KA RRENA E RRENA

Shumë është folur për lajmet e rreme këto kohë (fake news), të shpërndara qëllimisht nga uebsajte të specializuara dhe në rrjetet sociale për të manipuluar lexuesit syleshë dhe, nëpërmjet tyre, edhe zhvillimet politike. Lajme të tilla, të prodhuara për të ndërhyrë në opinionin publik, kanë ardhur e u janë shtuar lajmeve të sajuara që konsumohen si kuriozitete, si ato për UFO-t dhe alienët; por edhe lajmeve të tjera, me natyrë satirike, të cilat nuk synojnë të gënjejnë njeri, por vetëm të fshikullojnë.

Edhe në mediat shqip i gjen të trija këto lloje lajmesh të rreme, por çuditërisht të përziera së bashku, si për ta pështjelluar edhe më tej lexuesin, të cilit tek ne jo vetëm i mungon shqisa e gjykimit kritik, por edhe ka ardhur duke e humbur atë pak bonsens që kushedi e kish pasur. Një tjetër efekt i papritur i lajmeve të rreme në hapësirën e mediave shqip është se një pjesë e këtyre, të prodhuara për të manipuluar opinionin publik në vende të tjera, si ato për Trump-in, Clinton-in etj., nuk kanë synuar kurrë që të gënjejnë edhe lexuesin shqiptar; i cili ka rënë kështu viktimë e grykësisë së mediave për klike, mungesës së profesionalizmit dhe budallallëkut të së gjithë atyre që i përhapin këto lajme.

Një lajm i rremë i pafajshëm ishte edhe ai për një “tmerr të konfirmuar nga NASA: Toka në nëntor do të jetë 15 ditë në errësirë totale.” Sipas atyre që e përcollën, kjo errësirë do të zgjaste nga 15 nëntori deri më 29 nëntor, e shkaktuar “nga një ngjarje astronomike midis Venusit dhe Jupiterit”; dhe pikërisht: Venusi do të kalonte në jug-perëndim të Jupiterit dhe do të ngrohë gazet në Jupiter “duke shkaktuar një reagim”: gazrat e hidrogjenit, të çliruara nga Jupiteri, do të shkaktonin një shpërthim masiv në sipërfaqen e diellit, duke e kthyer këtë në ngjyrë kaltëroshe.

E përshkruar kështu, kjo lexohet si një aksident i komplikuar në kuzhinën time me gaz; por kjo nuk i çliron nga faji të gjithë ata që e lexuan lajmin dhe nuk e vunë re se Venusi dhe Jupiteri mund edhe të afrohen mes tyre në qiellin siç na duket ne (ose astrologjik); por kjo nuk ka të bëjë me pozicionet e tyre reale në qiellin astronomik; dhe se gazrat që mund të lëshojë Jupiteri nuk kanë si të përfundojnë në Diell dhe as t’ia ndryshojnë këtij përkohësisht ngjyrën; etj. etj., pa e qelbur më parë gjithë sistemin. Astronomia, me sa di unë, ende studiohet në shkollat e mesme të përgjithshme; por ndoshta tani u duhet kërkuar edhe gazetarëve si ekstra. Fakt mbetet që këtë lajm për errësimin aksidental të Tokës e raportuan shumë media online dhe të shkruara – çfarë ndoshta shpjegon edhe ndërprerjet e energjisë në Shqipëri dhe pikërisht në Tiranë këtë vjeshtë.

Por ky lajm hyn në kategorinë e atyre që testojnë inteligjencën e lexuesve, si të atyre të cilëve u drejtohen vërtet, ashtu edhe viktimave të rastit, si tonat. Mediat tona gjithnjë janë ushqyer me budallallëqe të tilla, për turp të atyre që i drejtojnë dhe i redaktojnë. Përkundrazi, shumë lajme të rreme që kanë hyrë tani së voni janë të një kategorie tjetër – sepse për t’i etiketuar si të rreme duhet jo vetëm vëmendje, por edhe pak vigjilencë, ose gjykim kritik. Lexuesi është relativisht i pambrojtur ndaj tyre, prandaj ka nevojë për bashkëpunimin e medias që ia ofron, e cila duhej të shërbente si filtër.

Tipik ka qenë, në këtë kontekst, lajmi se Trump-i paskësh deklaruar se “do ta heqë statujën e Lirisë ngaqë kjo inkurajon emigracionin.” Ky informacion mund të jetë sajuar për publikun në ShBA, për ta indinjuar ose edhe për t’i treguar absurditetin e politikës anti-imigracion të Trump-it; por publikut shqiptar, që nuk i përjeton këto problematika si ai amerikani, i mungojnë antikorpet ndaj kësaj rrene a satire qoftë.

Dhe meqë jemi te fushata presidenciale në ShBA, le të citojmë edhe një lajm tjetër të gënjeshtërt, këtë herë për kundërshtaren e Trump-it, Hillary Clinton-in, e cila “po blen armë të paligjshme nga Shqipëria”, “i vetmi vend mysliman i Europës”. Raport “shokues”, e quan këtë faqja Opinion.al, duke iu referuar edhe burimeve të inteligjencës ruse, të cilat lajmëronin edhe për “transferimin e 137 milion dollarëve të Fondacionit Clinton për Partinë Socialiste të Shqipërisë.”

Nga ShBA në Europë: gazeta “Panorama”, që gjithnjë është shquar për vëmendje ndaj çështjeve sociale dhe të familjes, lajmëron se “Gjykata e Kasacionit Europian” ka marrë një vendim për ata të cilët tradhtojnë partnerin: recidivistët mund të përfundojnë në burg deri në tre vjet. Këtë ligj e paska hartuar gjykatësi gjerman, Alvior Porfischeich. Po çfarë është pikërisht kjo “Gjykatë e Kasacionit Europian”? Mos vallë i njëjti institucion që vendosi edhe pranimin e paradokohshëm të Shqipërisë – me kusht – në Bashkimin Europian?

Kjo prani invazive lajmesh të rreme, me besueshmëri që u garantohet thjesht ngaqë janë kopjuar dhe përkthyer nga gjithfarë gazetash, fletushkash dhe paçavuresh në Internet, i ka nxjerrë në plan të dytë të gjitha ato lajme të rreme për shqiptarët e zbuluar rishtas në Afganistan dhe origjinën shqiptare të më të mëdhenjve të kësaj bote; si ky lajm “spoof” për prejardhjen shqiptare të George Washington-it, të cilin MAPO-ja ia atribuon tani Reuters-it; por që qarkullon prej vitesh në infosferën shqip; pa çka se po prej vitesh është bërë e ditur, nga autori dhe miqtë e tij, se ka qenë një shaka e dalë nga kontrolli.

Le ta pranojmë: një pjesë e mirë e lajmeve që dalin në mediat shqip janë të rreme: sepse i kanë rrënjët në shpifje, gënjeshtra, aluzione, akuza të paverifikueshme, kërcënime, shantazhe, gënjeshtra propagandistike qeveritare dhe marifete të tjera. Komunikimi publik sot, për të gjithë ata që duan të marrin vesh diçka, ka nevojë të dekodohet, meqë kush zotohet të përcjellë të vërtetën, nuk ka asnjë shans përballë atyre të tjerëve, që shërbejnë kauzat e padronëve të tyre dhe të parave.

Prandaj, kur qëllon ndonjëherë, jo dhe aq rrallë, që një media të përcjellë një lajm të rremë pa dashur, ose duke e kujtuar për të vërtetë, kjo është të paktën për t’u festuar: në kuptimin që edhe gënjeshtari qëllon që gënjehet.

1 Koment

  1. Duke i pare tani ketu per here te pare shumicen e lajmeve te mesiperme, (pervec asaj te tradhetise bashkshortore dhe asaj te prejardhjes se Xhorxh Uashingtonit, qe eshte lajm i vjeter), them se nuk duhet te me vij keq qe nuk arris ti shoh cdo dite lajmet shqiptare. Biles, po te llogarasim qe lajme te tilla mund te jene edhe te qellimshme nga elita te caktuara, per te pare gradacionin e injorances se masave dhe, ne baze te ketij gradacioni, te hedhi ne treg e te verw ne zbatim plane te tjera te sofisktikuara investimesh dhe grabitjesh moderne, them se nje vershim komentesh injorante ne keto lajme mund ti vere para kohe ne zbatim planet e ketyre elitave, keshtu ato te dallohen e te demaskohen nga pakica e ditur, e cila (kjo e fundit) po rrudhet dita me dite me kalimin e viteve.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: