); ndërsa homogjeniteti etnik ose ideologjik i vret; edhe për këtë shembujt nuk mungojnë. Sikurse mund të sillet argumenti tjetër, se thirrjet për t’u ngritur dhe për të luftuar për liri, sado gjenuine të kenë qenë në zanafillë, u kanë shërbyer para së gjithash atyre që kanë marrë pushtetin pas dëbimit të së huajit “përkatës”; dhe aq më tepër që përfituesit gjithnjë e kanë legjitimuar titullimin e tyre për pushtet nëpërmjet luftës (“e kemi marrë pushtetin me gjak”). Kjo e kombeve të vogla, që fitojnë “lirinë”, i ka rrënjët në një botëvështrim romantik të historisë; dhe ajo liri ashtu e fituar nuk është drejtpërdrejt e krahasueshme me lirinë që fiton – të themi – skllavi kur ngre krye ndaj padronit, ose i burgosuri, kur lirohet ose arratiset nga burgu. Ky ekstrapolim do të kishte vlerë në atë masë që sundimi – të themi – i një perandorie ushtrohet nëpërmjet kufizimit të disa lirive themelore të subjekteve, p.sh. liria për t’u shkolluar në gjuhën shqipe, kur shqiptarët jetonin nën Perandorinë Osmane. E megjithatë, le të shënohet edhe kjo, liria për t’u shkolluar në gjuhën shqipe, ose liria për të emigruar në Gjermani, janë në thelb liri pozitive (në kuptimin që i ka dhënë këtij termi Isaiah Berlin-i); liria pozitive, sipas këtij këndvështrimi, është më shumë karakteristike për kolektivitetet, ndërsa liria negative për individët; kjo e fundit gjen shprehje në kushtetutat e shumë vendeve perëndimore, edhe pse nuk ka lidhje me demokracinë. Disa autorë mendojnë se e drejta për pronë private lidhet me lirinë negative, krahas lirisë së lëvizjes, lirisë së fesë dhe lirisë së shprehjes; por një formë të drejte shfaqet edhe te klisheja më lart, “në trojet e tyre”, çfarë e lidh lirinë e një komuniteti (“shqiptarët”) me të drejtat ndaj një trualli (“titullimin”), çfarë do të ishte edhe një mënyrë tjetër për ta risjellë çështjen e autoktonisë duke e futur tashmë nga dritarja. Ky konflikt, mes lirisë individuale dhe lirisë kolektive, nxjerr krye edhe te formula e famshme e politikës në SHBA, gjatë viteve pas 11 shtatorit 2011: “they hate us for our freedom(s)”, thoshte Bush-i president dhe çdo Neo-Con tjetër, edhe pse shkaqet e terrorizmit islamist shkonin shumë më thellë se kaq; në fakt, studiuesit e motiveve të akteve terroriste, përfshi ato të vetëvrasësve, kanë treguar se motiv kryesor mbetet dëshira për t’u çliruar nga një “pushtim i huaj.” Është gjithnjë më lehtë, dhe shpesh gjen konfirmim edhe në realitet, që “i huaji” të identifikohet si fajtori për problemet dhe plagët e një komuniteti. Çfarë edhe do të tregonte, tërthorazi, se shumë prej nesh kufizimin e lirive individuale e pranojmë vetvetiu si të nevojshëm dhe i nënshtrohemi, sidomos në rrethana të pazakonshme.

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin