HUMBJE TË IMAGJINUARA

Për statujat e antikitetit grek dhe romak kanë thënë se ishin origjinalisht të bojatisura si ca shtatore të Shën Mërisë në kishat e provincës sot; dhe se efekti eterik, i përtejbotshëm i atij lloj arti klasik sot – me bardhësinë rrëzëllitëse – i detyrohet thjesht paqëndrueshmërisë së pigmenteve në shekuj.

Më e ndërlikuar është puna me letërsinë (epikën, dramaturgjinë) antike: numri i veprave të mbijetuara as mund të krahasohet me numrin e veprave të humbura: çfarë është më së shumti efekt i entropisë, na shfaqet sot si rrallësi yjore.

Kanë thënë edhe se, falë seleksionit natyror, nga ato kohë të largëta kanë mbijetuar veprat më të mira, ose ato që kopjoheshin dhe shpërndaheshin më shpesh – ndërsa të tjerat, më pak të përhapura, janë “tretur.”

Por këtë shpjegim të tjerë e kanë kundërshtuar.

Vështirë të besosh, bie fjala, që një pjesë teatrale e shkruar nga Xenocles, dhe që fitoi çmimin e parë në festivalin dramaturgjik Dionysia në Athinë atë vit që konkuronte edhe Edipi Mbret i Sofokliut, ta ketë merituar sado pak harresën e mëpasme.

Historianët shpjegojnë se, çfarë na ka mbërritur prej antikitetit klasik, na ka mbërritur përmes kujdesit, filtrit dhe censurës të murgjve të krishterë – që i ruanin dhe i kopjonin dorëshkrimet.

Njëfarësoj, i bie që ne e shohim sot botën klasike përmes optikës së Krishterimit mesjetar.

Aristoteli dhe Platoni u ruajtën, sepse Krishterimi e gjykonte të vlefshme filozofinë e tyre; por pre-sokratikët nuk e patën këtë fat.

Arsyetimi vlen, mutatis mutandis, edhe për rolin e dijetarëve arabë dhe hebrenj në mesjetë, në përkthimin dhe transmetimin e dijes klasike greko-romake (falsafa arabe quhej sipas një huazimi nga greqishtja philosofía).

Pa folur për “kthimin” e traditës antike në dijen europiane-perëndimore, falë shtegtimit të dijetarëve bizantinë drejt Italisë së Rilindjes, pas rënies së Konstandinopojës.

Të gjithë këta që ruajtën, e bënë për një arsye; dhe e njëjta arsye do të shpjegojë, deri diku, edhe çfarë nuk u ruajt; duke konkurruar edhe me luftërat, shkatërrimet, katastrofat dhe zjarret.

Mbijetojat e qytetërimit klasik japin një pamje vetvetiu të përçudnuar të kulturës së atëhershme – plot qytete mermeri, amfiteatro, sheshe ku dialogonin filozofët dhe statuja të bardha.

Dijetarët e sotëm mund të përfytyrojnë njëfarësoj edhe veprat e humbura, siç bën paleontologu kur e rindërton skeletin e një kafshe të lashtë në bazë të një kocke të vetme.

Çfarë nuk e mbajmë gjithnjë parasysh, sepse nuk mundemi, është konteksti i rënduar me supersticion dhe irracionalitet, ku lëviznin dhe vepronin heronjtë e fjalës, të artit dhe të dijes së atëhershme.

Admirojmë Sokratin dhe modelin intelektual të dialogut, por nuk duam të sjellim në mend pse vdiq Sokrati.

Kemi para syve statuja por nuk duam të mendojmë për blloqet e mermerit nga i kanë nxjerrë.

Për të mos thënë të kundërtën e frikshme: kemi përpara gurë the cifla të hequra nga një bllok mermeri, por jo statujën.

Çdo kulturë kërkon të riprodhohet; çdo kulturë është indiferente ndaj ruajtjes. Ato vepra të antikitetit që i vajtojmë si të humbura, janë të tilla vetëm në imagjinatën tonë; sa kohë që funksioni dhe misioni i tyre social nuk ishte që t’i rezistonin kohës.

Nuk ishin menduar, as destinuar për ne. Ne të sotmit jemi po aq “targeti” i tyre, sa edhe ai peshkatari në Kili, që gjen një shishe me një letër brenda, të hedhur në oqeanin përreth ishujve Fiji.

Nëse ideja jonë mbi qytetërimin klasik themelohet mbi çfarë është ruajtur dhe ka mbijetuar, atëherë vetëdija e veprave “të humbura” nuk është veçse pjesë e këtij konstrukti.

Safoja, poetja nga Mitilina, thuhet të ketë “shkruar” (thonjëzat janë këtu të detyrueshme) rreth 10,000 vargje – nga të cilat jo më shumë se 650 kanë mbetur, më të shumtat si fragmente.

Këto fragmente janë sot po aq pjesë e identitetit kulturor lapidar të Safos, sa ç’është e bardha e mermerit pjesë e identitetit të skulpturës klasike.

Të thuash se Safos, siç e njohim ne sot, i ka humbur pjesa më e madhe e poemave, është si të pranosh një kontradiktë: Safoja siç e njohim ne sot është produkt i atyre vargjeve dhe formave që i kanë mbetur.[1] 

Sappho, nga Prosper d’Epinay, 1895 (Metropolitan Museum, NYC). Një papirus letrar i shekullit II të erës sonë, e përshkruante poeteshën si pantelos mikra, të vockël.

Kjo, pa marrë parasysh edhe rolin e imagjinatës, në mbushjen e zgavrave të njohjes.

Koha për të pyetur: ç’të përbashkët ka Safoja jonë (re: statuja nga Prosper D’Epinay në Metropolitan) me atë të Greqisë së Lashtë?

Përveç emrit?

Flasim për ruajtje, humbje, mbijetesë, harresë; por për letërsinë dhe artin e fjalës në përgjithësi, këto transformime i vendosim në një hapësirë të përkufizuar nga shkrimi: tek e fundit, çfarë kemi sot, nga klasikët, ka ardhur te ne në trajtë të shkruar.

Por një pjesë e mirë e traditës greke të vjetër i përkiste, në krye, përmasës orale: poemat homerike ishin për t’u kënduar, pjesët teatrale për t’u luajtur në skenë. Shkrimi, si mënyrë për regjistrimin dhe arkivimin e artit a si teknologji mnemonike hyri në këtë përmasë me ndrojtje – pa ia zënë dot vendin, për mjaft kohë, interpretimit (performancës), por kryesisht si mbështetje e këtij.

Jeta kulturore në qytetet orbitonte rreth teatrit.

Jo vetëm që të paktë ishin ata që dinin të shkruanin, por edhe suporti material i shkrimit kushtonte. Thonë se kur e pyetën Sokratin se pse nuk i shkruante kurrë ato që thoshte, ai u përgjigj kështu: “Sepse e kuptoj që materiali për të shkruar vlen shumë më tepër se gjithçka që mund të shkruaja.”[2]

Kur mendojmë për letërsinë greke të vjetër, nuk duhet të mendojmë doemos për lexuesin (aq më tepër që, ata që lexonin, lexonin me zë, për vete por edhe e sidomos për të tjerët). Në botën greke, ish diçka e rrallë që dikush të zotëronte dorëshkrime – Euripidi, Herodoti, Tukididi dhe Platoni kishin vërtet biblioteka private, por kjo u përmendej me të madhe. Për bibliotekën private të Aristotelit thuhet se, pas vdekjes së tij, i kaloi bibliotekës së Aleksandrisë.

Këtë mund ta krahasojmë me statusin e muzikës sot: praktikisht të gjithë dëgjojmë dhe shijojmë muzikë të performuar në mënyra të ndryshme, por të paktë janë ata nga ne që mbajnë dhe përdorin partitura.

Nuk ka asnjë provë, që Safoja – për t’u kthyer te shembulli më lart – por edhe “poetë” të tjerë të asaj kohe, i shkruanin vargjet e tyre. Fragmentet e mbijetuara të veprës së saj nuk përmbajnë gjë udhëzime ose informacion tjetër për këngën shoqëruese: melodinë, vallen dhe kontekstin; pa çka se, me gjasë, vepra të tilla qarkullonin kryesisht në performancë, jo si të shkruara, të paktën deri në fund të shekullit V; dhe ndryshoheshin sipas rrethanave.

Edhe vetë tekstet e të tretëve, ku përmenden fragmentet e Safos i janë nënshtruar, me një mënyrë ose një tjetër, efektit gërryes të kopjimit dora-dorës.

(Shih për të gjitha këto të dhëna Mark de Kreij, “Transmission and Textual Variants: Divergent Fragments of Sappho’s Songs Examined”, në Texts, Transmissions, Receptions, Brill 2015.)

Në përgjithësi, diskursi bashkohor për “vepra të humbura” nga antikiteti vuan – të paktën për mua – ngase ne projektojmë, drejt një realiteti kaq të ndryshëm nga yni, struktura dhe artifakte të komunikimit artistik që ekzistojnë sot, por që atëherë nuk ekzistonin; gjithë edhe duke lënë mënjanë atë tjetrën, dhe pikërisht që veprat sot të konsideruara “të humbura” nuk ishin gjë të humbura në epokën së cilës historikisht i përkisnin.

Të mos harrojmë, pastaj, edhe se ideja jonë jo-e-specializuar për botën antike, artin dhe letërsinë dhe kulturën antike, nuk po përjetohet gjë si e paplotë, ose e gjymtë, për shkak të këtyre “humbjeve” – imazhi që kemi, për atë botë, ndërtohet mbi çfarë ka mbijetuar dhe nuk ka, në vetvete, mangësi.

Eskili, sa për të sjellë një shembull, mund të ketë shkruar mbi 90 pjesë teatrale, por për ne vepra e tij, sot, nuk është gjë e mangët thjesht ngaqë prej këtyre kanë mbijetuar vetëm shtatë.[3]

Natyrisht, sikur të ndodhte që vepra të tilla një ditë të dilnin në dritë, siç edhe ndodh herë pas here, edhe imazhi që kemi, si bashkëkohësi, për kulturën klasike të lashtësisë do të ndryshonte; paradoksalisht, vetëm ashtu do të mund të flisnim për vepra “të humbura”, sa kohë që një pjesë prej nesh nuk do t’i përditësonin dot njohuritë dhe përjetimet.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Disa filologë klasikë mendojnë se Safos iu harruan poemat ngaqë dialekti i saj eolik nuk kuptohej mirë nga lexuesit dhe deklamuesit e periudhës romake.

[2] Stobaeus, Antologjia, 3.21

[3] Për të njëjtën arsye, fakti që ne, njerëzit, perceptojmë më pak ngjyra se, të them, bletët, nuk e bën gjë imazhin tonë për një kopsht me lule të mangët, dhe as i bën të humbura ngjyrat prej nesh të paperceptueshme.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin