KËSHTJELLA DHE BUNKERË

Për ndonjë arsye misterioze, mediat shqip sot botuan një shkrim të Larissa Olenicoff, nga lonelyplanet.com (Albanian road trip: history behind the bunkers); nuk besoj t’u jenë dashur 5 muaj për ta përkthyer, edhe pse gjëra edhe më të çuditshme kanë ndodhur.

Shkrimin e ndesha tek “TemA” (Historia pas bunkerëve: Vizitoni kështjellat e famshme shqiptare), të shkurtuar në gjithsej tre paragrafe; por me siguri do të ketë dalë njëkohësisht edhe në nja 75 faqe dhe portale të tjera.

Gjithsesi, çfarë u kish shpëtuar edhe planetarëve të vetmuar, edhe tanëve të ‘turizmit kulturor’, ishte ironia e pranëvënies midis bunkerëve dhe “kështjellave të lashta të Shqipërisë” – ngaqë këto kështjella nuk janë veçse versionet e dikurshme të bunkerëve të sotëm, sikurse janë bunkerët e sotëm versionet e përditësuara të kështjellave të atëhershme.

4578119607_63fd3b13ab_b

Shumë nga kështjellat e Shqipërisë (me përjashtim të Muzeut Gjergj Kastrioti në Krujë, i cili e ka vendin në Las Vegas) kanë shërbyer si fortifikime për të mbrojtur territorin dhe për të ndalur një ushtri përparuese. Si rregull, ato janë ndërtuar nga një palë pushtues dhe janë shkatërruar nga një pushtues tjetër; edhe pse përjashtimet – si Rozafa në Shkodër dhe kalaja e Krujës – janë të lavdishme.

Kështjellat tona mesjetare nuk kanë gjë të përbashkët me simotrat e tyre aristokratike të Europës, si ato të luginës së Loire-it; muret e tyre prej guri kanë shërbyer për të ndalur shigjetat dhe gjylet e “armikut”, jo për të mbajtur ngrohtë. Madje, për nga tipologjia, ato konfirmojnë funksionin e trojeve shqiptare si borderland, ose zona buffer midis perandorive dhe feve të mëdha të kontinentit.

Çfarë i dallon 750,000 bunkerët që spërkatin sot peizazhin shqiptar post-komunist, përveç betonarmesë që ka zëvendësuar gurët dhe tullat e njëhershme, është natyra e tyre demokratike; paranoja e regjimit arriti deri atje, sa t’i vinte në dispozicion nga një bunker çdo shqiptari në gjendje për të shkrepur këmbëzën e karabinës; duke zbatuar një farë reforme madhështore në shpërndarjen e fortifikimeve për frymë, nëpërmjet miniaturizimit dhe prodhimit në seri.

Diferencë e shënueshme, por jo aq sa ta ndajë me thikë të kaluarën e kështjellave nga e tashmja e bunkerëve; sepse të dyja këto i bashkon në një kalendar të vetëm epoka e fortifikimit. Fortifikimi dëshmon për një truall ku kanë kaluar shumë ushtri dhe që ka ndërruar shumë duar; të paktën bunkerët tradhtojnë një vullnet, nga ana e regjimit paranojak të Enver Hoxhës, për të mos e lejuar më këtë lloj historie të përsëritej.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: