REALITET ME KAFKË

(Shënime për romanin « Statuja » të Myslim Pashës)

nga Ilir Yzeiri

Vitet e diktaturës që u instalua në Shqipëri pas ardhjes në pushtet të elitave komuniste, ende nuk janë treguar ashtu siç do të duhej. Në këto vite, arti dhe letërsia, nuk e di për çfarë lloj arsyesh, nuk kanë prodhuar në vijimësi vepra që të na rrëfejnë atë periudhë me art, vepra që të kenë brenda, siç thoshte Aristoteli, « katharsisin » që të na bëjnë të ndiejmë dhimbje dhe mëshirë. Janë botuar aty-këtu romane apo edhe lloje të tjera krijimtarish, por ato kanë mbetur, më së shumti, pronë e shfrimeve të urrejtjes së një grupi të caktuar mbi një kategori të shenjuar që më parë dhe kështu, më shumë ngjajnë me reportazhe apo pamflete të gjata e të lodhshme për një fakt të njohur. Ende letërsia jonë nuk po e ndjek dhe nuk po e shtyn më tej atë traditë të rrëfimit të jetës në diktaturë që arriti kulmin me prozën e Kadaresë. Romane si: « Dimri i Madh », « Koncert në fund të dimrit » apo novela si: « Nëpunësi i pallatit të ëndrrave » apo «Muzgu i perëndive të stepës », natyrisht, janë krijime të një gjeniu dhe nuk mund të kapërcehen lehtë.

Është e vështirë të përcaktosh se përse ndodh kështu. Ndoshta kjo vjen pse letërsia ecën nëpër ca shtigje që i njeh vetëm ajo dhe ne jemi të pafuqishëm t’ia ndërrojmë kahjen, ndoshta edhe pse shpërthimi i egos së fshehur pas rënies së diktaturës ka bërë që, më së shumti, të kemi vepra që tregojnë më tepër autorin, sesa një realitet të caktuar. Ndoshta kjo ndodh edhe pse rrëfimi për diktaturën ka qenë objekt i letërsisë dokumentare dhe medias, kryesisht. E, në këtë pikë, letërsia, trillimi e ka të vështirë ta mundë realitetin.

Pikërisht këtë panoramë që sapo paraqita, duket sikur e thyen dhe e deformon Myslim Pasha me romanin e tij « Statuja », (Botime Argeta, Tiranë, 2019). Ky, sipas mendimit tim, është romani i parë në këto vitet e fundit që e tregon me art dhe me kulturë të lartë rrëfimi një pjesë të errët të jetës në diktaturë, por pa përdorur sintagmën e urrejtjes apo teknikat publicistike të akuzës së tejpërsëritur. Ai ka përdorur, më së shumti, vetironinë dhe ka treguar thelbin e asaj kohe: absurdin.

Myslim Pasha

Myslim Pasha është një personalitet i njohur në jetën publike të Tiranës. Me gradën kolonel, ai ka shërbyer në Ushtrinë Shqiptare si topograf e gjeodet dhe u bë i famshëm, veçanërisht, me konfliktin që u hap mes një pjese të opinionit publik dhe qeverisë së PD-së, kur ajo nënshkroi marrëveshjen e detit me Greqinë. Falë ekspertizës së tij të qartë, shkencore dhe të mirargumentuar, Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë atë marrëveshje dhe Myslim Pasha fitoi një popullaritet të merituar.

Mirëpo, siç ndodh zakonisht në jetën e të gjallëve, sendet rrjedhin dhe koha nuk ndalet. Ai u tërhoq nga pjesëmarrja në jetën publike dhe, për një kohë të gjatë, nuk shfaqej më në media. Një ditë dëgjova në një emision televiziv të flitej për një roman të tijin dhe më bëri përshtypje intriga e romanit. Ngatërrimi i bustit me një varr dhe ngatërrimi që bëhej në një hartë. Ishte fjala për një roman. Diçka e ngatërruar për mua dhe nuk po kuptoja asgjë. Ndërkaq, puna e topografit apo e gjeodetit, pra e atij specialisti që e hedh realitetin, objektet, relievin, gjithçka të ndërtuar nga natyra dhe nga njeriu, të gjitha këto, pra, i hedh në një hartë dhe për të gjitha këto ka një shenjë të caktuar dhe një kod të posaçëm në mënyrë që të lexohet si një tekst, e gjitha kjo më intrigonte shumë, veçanërisht tani që në profesionin tim kam edhe komunikimin si disiplinë. I shkruajta menjëherë Myslimit dhe ai, me përzemërsi, më dhuroi romanin e tij, të cilin, ashtu siç më ndodhi edhe me romanin e Mustafa Nanos, e lexova me vonesë. Por, sapo nisa ta lexoj, romani më tërhoqi në mënyrë të veçantë për disa arsye, por ajo që po më befasonte në çdo faqe të tij, ishte subjekti i mrekullueshëm dhe stili. U interesova më pas dhe mora vesh që Myslim Pasha në të ritë e tij kishte shkruar poezi, ndërsa duke lexuar romanin, ti e kupton që autori është një njeri i formuar dhe me kulturë letrare. Ai ka asimiluar traditën e letërsisë së përkthyer te ne dhe njeh mjaft mirë edhe jetën artistike të Tiranës. Nga kjo pikëpamje, heroi i romanit, Erson Pirgu, pas të cilit fshihet autori, sjell gjithë atmosferën qytetare të Shqipërisë së socializmit në të cilën plekseshin në mënyrë të çuditshme, izolimi me letërsinë e huaj më të mirë të përkthyer në shqip, propaganda e dhunshme me refleksionet dhe dyshimet. Por kjo është një temë tjetër.

Romani « Statuja » i Myslim Pashës, nga pikëpamja kompozicionale, është ndërtuar në mënyrë lineare dhe përbëhet nga pesë pjesë që autori i quan: e para « Varri kërkon statujën », e dyta « Procesi i blojës », e treta « Dasma në sytë e statujës », e katërta « Kapërcim në legjendë », « Intermexo » dhe « Statuja gjen varrin » dhe pjesa e pestë « Eliksiri i Hera Muzakës ».

Sa i takon stilit, romani ka të përzier rrëfimin trillues me atë dokumentar që do të thotë se ngjarjet që tregon autori, ndërthuren me kronikën reale të kohës. Është si një lexim që ti mund t’i bësh hartës topografike të një pjese të Shqipërisë. Stili topografik është materializuar edhe në shenjat hartografike që ai përdor në tekst. Midis rreshtash ti do të ndeshesh me shenjën topografike të statujës, fjala vjen, apo me atë të varrit. Qyteti ku zhvillohet ngjarja, është dhënë me emrin e tij të vërtetë. Është Fieri dhe vendi që ka shkaktuar intrigën në roman, është lulishtja e këtij qyteti. Ngjarjet nisin në vitet ’60-’70 dhe vijnë deri në fillim të viteve ’90. Kur flet për kronikën, ai përdor personazhet e njohura dhe konkrete. Kjo ndërthurje e fiksionit me rrëfimin dokumentar e bën romanin më tërheqës dhe gjithë teksti të duket si një kaleidoskop ku ti ke mundësi të zbulosh ato që i ke ditur dhe të tjerat që nuk ke mundur t’i dish për shkak të parimit të absurdit mbi të cilin ishte organizuar jeta në diktaturë.

E veçanta tjetër e romanit është se ngjarjet zhvillohen në ushtrinë shqiptare. Organizimi, disiplina, jeta në këtë formacion ushtarak ka qenë vërtet në disa anë e mbushur me paradokse, me linçime e me privime të paimagjinueshme. « Shkretëtira e tartarëve » është ndoshta një hije e zbehtë e asaj që ndodhte në ushtrinë shqiptare nga viti 1945 deri në vitin 1990. E ndërtuar si një strukturë që do të mbronte vendin, dalëngadalë ajo u transformua në një imazh të paranojës që kishte diktatori mbi këtë formacion. Dënimet në ushtri, vdekjet dhe burgosjet, atmosfera surreale që ne e kemi njohur përmes letërsisë dokumentare, këtu jepet me art dhe me shumë natyralizëm.

Romani, fill pas paraqitjes së përmbajtjes, në faqen 5, hapet me një hartë topografike të zonës ku do të zhvillohen ngjarjet dhe gjithë faqet e tij shënohen nga simboli i statujës në krye të faqes e cila zgjatet me një vijë në të dyja faqet. Është grykëderdhja e Vjosës në këtë hartë. Më tej, në faqen 6, autori ka bërë një shënim në të cilin thotë se « romani është mozaik ngjarjesh në kohëhapësirë, ngjizur në përfytyrimin artistik. Ndodhia e ngatërrimit të simbolit hartografik të Statujës së diktatorit me një varr është reale. Personazhet historike si: Enver Hoxha, Shkurte Pal Vata, Ramiz Alia, Lej Feng, Kadri Hazbiu … janë një nevojë e gatimit letrar dhe jo dokumentar. Harta e romanit ka përbërës të një gjeografie reale, me toponime të njëmendëta, por ajo sjell edhe shtresëzime gjeohistorike, si dhe ndajshtime: Dimal, Ura e Jul Qezarit, Kampi i Pompeit, Semani i paravdekjes, Udha e Komnena Muzakës, Vendi i Rënies së UFO-s, Raketat kineze, etj. » Ndërsa fillimin e rrëfimit e paraprijnë dy sentenca, një e Borghesit  dhe një e Jose Saramagos. Ajo e Borghesit është një thënie për historinë, për këtë përsëritëse të tmerrit, siç e quan ai, e dyta për verbërinë. Pse u bëmë të verbër ? – pyet Saramago, – të verbër që shohin. Të duket se këto dy sentenca përcaktojnë edhe çelësin dhe tonalitetin e rrëfimit. Pra, do të duhet të përgatitem se do të zbulojmë një ngjarje historike nga ato që ngjajnë me përsëritjet tërheqëse të tmerrit dhe do të takojmë personazhe të verbër që shohin. Veç këtyre, romani ka dhe disa grafika nëpër të që ilustrojnë momente kulmore të veprimit.

Romani hapet me një ditë të zakonshme të oficerit Erson Pirgu, që po punon në zonën e grykëderdhjes së Semanit për të ndërtuar një hartë topografike për nevojat e ushtrisë. Ndërkaq, ushtaraku Ugo Tome po korrektonte hartën e qytetit dhe lulishten aty ku ishte statuja e Enver Hoxhës, vendosur pas 6-shkurtit. Një dëshirë që do të donte ta kishte çdo ushtarak, thotë autori. Ndërkaq, qysh këtu ai hap edhe linjën tjetër të romanit që është ajo e Hera Muzakës, së dashurës dhe më vonë gruas së Erson Pirgut. Autori menjëherë na fut në atmosferën e kohës që rrëfen. Duhet të jetë fundi i viteve ’60 dhe fillimi i viteve ’70 dhe vendi është transformuar i gjithi në një ambient surreal brenda të cilit ziejnë parullat e vargjet « Shenjtorët janë spiunë » apo:

Do ta bëjmë si dikur
Ti thur e unë shthur,
Shkëmb e gurë, shkëmb e gurë
Proletarë e diktaturë.

Në anën tjetër, zelli i të verbërve që shohin, ka ngritur në kulm dëshirën për ta vendosur portretin e udhëheqësit edhe në mal, për të ndërtuar një të tillë edhe në Bureto, ashtu si Mao Ce Duni në Kinë. Mirëpo ky zell ndërpritet befas nga një ngjarje e rëndë. Është zbuluar se harta që rilevonte lulishten e qyteti të Fierit, në vendin e statujës së Enver Hoxhës ka të shënuar një varr. Zbulimi është tronditës. Ky episod (në fakt, një ngjarje e vërtetë), është nga ato rastet kur realiteti ia kalon trillimit sepse këtë truk edhe shkrimtari me fantazinë më të shfrenuar nuk mund ta përdorte në një rrëfim për kohën e diktaturës. Statuja dhe varri janë dy shenja që mbërthejnë mes tyre një mal me metafora e simbolika të jashtëzakonshme. Mjeshtëria e Myslim Pashës në këtë roman është se këtë ngjarje e ka transferuar me shumë art nga një ngjarje reale në një trillim befasues dhe tani narrativa futet në hullinë e stilit të Franc Kafkës. Koha ka ngrirë. Në përpilimin e hartës kanë marrë pjesë tre vetë: Sulë Kërluku, si mjeshtër dhe vijërojtës  i cilësisë, që ruante kufirin ndarës mes hartografimit dhe natyrës dhe kontrollonte punën që ishte bërë më parë, Ugo Tomja dhe, në fund, Erson Pirgu. Dhe momenti i zbulimit fatal vjen. Këtë çast autori e ka dhënë me një mjeshtëri të spikatur. Siç e thashë edhe më lart, ngjarja në vetvete e ka të siguruar magjinë. Problem është rrëfimi. Po ashtu, narrativa që mbështetet mbi simbolikën e hartografisë, është një metaforë e shkëlqyer. Ky rrëfim, përmes kësaj simbolike, është edhe si i tillë një vepër artistike. Ndërsa i treguar me fjalë mbart rrezikun që mund të zbehet kur nuk është në dorë të artistit të fjalës. Myslim Pasha e ka shpëtuar këtë tekst sepse e rrëfen me një art që të shtang:

Ai u përpi si ndaj një zbulimi në kthesën që merrte lumi, i cili mbështillte lulishten qendrore të qytetit. Tushi vizatimor kinez ishte shumë i theksuar dhe mbresa shumëfishohej jo në zmadhimin e saj, por në atë përqendrim që të afronte. Ç’është kjo që shoh !? Një kryq (pas kësaj fjale autori ka vendosur edhe në libër shenjën e varrit që përdoret në hartat topografike me kryqin brenda, – shën. im I.Y.) me theksim të zi, i cili e kishte gozhduar ngjyrimin hapësinor të së gjelbrës që zotëronte anash. «Ç’është kjo ? Një varr ? Shenja e saktë apo po më bëjnë sytë? I vetmuar, mes luleve rrotull », po i thoshte mendja e tij e trazuar, e lidhur tani me shenjën ogurzezë. Nuk është as në kurrize të largëta malore apo në shpate kodrinash, mbi ndonjë shkrep të harruar, monolog i vetmuar i ndonjë kaçaku apo lajmëtari, mbase në ndonjë pritë të zakonshme kanuni ».

Po i merrej fryma dhe fshiu sytë e mjegulluar. Shenja, në vend që të shuhej, po qartësohej më shumë. Ai u ngrit për të marrë veten. « Kush ma solli këtë shenjë të vdekjes sime !? », tha. Uli kokën sërish mbi origjinal dhe rrudhat e ballit po hapnin vija kullimi, për ta tharë atë skenë hartografike të pazakontë. « Mesa di unë … » Ai kujtoi statujën e Enver Hoxhës (edhe këtu jepet shenja hartografike e statujës – shën. im I.Y.), vendosur këtu me rastin e 6 Shkurtit revolucionar. Kjo ishte shumë e njohur. « Ç’po flas? Ngulja e kryqit. E kujt? Në vend? Ku? Të shokut Enver »

Iu prenë krahët dhe koka iu var. A kishte vallë ndonjë njeri tjetër rrotull sy dhe veshë? Po hungërinte për atë që pati zbuluar. Takikardia bëri një goditje të ndarë. Në këtë zbulesë qenia e tij e frikshme u mbërthye me një brengë fatkeqe, hall dhe vuajtje të madhe, pasuar nga një rënkim që doli me fjalë: « E gjetsh nga mos e pandehsh ». Kryqi ishte perpendikular. « Enver Hoxha i zëvendësuar me një varr ». (Myslim Pasha, « Statuja », botim i Argeta LMG, Tiranë, 2019, faqe 19.)

Pra, shenja konvencionale e statujës së Enver Hoxhës është zëvendësuar më shenjën konvencionale të varrit të vetmuar. Dhe tani krimi u mor vesh duhet zbërthyer intriga. Hyjnë në lojë personazhet e tjerë bartës të vigjilencës dhe të frikës. Grupi i vogël i atyre që pa dashje kishin kryer krimin e rëndë, vihet përballë dy gjykatësve në fillim, komisarit që autori e thërret « Antidyringu » për shkak të manisë së tij për të cituar veprën e Engelsit, komandantit dhe si hije pas, lart dhe anash tyre, Sigmi apo sigurimi i ushtrisë. Gjithë këtë ankth, terror të brendshëm dhe net pa gjumë e dyshime të frikshme, autori i vizaton me mjeshtëri. Fillojnë mbledhjet. Harta duhet dorëzuar, por, tashmë, e keqja është bërë. Ajo që ka ndodhur, nuk mund të fshihet, nuk mund të korrigjohet. Këtu hyn në lojë Erson Pirgu. Ai thirret si ekspert nga komanda për të ndrequr krimin. Ky gabim njerëzor, ky ngatërrim naiv i statujës me varrin është bërë tani makthi total. Sulë Kërluku, ai që duhet ta mbikëqyrte hartën, pra, ai që nuk e vuri re ngatërrimin fatal, nuk e përballon dot këtë gjendje dhe, i tërhequr në Krujë, në vendlindjen e tij, sheh ëndrra me Sari Salltëkun që i kërkon të ngrihet nga gjumi. Ai, si komunist, betohet se Enver Hoxhën e ka shenjt. Por ajo që ka ndodhur, është më e rëndë se besimi i tij dhe depresioni i thellë e mund. Ai vdes. Vuante nga zemra dhe sëmundja i shoqërohej edhe nga probleme të hershme psikike. « Ishte njeri shumë i lig ai Sulë Kërluku », thotë komandanti. Është një ambient në të cilin urrejtja dhe dëshira për vdekje ndaj tjetrit përcakton formën e atij areali. Statuja e kishte bërë kurbanin e parë, por askush nuk ishte i sigurt. Frika se ajo që kishte ndodhur, ishte si një virus që mund të përhapej, i bënte ata që e dinin sekretin e krimit, që të ishin në ankth të vazhdueshëm.

Ndërkaq, Erson Pirgu merr mbi shpatulla edhe një barrë tjetër – statujën dhe varrin. Me këto dy pesha ai është i detyruar të përgatisë një raport për UFO-t që janë shfaqur në Dimal. E thërrasin urgjent në repart. Situata ndërlikohet dhe autori na rikujton edhe njëherë atë situatë surreale të mbushur me kërcënime e shantazh. Një jashtëtokësor në Dimal, pastaj koordinatat e Traktatit të Varshavës pleksur me Sistemin e ri Koordinativ kinez. Të gjitha këto përgatiteshin t’i dërgoheshin shokut Enver bashkë me hartën që kishte një kumt nga Ferri. Gjithë kjo pleksje ngjarjesh dukej që kishte një logjikë fatale dhe Antidyringu, komandanti dhe Erson Pirgu dukej se kishin kapur kumtin fatal. Këtë atmosferë dhe këtë paranojë groteske Myslim Pasha e jep me mjeshtëri.

Në roman ka personazhe të tjera që hedhin dritë mbi një realitet tjetër, Gjoni, një i arratisur nga Kosova, është rekrutuar nga Sigurimi i Shtetit dhe dëshira që kishte për të studiuar në Seman Muzakajt, i kthehet në humbje të lirisë e personalitetit. Ndërkaq, veprimin e shtyn ankthi i ngatërrimit në statujës me varrin dhe komanda e repartit, që ka kthyer në paranojë këtë krim, duhet ta tregojë atë sepse asnjë gjurmë nuk mund të fshihet. Dhe këtu autori na njeh me një anë tjetër të shfaqjes së frikës dhe paranojës që është vlera e jashtëzakonshëm që merr në diktaturë burokracia e letrës së shkruar. Shkresa, relacioni, raportimi, gjurmimi, pra, gjithçka që ndodh, e përkthyer në shenja, në shkronja e fjalë dhe pesha e jashtëzakonshme që marrin aty. Drama më e madhe në këtë atmosferë bëhet relacioni. Pra, përcjellja e kësaj gjëme që ushqen paranojën atje lart në udhëheqje. Këtu hyn në lojë Ersoni dhe talenti i tij. E thërrasin në komandë dhe komandanti i tregon çfarë kishte ndodhur :

« Kemi një ngjarje të jashtëzakonshme. Kemi marrë një vendim komande për të bërë një relacion. Ugo Toma kishte mbaruar origjinalin hartografik të qytetit të Lumgjallit, e kishte bërë vetë korrekturën e po kështu kishte rregulluar edhe korrigjimet e Shefit të Seksionit. Korrektori Sulë Kërluku, rahmet pastë, kishte radhën e korrigjimeve, por komandanti mbylli derën e çadrës dhe e uli zërin akoma më shumë. « Ne nuk e kemi problem se kështu menduam », po i thoshte gati me lutje Ersonit. « Ende nuk po kuptoj », tha Ersoni. « Korrektori vdiq, pastë fatin e tij, po dobiçin na e la në derë. Ose pse të mos themi se e la litarin jashtë », tha. «Kjo që ka ndodhur është punë e Ugo Tomes. Në vend të shenjës së Statujës është vizatuar shenja e varrit të vetmuar », shpjegoi. « E statujës së shokut Enver në lulishten e qytetit », pyeti Ersoni. « Ëh, i ke rënë në lule të ballit! » u shpreh komandanti. « Nuk duhet të përhapemi shumë. Edhe pse e ka bërë Ugo, ai të mos e dijë. Ne vetëm do ta zhdukim së bashku atë shenjë të flamosur! Komanda dhe ti si ekspert. » (f.30-31).

Ersonit i ka ranë çatia në kokë. Kërkon me çdo kusht që të largohet me mend nga kjo hata. I lutet nën zë komandantit që të mos e shohë, por ai e shtyn të marrë përgjegjësi sepse ai është i zgjedhuri i komandës, sepse ai është përfshirë edhe në pararojën e vendit te Njerëzit e Rinj të Partisë. Rrëfimi futet në labirintet kafkiane të paranojës. Vlera që merr shenja, të kujton fetishizimin dhe atmosferën e Mesjetës. E kanë parë tetë sy, prej tyre dy sy kanë vdekur, ngelen gjashtë të tjerë, katër të komandës janë gjallë, dy të tjerë janë të Njeriut të Ri. Ja se çfarë zbërthimi i kemi bërë që të mos na vdesin sy të tjerë. Janë skena vërtet të bukura. Frika dhe paranoja nga armiku që mund të hyjë edhe në majën e penës mikroskopike e deri te fija e barit apo sindroma e gjarprit në gji. Të gjitha këto i vetëtijnë në mendje Ersonit. Dhe pranon misionin. Për herë të parë ai do të shkruante një relacion. Dhe rikujtimi i asaj atmosfere, tensioni për fjalën që do të duhej zgjedhur, pesha e rëndë e fjalive, sqarimi, analiza, shpjegimi, fshehja dhe rrëfimi, gjithë këto dilema rraskapitëse duhet të arrinin një qëllim të vetëm: të shkulnin qelizat e vdekjes të mbjella nga armiku deri në bërthamën e atomit. Këtu gjithçka ishte ndryshe, armiku ishte një metaforë, thotë autori dhe ai arrin që këtë gabim njerëzor ta kthejë në një dëshmi të përkundërt. Mirëpo magjia e burokracisë së tekstit të shkruar që në diktaturë është tragjikisht e shenjuar në një kod të rreptë, sjell gjithmonë befasi të mrekullueshme kur ajo përdoret si mjet i rrëfimit. Autori luan bukur vetëm me dy germa, që rëndom në fund të letrës, kur duan të shtojnë një arsyetim më shumë, shenjohen me P.S., nga latinishtja – post scriptum, dhe Erson Pirgu në këtë shënim ka sqaruar se përse harta e vjetër duhej korrigjuar. Gjithë relacioni i Erson Pirgut është një tekst brilant që nuk bie aspak më poshtë se çdo fragment i romaneve të Kafkës. Po e citoj të plotë :

Harta origjinale si dokument na tregon se topografi ka kryer një punë, e cila duket e vetëdijshme në konceptimin vizatimor. Në paraqitjen e shenjave, të miratuara nga libri përkatës, pa vajtur në vend dhe pa e krahasuar, nuk mund të vëresh se mund të ketë ndodhur ndonjë hartim i pasaktë, pasi puna vjen shumë e pastër, gjithësore dhe e lexueshme. Unë, Erson Pirgu, e njoh vendin dhe lulishten e parkut të qytetit. Kam bërë një rilevim të ri vetëm të lulishtes, në mes të së cilës qëndron udhëheqësi. Prej këtij krahasimi të shkon mendja se në qendër të parkut është e verifikueshme vendndodhja. Ata që njohin shenjat hartografike mund të shtangen, kur në mes gjejnë ngatërrim shenjor. Shumica e përdoruesve të hartës nuk e njohin shenjën përkatëse dhe nuk u shkon ndërmend, mirëpo specialistët që e hasin si dhe origjinali historik që i ngelet kohës, na tregon se këtu është bërë një nga mbjelljet dhe vizatimet hartografike më të mynxyrshme.

Po të botohej harta dhe t’i përcillej kohës, do të ngelej në jetë të jetëve, jo shoku Enver, por Varri i tij. Ajo që ka zbuluar korrektori është e rrallë, nuk është thjesht një vigjilencë revolucionare, por një dëshmi historike.

I raportoj komandës së detashmentit se gjithçka ka ardhur nga ngatërresa. Shenja e statujës, çuditërisht, përngjason me shenjën e varrit të vetmuar, e, këtu, të shkon mendja se « njëra shenjë kërkon tjetrën; varri i vetmuar kërkon të fusë brenda vetes statujën e tij ». Po këto janë fantazira armiqësore. Mendoj që origjinali të zhduket, pasi të rifotografohet dhe retushohet shenja. Rilevimi i kryer të vendoset mbi modelin e ri. Përshëndetje revolucionare! Erson Pirgu.

P.S.

Nëse origjinali do të ngelej ashtu siç është realiteti i shformuar, figura e shokut Enver Hoxha do të simbolizonte të vetmin njeri që bart të keqen e Shqipërisë dhe fatin historik të saj, prandaj ai e ka vendin te « varri i vetmuar ». Statuja kërkon varrin. Ky është mesazh dhe kumt i frikshëm që na dërgojnë armiqtë. » (f. 35)

Relacionet apo korrespondenca ushtarake është në vetvete një tekst që ndërtohet mbi tejdukshmërinë e marrëdhënies mes të shenjuarit e shenjuesit. Parimi kryesor i organizimit të këtij teksti është qartësia dhe shmangia e dykuptimësisë apo e emërtimeve të ngjashme. Mirëpo, pikërisht pse objekti që zgjidhet për t’u shenjuar është absurd, gjithë teksti i lexuar sot e humbet efektin e parë që ka pasur në kohën e diktaturës dhe sot shkakton një efekt tjetër që është, në të shumtën e herës, habia dhe magjia e absurdit. Dhe Myslim Pasha e ka ruajtur këtë magji si një krijues profesionist.

Gjithë çfarë vjen më tej, ndjek logjikën e këstij teksti. Nisin mbledhjet në detashment, por lajmi është marrë vesh. Sigurimi i ushtrisë e ka mësuar ngjarjen dhe agjentët kanë nisur punën. Përgjimet nga Sheleguri, një agjent ushqimor, janë faqe të mrekullueshme. Futen në lojë Sekomi, Sekretari i Komitetit, shoqja Xh (Nexhmije Hoxha). Nisin vrasjet arrestimet. Erson Pirgu pas kësaj nis karrierën dhe ndryshimin. Hera, e dashura e tij, bëhet një simbol tjetër dhe tregon se si u kthye revolucioni feminist në një teatër absurd të kultivimit të Njeriut të Ri. Pjesa e parë e romanit radhitet, sipas meje, ndër prozat më të bukura të letërsisë shqipe të shkruara këto kohët e fundit. Pjesa e dytë e romanit vijon me hijen e post-scriptumit që e ndjek vazhdimisht, arrestime, mendimi për të vrarë veten, gjithë absurdi i jetës në ushtrinë shqiptare sidomos pas vitit 1974 këtu jepet përmes fatit të Erson Pirgut në mënyrë të mrekullueshme. Peripecitë nëpër të cilat kalon veprimi i Erson Pirgut, janë të shumta dhe të mbushura me ngjarje, me paralele historike, kulturore dhe refleksione të goditura.

Romani, disa herë, merr edhe karakter policor dhe të kujton aksionet me 007-ën. Një mision të tillë e merr përsipër edhe heroi ynë. Ai shpallet i vdekur, « varroset » në fshatin e tij dhe niset për një mision në Rusi. Futet atje nga një shtet tjetër dhe qëllimi është të gjejë e të verifikojë një hartë të Mehmet Shehut mbi pushtimin e zonës së Korçës nga jugosllavët. Misteri ishte nëse kjo hartë ishte firmosur nga Mehmet Shehu apo jo.

Fundi i romanit përkon me vitin 1991. Statuja gjen varrin. Erson Pirgu është kthyer dhe ndjek nga larg turmat e protestuesve që shkulin statujën e Enver Hoxhës. Atyre iu prin Koço Kokëdhima.

Romani, natyrisht, është më i gjerë se kaq dhe një analizë më e thellë do të kërkonte faqe e faqe të tëra. Me këtë shënim doja vetëm të përmendja se në letërsinë shqiptare, jo vetëm që po vjen një romancier i talentuar, por asaj po i shtohet një vepër që për herë të parë e tregon socializmin shqiptar dhe sidomos anën më solide të tij, ushtrinë shqiptare, me një realizëm gati si ai i Kafkës. Risjellja në kujtesën artistike e stilit të letërsisë së burokracisë së diktaturës me mjeshtëri na kujton edhe një herë se ai realitet mund të tregohet me shumë art nëse merret përsipër nga autorë të talentuar e me kulturë si Myslim Pasha.

 

© 2020, Ilir Yzeiri. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Rreth Autorit

Prof. dr. Ilir Yzeiri ështe pedagog i letërsisë shqipe të realizmit socialist dhe i komunikimit në Universitetin A. Xhuvani në Elbasan. Jeton prej vitesh në Tiranë dhe është gjithashtu një nga gazetarët e njohur të vendit. Ka botuar librat “Poetika” (Tiranë, 2000), “KADARE, AGOLLI, ARAPI- figuracioni në poezinë e viteve '60” (Tiranë, 2011). Ndërsa libri i tij i fundit “Semiopragmatika e realizmit socialist” ( Tiranë, 2013) është pjesa e parë e një serie me studime për realizmin socialist në Shqipëri. Pjesa e dytë e kësaj serie doli në janar të vitit 2020 me titullin “Si erdhi realizmi socialist në Shqipëri”, Botime ÇABEJ . Po në janar të vitit 2020 ai ka botuar edhe monografinë “Erosi & Thanatosi në mjerim – Një vështrim semiologjik për romanin Lumi i vdekur të Jakov Xoxës.”

Author Archive Page

1 Koment

  1. Shenja varresh dhe statujash te reja e te vjetra

    Duket se autori (i shkrimit) Ilir Yzeiri, niset edhe ai si heroi i romanit ne skicim dhe hartim te rilevimit ne lulishten e qytetit ku do ngrihet statuja.
    Nis e lexon nje liber te nje autori pothauj te panjohur ne kete fushe, por e gjen ate si autor po aq dimensional sa ne ate ngjarjen tjeter, se paku po aq te thekshme (sic ishte rreziku i identifikimit te statujes me shenjen e Varrit), me det te kembyer pa kushtetute!
    Rrezikimi prej akteve, ne te dy ngjarjet (jetesore dhe romaneske) eshte fatal per autorin dhe kritikun, por behet i tille edhe per lexuesin, qe ftohet ta kerkoj librin, romanin e Myslim Pashaj.

    Do te mjaftonin edhe vec fragmentet e cituar qe te mos vihet asnje dyshim per aftesine e te shkruarit, imagjinaten e zbritur ne oren te shkrimit dhe pasojat respektive: grupi armiqesor eshte gati, por ne grup do ndjehesh edhe ne harten e kufijve detar!
    Tashme shtohet sfida e trete, si autor.
    Ilir Yzeiri e paralajmeron Myslim Pashajn te ruaj klasin e shfaqjes!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin