BORGESI DHE UNË

tregim nga Jorge Luis Borges

Gjërat i ndodhin atij tjetrit, Borgesit. Unë shëtit nëpër Buenos Aires dhe ndalem, ndoshta tani mekanikisht, që të kundroj kubenë e një porte dhe kangjellat e oborrit; për Borgesin i marr lajmet nga posta dhe ia shoh emrin në ndonjë listë profesorësh a në ndonjë fjalor biografik. Mua më pëlqejnë orët me rërë, hartat gjeografike, tipografia e shekullit XVIII, etimologjitë, aroma e kafesë dhe proza e Stevensonit; edhe atij i pëlqejnë këto, por në një mënyrë vanitoze, e cila ia shndërron në atribute aktori. Do të kish qenë e tepruar të thuhej se mes nesh ka armiqësi; unë jetoj, unë ia lejoj vetes të jetoj, në mënyrë që Borgesi të mund të thurë letërsinë e vet dhe ajo letërsi më përligj. S’më kushton asgjë të pranoj se ai ia ka dalë të shkruajë ca faqe me vlerë, por ato faqe nuk mund të më shëlbojnë, ndoshta sepse çfarë kanë ato të mirë nuk i përket askujt, madje as tjetrit, por gjuhës ose traditës. Tek e fundit, unë jam i dënuar të firoj, përfundimisht, dhe vetëm ndonjë çast imi mund të mbijetojë tek tjetri. Pak nga pak po ia dorëzoj gjithçka, edhe pse ia njoh mirë zakonin pervers për t’i fryrë gjërat dhe sajuar.

Spinoza e pat kuptuar se të gjitha sendet duan të mbeten siç janë; guri përjetësisht kërkon të jetë gur dhe tigri tigër. Unë do të mbetem te Borgesi, jo te vetja (ta zëmë se jam dikushi), por e gjej më pak veten në librat e tij, se në shumë të tjerë, ose në arpezhin të ndërlikuar të një kitare. Para ca vjetësh desha të çlirohem prej tij duke kaluar nga mitologjitë e periferive në lojërat me kohën dhe pafundësinë, por ato lojëra tani janë të Borgesit, dhe mua më duhet të sendërgjoj të tjera. Ashtu jeta ime është një ikje dhe unë humbas gjithçka dhe gjithçka i përket harresës, ose atij.

Nuk di cili prej nesh të dyve e shkruan këtë faqe.


Shënim: ky tregim, me titullin origjinal “Borges y Yo”, është botuar së pari në përmbledhjen me tregime El Hacedor, 1960.

2 Komente

  1. Ne nje faqe gje ka dhene dy ide te rendesishme: e para se me shume se vetes krijimtaria e nje shkrimtari i nenshtrohet nje destinacioni te caktuar dhe se, shpesh here, ata (shkrimtaret e medhenj), krijojne nje personalitet te tille, te cilin nuk e kontrrollojne dot me.
    Gjithsesi, shpresoj se me keto (a si pasoje e ketij procesi) ai nuk ka dashur te thote se ata jane edhe pak skizo…

  2. Ajo që lexoj unë në këtë shkrim është raporti me autorit dhe veprës së tij. Autori thotë Barthes është një scriptor, apo të themi një “makinë trasmentuese” mesazhesh e gjëra të tilla. Borgesi bën jetën e tij të zakonshme si çdo njeri-ushqehet, rrëkelen ndonjë birrë, shëtit, lexon, ja fut gjumit, shikon filma, shkon në stadium apo në kishë dhe, nga të gjitha këto, pra nga e gjithë jeta e autorit, pako gjë kalon tek Borgesi tjetër, pra tek skriptori.
    “Jeta ime është në ikje dhe gjithçka i përket harresës , ose atij”-“vdekja e autorit” ka ndodhur. Emri tij jeton si scriptor dhe në produktin e tij letrar mund të dallojmë pak ose aspak gjurmë të biografisë së tij.
    Kësisoj shprehja : Ai ka dashur të thotë..- është pa kuptim. Vepra/libri/shkrimi nuk përcjell asnjë lloj teleologjie .Autori është një sinfiks dhe nuk do ta marrim vesh kurrë se “cfarë ka dashur të thotë”. Unë e lexoj-tani jam unë autori tekstit.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: