NJË DANTEDÌ E TRISHTË E GUXIMTARE

nga Arben Dedja

Njëzet e pesë marsi i vitit 1300 është dita që studiuesit mendojnë se Dante Alighieri filloi atë rrugëtimin e tij në përtejkohë, siç e përshkruan në Komedi. Më 17 janar 2020, Këshilli i Ministrave i Italisë, miratoi shpalljen e 25 marsit si ditë kombëtare kushtuar poetit të saj të madh, të parit gjeni që Italia i fali botës, në sërën e ndritur të atyre që aq na janë të njohur e familjarë sa, tashmë, u mjafton vetëm emri i pagëzimit (Dante, Giotto, Leonardo, Michelangelo, Raffaello, Tiziano…). Kjo ditë quhet Dantedì dhe sivjet, në edicionin e saj të parë, për arsye të pandemisë, do të zhvillohet në ton minor, ndonëse të shumta janë nismat (telematike) të marra nga institucione, universitete, shkolla në Itali dhe jashtë saj.

Thonë që njëherë e pyetën Borges-in, (atë pyetje pak budalle e fëmijërore që s’lënë njeri “të famshëm” pa ia bërë) se cili ishte, sipas tij, libri – me kusht që të ish një e i vetëm – që nesër pasnesër duhej hedhur e shpëtuar me një anije kozmike për t’i folur sa më mirë e bukur botëve të tjera për ne, njerëzorët, dhe Borges-i, menjëherë e pa hezitim u përgjigj që ky libër duhet të ishte Komedia Hyjnore, kjo poemë prej 14.233 vargjesh që, duke përmbledhur udhëtimin fantastik, fantazmagorik, përtejtokësor të poetit nga thellësitë e lemerisura të vesit e mëkatit deri lart te Krijuesi, rrëfen si askush tjetër thelbin tonë të vërtetë. Sigurisht, po të pyesësh një spanjoll do të të thotë që libri që duhet shpëtuar është Don Kishoti i Mançës, rusi do të propozojë Lufta dhe paqja, gjermani Faust-in, anglezi veprën e Shekspirit, francezi, ndoshta, Të mjerët e Hygoit apo Recherche…-n e Proust-it; por puna është që në këtë lojë vetëm një libër mund të shpëtohet… e atëbotë Komedia Hyjnore duket vërtet e patëdytë.

Përveç kësaj kryevepre (edhe kaq, është pak ta quash), ndërkaq të përkthyer gjerësisht në shqip nga duar mjeshtrash, Dantja na ka lënë edhe libra të tjerë, si traktatet Convivio (në gjuhë vulgare, në italisht, pra); De vulgari eloquentia (në latinisht, por që trajton probleme të italishtes) – të dyja shkruar aty midis viteve 1303 dhe 1304-1307 dhe lënë pa u kryer, si edhe një traktat tjetër De monarchia (në latinisht, ky i përfunduar), datuar, me gjasë, si i viteve 1312-1313, që merret me natyrën e monarkisë si formë qeverisëse dhe me marrëdhëniet mes dy pushteteve absolute të kohës: Perandorisë dhe Papatit.

Por kryevepra tjetër e Dantes titullohet Vita nuova (1292-1293 ose 1294), shkruar pa i mbushur të tridhjetat, ku ai përmbledh vargjet për Beatriçen, duke i shoqëruar ato me rrëfimin (në prozë) të rrethanave që e kishin frymëzuar (dhe raporti poezi-prozë është aq i ekulibruar saqë kemi të bëjmë me një zhanër të rrallë e të vështirë letrar që quhet prozimetër). Rrëfimi është autobiografik, është kronika e një dashurie, një rilexim kritik i vargjeve djaloshare për të vluarën, që vdiq më 1290. Por rrëfimi bëhet njëherazi edhe simbolik, plot imazhe të idealizuara, në vazhdën e stilnovistëve (kam shkruar për ta në librin tim me shqipërimin e krejt poezisë së Cavalcanti-t[1]). Duke rrëfyer ngjarje reale, tok me to, Dantja na shpall edhe të vërtetën intelektuale ku ai mbërrin: dashurinë, që nga përvojë personale lartohet në vegël përsosmërie morale.

Jeta e re është e ndarë në 42 kaprina, me 31 poezi (23 tingëllima, 2 tingëllima të dyfishta, një baladë, një stanza – fragment i një canzone-je –, një stanza e dyfishtë – fragment nga një tjetër canzone – dhe 3 canzoni). Poezitë janë përzgjedhur nga Dantja vetë për t’u bërë pjesë e librit, mjaft të tjera ai i la jashtë (ato më vonë u përmblodhën në vëllimin Rime). Si homazh për Danten dhe Italinë, si shpresë për të ardhmen, më lejoni të jap këtu në shqip incipit-in e Jetës së Re:

I

Në atë pjesë të librit të kujtesës sime para së cilës pakogjë u lexuakësha, gjendet kaptina: Incipit vita nuova[2]. Nën këtë kryerresht gjej të shkruara fjalët të cilat kam qëllim t’i kopjoj në këtë ble e, në mos të gjitha, së paku thelbin e tyre.

II

Nëntë[3] herë bash pas lindjes sime qielli i dritës me rrotullim të vet ish kthyer në të njëjtën pikë pothuaj, kur syve të mi iu shfaq së pari vasha e lavdishme e mendjes sime, e cila prej të shumtëve u quajt Beatriçe, edhe prej atyre që nuk e kuptonin pse ashtu quhej. Ndërkaq kish qenë ajo aq gjatë në këtë jetë, sa qielli i yjëzuar lëvizur kish kah lindja të dymbëdhjetën pjesë të gradës, pra ajo m’u shfaq pothuaj në fillim të motit të saj të nëntë dhe unë e pashë pothuaj në fund të të nëntit motit tim. Më erdh e veshur me më të fismen e ngjyrave, të përkorë dhe të duhur, me të kuqen alle, ngjeshur e qëndisur brezin siç ia kënda moshës së saj të njomë. Atypari, dhe them atë që është, shpirti jetësor, i cili banon në më të fshehtën dhomë të zemrës, aq fort filloi të fërgëllojë sa shihej ajo llahtari edhe në dejet më të imta; dhe duke u dridhur foli këto fjalë: Ecce deus fortior me, qui veniens dominabitur michi[4]. Atypari shpirti frymor, i cili banon në dhomën e lartë në të cilën tërë shpirtrat shqisorë sjellin ndjesitë e tyre, fort u mrekullua, e duke i folur veçmas shpirtrave pamorë, tha këto fjalë: Apparuit iam beatitudo vestra[5]. Atypari shpirti natyror, i cili banon në anën ku haja bluhet, zuri të qajë e tha mes lotësh këto fjalë: Heu miser, quia frequenter impeditus ero deinceps![6] Mund të them se qysh atëherë Dashuria[7] fitoi fronin në zemrën time, e cila shpejt iu bë besnike, dhe ai mbretëroi me aq siguri e madhështi falë forcës që i kallte përfytyrimi im, sa më mbetej veç t’i përmbushja kënaqësitë. Më urdhëronte shpesh të rrekesha ta shoh këtë engjëllushe; dhe unë në fëmijërinë time rëndom vajta ta kërkoj, dhe aq fisnike e hirplotë më ngjante në të sjella sa, padyshim, asaj i shkonin fjalët e Homerit: “Jo bijë njeriu, po bijë hyu qenka”. Dhe ndonëse shëmbëllesa e saj, që pa pra strukej tek unë, i falte guxim Dashurisë për të më sunduar, prapë kishte veti aq të kulluara sa kurrë nuk la që Dashuria të më zotëronte pa këshillën besnike të arsyes për ato gjëra ku kjo këshillë do të ish dobiprurëse. E meqë të zgjatesh për veprat e gjakimet e gjithaq djalërie ngjakësh përrallje, po i lë mënjanë ato; dhe duke kapërcyer mjaft gjëra të cilat mund të nxirreshin nga gjedhja ku e marrin udhën, po kthehem te fjalët që në kujtesën time janë shkruar nën kryerradhë më të vlera.

III

Pasi shumë ditë kaluan, sa plot nëntë vite u mbushën nga e shfaqura që përshkrova e kësaj hijeshoreje, ndodhi që shi të fundmen e këtyre ditëve kjo vashë e mahnitshme m’u rishfaq, e veshur krejt të bardha mes dy vashave të hijshme pak më të rritura dhe, duke kaluar nëpër aksh rrugë, i ktheu sytë te vendi ku rrija zemërfiraksur dhe me atë njerëzi të pashprehshme për të cilën sot është shpërblyer në jetën e amshuar[8], më përshëndeti aq mrekullisht, sa m’u bë atëbotë se ia pashë lumturisë sinorët. Ishte sak ora e nëntë e ditës kur ajo përshëndetje e dashur më mbërriti; dhe ngaqë qe hera e parë që fjalët e saj fluturuan meje, aq u dalldisa sa si i pirë u ikja njerëzve dhe, duke iu drejtuar qoshkut vetmitar të dhomës sime, zura të mendoj atë mirësi. E për të duke menduar një gjumë qengjash ia behu, ku m’u shfaq një vegim-çudi: m’u bë sikur një re ngjyrë zjarri erdh në dhomën time e, mbështjellë në të, dalloja një bujar, të frikshëm për kë e shihte; por me hare në vetvete, që ish aq i mrekullueshëm; e që foli e më tha shumë gjëra, por pakogjë kuptoja sosh, e mes tyre: Ego dominus tuus[9]. Më ngjante t’i shihja krahëve njëzë që culle flinte, lehtaz e mbështjellë me një shpërgë ngjyrë alle; të cilën me shumë vëmendje tek e vështroja njoha vashën e të përshëndeturit, që një ditë më parë begenisi e më përshëndeti. E në njërën dorë më ngjau që mbante diçka të flakëruar dhe m’u duk sikur më thoshte këto fjalë: Vide cor tuum[10]. Dhe si rrodhi do kohë, m’u bë se e zgjoi atë që flinte dhe e detyroi me çmos të hante nga gjëja që në dorë i shkrumbohej; që ajo e hëngri ngurafët. Pak më pas hareja ia la vendin një vaji farmak të hidhur dhe, duke qarë kësisoj, i mbështolli ai krahët përreth vashës së tij; dhe ngjanin së toku të ngjiteshin kah qielli. Mbiatu gjumi im fërfëllak nuk e mbajti dot ngashërimin që më kaploi; u tret e unë u zgjova. Zura të vramend fill dhe zbulova që ora kur ai vegim m’u shfaq qe e katërta e natës, pra tamam e para e nëntë orëve të fundit të natës. Duke menduar për çka pashë, vendosa t’u bëj me dije më të ndriturve vjershëtarë të kohës dhe, meqë tash vonë edhe unë e kisha nxënë artin e të thururit fjalë e rima, thashë të krijoj një tingëllimë për të përshëndetur tërë besnikët e Dashurisë; dhe duke i lutur të ma shpjegojnë vegimin, u shkrova ç’kisha parë në gjumë. Dhe ia nisa atëbotë kësaj tingëllime që fillon me: Çdo shpirti-pre.

Çdo shpirti-pre e zemre dhënë hijeshisë
që vargjet e tanishme ia përcjell
në pritje të shkoqitjes, prapë i sjell
rixha prej zotës së tyre, Dashurisë.

Gati nj’e tretë e orëve u bitis
e kohës që një yll shkëndrit në qiell,
kur m’u shfaq Dashuria, meje sjellë,
q’thelbin kur ja ndërmend më lemeris.

Gazplotë më ngjante Dashuria, marrë
zemrën time në dorë e kish në krahë
vashën përgjumur në shpërgë kuq larë.

Enkas e zgjonte e prej zemrës zjarr
frikësores përkorshëm i jep të ha
e pastaj davaritej duke qarë.

Kjo tingëllimë ndahet në dy pjesë; ku në të parën përshëndes e pres përgjigje, në të dytën shpreh cili është ai për të cilën duhet të më përgjigjen. Pjesa e dytë fillon me: Gati nj’e tretë.

Shumë ia kthyen kësaj tingëllime e me mjaft fjalë të arta; e ndër të tjerë edhe ai që e quaj mikun tim më të mirë, që thuri një tingëllimë që ia fillonte: Do e shihnit, sipas meje, çdo vetijëz[11]. Ky shkëmbim qe guri i miqësisë mes nesh, kur ai mësoi që isha unë që ia dërgova asodore. Asnjëri nuk dha dot atëherë një gjykim të njëmendët për ëndrrën, tani fare e qartë edhe për më syleshin.

(c) 2020, Arben Dedja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Guido Cavalcanti, Poezia, Tiranë, Ombra GVG, 2007 ISBN 978-99943-44-35-2

[2] Fillon jeta e re.

[3] Për numerologjinë e Jetës së Re mund të shkruhet një kapitull i tërë. Gjithsesi, numri që përmendet më shpesh (22 herë) në vepër është pikërisht numri 9, me gjithë simbolizmin që mbart; 9 = 3 x 3 ose 32, dhe 3-shi është pastaj numri i “Komedisë Hyjnore”.

[4] “Ja një zot më i fortë se unë, që vjen të më sundojë”.

[5] “Pa u shfaq hirësia juaj”.

[6] “Ah qyqari, që tash e tutje do të më pengojnë!”.

[7] Amore (emër i gjinisë mashkullore) = Dashuria (emër i gjinisë femërore). Nuk është thjesht çështje gramatikore: edhe tiparet dhe sjelljet e personazhit Amore, janë tipike mashkullore. Fillon kështu, midis tekstit origjinal dhe shqipëruesit (me krye në hi!), një tërhiq-e-mos-e-këput e gjatë dhe e ndërlikuar që, shpresoj, duke e lënë të hapur gamën gjinore të Dashurisë, t’i japë më shumë universalitet dhe modernitet tekstit shqip.

[8] Që në krye të herës Dantja e thotë që Beatriçja ka vdekur.

[9] “Unë jam ytzot”.

[10] “Shihe zemrën tënde”.

[11] Ky mik më i miri, është Guido Cavalcanti, dhe ja tingëllima:

Do e shihnit, sipas meje, çdo vetijëz
e gazin e të mirën që vlon thellë,
sikur ta njihnit zotën e këndellë
që botën e përndershme qeveris,

e rron pastaj shi ku vjen fundi i zisë,
duke gjykuar në t’mendjes kështjellë;
xheç shkelur ëndrrash që gjindjen mbështjell
dhe pa dhimbje zemërat mbodhis.

Ty zemrën ta rrëmbeu, duke parë
që vasha vdekur të desh ty pa pra:
dhe atë konte me zemrën me llahtarë.

Kur e pe ti të ikte rrënimtar,
gjumi i ëmbël u këput u vra,
i mundur nga i tiji kundërshtar.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin