MENDIME TË PAKREHURA (LVIII)

(nga Stanislaw Lec*)

Peshqit që kalojnë mes vrimave të rrjetës, mos vuajnë gjë nga kompleksi i inferioritetit?

Kur rritesh, mos i tejkalo përmasat e panteonit!

Kreu një vrasje: vrau një njeri! Njeriun brenda vetes.

Për një gentleman, as vdekja nuk mund të jetë pretekst.

Heronjtë e miteve të lashta ishin praktikisht të zhveshur. Heronjtë e miteve të sotme janë krejtësisht.

Sa më të pasur ta ketë fantazinë dikush, aq më i varfër ndihet.

Edhe një mungesë frutash prodhon fermente.

Mbipopullimi i Tokës ka bërë që te një njeri i vetëm të jetojnë shumë njerëz.

Duhen qendra detoksikimi edhe për ata që janë të dehur nga lumturia.

Fakti që vdiq nuk provon aspak që jetoi.

Midis një dashurie dhe tjetrës, duhet – për hir të delikatesës – të kalosh një periudhë karantine me një të tretë.

Perspektiva, çfarë mrekullie: t’i shohësh armiqtë e tu kaq të vegjël!

Hyr te vetja pa trokitur!

Mund të ndodhë që ta hapësh gojën nga admirimi dhe ta mbyllësh nga gogësima.

Dëshiron ta fshehësh fytyrën? Po dil lakuriq, atëherë.

Pagoi për t’u liruar nga robëria, por vazhdoi të mbahej si i burgosur i vetes.

Të tmerrshme janë pikat e dobëta të forcës.

Mos ecni në shtigjet e rrahura, mund t’ju rrëshqasë këmba!

Zakonisht dalja gjendet atje ku ishte hyrja.

Kush bërtet “Rroftë…!” me siguri e ka për tagër të paguajë varrimin.

Kur një popull nuk ka zë, këtë e vë re edhe kur ai këndon himne.

O vetmi, sa e mbipopulluar që je!

E dini ku mund të gjeni gjithnjë shpresë? Te dhomat e zhveshjes të ferrit, mu nën mbishkrimin “Lasciate ogni speranza!”

Ja një shkrimtar i guximshëm! I vuri pikën një fraze të pashkruar.

Kapiteni e braktis i fundit anijen. Prandaj admiralët flenë për shtatë palë qejfe gjatë një stuhie.

Shpesh i parafundit i mohikanëve e vret të fundit, që të bëhet vetë.

Qentë e kryeqytetit lehin edhe ata në mënyrë më qendrore.

Jeta u merr njerëzve shumë kohë.

 

(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin